Shërbejini Jehovait me gëzim në zemër
«Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty . . . sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër.»—LIGJI I PËRTËRIRË 28:45-47.
1. Çfarë dëshmie kemi se ata që i shërbejnë Jehovait janë të gëzuar, kudo që ndodhen?
SHËRBËTORËT e Jehovait janë të gëzuar, kudo qofshin duke kryer vullnetin e tij, në qiell apo mbi tokë. «Yjet [engjëllorë] të mëngjesit», lëshuan britma gëzimi kur u hodhën themelet e tokës dhe pa dyshim miliarda engjëjt qiellorë me gëzim ‘i binden fjalës së Perëndisë’. (Jobi 38:4-7; Psalmi 103:20) Biri i vetëmlindur i Jehovait ishte një «arkitekt» i gëzuar në qiell dhe gjeti kënaqësi në kryerjen e vullnetit hyjnor, kur erdhi mbi tokë si njeriu Jezu Krisht. Për më tepër, «për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë».—Proverbat 8:30, 31; Hebrenjve 10:5-10; 12:2.
2. Nga përcaktohej nëse izraelitët do të merrnin bekime apo mallkime?
2 Kur Perëndia ishte i kënaqur me izraelitët, ata provonin gëzim. Por ç’ndodhte kur ata nuk i bindeshin atij? Ata ishin paralajmëruar: «Ato [mallkimet] do të jenë si një shenjë dhe si një mrekulli për ty dhe pasardhësit e tu, përgjithnjë. Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë, do t’u shërbesh armiqve të tu që Zoti do të dërgoj kundër teje, në një gjendje urije, etjeje, lakuriqësie dhe mungese të çdo gjëje; dhe ai do të vërë një zgjedhë të hekurt rreth qafës sate deri sa të të shkatërrojë.» (Ligji i përtërirë 28:45-48) Bekimet dhe mallkimet do të bënin të qartë se cilët ishin dhe cilët nuk ishin shërbëtorët e Jehovait. Këto mallkime vërtetuan, gjithashtu, se parimet dhe qëllimet e Jehovait nuk mund të trajtoheshin pa respekt dhe as nuk mund të përbuzeshin. Meqenëse izraelitët nuk pranuan të dëgjonin paralajmërimet e Jehovait për shkatërrimin dhe mërgimin, Jeruzalemi u bë «një mallkim për të gjitha kombet e tokës». (Jeremia 26:6) Prandaj, le t’i bindemi Perëndisë dhe të gëzojmë favorin e tij. Gëzimi është një nga bekimet e shumta që provojnë personat e devotshëm.
Si të shërbejmë me «hare në zemër»
3. Çfarë është zemra figurative?
3 Izraelitët duhej t’i shërbenin Jehovait «me gëzim dhe hare në zemër». Po kështu duhet të bëjnë edhe shërbëtorët e sotëm të Perëndisë. Të kesh hare do të thotë «të jesh i gëzuar; të jesh plot gëzim». Edhe pse zemra në kuptimin fizik është përmendur në Shkrimet, ajo nuk mendon apo arsyeton në kuptimin e vërtetë të fjalës. (Të Dalët 28:30) Funksioni i saj kryesor është të pompojë gjakun që ushqen qelizat e trupit. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve kur shfaqet fjala «zemër», Bibla i referohet zemrës figurative, e cila është më tepër se qendra e dashurisë, e motiveve dhe e intelektit. Është thënë se ajo përfaqëson «pjesën qendrore në përgjithësi, pjesën e brendshme, përfaqëson, pra, njeriun e brendshëm ashtu siç shfaqet ai në aktivitetet e tij të ndryshme, në dëshirat e tij, në dashurinë, emocionet, pasionet, qëllimet, mendimet e tij, në perceptimet, imagjinatën, mençurinë, njohurinë, aftësitë, në bindjet dhe në arsyetimet e tij, në memorien dhe në ndërgjegjen e tij». (Journal of the Society of Biblical Literature and Exegesis, 1882, faqe 67) Zemra jonë figurative përfshin ndjenjat dhe emocionet tona, duke përfshirë edhe gëzimin.—Gjoni 16:22.
4. Çfarë do të na ndihmojë për t’i shërbyer Perëndisë Jehova me gëzim në zemër?
4 Çfarë do të na ndihmojë për t’i shërbyer Jehovait me gëzim në zemër? Është e dobishme një pamje pozitive dhe me vlerësim për bekimet dhe për privilegjet që na jep Perëndia. Për shembull, mund të mendojmë me gëzim për privilegjin që kemi, duke i kryer «shërbim të shenjtë» Perëndisë së vërtetë. (Luka 1:74) Lidhur me këtë është edhe privilegji që mbajmë emrin e Jehovait, si Dëshmitarë të tij. (Isaia 43:10-12) Mund t’i shtojmë kësaj edhe gëzimin që ndiejmë ngaqë e dimë se duke ndjekur Fjalën e Perëndisë kemi pëlqimin e tij. Dhe sa gëzim kemi duke pasqyruar dritën frymore e duke ndihmuar pastaj shumë të tjerë për të dalë nga errësira!—Mateu 5:14-16; krahaso 1. Pjetrit 2:9.
5. Cili është burimi i gëzimit hyjnor?
5 Megjithatë, t’i shërbesh Jehovait me gëzim në zemër nuk do të thotë thjesht vetëm të mendojmë në mënyrë pozitive. Do të ishte e dobishme të jemi pozitivë në pikëpamjet tona. Por gëzimi hyjnor nuk është diçka që e prodhojmë duke zhvilluar karakterin. Ai është një fryt i frymës së Jehovait. (Galatasve 5:22, 23) Nëse nuk kemi një gëzim të tillë, mund të kemi nevojë për të bërë disa rregullime, në mënyrë që të shmangim mendime dhe veprime që në njëfarë mënyre nuk janë në përputhje me Shkrimet e që do të trishtonin frymën e Perëndisë. (Efesianëve 4:30) Megjithatë, si persona të dedikuar ndaj Jehovait, le të mos kemi frikë se mungesa e gëzimit në zemra në disa raste është tregues i mospranimit hyjnor. Ne jemi të papërsosur dhe pre e dhimbjeve, trishtimit dhe disa herë edhe e depresionit, por Jehovai na kupton. (Psalmi 103:10-14) Prandaj, le të lutemi për frymën e tij të shenjtë, duke mos harruar se gëzimi që është fryt i saj vjen nga Perëndia. Ati ynë i dashur qiellor do t’u përgjigjet këtyre lutjeve dhe do të na japë mundësinë që t’i shërbejmë me gëzim në zemër.—Luka 11:13.
Kur mungon gëzimi
6. Nëse na mungon gëzimi në shërbim të Perëndisë, çfarë duhet të bëjmë?
6 Nëse na mungon gëzimi në shërbim, ka të ngjarë që të zvogëlojmë zellin tonë në shërbimin e Jehovait apo ndoshta të ndihemi edhe sikur nuk jemi besnikë ndaj tij. Prandaj, do të jetë e mençur që me përulësi dhe në lutje të shqyrtojmë motivet tona dhe të bëjmë rregullimet e nevojshme. Për të pasur gëzimin që jep Perëndia, duhet t’i shërbejmë Jehovait të nxitur nga dashuria dhe me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tonë. (Mateu 22:37) Nuk duhet të shërbejmë me një qëndrim konkurrues, sepse Pavli shkroi: «Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim. Le të mos jemi mburravecë, duke provokuar dhe duke pasur smirë njëri-tjetrin.» (Galatasve 5:25, 26) Nuk do të kemi gëzim nëse shërbejmë ngaqë dëshirojmë të shkëlqejmë mbi të tjerët apo nëse po kërkojmë lavdi.
7. Si mund ta ndezim sërish gëzimin tonë në zemra?
7 Kemi gëzim edhe duke jetuar në përputhje me dedikimin tonë ndaj Jehovait. Kur sapo ishim dedikuar ndaj Perëndisë, filluam me zell mënyrën e krishterë të të jetuarit. Studionim Shkrimet dhe merrnim pjesë rregullisht në mbledhje. (Hebrenjve 10:24, 25) Pjesëmarrja në shërbim na sjell gëzim. Por, ç’mund të themi nëse gëzimi ynë është zvogëluar. Studimi i Biblës, pjesëmarrja në mbledhje dhe në shërbimin në fushë, pra, përfshirja e plotë në çdo aspekt të krishterë, duhet t’i japë jetës sonë stabilitetin frymor dhe do të ndezë sërish dashurinë që kishim në fillim, si edhe gëzimin që kishim më parë në zemër. (Zbulesa 2:4) Në këtë mënyrë nuk do të jemi si disa që nuk kanë gëzim dhe shpesh kanë nevojë për ndihmë frymore. Pleqtë janë të gëzuar që të ndihmojnë, por ne duhet që individualisht të plotësojmë dedikimin tonë ndaj Perëndisë. Askush tjetër nuk mund ta bëjë këtë për ne. Prandaj, le të jetë pikësynimi ynë ndjekja e rutinës normale të krishterë, në mënyrë që të plotësojmë dedikimin tonë ndaj Jehovait dhe të kemi gëzim të vërtetë.
8. Përse një ndërgjegje e pastër është e rëndësishme nëse dëshirojmë të jemi të gëzuar?
8 Nëse duam të kemi gëzimin që është fryt i frymës së Perëndisë, kemi nevojë për një ndërgjegje të pastër. Për sa kohë që u përpoq ta fshihte mëkatin e tij, Davidi, mbreti i Izraelit, ishte në një gjendje të mjerë. Në fakt, dukej sikur uji i jetës po i avullonte dhe ndoshta ai mund të ketë qenë edhe i sëmurë fizikisht. Çfarë lehtësimi pati kur u pendua dhe u rrëfye! (Psalmi 32:1-5) Nuk mund të jemi të gëzuar, nëse po fshehim ndonjë mëkat serioz. Kjo mund të bëjë që të kemi një jetë të shqetësuar. Sigurisht, nuk është kjo mënyra për të pasur gëzim. Përkundrazi, rrëfimi dhe pendimi sjellin lehtësim dhe rikthejnë frymën e gëzuar.—Proverbat 28:13.
Të presim me gëzim
9, 10. (a) Çfarë premtimi mori Abrahami, por si mund të jenë vënë në provë gëzimi dhe besimi i tij? (b) Si mund të përfitojmë nga shembujt e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit?
9 Të kemi gëzim kur mësojmë fillimisht mbi qëllimin hyjnor është një gjë, por është krejt ndryshe të mbetemi besnikë me kalimin e viteve. Kjo mund të ilustrohet me shembullin e Abrahamit besnik. Pasi kishte provuar të sakrifikonte birin e tij, Isakun, me urdhrin e Perëndisë, një engjëll dha këtë mesazh: «Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bërë këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke, unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij. Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim.» (Zanafilla 22:15-18) S’ka dyshim që Abrahami ishte mjaft i kënaqur me këtë premtim.
10 Ndoshta Abrahami mund të ketë pritur që Isaku të ishte «fara» nëpërmjet së cilës do të vinin bekimet e premtuara. Por vitet kaluan dhe nëpëmjet Isakut nuk po vinte ndonjë gjë e mrekullueshme; kjo mund të ketë vënë në provë besimin dhe gëzimin e Abrahamit dhe të familjes së tij. Duke i konfirmuar premtimin Isakut dhe më vonë birit të tij, Jakobit, Perëndia i siguroi ata se ardhja e Farës i përkiste ende së ardhmes dhe kjo i ndihmoi që të ruanin besimin dhe gëzimin e tyre. Gjithsesi, Abrahami, Isaku dhe Jakobi vdiqën pa e parë përmbushjen e premtimeve që u bëri Perëndia, por atyre nuk u mungonte gëzimi si shërbëtorë të Jehovait. (Hebrenjve 11:13) Edhe ne mund të vazhdojmë t’i shërbejmë Jehovait me besim dhe gëzim, ndërsa presim përmbushjen e premtimeve të tij.
Të gëzuar megjithëse të persekutuar
11. Përse mund të jemi të gëzuar edhe në persekutime?
11 Si shërbëtorë të Jehovait, ne mund t’i shërbejmë Jehovait me gëzim në zemër, edhe pse vuajmë persekutime. Jezui i shpalli të lumtur ata që persekutoheshin për shkakun e tij dhe apostulli Pjetër tha: «Gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni. Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju.» (1. Pjetrit 4:13, 14; Mateu 5:11, 12) Nëse jeni të persekutuar dhe po vuani për shkak të drejtësisë, atëherë keni frymën dhe miratimin e Jehovait dhe kjo është sigurisht në dobi të gëzimit.
12. (a) Përse mund t’i përballojmë provat e besimit me gëzim? (b) Çfarë mësimi bazë mund të nxjerrim nga rasti i një leviti të mërguar?
12 Ne mund t’i përballojmë provat e besimit me gëzim, sepse Perëndia është Strehimi ynë. Kjo është e dukshme në Psalmet 42 dhe 43. Për disa arsye, një levit kishte qenë në mërgim. Atij i mungonte kaq shumë adhurimi në tempullin e Perëndisë, saqë ndihej si një sorkadhe e etur që dëshiron ujë në një vend të thatë e të shkretuar. Ai «kishte etje» për Jehovain dhe për privilegjin që të adhuronte Perëndinë në tempullin e Tij. (Psalmi 42:1, 2) Përvoja e këtij mërgimtari duhet të na nxitë që të tregojmë mirënjohje për shoqërinë që gëzojmë brenda popullit të Jehovait. Nëse kushte të tilla, si kufizimi për shkak të persekutimit, nuk na lejojnë përkohësisht që të jemi me ta, le të mendojmë mbi gëzimet e shkuara që kemi pasur së bashku në shërbimin e shenjtë dhe të lutemi për durim, ndërsa ‘shpresojmë te Perëndia’, i cili do të na lejojë të rifillojmë aktivitetin e rregullt bashkë me adhuruesit e tij.—Psalmi 42:4, 5, 11; 43:3-5.
«I shërbeni Zotit me gaz»
13. Si tregon Psalmi 100:1, 2 se gëzimi duhet të jetë një aspekt kryesor në shërbimin që i bëjmë Perëndisë?
13 Gëzimi duhet të jetë një aspekt kryesor i shërbimit tonë ndaj Perëndisë. Kjo u tregua edhe në një melodi falenderimi, në të cilin psalmisti këndoi: «Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës! I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.» (Psalmi 100:1, 2) Jehovai është «Perëndia i lumtur» dhe dëshiron që shërbëtorët e tij të gjejnë gëzim duke plotësuar detyrimet që sjell dedikimi i tyre ndaj tij. (1. Timoteut 1:11, BR) Njerëz nga të gjitha kombet duhet të ngazëllohen për Jehovain dhe shprehjet tona të lavdisë duhet të jenë të forta, si ‘klithma triumfuese’ e një ushtrie fitimtare. Pasi shërbimi që i bëjmë Perëndisë sjell freski, ai duhet të shoqërohet edhe nga gëzimi. Për këtë arsye, psalmisti e nxiti popullin që të vinte para Perëndisë «me këngë gëzimi».
14, 15. Si zbatohet Psalmi 100:3-5 për popullin e gëzuar të Jehovait sot?
14 Psalmisti shtoi: «Pranoni që Zoti [Jehovai, BR] është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.» (Psalmi 100:3) Pasi Jehovai është Krijuesi ynë, ai është pronari ynë, si një bari me delet e tij. Aq shumë kujdeset Perëndia për ne, saqë ne e lavdërojmë atë me mirënjohje. (Psalmi 23) Në lidhje me Jehovain, psalmisti këndoi gjithashtu: «Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij. Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.»—Psalmi 100:4, 5.
15 Sot, njerëz të gëzuar nga të gjitha kombet po hyjnë në oborret e tempullit të Jehovait për të ofruar falenderime dhe lavde. Me gëzim ne e bekojmë emrin e Perëndisë, duke folur gjithmonë mirë për Jehovain dhe cilësitë e tij të larta na nxitin ta lavdërojmë. Ai është plotësisht i mirë dhe dashamirësia e tij e dashur ose konsiderata e dhembshur që tregon për shërbëtorët e tij mund të jenë gjithmonë të besueshme, sepse vazhdojnë në kohë të pafundme. Në «të gjitha brezat» Jehovai është besnik në shfaqjen e dashurisë kundrejt atyre që bëjnë vullnetin e tij. (Romakëve 8:38, 39) Sigurisht, pra, që kemi arsye të mira për t’i «shërbyer Zotit me gaz».
Gëzohuni në shpresën tuaj
16. Për çfarë shprese dhe perspektivash mund të gëzohen të krishterët?
16 Pavli shkroi: «Jini . . . të gëzuar në shpresë.» (Romakëve 12:12) Ithtarët e mirosur të Jezu Krishtit gëzojnë për shpresën e jetës së përjetshme qiellore që Perëndia u ka bërë të mundur nëpërmjet Birit të tij. (Romakëve 8:16, 17; Filipianëve 3:20, 21) Edhe të krishterët me shpresën e jetës së përhershme në Parajsë mbi tokë kanë arsye për gëzim. (Luka 23:43) Të gjithë shërbëtorët besnikë të Jehovait kanë arsye për t’u gëzuar në shpresën e Mbretërisë, sepse ata do të jenë pjesë ose e qeverisë së saj qiellore, ose do të jetojnë në zotërimet e saj tokësore. Sa bekim i gëzueshëm!—Mateu 6:9, 10; Romakëve 8:18-21.
17, 18. (a) Çfarë paratha Isaia 25:6-8? (b) Si po plotësohet sot kjo profeci e Isaisë dhe ç’mund të themi për plotësimin e saj në të ardhmen?
17 Edhe Isaia paratha, gjithashtu, një të ardhme të gëzuar për njerëzimin e bindur. Ai shkroi: «Zoti i ushtrive do t’u përgatisë tërë popujve mbi këtë mal një banket me gjellë të shijshme, me verëra të vjetra, me gjellë të shijshme me shumë palcë dhe me verëra të vjetra dhe të zgjedhura. Do të shkatërrojë mbi këtë mal mbulesën që mbulonte tërë popujt, po kështu edhe mbulesën e shtrirë mbi të gjitha kombet. Do të shkatërrojë përgjithnjë vdekjen; Zoti, Zoti, do t’i thajë lotët nga çdo fytyrë, do të heqë nga tërë dheu turpin e popullit të tij, sepse Zoti ka folur.»—Isaia 25:6-8.
18 Gostia frymore në të cilën marrim pjesë sot si adhurues të Jehovait është në fakt një banket i gëzuar. Në të vërtetë, gëzimi ynë është i bollshëm, ndërsa i shërbejmë me zell Perëndisë, duke shijuar para kohe banketin e vërtetë me gjëra të mira që ai na ka premtuar për në botën e re. (2. Pjetrit 3:13) Në bazë të flijimit të Jezuit, Jehovai do të heqë «mbulesën» që mbështjell njerëzimin për shkak të mëkatit të Adamit. Çfarë gëzimi do të jetë kur të shohin zhdukjen e mëkatit dhe të vdekjes! Sa kënaqësi është t’u japësh mirëseardhjen të dashurve që do të ringjallen, të vëresh shterjen e lotëve dhe të jetosh mbi një tokë parajsore, në të cilën populli i Jehovait nuk do të shahet më, por do t’i japë Perëndisë një përgjigje për përfolësin e madh, Satana Djallin!—Proverbat 27:11.
19. Si duhet të reagojmë ndaj perspektivave që Jehovai ka vënë para nesh si Dëshmitarë të tij?
19 A nuk mbushesh me gëzim dhe mirënjohje duke ditur se ç’do të bëjë Jehovai për shërbëtorët e tij? Në të vërtetë, perspektiva të tilla të mëdha i kontribuojnë gëzimit tonë! Për më tepër, shpresa jonë e bekuar na bën që ta shohim Perëndinë tonë të lumtur, të dashur e bujar, me ndjenja të tilla si këto: «Ja, ky është Perëndia ynë: tek ai kemi shpresuar dhe ai do të na shpëtojë. Ky është Zoti tek i cili kemi shpresuar; të ngazëllojmë dhe të gëzohemi në shpëtimin e tij!» (Isaia 25:9) Me shpresën tonë të ngulitur fortë në mendje, le të bëjmë me forcë çdo përpjekje për t’i shërbyer Jehovait me gëzim në zemër.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Si mund t’i shërbejmë Jehovait me «gëzim në zemër»?
◻ Çfarë mund të bëjmë nëse na mungon gëzimi në shërbimin që i bëjmë Perëndisë?
◻ Përse populli i Jehovait mund të ketë gëzim pavarësisht nga persekutimet?
◻ Çfarë arsyesh kemi për t’u gëzuar në shpresën tonë?
[Figurat në faqen 17]
Pjesëmarrja në të gjitha aspektet e jetës së krishterë do të rrisë gëzimin tonë