Kapitulli katër
Shtëpia e Jehovait lartësohet
1, 2. Cilat fjalë gjenden të gdhendura në një mur në sheshin e Kombeve të Bashkuara dhe cili është burimi i tyre?
«DO T’I farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plore. Dhe heshtat e tyre në kiza për krasitje: një komb nuk do të ngrejë shpatën kundër një kombi. As do të mësojnë më luftën.» Këto fjalë gjenden të gdhendura në një mur në sheshin e Kombeve të Bashkuara në qytetin e Nju-Jorkut. Për dekada të tëra burimi i këtij citimi nuk ishte i identifikuar. Meqenëse synimi i OKB-së është që të punojë drejt arritjes së paqes globale, ishte e lehtë të arrije në përfundimin se citimi e kishte origjinën nga themeluesit e OKB-së, në vitin 1945.
2 Megjithatë, më 1975, në mur, poshtë citimit u gdhend emri Isaia. Tanimë ishte e dukshme se fjalët nuk kishin origjinë moderne. Në fakt, ato ishin regjistruar si një profeci më shumë se 2700 vjet më parë në atë që sot është kapitulli i 2-të i Isaisë. Për mijëra vjet, ata që e kanë dashur paqen, kanë bluar në mendje se si dhe kur do të ndodhnin gjërat e parathëna nga Isaia. Tani nuk ka më nevojë të jemi në mëdyshje. Sot shohim para nesh përmbushjen e spikatshme të kësaj profecie të lashtë.
3. Cilat janë kombet që i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plore?
3 Cilat janë kombet që i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plore? Sigurisht nuk janë kombet dhe qeveritë e sotme politike. Deri tani këto kombe kanë prodhuar shpata ose armë si për të ndërmarrë luftëra, ashtu edhe për të ruajtur «paqen» me anë të forcës. Në fakt, prirja e kombeve ka qenë gjithmonë që t’i farkëtojnë ploret e tyre, duke i kthyer në shpata. Profecia e Isaisë gjen përmbushje te përfaqësues nga të gjitha kombet, njerëz që adhurojnë Jehovain, ‘Perëndinë e paqes’.—Filipianëve 4:9.
Kombet që vërshojnë drejt adhurimit të pastër
4, 5. Çfarë parathonë vargjet e fillimit të kapitullit 2 të Isaisë dhe çfarë e përforcon besueshmërinë e atyre fjalëve?
4 Kapitulli i 2-të i Isaisë fillon me këto fjalë: «Ajo që Isaia, biri i Amotsit, pa në vizion lidhur me Judën dhe Jerusalemin: Dhe në pjesën përfundimtare të ditëve duhet të ndodhë që mali i shtëpisë së Jehovait do të vendoset fortësisht më lart se maja e maleve dhe me siguri do të lartësohet mbi kodrat, dhe në të duhet të vërshojnë të gjitha kombet.»—Isaia 2:1, 2.
5 Vëreni se, ajo që parathotë Isaia nuk është thjesht një supozim. Isaia është frymëzuar të regjistrojë ngjarje që ‘duhet të ndodhin’ patjetër. Gjithçka që Jehovai vendos si qëllim, ka «sukses të sigurt». (Isaia 55:11) Me sa duket, për të përforcuar besueshmërinë e premtimit të tij, Perëndia frymëzoi profetin Mikea, një bashkëkohës të Isaisë, që të regjistronte në librin e tij të njëjtën profeci që përshkruhet në Isainë 2:2-4.—Mikea 4:1-3.
6. Kur do të përmbushet profecia e Isaisë?
6 Kur do të përmbushet profecia e Isaisë? «Në pjesën përfundimtare të ditëve.» Ose siç thuhet në Biblën Diodati i Ri «në ditët e fundit». Shkrimet e Krishtere Greke parathanë aspektet që do ta identifikonin këtë periudhë. Midis tyre përfshihen luftërat, tërmetet, murtajat, mungesat në ushqime dhe ‘kohët e vështira’.a (2 Timoteut 3:1-5; Luka 21:10, 11) Përmbushja e këtyre profecive na jep dëshmi të bollshme se po jetojmë «në pjesën përfundimtare të ditëve», të ditëve të fundit të sistemit të tanishëm botëror. Prandaj, në mënyrë të logjikshme ne presim që në kohën tonë të shohim përmbushjen e gjërave të parathëna nga Isaia.
Një mal si vend adhurimi
7. Çfarë tabloje profetike përshkruan Isaia?
7 Duke përdorur vetëm pak fjalë, Isaia përshkruan një tablo të gjallë profetike. Në të shohim një mal të lartë, të stolisur në krye me një shtëpi të lavdishme, me tempullin e Jehovait. Ky mal ngrihet mbi malet dhe kodrat përreth. E megjithatë, pamja e tij nuk është ogurzezë ose frikësuese, përkundrazi, ajo është tërheqëse. Njerëz nga të gjitha kombet dëshirojnë me zjarr të ngjiten në malin e shtëpisë së Jehovait, po, ata vërshojnë në të. Kjo është e lehtë të përfytyrohet, por cila është domethënia e saj?
8. (a) Me çfarë kanë të bëjnë kodrat dhe malet në kohën e Isaisë? (b) Çfarë paraqet vërshimi i kombeve në ‘malin e shtëpisë së Jehovait’?
8 Në kohën e Isaisë, shpesh kodrat dhe malet kanë të bëjnë me adhurimin. Për shembull, ato shërbejnë si vende për adhurimin idhujtar dhe për shenjtëroret e perëndive të rreme. (Ligji i përtërirë 12:2; Jeremia 3:6) Megjithatë, maja e malit Moriah në Jerusalem stoliset nga shtëpia ose nga tempulli i Jehovait. Izraelitët besimplotë udhëtojnë për në Jerusalem tri herë në vit dhe ngjiten në malin Moriah për të adhuruar Perëndinë e vërtetë. (Ligji i përtërirë 16:16) Prandaj, vërshimi i kombeve në ‘malin e shtëpisë së Jehovait’ paraqet bashkimin e shumë popujve në adhurimin e vërtetë.
9. Çfarë përfaqëson «mali i shtëpisë së Jehovait»?
9 Sot, populli i Perëndisë, natyrisht, nuk mblidhet në një mal të vërtetë me një tempull prej guri. Tempullin e Jehovait në Jerusalem e shkatërroi ushtria romake në vitin 70 të e.s. Përveç kësaj, apostulli Pavël e bëri të qartë se tempulli në Jerusalem dhe tabernakulli që ishte para tij, kishin vlerë ilustruese. Ata përfaqësonin një realitet më të madh frymor, ‘tendën e vërtetë, të cilën e ngriti Jehovai e jo njeriu’. (Hebrenjve 8:2) Ky tabernakull frymor është rregullimi për adhurimin e Jehovait, bazuar në sakrificën shpërblyese të Jezu Krishtit. (Hebrenjve 9:2-10, 23) Në harmoni me këtë, «mali i shtëpisë së Jehovait» i përmendur në Isainë 2:2 përfaqëson adhurimin e pastër e të lartësuar të Jehovait në kohën tonë. Ata që përqafojnë adhurimin e pastër nuk mblidhen në ndonjë vend gjeografik; mblidhen në unitet adhurimi.
Lartësimi i adhurimit të pastër
10, 11. Në cilin kuptim adhurimi i Jehovait është lartësuar në kohën tonë?
10 Profeti thotë se «mali i shtëpisë së Jehovait» ose adhurimi i pastër, «do të vendoset fortësisht më lart se maja e maleve» dhe «do të lartësohet mbi kodrat». Shumë vjet para kohës së Isaisë, mbreti David e çoi arkën e besëlidhjes në malin Sion në Jerusalem, i cili gjendej 760 metra mbi nivelin e detit. Arka qëndroi atje deri në kohën kur u transferua në tempullin e përfunduar në malin Moriah. (2 Samuelit 5:7; 6:14-19; 2 Kronikave 3:1; 5:1-10) Prandaj, në kohën e Isaisë arka e shenjtë tashmë ishte lartësuar në kuptimin fizik dhe ishte vendosur në tempull, në një vend më të lartë se kodrat e shumta përreth, të cilat përdoreshin për adhurimin e rremë.
11 Natyrisht, në kuptimin frymor, adhurimi i Jehovait ka qenë gjithmonë në një pozitë më të lartë se praktikat fetare të atyre që u shërbejnë perëndive të rreme. E megjithatë, në kohën tonë Jehovai e ka ngritur adhurimin e tij po aq lart sa edhe qielli, më lart se të gjitha format e adhurimit të papastër, po, shumë më lart se të gjitha ‘kodrat’ dhe ‘majat e maleve’. Në ç’mënyrë? Në një masë të madhe, këtë e ka bërë nëpërmjet grumbullimit të atyre që duan ta adhurojnë atë «me frymë dhe të vërtetë».—Gjoni 4:23.
12. Cilët janë «bijtë e mbretërisë» dhe çfarë vepre grumbullimi ka ndodhur?
12 Krishti Jezu foli për «përfundimin e një sistemi» si për një kohë korrjeje, kur engjëjt do të mblidhnin «bijtë e mbretërisë», d.m.th. ata që kanë shpresën për të sunduar me Krishtin në lavdinë qiellore. (Mateu 13:36-43) Qysh prej vitit 1919, Jehovai i ka forcuar «të mbeturit» e këtyre bijve, për të marrë pjesë bashkë me engjëjt në veprën e korrjes. (Zbulesa 12:17) Pra, si fillim, «bijtë e mbretërisë», vëllezërit e mirosur të Jezuit, janë ata që mblidhen. Më pas, ata marrin pjesë në një vepër të mëtejshme grumbullimi.
13. Si e ka bekuar Jehovai mbetjen e mirosur?
13 Gjatë kësaj kohe korrjeje, Jehovai e ka ndihmuar progresivisht mbetjen e mirosur që të kuptojë dhe të zbatojë Fjalën e tij, Biblën. Edhe kjo i ka kontribuar lartësimit të adhurimit të pastër. Ndonëse «terri mbulon tokën dhe një errësirë e dendur mbulon popujt», të mirosurit po ‘shkëlqejnë si ndriçues’ në mes të njerëzimit, sepse janë pastruar dhe rafinuar nga Jehovai. (Isaia 60:2, Dio; Filipianëve 2:15) «Të mbushur me njohurinë e saktë të vullnetit të tij me plot mençuri dhe kuptueshmëri frymore», këta të individë të mirosur me frymë «shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre»—Kolosianëve 1:9; Mateu 13:43.
14, 15. Cila vepër grumbullimi është kryer, përveç grumbullimit të ‘bijve të mbretërisë’ dhe si ishte parathënë kjo nga Hageu?
14 Për më tepër, në ‘malin e shtëpisë së Jehovait’ kanë vërshuar edhe të tjerë. Këta persona, të cilëve Jezui iu referua si «delet e tjera» të tij, kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në një tokë parajsore. (Gjoni 10:16; Zbulesa 21:3, 4) Duke filluar që nga vitet 30 të shekullit të 20-të, ata janë shfaqur me mijëra, pastaj me qindra mijë dhe tani me miliona. Në një vizion që iu dha apostullit Gjon, ata përshkruhen si «një shumicë e madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët».—Zbulesa 7:9.
15 Profeti Hage e paratha shfaqjen e kësaj shumice të madhe. Ai shkroi: «Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Edhe një herë, pas pak, unë do t’i bëj të dridhen qiejtë dhe dheun, detin dhe sterenë; do t’i bëj të dridhen gjithë kombet; dëshira [gjërat e dëshirueshme, BR] e gjithë kombeve [ata që bashkohen me të krishterët e mirosur në adhurimin e pastër] do të vijë dhe unë do ta mbush këtë tempull me lavdi’, thotë Zoti i ushtrive.» (Hagai 2:6, 7, Dio) Ekzistenca e kësaj ‘shumice të madhe’ gjithnjë në rritje dhe e shokëve të tyre të mirosur e lartëson, po, i jep lavdi adhurimit të pastër në shtëpinë e Jehovait. Kurrë më parë nuk janë regjistruar kaq shumë njerëz të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vërtetë, e kjo i sjell lavdi Jehovait dhe Mbretit të tij të hipur në fron, Jezu Krishtit. Mbreti Solomon shkroi: «Stolisja e një mbreti qëndron në popullin e shumtë.»—Proverbat 14:28.
Adhurimi lartësohet në jetën e njerëzve
16-18. Çfarë ndryshimesh kanë bërë disa për ta adhuruar Jehovain në mënyrë të pranueshme?
16 E gjithë merita për lartësimin e adhurimit të pastër në kohën tonë i takon Jehovait. E megjithatë, ata që i afrohen atij kanë privilegjin për të marrë pjesë në këtë vepër. Ashtu si të ngjitesh në një mal kërkon përpjekje, edhe të mësosh standardet e drejta të Jehovait dhe të jetosh sipas tyre kërkojnë përpjekje. Ngjashëm të krishterëve të shekullit të parë, shërbëtorët e Perëndisë sot, kanë lënë pas mënyra jetese dhe praktika që nuk janë në përputhje me adhurimin e vërtetë. Persona që dikur ishin kurvarë, idhujtarë, kurorëshkelës, hajdutë, lakmitarë, pijanecë dhe të tjerë, kanë ndryshuar rrugë dhe janë «larë» në sytë e Perëndisë.—1 Korintasve 6:9-11.
17 Tipike është përvoja e një të gruaje të re, e cila shkroi: «Dikur isha e rrënuar dhe pa asnjë shpresë. Bëja një jetë të dhënë pas imoralitetit dhe dehjes. Kisha sëmundje seksuale. Gjithashtu, shisja drogë dhe nuk më bëhej vonë për asgjë.» Pasi studioi Biblën, ajo bëri ndryshime rrënjësore për t’u përputhur me standardet e Perëndisë. Tani ajo thotë: «Gëzoj paqe mendore, respekt për veten, një shpresë për të ardhmen, një familje të vërtetë dhe, mbi të gjitha, një marrëdhënie me Atin tonë, Jehovain.»
18 Edhe pasi të kemi fituar një qëndrim të miratuar para Jehovait, të gjithë duhet të vazhdojmë ta lartësojmë adhurimin e pastër, duke i dhënë atij një vend kryesor në jetën tonë. Mijëra vjet më parë, Jehovai shprehu nëpërmjet Isaisë sigurinë e tij se sot do të kishte një numër të madh njerëzish, të cilët do të kishin një dëshirë të zjarrtë për ta bërë adhurimin e Tij gjënë më të rëndësishme në jetën e tyre. A jeni ju midis tyre?
Një popull që mëson udhët e Jehovait
19, 20. Çfarë mëson populli i Perëndisë dhe ku?
19 Isaia na thotë edhe më shumë, lidhur me ata që përqafojnë adhurimin e pastër sot. Ai thotë: «Shumë popuj me siguri do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani dhe le të ngjitemi në malin e Jehovait, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; dhe ai do të na udhëzojë lidhur me udhët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij.’ Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jerusalemi, fjala e Jehovait.»—Isaia 2:3.
20 Jehovai nuk e lë popullin e tij të endet sa andej-këtej si dele të humbura. Nëpërmjet Biblës dhe botimeve të bazuara në Bibël, ai u bën të njohur atyre ‘ligjin’ dhe ‘fjalën’ e tij, në mënyrë që të mësojnë udhët e tij. Kjo njohuri i pajis ata për të ‘ecur në shtigjet e tij’. Të shtyrë nga një zemër e mbushur me çmueshmëri dhe në harmoni me udhëzimet hyjnore, ata i flasin njëri-tjetrit në lidhje me udhët e Jehovait. Ata mblidhen së bashku në grumbullime të mëdha si dhe në grupe më të vogla, në Salla Mbretërie dhe në shtëpi private, me qëllim që të dëgjojnë e të mësojnë për udhët e Jehovait. (Ligji i përtërirë 31:12, 13) Në këtë mënyrë ata imitojnë modelin e të krishterëve të hershëm, të cilët mblidheshin së bashku për të inkurajuar dhe nxitur njëri-tjetrin që të shfaqnin me bollëk «dashuri dhe vepra të shkëlqyera».—Hebrenjve 10:24, 25.
21. Në çfarë vepre marrin pjesë shërbëtorët e Jehovait?
21 Ata i ftojnë të tjerët që të ‘ngjiten’ në adhurimin e lartësuar të Perëndisë Jehova. Sa mirë që harmonizohet kjo me urdhrin që u dha Jezui dishepujve pak para se të ngrihej në qiell! Ai u tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Me mbështetjen hyjnore, Dëshmitarët e Jehovait, në bindje të këtij urdhërimi, shkojnë anembanë tokës duke mësuar, duke bërë dishepuj dhe duke i pagëzuar ata.
Shpatat kthehen në plore
22, 23. Çfarë parathotë Isaia 2:4 dhe çfarë tha një zyrtar i OKB-së në lidhje me të?
22 Tani kalojmë në vargun tjetër, një pjesë e të cilit gjendet e gdhendur në murin e sheshit të OKB-së. Isaia shkruan: «Ai me siguri do të sigurojë drejtësi midis popujve dhe do të ndreqë gjërat në lidhje me shumë popuj. Dhe ata do të duhet t’i farkëtojnë shpatat e tyre, duke i kthyer në plore dhe heshtat e tyre në gërshërë krasitëse. Një komb nuk do të ngrejë shpatën kundër një kombi, as nuk do të mësojnë më luftën.»—Isaia 2:4.
23 Të arrish këtë nuk është një gjë e lehtë. Federico Mayor, drejtor i përgjithshëm i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në Kombet e Bashkuara, një herë tha: «Paraqitja e gjithë fëlliqësive të luftës që na bëhet sot me anë të pajisjeve audio-vizive, nuk duket se është në gjendje ta frenojë makinën gjigante të luftës, të ndërtuar dhe të mbështetur prej shekujsh. Brezat e sotëm kanë detyrën biblike, thuajse të pamundur, për t’i ‘farkëtuar shpatat e tyre, duke i kthyer në plore’ dhe për të realizuar kalimin nga instinkti i luftës—i zhvilluar që kur s’mbahet mend—në një ndërgjegjësim për paqen. Ky do të ishte akti më i mirë e më fisnik që do të mund të kryente ‘njerëzimi anembanë globit’, si dhe trashëgimia më e mirë për pasardhësit tanë.»
24, 25. Te cilët njerëz përmbushen fjalët e Isaisë dhe në ç’mënyrë?
24 Kombet në tërësi nuk do ta arrijnë kurrë këtë synim të lartë. Kjo gjë është thjesht përtej aftësive të tyre. Fjalët e Isaisë janë përmbushur nga individë të shumë kombeve, të cilët janë bashkuar në adhurimin e pastër. Jehovai i ka ‘ndrequr gjërat’ midis tyre. Ai i ka mësuar pjesëtarët e popullit të tij që të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin. Vërtet, në një botë të përçarë dhe plot me luftëra, në kuptimin figurativ ata i kanë farkëtuar «shpatat e tyre, duke i kthyer në plore dhe heshtat e tyre në gërshërë krasitëse». Si?
25 Pikësëpari, ata nuk marrin anën e askujt në luftërat që zhvillojnë kombet. Pak para vdekjes së Jezuit, një numër njerëzish të armatosur erdhën për ta arrestuar. Kur Pjetri sulmoi me shpatë për të mbrojtur Zotërinë e tij, Jezui i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të marrin fund.» (Mateu 26:52) Qysh atëherë, ndjekësit e gjurmëve të Jezuit i kanë farkëtuar shpatat e tyre, duke i kthyer në plore dhe nuk kanë pranuar të rrokin armët për të vrarë të tjerët ose ta mbështetin luftën në mënyra të tjera. Ata ‘ndjekin paqen me të gjithë’.—Hebrenjve 12:14.
Ndjekin udhët e paqes
26, 27. Si ‘e kërkojnë paqen dhe e ndjekin atë’ pjesëtarët e popullit të Perëndisë? Jepni një shembull.
26 Paqja e popullit të Perëndisë konsiston në shumë më tepër sesa thjesht në një refuzim për të mos u përfshirë në luftë. Megjithëse ndodhen në më shumë se 230 vende dhe përfaqësojnë gjuhë dhe kultura të panumërta, ata gëzojnë paqe me njëri-tjetrin. Mes tyre gjejnë një përmbushje moderne fjalët e Jezuit, i cili u tha dishepujve të tij në shekullin e parë: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) Të krishterët e sotëm janë njerëz «paqebërës». (Mateu 5:9) Ata ‘e kërkojnë paqen dhe e ndjekin’ atë. (1 Pjetrit 3:11) Në mbështetje të tyre është Jehovai, «Perëndia që jep paqe».—Romakëve 15:33.
27 Ka shumë shembuj mbresëlënës të individëve që kanë mësuar të jenë persona që përpiqen për paqen. Një burrë i ri shkruan për fëmijërinë e tij: «Jeta e vështirë më mësoi se si ta mbroja veten. Ajo më bëri të isha i egër dhe i zemëruar me jetën. Përfundoja gjithmonë në grindje. Çdo ditë grindesha me një fëmijë të ndryshëm në lagje, disa herë me grushta, e disa herë me gurë ose me shishe. U rrita me një karakter shumë të dhunshëm.» Megjithatë, më së fundi, ai iu përgjigj ftesës për të shkuar në ‘malin e shtëpisë së Jehovait’. Ai mësoi udhët e Perëndisë dhe u bë një shërbëtor paqësor i Tij.
28. Çfarë mund të bëjnë të krishterët për të ndjekur paqen?
28 Shumica e shërbëtorëve të Jehovait nuk kanë një të kaluar të tillë të dhunshme. E megjithatë, edhe në gjëra relativisht të vogla të tilla, si: aktet e mirëdashjes, falja dhe empatia, ata përpiqen të nxitin paqen me të tjerët. Ndonëse janë të papërsosur, ata përpiqen të zbatojnë këshillën e Biblës që të ‘vazhdojnë ta durojnë njëri-tjetrin dhe ta falin bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri’.—Kolosianëve 3:13.
Një e ardhme paqësore
29, 30. Çfarë perspektive ka për tokën?
29 Jehovai ka bërë një gjë të mrekullueshme në këtë ‘pjesë përfundimtare të ditëve’. Ai ka mbledhur nga tërë kombet njerëz që duan t’i shërbejnë atij. Ai i ka mësuar ata që të ecin në udhët e tij, në udhët e paqes. Këta janë ata, të cilët do të mbijetojnë në «shtrëngimin e madh» që po vjen dhe do të hyjnë në një botë të re paqësore, në të cilën lufta do të eliminohet përgjithmonë.—Zbulesa 7:14.
30 Shpatat, d.m.th. armët, nuk do të ekzistojnë më. Në lidhje me atë kohë, psalmisti shkroi: «Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë. Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.» (Psalmi 46:8, 9, Dio) Duke pasur parasysh një perspektivë të tillë, thirrja vijuese e Isaisë është sot po aq e përshtatshme, sa edhe në kohën kur ai e shkroi: «O njerëz të shtëpisë së Jakobit, ejani dhe le të ecim në dritën e Jehovait.» (Isaia 2:5) Po, drita e Jehovait e ndriçoftë shtegun tonë dhe ne do të ecim në udhën e tij për gjithë përjetësinë!—Mikea 4:5.
[Shënimi]
a Shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla? kapitulli 9, «A po jetojmë në ‘ditët e fundit’?», botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.