Kombi që mban integritetin
«Hapni portat . . . që të mund të hyjë kombi i drejtë, që ruan sjelljen besnike.»—ISAIA 26:2, BR.
1. Përse mund të jetë e habitshme deklarata e Isaisë për një «komb të drejtë»?
SOT, ka kombe të çdo lloji. Disa janë demokratike, disa diktatoriale. Disa janë të pasura e disa të varfra. Gjëja e vetme e përbashkët është: Të gjitha janë pjesë e botës, perëndi i së cilës është Satanai. (2. Korintasve 4:4) Duke pasur parasysh këtë, fjalët e Isaisë mund t’i habitin disa kur thotë: «Hapni portat dhe le të hyjë kombi i drejtë, që ruan besnikërinë.» (Isaia 26:2) Një komb i drejtë? Po, ekziston një komb i drejtë, sepse profecia e tregon qartë ekzistencën e tij në ditët tona. Si mund të identifikohet atëherë ky komb i pazakontë?
2. Kush është «kombi i drejtë» dhe si e dimë?
2 Sipas Përkthimit Bota e Re Isaia 26:2 flet për një komb që «ruan sjelljen besnike». Bibla Bashkimi i Kombit, përkthyer nga Kristoforidhi e përkthen këtë varg «kombi i-drejtë që ruan të-vërtetënë». Që të dyja janë përshkrime me vend. Në fakt, kombi i drejtë njihet me lehtësi, sepse ai është i vetmi komb në tokë që i nënshtrohet Mbretit Krisht e kështu nuk është pjesë e botës së Satanait. (Gjoni 17:16) Si i tillë, anëtarët e tij janë të njohur për ‘një sjellje të shkëlqyer midis kombeve’. Ata ndjekin një mënyrë jetese që e lartëson Perëndinë. (1. Pjetrit 2:12, BR) Për më tepër, megjithëse janë në botë, ata janë pjesë e «kongregacionit të Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës». (1. Timoteut 3:15, BR) Duke mbështetur të vërtetën, ata hedhin poshtë filozofitë pagane të mësuara nga i ashtuquajturi krishterim dhe mbrojnë «qumështin e pastër të fjalës»—Fjalën e Perëndisë, Biblën. (1. Pjetrit 2:2) Gjithashtu, ata ia predikojnë me zell lajmin e mirë të Mbretërisë «çdo krijese që është nën qiell». (Kolosianëve 1:23) A mund të ketë ndonjë dyshim që ky komb përbëhet nga mbetja e ‘Izraelit të Perëndisë’, kongregacioni i të mirosurve të krishterë? Sigurisht që jo!—Galatasve 6:16.
Kombi lindi
3. Përshkruaj lindjen e «kombit të drejtë».
3 Kur lindi «kombi i drejtë»? Fillimet e tij ishin profetizuar në librin e Isaisë. Tek Isaia 66:7, 8 lexojmë: «Para se [Sionit] t’i fillonin dhimbjet e lindjes, ajo lindi, para se t’i vinin dhimbjet ajo lindi një fëmijë mashkull. . . . Sioni me të ndier dhimbjet e lindjes, lindi fëmijët e saj.» (BR) Gjëja më e pazakontë është se Sioni, organizata qiellore e Perëndisë, duhej të nxirrte në dritë një «fëmijë mashkull», para se t’i fillonin dhimbjet e lindjes. Në 1914-ën, vjen në dritë Mbretëria Mesianike në qiell. (Zbulesa 12:5.) Pas kësaj, Lufta I Botërore gllabëronte gjithnjë e më shumë vende dhe të krishterët e mirosur vuanin brenga dhe persekutime. Përfundimisht, në vitin 1919 u shfaq në tokë kombi frymor, «fëmija mashkull». Kështu, Sioni «lindi fëmijët e saj»—anëtarët e mirosur të «kombit të drejtë»të sapo formuar—dhe ata u organizuan për përhapjen e vazhdueshme të veprës së dëshmisë.—Mateu 24:3, 7, 8, 14; 1. Pjetrit 2:9.
4. Përse i është dashur të luftojë kombit të drejtë të Perëndisë për të mbajtur integritetin?
4 Që nga fillimet e tij, ky komb është ndeshur me prova të ashpra të integritetit të tij. Përse? Kur lindi Mbretëria qiellore, Satanai dhe demonët e tij u hodhën nga qielli në tokë. Një zë kumbues shpallte: «Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë. Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.» Satanai reagoi me zemërim ndaj këtij ndryshimi rrethanash «dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhjes së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit». Të krishterët e mirosur qëndruan vendosmërisht përballë sulmeve të tërbuara të Satanait. Deri sot e kësaj dite, anëtarët e zellshëm të kombit të drejtë të Perëndisë ushtrojnë besim në gjakun shpërblerës të Jezuit dhe vazhdojnë t’i japin Jehovait një përgjigje për përqeshësin e madh duke mbajtur integritetin «deri në vdekje».—Zbulesa 12:1, 5, 9-12, 17; Proverbat 27:11.
5. Cili qëndrim i shkëlqyer i Dëshmitarëve në ditët moderne i ka ndihmuar ata të mbajnë integritetin?
5 Në 1919-ën, kur dëshmitarët e ditëve moderne të Mbretërisë së Perëndisë sapo filluan veprën, Studentët Biblikë, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, ishin të paktë në numër, por të fortë në besim. Ata u bënë themeli i ‘një qyteti të fortë, me shpëtimin për mure dhe për bastione’. Besimi i tyre ishte në «Jah, Jehovain [i cili] është Shkëmbi në kohë të pacaktuar». (Isaia 26:1, 3, 4, BR) Ashtu si Moisiu në lashtësi, ata shpallën: «Unë shpall emrin e Zotit. Lëvdoni Perëndinë tonë! Ai është Shkëmbi, vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë.»—Ligji i përtërirë 32:3, 4.
6. Në ç’mënyrë e ka bekuar Jehovai popullin e tij në këto ditë të fundit?
6 Që atëherë, portat e përgatitjes së Mbretërisë së Perëndisë kanë qenë të hapura, ndërsa së pari u mblodh mbetja e 144.000 të krishterëve të mirosur dhe tani një shumicë e madhe e ‘deleve të tjera’ po u bashkohen në shpalljen e qëllimeve të Mbretërisë së Jehovait. (Gjoni 10:165) Kështu, mund të lajmërohet me gëzim: «Ti e ke rritur kombin, o Zot, e ke rritur kombin, je përlëvduar; i ke zgjeruar tërë kufijtë e vendit.» (Isaia 26:15) Sa të vërteta janë këto fjalë, kur shqyrtojmë fushën botërore sot! Me anë të fuqisë së frymës së shenjtë, është dhënë dëshmia për Mbretërinë e afërt të Krishtit «deri në pjesët më të largëta të tokës». (Veprat 1:8, BR) Mund të krijohet një ide për shtrirjen e kësaj përhapjeje nga Raporti i Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën për vitin e shërbimit 1994, në faqet 12 deri 15.
Një maksimum i ri lajmëtarësh
7, 8. (a) Çfarë prove ekziston se populli i Perëndisë i ka ‘zgjatur litarët e çadrës’? (b) Duke parë Raportin për vitin e shërbimit 1994, cilat zona të duket se i kanë ‘zgjeruar kufijtë’ në mënyrë të habitshme?
7 Vëre disa pika kulminante të këtij raporti. Maksimumi i lajmëtarëve të Mbretërisë në fushë arriti 4.914.094! Sa emocionuese është të vëresh mbledhjen e vazhdueshme të «shumicës së madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, që qëndrojnë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me të bardha»! Po, edhe këta kanë treguar se janë mbajtës të integritetit. «I kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», duke u konsideruar të drejtë, sepse ushtrojnë besim në sakrificën shpërblerëse të Jezuit.—Zbulesa 7:9, 14, BR.
8 Veçanërisht që nga 1919-ta, organizatës së Jehovait i është bërë ftesa: «Zgjero vendin e çadrës sate dhe fletët e banesave të tua le të shtrihen pa kursim; zgjati litarët e tu dhe përforco kunjat e tu.» (Isaia 54:2) Në përgjigje të kësaj, vepra e predikimit vazhdon pa pushim, madje edhe në Jukon e akullt, në kufi me Alaskën, ku një grup këmbëngulës pionierësh i bën ballë temperaturave që mund të arrijnë nga 450 deri në 500 C nën zero për javë të tëra. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë turma po grumbullohen në kombin që mban integritetin ndaj Jehovait. Portat janë hapur për të hyrë ata nga vendet aziatike jashtë të ashtuquajturit krishterim, nga ish-fortesat komuniste, nga shumë vende të Afrikës dhe nga pronat katolike, si Italia, Spanja, Portugalia dhe Amerika e Jugut. Një tjetër territor që është hapur është ai i refugjatëve. Në Angli, për shembull, Dëshmitarët po kujdesen për nevojat frymore të 13 grupeve etnike në gjuhët përkatëse.
«Vazhdoni ta bëni këtë»
9. (a) Çfarë tregon pjesëmarrja në Përkujtimin e vitit 1994? (b) Në cilat vende numri i pjesëmarrësve në Përkujtim ka qenë veçanërisht i lartë?
9 Një pikë tjetër kulminante nga raporti vjetor është pjesëmarrja në Përkujtim. Pak para se të vdiste, Jezui caktoi Përkujtimin e vdekjes së tij dhe i tha ithtarëve të vet: «Vazhdoni ta bëni këtë në përkujtimin tim.» (1. Korintasve 11:24, BR) Në 1994-ën, ishte emocionuese të shihje që 12.288.917 pjesëmarrës—shumë më tepër se dyfishi i lajmëtarëve aktivë—u bashkuan për t’iu bindur këtij urdhri, si pjesëmarrës apo si shikues. Në disa vende, mesatarja e pjesëmarrësve në Përkujtim ishte edhe më e lartë. 4.049 lajmëtarët në Estoni, Letoni dhe Lituani ishin të gëzuar që patën 12.876 pjesëmarrës në Përkujtim, më shumë se trefishi i numrit të lajmëtarëve. Në Benin, 16.786 pjesëmarrësit në Përkujtim paraqitnin gati pesëfishin e numrit të lajmëtarëve. Një kongregacion me rreth 45 lajmëtarë, kishte 831 pjesëmarrës.
10. (a) Çfarë përgjegjësie vë para nesh pjesëmarrja e madhe në Përkujtim? (b) Përshkruaj se çfarë mund të ndodhë kur ai që merr pjesë në Përkujtim ndihmohet edhe mëtej.
10 Dëshmitarët e Jehovait janë të gëzuar që kaq shumë persona të interesuar, bashkohen me ta në këtë rast premtues. Tani, ata dëshirojnë që t’i ndihmojnë këta persona të bëjnë progres të mëtejshëm në kuptueshmërinë e së vërtetës dhe dashurinë ndaj saj. Disa mund të reagojnë ashtu si Alla nga Rusia. Alla studionte me një pioniere speciale, por nuk bënte ndonjë farë progresi, prandaj studimi u ndërpre. Megjithatë, Alla pranoi ftesën për të marrë pjesë në Përkujtim. Ajo mbledhje që pati një domethënie të madhe për të, i la një mbresë të madhe. Me t’u kthyer në shtëpi, zhduku të gjitha ikonat dhe iu lut Jehovait për ndihmë. Pas dy ditësh, motra e vizitoi Allën për të parë nëse i kishte pëlqyer Përkujtimi. U bë një bisedë e frytshme. Alla filloi përsëri të studionte. Shpejt mori pjesë në veprën e dëshmisë. Kjo përvojë tregon rëndësinë që duhet t’u kushtojmë vizitave të atyre që kanë asistuar në Përkujtim. Ka mundësi që shumë të përgjigjen ashtu si Alla.
‘Të mos heqim dorë nga të mbledhurit bashkë’
11-13. (a) Ç’gjë tjetër është pjesë e sjelljes me besnikëri në kombin e drejtë? (b) Përse të krishterët e vërtetë duhet të marrin pjesë në mbledhje?
11 Nuk është Përkujtimi mbledhja më e rëndësishme në kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait, gjithashtu nuk është në asnjë mënyrë mbledhja e vetme. Çdo javë, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen së bashku në bindje të fjalëve të apostullit Pavël: «Le të kujdesemi për njëri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njëri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet.» (Hebrenjve 10:24, 25) Ata shoqërohen me kombin e drejtë të Jehovait që identifikohet nga sjellja i tij besnike. Sjellja besnike përfshin pjesëmarrjen me besnikëri në mbledhje.
12 Siç shihet, kjo është kuptuar mirë në Filipine, ku mesatarja kombëtare e pjesëmarrësve në mbledhjet e së dielës, është 125 përqind e numrit të lajmëtarëve. Gjithashtu, është kuptuar mirë edhe nga një grup Dëshmitarësh dhe personash të interesuar në Argjentinë. Ata banojnë 20 km larg Sallës së Mbretërisë. Megjithatë, mbikëqyrësi qarkor raporton se përveç rasteve të sëmundjeve, askush nuk mungon ndonjëherë në mbledhje. Ata bëjnë katër orë rrugë me kaloshinë ose me kalë dhe gjatë dimrit kthehen në shtëpi natën nëpër errësirë.
13 Ndërkohë që fundi i këtij sitemi afrohet, jeta bëhet më e vështirë, problemet rriten dhe pjesëmarrja e rregullt në mbledhje mund të bëhet një sfidë. Por në këto rrethana, kemi nevojë më shumë se kurrë për ushqimin frymor dhe përzemërsinë që mund të gjendet vetëm në mbledhje të tilla.
«Ngul këmbë me kohë»
14. Përse Dëshmitarët e Jehovait kanë një ndjenjë urgjence në lidhje me shërbimin e tyre dhe cilat rezultate e tregojnë këtë?
14 Vitin e kaluar, Kisha katolike në Itali iu referua veprës së Dëshmitarve të Jehovait si «prozelitizëm i egër». Por, në të vërtetë nuk ka asgjë të egër në shërbimin e Dëshmitarëve. Përkundrazi, shërbimi i tyre është shprehje e dashurisë së thellë për të afërmit. Gjithashtu, është provë e bindjes ndaj fjalëve të Pavlit: «Prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë.» (2. Timoteut 4:2) Ndjenja e urgjencës i nxit Dëshmitarët e Jehovait të jenë të zellshëm në shërbimin e tyre, siç duket nga shuma totale e 1.096.065.354 orëve të harxhuara gjatë vitit 1994, duke u predikuar fqinjëve, duke bërë rivizita dhe duke drejtuar çdo javë 4.701.357 studime biblike. Shumë veta marrin pjesë në shërbimin e pionierit, gjë që tregon se fryma e pionierit është e gjallë dhe aktive. Mesatarja prej 636.202 pionierësh dëshmon për këtë.
15, 16. (a) Si e kanë treguar frymën e pionierit të rinj e të moshuar? (b) Siç vërehet nga Raporti për vitin e shërbimit 1994, cilat vende kanë numrin më të lartë të pionierëve?
15 Mes këtyre pionierëve ka shumë të rinj. Në Shtetet e Bashkuara disa shërbejnë në këtë kohë si pionierë të rregullt gjatë shkollës së mesme, ku shokët e klasës janë territori i tyre i parë. Këta të rinj kanë kuptuar se shërbimi si pionier është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga droga, imoraliteti dhe dhuna që kanë gllabëruar shumë shkolla në atë vend. Shumë të rinj të tjerë e kanë synim veprën e pionierit, kur mbarojnë shkollën. Irina nga Ukraina, ishte pioniere ndihmëse gjatë gjithë shkollës së mesme, në mënyrë që të përgatitej për veprën e pionierit që do ta fillonte pas diplomimit. Kur mbaroi shkollën, familja ofroi bashkëpunimin e vet nga ana ekonomike, që ajo të mund t’i përfaqësonte ata në veprën e pionierit të rregullt. Në Ukrainë, jeta nuk është e lehtë nga ana ekonomike. Por, Irina thotë: «E kam të qartë se po bëj një vepër që do të thotë jetë jo vetëm për mua, por edhe për ata, të cilëve u predikoj.» Është vërtet kënaqësi të shikosh sot kaq shumë të rinj që mendojnë si Irina. A ka gjë më të mirë për ta, sesa të ‘kujtojnë Krijuesin e tyre të Madh në ditët e djalërisë dhe vajzërisë së tyre’?—Eklisiastiu 12:1, BR.
16 Një numër i madh pionierësh janë të kaluar në moshë. Njëra prej tyre thotë se gjatë Luftës II Botërore, i ati dhe i vëllai u vranë në luftë, ndërsa e ëma dhe e motra gjetën vdekjen në një geto. Më vonë i vdiq edhe i biri. Tani në vitet e pleqërisë dhe të vuajtjes nga shëndeti jo i mirë, Jehovai i dha asaj në kongregacionin e krishterë një familje shumë më të madhe se ajo që humbi dhe gjeti gëzim duke i ndihmuar të tjerët si pioniere e rregullt.
17, 18. Si mund ta tregojë secili prej nesh frymën e pionierit, qoftë ai pionier apo jo?
17 Pa dyshim, jo gjithkush mund të jetë pionier. Jehovai është i gëzuar të pranojë të dhjetën tonë të plotë, më të mirën që mund të ofrojmë, çfarëdo qoftë në rastin tonë të veçantë. (Malakia 3:10, BR) Në fakt, të gjithë ne mund të kultivojmë frymën e këtyre pionierëve të të zellshëm dhe të bëjmë gjithçka që na lejojnë rrethanat për të mbështetur veprën e predikimit dhe përhapjen e lajmit të mirë.
18 Për shembull, në Australi, 16 prilli ishte shënuar si ditë speciale për dëshminë në rrugë. Ajo u mbështet më së miri si nga lajmëtarët edhe nga pionierët, siç duket qartë nga maksimumi i ri prej 58.780 lajmëtarësh për atë muaj. Përveç kësaj, kanë shpërndarë 90.000 revista më shumë duke i krahasuar me numrin e revistave të shpërndara vitin e kaluar në të njëjtin muaj. Gjatë ditës speciale, një motër i dha një revistë një burri dhe kur po merrte emrin dhe adresën për të zhvilluar interesin, ajo zbuloi se ishin të afërm. Doli që ishin kushërinj të parë dhe kishin 30 vjet pa e parë njëri-tjetrin. Me siguri kjo i dha rastin për disa rivizita të këndshme!
Mbani integritetin deri në fund!
19. Përse është e një rëndësie urgjente që kombi i drejtë i Jehovait të mbajë integritetin deri në fund?
19 Është e një rëndësie urgjente që të gjithë në kombin e drejtë të Perëndisë të mbajnë integritetin, ndërkohë që bota e Satanait shkon drejt dhimbjeve të vdekjes. Së shpejti, kombi i shenjtë i Jehovait do të dëgjojë thirrjen: «Shko, o populli im, hyr në dhomat e tua, mbylli portat e tua prapa teje; fshihu për një çast, deri sa të kalojë zemërimi.» Kjo botë e zhytur në fajin e gjakut do të bjerë në mënyrë të pashmangshme në gjykimin hyjnor. «Sepse ja, Zoti del nga banesa e tij për të ndëshkuar paudhësinë e banorëve të tokës; toka do të nxjerrë në shesh gjakun e derdhur dhe nuk do të t’i fshehë më të vrarët e saj.» (Isaia 26:20, 21) Le të qëndrojë vendosmërisht secili prej nesh si një mbajtës i integritetit të krishterë, duke u shoqëruar me kombin e drejtë të Jehovait. Atëherë do të gëzohemi duke marrë jetën e përhershme në zotërimet tokësore apo qiellore të Mbretërisë së Krishtit.
A të kujtohet?
◻ Kur lindi «kombi i drejtë»?
◻ Përse i nevojitej durim popullit të Perëndisë gjatë këtyre ditëve të fundit?
◻ Sipas Raportit për vitin e shërbimit 1994, çfarë tregon numri i lartë i lajmëtarëve dhe orët e harxhuara në shërbim?
◻ Përse pjesëmarrja në mbledhje është kaq e rëndësishme ndërkohë që kjo botë po i afrohet gjithnjë e më shumë fundit?
◻ Përse të gjithë ata që shoqërohen me kombin e drejtë të Jehovait duhet të mbajnë integritetin?
[Tabela në faqet 12-15]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 1994
(Shiko botimin)
[Figura në faqen 18]
Mbajtësit e integritetit në kombin e drejtë të Jehovait do të marrin jetën e përhershme në përsosmëri