Një botë pa luftë—Ti mund ta shohësh atë
1-4. (a) Përse kjo është një kohë urgjente për të vendosur? (b) Ç’kërkohet për të marrë një vendim të përshtatshëm?
PROFECIA e frymëzuar e Isaisë, kreu 2, në fakt e gjen plotësimin e saj në ditët tona. Një botë pa luftë është shumë afër. Tashmë, miliona Dëshmitarë të Jehovait në të gjithë tokën i kanë farkuar «shpatat e veta në plugje dhe shtizat e veta në drapërinj». Megjithëse vijnë nga çdo komb dhe shtresë, ata kanë mësuar të mposhtin çdo paragjykim dhe urrejtje të mëparshme dhe kanë mësuar rrugët e Perëndisë së paqes së vërtetë, Jehovait. (Isaia 2:4) Për shkak të këtij qëndrimi paqedashës, ata ndanë së bashku me hebrenjtë përvojën e kampeve të përqëndrimit (1933-1945).
2 Sado të ndritshme të jenë shpresat për të ardhmen, nuk janë të ndritshme për të gjithë. Jehovai nuk do të presë pafund që të gjithë njerëzit të farkojnë shpatat e tyre në plugje. Ka edhe nga ata që nuk duan të veprojnë kështu. Psalmisti nuk lë vend për dyshim në lidhje me fatin e njerëzve të tillë: «Sepse njerëzit e ligj do të priten, por ata që kërkojnë ZOTIN—ata do ta trashëgojnë tokën. Edhe pak dhe nuk do të ketë më njerëz të ligj; do të shikosh aty ku ishte—ai do të jetë larguar.» (Psalmi 37:9, 10) Po, në një të ardhme shumë të afërt, Jehovai do të veprojë, «duke i ndaluar luftërat anembanë tokës».—Psalmi 46:9-11 [Ps 46:8-10, NW].
3 Po ajo profeci e Jezuit që jep shenjën e ditëve të fundit, gjithashtu theksonte afrimin e ndërhyrjes së Perëndisë. Jezui tha: «Ky brez [brezi i vitit 1914 që ishte dëshmitar i fundit i ‘kohëve të caktuara’] nuk do të kalojë aspak, pa ndodhur këto gjëra.» (Mateu 24:34; Luka 21:24, NW) Ky brez është shumë afër kalimit. Po, për të gjithë njerëzimin tani është koha që të vendosë! Tani, në këto ditë të fundit apo «në fund të ditëve» (JP), duhet të vendosim nëse do «të ngjitemi në malin e Jehovait» që «të mësohemi në rrugët e Tij» apo jo. Por, siç kemi parë nga ky diskutim, për të njohur Perëndinë e vërtetë, për «t’u mësuar në rrugët e Tij dhe për të ecur në shtigjet e Tij», duhet bërë shumë. (Isaia 2:2, 3, NW, Ta) Që të veprojmë kështu, nuk duhet vetëm të lexojmë broshurën apo të pranojmë një kurs të shkurtër studimi. Kjo përfshin një mësim shumë më të thellë, që ndikon në gjithë mënyrën e jetesës. A dëshiron të dish diçka më tepër mbi Perëndinë e paqes?
4 Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm që të të ndihmojnë për të bërë një gjurmim të tillë serioz. Të inkurajojmë që të vazhdosh me zell shqyrtimin e kësaj teme, me qëllim që edhe ti të mund të jesh midis atyre që «ngjiten në malin e Jehovait dhe që mësohen në rrugët e Tij». Për ndihmë të mëtejshme, lidhu me Dëshmitarët e Jehovait në Sallën e Mbretërisë më të afërt apo shkruaju botuesve të kësaj broshure. (Shiko faqen 32.) Rezultati i kënaqshëm është përshkruar bukur nga profeti Mikea: «Dhe ata vërtet do të ulen, secili nën hardhinë e tij dhe nën fikun e tij dhe s’do të gjendet askush që t’i frikësojë.» Qofsh edhe ti midis atyre që «ecin në emrin e Jehovait . . . përgjithmonë», në një botë pa luftë!—Mikea 4:4, 5, NW.