KEDARI
[nga rrënja e fjalës që do të thotë «të jesh zeshkan»].
1. Një nga 12 bijtë e Ismaelit.—Zn 25:13-15; 1Kr 1:29-31.
2. Fis arab që e kishte prejardhjen nga Kedari, biri i Ismaelit, dhe që u përfshi ndër «bijtë e Lindjes». Edhe vendi i tyre quhej Kedar. (Jr 2:10; 49:28, 29) Kedaritët, një popull nomad i dhënë pas blegtorisë, që mbanin dele, dhi e deve (Is 60:7; Jr 49:28, 29), ka të ngjarë që banonin në shkretëtirën Siro-Arabike në lindje të Palestinës, në veriperëndim të Gadishullit Arabik. «Fshatrat e Kedarit» (Is 42:11) mbase ishin kampe të përkohshme, por kjo shprehje mund të nënkuptojë edhe që një pjesë e kedaritëve kishin zënë disi rrënjë në një vend. Ndoshta për shkak të rëndësisë që kishin mes fiseve arabe, më vonë emri i Kedarit përdorej për tërë fiset e shkretëtirës. Në Targume dhe në literaturën rabinike, vetë Arabia quhet nganjëherë Kedar.
Shulamitja e Këngës së Solomonit tha se ishte e zeshkët si «tendat e Kedarit» (Kng 1:5, 6; krahaso Ps 120:5), që ndoshta bëheshin me lesh dhie të zi, sikurse tendat e shumë beduinëve sot. Profecia e Ezekielit i përmend «prijësit e Kedarit» bashkë me arabët si tregtarë qengjash, deshësh dhe cjepsh për qytetin tregtar të Tirit.—Ezk 27:21.
Gjatë periudhës së sundimit të Asirisë në Lindjen e Mesme, profeti Isaia paratha se lavdia e Kedarit do të humbte befas, pasi do t’i mbeteshin fare pak harkëtarë të fuqishëm. (Is 21:16, 17) Banorët e Kedarit duhet të jenë ata që quhen kidri ose kadri në dokumentet asiriane për fushatat luftarake. Mbreti asirian Ashurbanipal i përmend kedaritët bashkë me aribi (arabët) e Nebajotin (krahaso Is 60:7) kur tregon për një fushatë ushtarake dhe mburret që u kishte marrë si plaçkë gomarë, deve e dhen.
Në një epokë të mëvonshme, Kedari u godit nga Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. (Jr 49:28, 29) Për pushtimin e Arabisë Veriore nga ai monark flet historiani babilonas Beros, të cilin e citon historiani Jozef.—Kundër Apionit, I, 129, 133 (19).
Një kupë argjendi (që mendohet se i përket shekullit të pestë p.e.s.) e gjetur në Tell-el-Maskutah, Egjipt, mban këtë mbishkrim në aramaisht: «Kainu bar [bir i] Gesemi [Geshemit], mbret i Kedarit.» Geshemi i përmendur në këtë rast mund të jetë «Geshemi, arabi», që iu kundërvu rindërtimit të murit të Jerusalemit në kohën e Nehemisë.—Ne 2:19; 6:1, 2, 6.
Dokumentet asiriane tregojnë se në faltoren e mbretit të Kedarit, Hazailit, kishte idhuj të hyjnive të rreme, si: Atarsamaini (që për asirianët ishte Ishtar Dilbati), Dai, Nahai, Ruldaiu, Atarkuruma dhe Abirilu. Një yll i artë zbukuruar me gurë të çmuar shërbente si simbol i perëndeshës Atarsamain. Sipas Talmudit babilonas (Taʽanit 5b), banorët e Kedarit adhuronin edhe ujin.