Kapitulli njëzet e një
Dora e Jehovait lartësohet
1. Përse Isaia ka vlerësim për Jehovain?
ISAIA ka një dashuri të thellë për Jehovain dhe kënaqet kur e lavdëron atë. Ai thërret: «O Jehova, ti je Perëndia im. Unë të lartësoj dhe lavdëroj emrin tënd.» Çfarë e ndihmon profetin që të ketë një vlerësim kaq të jashtëzakonshëm për Krijuesin e tij? Një faktor kryesor është njohuria rreth Jehovait dhe rreth aktiviteteve të tij. Fjalët vijuese të Isaisë e bëjnë të dukshme këtë njohuri: «Sepse ti ke bërë gjëra të mrekullueshme, këshilla që nga kohë të hershme, me besnikëri dhe besueshmëri.» (Isaia 25:1) Ashtu si Josiu para tij, Isaia e di se Jehovai është besnik dhe i besueshëm dhe se të gjitha ‘këshillat’ e tij, pra, gjërat që ai vendos si qëllim, bëhen realitet.—Josiu 23:14.
2. Cilën këshillë të Jehovait shpall tani Isaia dhe kush mund të jetë objekti i kësaj këshille?
2 Këshillat e Jehovait përfshijnë shpalljet e gjykimeve të tij kundër armiqve të Izraelit. Tani, Isaia shpall njërën prej këtyre: «Ti e ke kthyer një qytet në një pirg me gurë, një qytet të fortifikuar në një rrënojë të bërë pluhur e hi, një kullë banimi të të huajve që të mos jetë më një qytet, e cila nuk do të rindërtohet, madje, deri në kohë të pacaktuar.» (Isaia 25:2) Cili është ky qytet që nuk i përmendet emri? Isaia mund të jetë duke iu referuar Arit të Moabit (Moabi ka qenë prej shumë kohësh armik i popullit të Perëndisë).a Ose mund të jetë duke iu referuar një qyteti tjetër më të fortë, Babilonisë.—Isaia 15:1; Sofonia 2:8, 9.
3. Në ç’mënyrë e lavdërojnë Jehovain armiqtë e tij?
3 Si do të reagojnë armiqtë e Jehovait kur këshilla e tij kundër qyteteve të tyre të forta të bëhet realitet? «Ata që janë një popull i fortë do të të lavdërojnë; qyteti i kombeve tirane do të të ketë frikë.» (Isaia 25:3) Kuptohet që armiqtë e Perëndisë së plotfuqishëm do ta kenë frikë atë. Por në ç’mënyrë e lavdërojnë? A do t’i braktisin perënditë e tyre të rremë për të përqafuar adhurimin e pastër? Vështirë se po! Në vend të kësaj, ngjashëm faraonit dhe Nabukodonosorit, ata e lavdërojnë Jehovain kur janë të detyruar të pranojnë superioritetin e tij të jashtëzakonshëm.—Dalja 10:16, 17; 12:30-33; Danieli 4:37.
4. Cili ‘qytet i kombeve tirane’ ekziston sot dhe në ç’mënyrë është i detyruar edhe ai të lavdërojë Jehovain?
4 Sot, «qyteti i kombeve tirane» është ‘qyteti i madh, që ka një mbretëri mbi mbretërit e tokës’, domethënë, «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme. (Zbulesa 17:5, 18) Pjesa kryesore përbërëse e kësaj perandorie është i ashtuquajturi krishterim.b Në ç’mënyrë e lavdërojnë Jehovain udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim? Duke pranuar me dhembje gjërat e mrekullueshme që Jehovai ka bërë në favor të Dëshmitarëve të tij. Sidomos në vitin 1919, kur Jehovai bëri që shërbëtorët e tij të rifillonin aktivitetin e tyre të zellshëm pas çlirimit nga robëria e Babilonisë së Madhe, këta udhëheqës i «zuri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit».—Zbulesa 11:13.
5. Si i mbron Jehovai ata që kanë besim absolut tek ai?
5 Ndonëse për armiqtë e tij është i frikshëm, Jehovai është një strehë për njerëzit zemërbutë dhe të përulur që duan t’i shërbejnë. Tiranët fetarë e politikë mund të përpiqen të bëjnë gjithçka për të thyer besimin e adhuruesve të vërtetë, por dështojnë sepse këta të fundit kanë besim absolut te Jehovai. Më në fund, pa vështirësi, ai ua mbyll gojën kundërshtarëve të tij dhe e bën këtë sikur të ishte duke mbuluar diellin përvëlues të shkretëtirës me një re ose duke bllokuar fuqinë e një stuhie shiu me një mur.—Lexo Isainë 25:4, 5.
‘Një banket për të gjithë popujt’
6, 7. (a) Çfarë banketi shtron Jehovai dhe për kë? (b) Çfarë paraqet banketi i profetizuar nga Isaia?
6 Si një atë i dashur, Jehovai jo vetëm që i mbron fëmijët e tij, por edhe i ushqen, sidomos në kuptimin frymor. Pasi e çliroi popullin e tij në vitin 1919, ai shtroi para tij një banket fitoreje, një furnizim të bollshëm me ushqim frymor: «Jehovai i ushtrive me siguri do të bëjë për të gjithë popujt, në këtë mal, një banket me gjellë plot yndyrë, një banket me verë të mbajtur mbi fundërrinat e saj, me gjellë plot yndyrë e të mbushura me palcë, me verë të mbajtur mbi fundërrinat e saj e të filtruar.»—Isaia 25:6.
7 Banketi është shtruar në ‘malin’ e Jehovait. Ç’është ky mal? Është «mali i shtëpisë së Jehovait» drejt të cilit vërshojnë të gjitha kombet «në pjesën përfundimtare të ditëve». Është ‘mali i shenjtë’ i Jehovait, ku adhuruesit e tij besnikë nuk bëjnë asnjë dëm dhe nuk shkaktojnë asnjë rrënim. (Isaia 2:2; 11:9) Në këtë vend të lartësuar adhurimi, Jehovai shtron banketin e tij të pasur për njerëzit besnikë. Gjërat e mira frymore të siguruara tani me kaq bujari paraqesin gjërat e mira fizike që do të sigurohen kur Mbretëria e Perëndisë të bëhet qeveria e vetme e njerëzimit. Në atë kohë uria nuk do të ekzistojë më. «Do të ketë bollëk gruri mbi tokë; në majat e maleve do të ketë vërshim.»—Psalmi 72:8, 16.
8, 9. (a) Cilët janë dy armiq të mëdhenj të njerëzimit që do të eliminohen? Shpjegoni. (b) Çfarë do të bëjë Perëndia për t’i dhënë fund sharjes së popullit të tij?
8 Ata që marrin pjesë sot në banketin frymor të siguruar nga Perëndia kanë një perspektivë të shkëlqyer. Dëgjoni fjalët vijuese të Isaisë. Duke e krahasuar mëkatin dhe vdekjen me një ‘pëlhurë të endur’ ose me një ‘mbështjellëse’ që të zë frymën, ai thotë: «Në këtë mal, [Jehovai] do të gëlltitë me siguri faqen e mbështjellëses që mbështjell popujt dhe pëlhurën e endur që është endur mbi të gjitha kombet. Ai do të gëlltitë me të vërtetë vdekjen një herë e përgjithmonë dhe Zotëria Sovran Jehova do të thajë me siguri lotët nga çdo fytyrë.»—Isaia 25:7, 8a.
9 Po, nuk do të ketë më mëkat dhe vdekje! (Zbulesa 21:3, 4) Veç kësaj, akuzat e rreme që shërbëtorët e Jehovait kanë duruar për mijëra vjet do të marrin fund. «Ai do të heqë sharjen e popullit të tij nga e gjithë toka, sepse këtë e ka thënë vetë Jehovai.» (Isaia 25:8b) Si do të realizohet kjo? Jehovai do të eliminojë burimin e kësaj sharjeje, Satanain dhe farën e tij. (Zbulesa 20:1-3) Prandaj, nuk është për t’u çuditur që populli i Perëndisë do të ndihet i nxitur për të thirrur: «Ja, ky është Perëndia ynë. Kemi shpresuar tek ai dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Jehovai. Kemi shpresuar tek ai. Le të gëzojmë e të ngazëllojmë për shpëtimin që vjen prej tij.»—Isaia 25:9.
Fodullët poshtërohen
10, 11. Çfarë trajtimi të ashpër rezervon Jehovai për Moabin?
10 Jehovai shpëton ata pjesëtarë të popullit të tij që shfaqin përulësi. Por, fqinji i Izraelit, Moabi, është krenar dhe Jehovai e urren krenarinë. (Proverbat 16:18 ) Për këtë arsye, Moabi ka për t’u poshtëruar. «Dora e Jehovait do të qëndrojë mbi këtë mal dhe Moabi duhet të shkelet në vendin e tij ashtu si shkelet një grumbull kashte në një plehërishtë. Dhe Ai duhet t’i rrahë duart në mes të tij ashtu si një notar i rreh ato për të notuar dhe duhet ta poshtërojë fodullëkun e tij me lëvizjet e shkathëta të duarve të tij. Dhe qytetin e fortifikuar, me muret e tua të larta të sigurisë, ai duhet ta ulë, duhet ta rrëzojë, ta bëjë të prekë tokën, pluhurin.»—Isaia 25:10-12.
11 Dora e Jehovait do të «qëndrojë» mbi malin e tij të shenjtë, për ta mbrojtur. Kurse Moabi fodull do të rrihet dhe do të shkelet si «në një plehërishtë». Në kohën e Isaisë kashta shtypet në grumbuj bajgash për të bërë pleh. Kështu, Isaia parathotë poshtërimin e Moabit, pavarësisht nga muret e tij të larta e të sigurta në pamje të parë.
12. Pse zgjidhet Moabi për gjykimin e shpallur nga Jehovai?
12 Pse Jehovai zgjedh Moabin për një gjykim të ashpër si ky? Moabitët janë pasardhës të Lotit, i cili ishte nip i Abrahamit dhe adhurues i Jehovait. Kështu, ata nuk janë vetëm fqinjë të kombit që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë, por edhe të afërm të tij. Por pavarësisht nga kjo, ata kanë adoptuar perëndi të rremë dhe kanë qenë armiq të betuar të Izraelit. Ata e meritojnë fundin që u është rezervuar. Në këtë aspekt, Moabi ngjan me armiqtë e shërbëtorëve të Jehovait sot. Ai ngjan sidomos me të ashtuquajturin krishterim, i cili pohon se i ka rrënjët në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, por që, siç kemi vërejtur më parë, është pjesa kryesore e Babilonisë së Madhe.
Një këngë shpëtimi
13, 14. Çfarë ‘qyteti të fortë’ ka populli i Perëndisë sot dhe cilët lejohen të hyjnë atje?
13 Ç’të themi për popullin e Perëndisë? Të emocionuar nga fakti që kanë përkrahjen dhe mbrojtjen e Jehovait, ata e ngrenë zërin dhe këndojnë. «Në atë ditë kjo këngë do të këndohet në vendin e Judës: ‘Ne kemi një qytet të fortë. Ai vendos shpëtimin si mure dhe si barrikadë. Hapni portat që të mund të hyjë kombi i drejtë, që mban një sjellje besnike.’» (Isaia 26:1, 2) Ndonëse këto fjalë patën, pa dyshim, një përmbushje në kohën e lashtë, ato kanë një përmbushje të qartë edhe sot. «Kombi i drejtë» i Jehovait, Izraeli frymor, është pajisur me një organizatë të fuqishme, ngjashëm një qyteti. Çfarë arsyeje për të gëzuar dhe për të kënduar!
14 Ç’lloj njerëzish hyjnë në këtë «qytet»? Përgjigjen e jep kënga: «Prirjen që është e mbështetur mirë ti [o Perëndi] do ta ruash në paqe të vazhdueshme, sepse e vendos besimin te ti. Besoni te Jehovai në çdo kohë, sepse në Jah Jehovain është Shkëmbi i kohëve të pacaktuara.» (Isaia 26:3, 4) ‘Prirja’ që mbështet Jehovai është dëshira për t’iu bindur parimeve të tij të drejta dhe për të besuar tek ai e jo te sistemet e paefektshme tregtare, politike dhe fetare të botës. ‘Jah Jehovai’ është i vetmi Shkëmb i besueshëm sigurie. Ata që kanë besim të plotë te Jehovai kanë mbrojtjen e tij dhe gëzojnë «paqe të vazhdueshme».—Proverbat 3:5, 6; Filipianëve 4:6, 7.
15. Në ç’mënyrë është ulur ‘qyteti i ngritur’ sot dhe në cilin kuptim e shkelin «këmbët e të munduarit»?
15 Çfarë kontrasti në krahasim me atë që u ndodh armiqve të popullit të Perëndisë! «Ai i ka ulur ata që banonin në lartësi, qytetin e ngritur. Ai e ul, e ul atë deri në tokë; e bën të prekë pluhurin. Atë do ta shkelë këmba, këmbët e të munduarit, hapat e të mjerëve.» (Isaia 26:5, 6) Edhe në këtë rast, Isaia mund të jetë duke iu referuar ndonjë ‘qyteti të ngritur’ të Moabit ose mund ta ketë fjalën për ndonjë qytet tjetër, për shembull, për Babiloninë, e cila, pa dyshim, është e ngritur, fodulle. Sido që të jetë, Jehovai e ka ndryshuar situatën e ‘qytetit të ngritur’, duke bërë që ta shkelin ‘të mjerët dhe të munduarit’. Sot, kjo profeci i përshtatet fare mirë Babilonisë së Madhe e sidomos të ashtuquajturit krishterim. Në vitin 1919, ky ‘qytet i ngritur’ u detyrua ta lironte popullin e Jehovait (kjo ishte një rënie poshtëruese për të), i cili, më pas, filloi ta shkelte robëruesin e tij të dikurshëm. (Zbulesa 14:8) Në ç’mënyrë? Duke shpallur publikisht hakmarrjen e ardhshme të Jehovait mbi të.—Zbulesa 8:7-12; 9:14-19.
Dëshirë për drejtësi dhe për «përkujtimin» e Jehovait
16. Çfarë shembulli të shkëlqyer devocioni lë Isaia?
16 Pas kësaj kënge fitoreje, Isaia tregon devocionin e tij të thellë dhe shpërblimet që vijnë si rezultat i shërbimit të Perëndisë së drejtësisë. (Lexo Isainë 26:7-9.) Profeti është një shembull i shkëlqyer kur bëhet fjalë për të ‘shpresuar te Jehovai’ dhe për të pasur një dëshirë të fortë për «emrin» dhe për «përkujtimin» e Jehovait. Çfarë është përkujtimi i Jehovait? Dalja 3:15 thotë: «Jehova . . . është emri im në kohë të pacaktuar dhe ky është përkujtimi im brez pas brezi.» Për Isainë është i shtrenjtë emri i Jehovait dhe gjithçka që ai emër nënkupton, duke përfshirë standardet dhe udhët e Tij të drejta. Ata që kultivojnë një dashuri të tillë për Jehovain janë të sigurt për bekimin e tij.—Psalmi 5:8; 25:4, 5; 135:13; Hozea 12:5.
17. Cilat privilegje do t’u mohohen të ligjve?
17 Megjithatë, jo të gjithë e duan Jehovain dhe standardet e tij të larta. (Lexo Isainë 26:10.) Të ligjtë, edhe kur u bëhet thirrje, refuzojnë me kokëfortësi të mësojnë drejtësinë, e cila do t’u japë mundësi të hyjnë në «vendin e drejtësisë», në vendin e banuar nga shërbëtorët e drejtë të Jehovait si moralisht, ashtu edhe frymësisht. Për pasojë, të ligjtë «nuk do ta shohin madhështinë e Jehovait». Nuk do të jetojnë për të gëzuar bekimet që do të vërshojnë drejt njerëzimit pasi emri i Jehovait të jetë shenjtëruar. Edhe në botën e re, kur e gjithë toka do të jetë një ‘vend drejtësie’, disa mund të mos reagojnë pozitivisht ndaj dashamirësisë së Jehovait. Emrat e këtyre individëve nuk do të shkruhen në librin e jetës—Isaia 65:20; Zbulesa 20:12, 15.
18. Në ç’mënyrë zgjedhin të jenë të verbër disa individë në ditët e Isaisë dhe kur do të detyrohen ta «shikojnë» Jehovain?
18 «O Jehova, dora jote është lartësuar, por ata nuk e shikojnë. Ata do të shikojnë dhe do të turpërohen para zellit për popullin tënd. Po, pikërisht, zjarri për kundërshtarët e tu do t’i përpijë.» (Isaia 26:11) Në ditët e Isaisë, dora e Jehovait lartësohet kur Ai e mbron popullin e tij, duke vepruar kundër armiqve të tij. Por shumica nuk e ka kuptuar këtë. Këta persona që zgjedhin të jenë të verbër, më në fund do të detyrohen ta «shikojnë» ose ta vënë re Jehovain, kur të përpihen nga zjarri i zellit të tij. (Sofonia 1:18) Më vonë, Perëndia i thotë Ezekielit: «[Ata] do të duhet të njohin që unë jam Jehovai.»—Ezekieli 38:23.
«Atë që Jehovai e do, e disiplinon»
19, 20. Pse dhe si e ka disiplinuar Jehovai popullin e tij dhe cilët kanë nxjerrë dobi nga kjo disiplinë?
19 Isaia e di se paqja dhe begatia që gëzojnë bashkatdhetarët e tij janë fryt i bekimit të Jehovait. «O Jehova, ti do të na caktosh paqen, sepse t’i ke kryer për ne madje të gjitha veprat tona.» (Isaia 26:12) Pavarësisht nga kjo dhe nga fakti që Jehovai ka vënë para popullit të tij mundësinë për t’u bërë «një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë», Juda ka pasur një histori me të përpjetat dhe tatëpjetat e saj. (Dalja 19:6, Dio) Populli i saj është dhënë, në mënyrë të përsëritur, pas adhurimit të perëndive të rremë. Si rezultat, herë pas here është disiplinuar. Megjithatë, kjo disiplinë është tregues i dashurisë së Jehovait, sepse «atë që e do, Jehovai e disiplinon».—Hebrenjve 12:6.
20 Shpesh, Jehovai e disiplinon popullin e tij duke lejuar që ta sundojnë kombe të tjera ose «zotërinj të tjerë». (Lexo Isainë 26:13.) Në vitin 607 p.e.s., i lejon babilonasit që ta marrin popullin në mërgim. A i sjell dobi popullit kjo? Vuajtja në vetvete nuk i sjell dobi një individi. Por, nëse ai që vuan mëson nga ajo që i ndodh, nëse pendohet dhe nëse i jep Jehovait devocion ekskluziv, atëherë nxjerr dobi. (Ligji i përtërirë 4:25-31) A tregon ndonjë jude pendim hyjnor? Po. Në mënyrë profetike, Isaia thotë: «Vetëm me ndihmën tënde do ta përmendim emrin tënd.» Pas kthimit nga mërgimi, në vitin 537 p.e.s., del shpeshherë e nevojshme që judenjtë të disiplinohen për mëkate të tjera, por ata nuk bien kurrë në grackën e adhurimit të perëndive prej guri.
21. Çfarë do t’u ndodhë atyre që e kanë shtypur popullin e Perëndisë?
21 Ç’të themi për robëruesit e Judës? «Të pafuqishëm në vdekje, ata nuk do të ngrihen. Prandaj e ke drejtuar vëmendjen nga ata, që të mund t’i asgjësosh dhe të shkatërrosh çdo përmendje të tyre.» (Isaia 26:14) Babilonia do të vuajë për mizoritë e kryera ndaj kombit të zgjedhur të Jehovait. Nëpërmjet medëve dhe persëve, Jehovai do ta përmbysë Babiloninë krenare dhe do ta çlirojë popullin e tij të mërguar. Babilonia, ky qytet i madh, do të bëhet e pafuqishme, si të ishte e vdekur. Më në fund ajo do të pushojë së ekzistuari.
22. Si është bekuar populli i Perëndisë në ditët moderne?
22 Në përmbushjen moderne, një mbetje e Izraelit frymor të disiplinuar u çlirua nga Babilonia e Madhe dhe u rivendos në shërbim të Jehovait në vitin 1919. Të rigjallëruar, të krishterët e mirosur iu përkushtuan me zell veprës së predikimit. (Mateu 24:14) Nga ana e tij, Jehovai i ka bekuar me rritje, duke bërë, madje, që një shumicë e madhe ‘delesh të tjera’ të bashkohet dhe të shërbejë me ta. (Gjoni 10:16) «Ti i ke shtuar kombit, o Jehova, ti i ke shtuar kombit, ke lëvduar veten. I ke shtrirë larg gjithë kufijtë e vendit. O Jehova, gjatë ngushticës ata e kanë drejtuar vëmendjen nga ti; kanë derdhur një pëshpërimë lutjeje kur disiplinoheshin prej teje.»—Isaia 26:15, 16.
«Do të ngrihen»
23. (a) Çfarë demonstrimi i spikatshëm i fuqisë së Jehovait ndodh në vitin 537 p.e.s.? (b) Çfarë demonstrimi i ngjashëm u vërejt në vitin 1919 të e.s.?
23 Isaia i rikthehet situatës në të cilën gjendet Juda ndërsa është ende e robëruar në Babiloni. Ai e krahason kombin me një grua që është gati për të lindur, por, duke mos pasur ndihmë, nuk mund të lindë. (Lexo Isainë 26:17, 18.) Kjo ndihmë vjen në vitin 537 p.e.s. dhe populli i Jehovait kthehet në vendin e tij, me dëshirën e zjarrtë për të rindërtuar tempullin dhe për të rivendosur adhurimin e vërtetë. Në fakt, populli është ngritur nga vdekja. «Të vdekurit e tu do të jetojnë. Një kufomë e imja—do të ngrihen. Zgjohuni dhe bërtitni nga gëzimi, ju që banoni në pluhur! Sepse vesa jote është si vesa e mëllagave dhe vetë toka do të lërë të bien nëpërmjet lindjes, madje edhe ata që janë të pafuqishëm në vdekje.» (Isaia 26:19) Çfarë demonstrimi i fuqisë së Jehovait! Dhe çfarë demonstrimi madhështor u vërejt në vitin 1919, kur këto fjalë u përmbushën në kuptimin frymor! (Zbulesa 11:7-11) Sa me padurim e presim kohën kur këto fjalë do të përmbushen në kuptimin e mirëfilltë në botën e re dhe ata që janë të pafuqishëm në vdekje do të ‘dëgjojnë zërin e Jezuit dhe do të dalin’ nga varret përkujtimore!—Gjoni 5:28, 29.
24, 25. (a) Si mund t’i jenë bindur judenjtë në vitin 539 p.e.s. urdhrit të Jehovait për t’u fshehur? (b) Çfarë gjëje në kohët moderne mund t’u referohen ‘dhomat e brendshme’ dhe çfarë qëndrimi duhet të kultivojmë ndaj tyre?
24 Megjithatë, nëse duan të gëzojnë bekimet frymore të premtuara nëpërmjet Isaisë, personat besimplotë duhet t’u binden urdhrave të Jehovait: «Shko, populli im, hyr në dhomat e tua të brendshme dhe mbyll dyert e tua pas vetes. Fshihu veç për një çast, derisa të kalojë denoncimi. Sepse ja, Jehovai po del nga vendi i tij për të kërkuar llogari për gabimin që banori i vendit ka kryer kundër tij dhe vendi me siguri do të ekspozojë gjakderdhjen e saj dhe nuk do t’i fshehë më të vrarët e saj.» (Isaia 26:20, 21; krahaso Sofoninë 1:14.) Ky shkrim mund të ketë një përmbushje fillestare në kohën kur medët dhe persët, të udhëhequr nga Kiri, pushtojnë Babiloninë në vitin 539 p.e.s. Sipas historianit grek, Ksenofonit, kur hyn në Babiloni, Kiri i urdhëron të gjithë që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pasi kalorësit e tij kanë marrë «urdhër të presin cilindo që do të gjejnë jashtë dyerve». Sot, «dhomat e . . . brendshme» të përmendura në këtë profeci mund të krahasohen fare mirë me dhjetra mijë kongregacionet e popullit të Jehovait anembanë botës. Këto kongregacione do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në jetën tonë, madje edhe gjatë ‘shtrëngimit të madh’. (Zbulesa 7:14) Sa e rëndësishme është, pra, që të mbajmë një qëndrim të shëndetshëm ndaj kongregacionit dhe të shoqërohemi rregullisht me të!—Hebrenjve 10:24, 25.
25 Së shpejti botës së Satanait do t’i vijë fundi. Se si do ta mbrojë Jehovai popullin e tij gjatë asaj kohe të frikshme, ende nuk e dimë. (Sofonia 2:3) Megjithatë, dimë që mbijetesa jonë do të varet nga besimi te Jehovai dhe nga besnikëria e bindja ndaj tij.
26. Kë përfaqëson «Leviathani» në ditët e Isaisë dhe në ditët tona, dhe çfarë i ndodh këtij ‘përbindëshi të detit’?
26 Duke pasur parasysh atë kohë, Isaia profetizon: «Në atë ditë, Jehovai, me shpatën e tij të fortë, të madhe dhe të fuqishme, do ta drejtojë vëmendjen nga Leviathani, gjarpri rrëshqitës, po, nga Leviathani, gjarpri dredhues, dhe me siguri do ta vrasë përbindëshin e detit që është në det.» (Isaia 27:1) Në përmbushjen e parë, «Leviathani» u referohet vendeve në të cilat është shpërndarë Izraeli të tilla, si: Babilonia, Egjipti dhe Asiria. Këto vende nuk do të jenë në gjendje ta pengojnë popullin e Jehovait që të kthehet në vendin e vet në kohën e duhur. Por kush është Leviathani modern? Duket se është Satanai—«gjarpri i hershëm»—dhe sistemi i tij i lig i gjërave këtu mbi tokë, mjeti i tij për të luftuar kundër Izraelit frymor. (Zbulesa 12:9, 10; 13:14, 16, 17; 18:24) «Leviathani» e humbi pushtetin që kishte mbi popullin e Perëndisë, në vitin 1919 dhe së shpejti do të zhduket plotësisht kur Jehovai «me siguri do ta vrasë përbindëshin e detit». Ndërkohë, asnjë nga gjërat që mund të përpiqet të bëjë «Leviathani» kundër popullit të Jehovait nuk do të ketë sukses të vërtetë.—Isaia 54:17.
«Një vresht vere shkumëzuese»
27, 28. (a) Me çfarë e ka mbushur gjithë tokën vreshti i Jehovait? (b) Si e mbron Jehovai vreshtin e tij?
27 Tani, me anë të një kënge tjetër, Isaia ilustron bukur frytshmërinë e popullit të çliruar të Jehovait: «Në atë ditë këndoni për të, o njerëz: ‘Një vresht vere shkumëzuese! Unë Jehovai e ruaj. Në çdo moment do ta ujis. Me qëllim që asnjë të mos e drejtojë vëmendjen nga ajo, do ta ruaj natë e ditë.’» (Isaia 27:2, 3) Mbetja e Izraelit frymor dhe shokët e tyre të palodhur e kanë mbushur me të vërtetë gjithë tokën me fryte frymore. Çfarë shkaku për të festuar, po, për të kënduar! E gjithë merita i takon Jehovait, atij që me dashuri është kujdesur për vreshtin e tij.—Krahaso Gjonin 15:1-8.
28 Vërtet, zemërimi fillestar i Jehovait është zëvendësuar me gëzim! «Nuk jam më i zemëruar. Kush do të më japë ferra dhe barëra të këqija në betejë? Do të shkel mbi to. Do t’u vë flakën në të njëjtën kohë. Përndryshe le të mbërthejë fortesën time, le të bëjë paqe me mua; paqe le të bëjë me mua.» (Isaia 27:4, 5) Për t’u siguruar që hardhitë e tij të vazhdojnë të prodhojnë një bollëk «vere shkumëzuese», Jehovai shtyp dhe zhduk si me zjarr çdo ndikim ngjashëm barërave të këqija që mund të korruptojë vreshtin e tij. Prandaj, askush të mos e vërë në rrezik mirëqenien e kongregacionit të krishterë! Në vend të kësaj, ‘le të mbërthejnë [të gjithë] fortesën e Jehovait’ duke kërkuar miratimin dhe mbrojtjen e tij. Duke vepruar kështu, ata bëjnë paqe me Perëndinë dhe kjo është kaq e rëndësishme sa Isaia e përmend dy herë. Cili do të jetë rezultati? «Në ditët që do të vijnë Jakobi do të hedhë rrënjë, Izraeli do të nxjerrë lule dhe do të lëshojë lastarë, dhe do të mbushin sipërfaqen e vendit prodhues me prodhim.» (Isaia 27:6)c Çfarë dëshmie e mahnitshme e fuqisë së Jehovait është përmbushja e këtij vargu! Që nga viti 1919, të krishterët e mirosur e kanë mbushur tokën me «prodhim», me ushqim frymor të ushqyeshëm. Si rezultat, me ta janë bashkuar miliona dele të tjera besnike që, përkrah tyre, «i bëjnë [Perëndisë] shërbim të shenjtë ditë e natë». (Zbulesa 7:15) Mes një bote të korruptuar, ata mbajnë me gëzim standardet e tij të larta dhe Jehovai vazhdon t’i bekojë me rritje. Le të mos e heqim kurrë nga mendja privilegjin e madh që kemi për t’u ushqyer me ‘prodhimin’ dhe për t’i ndarë ato me të tjerët nëpërmjet thirrjesh të forta lavdie!
[Shënimet]
a Emri Ar ka mundësi të ketë kuptimin «qytet».
b Shih Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, faqja 170, anglisht.
c Isaia 27:7-13 trajtohet në kutinë në faqen 285.
[Kutia në faqen 285]
«Një bri i madh» lajmëron liri
Në vitin 607 p.e.s., vuajtjet e Judës shtohen kur Jehovai e ndëshkon kombin e tij kryeneç duke e lënë të merret në mërgim. (Lexo Isainë 27:7-11.) Gabimi i kombit është tepër i madh për t’u shlyer me anë të flijimeve të kafshëve. Prandaj, ashtu si shpërndahen delet a dhitë me anë të ‘një britme të frikshme’ ose ashtu si shpërndahen gjethet nga një erë e fortë që ‘fryn’, Jehovai e dëbon Izraelin nga vendi i tij. Pas kësaj, madje edhe popuj të dobët, të simbolizuar nga seksi femër, janë në gjendje të shfrytëzojnë atë që mbetet në vend.
Megjithatë, vjen koha që Jehovai ta çlirojë popullin e tij nga robëria. Ai i çliron ata ashtu si një fermer çliron ullinjtë, të cilët, në kuptimin figurativ, mbahen të burgosur në pemë. «Duhet të ndodhë në atë ditë që Jehovai do të rrëzojë frytin, nga rrëkeja rrjedhëse e Lumit [Eufrat] deri në luginën e përroit të Egjiptit e kështu ju do të qëmtoheni njëri pas tjetrit, o bij të Izraelit. Dhe duhet të ndodhë në atë ditë që do të dëgjohet rënia e një briri të madh dhe ata që janë duke vdekur në vendin e Asirisë dhe ata që janë të shpërndarë në vendin e Egjiptit do të vijnë me siguri dhe do të përkulen para Jehovait në malin e shenjtë në Jerusalem.» (Isaia 27:12, 13) Pas fitores në vitin 539 p.e.s., Kiri nxjerr një dekret me anë të të cilit çliron të gjithë judenjtë në perandorinë e tij, duke përfshirë edhe ata në Asiri dhe në Egjipt. (Ezdra 1:1-4) Është njësoj sikur të dëgjohej rënia e një «briri të madh», i cili i bën jehonë himnit të çlirimit të popullit të Perëndisë.
[Figurat në faqen 275]
«Një banket me gjellë plot yndyrë»
[Figura në faqen 277]
Babiloninë e shkelin me këmbë ata që ishin të burgosur në të
[Figura në faqen 278]
«Hyr në dhomat e tua të brendshme»