Sa të besueshme janë profecitë biblike?
SOT ka një pafundësi librash historikë. Ato tregime të së shkuarës, në fakt, shpeshherë janë mjaft bindëse. Duke i lexuar ato, mund ta përfytyrojmë veten në ato vende dhe kohë të largëta. Ndërsa imagjinata jonë fluturon, na duket sikur popujt, vendet dhe ngjarjet e përshkruara në ato faqe të heshtura ringjallen.
Bibla është një libër i tillë, një libër i mbushur me tregime historike emocionuese. Nëpër faqet e saj, mund të njihemi me burra dhe gra si Abrahami, gruaja e tij Sara, mbreti David, mbretëresha Estera dhe me Mësuesin e Madh, Jezu Krishtin. Në fakt, mund të ecim me ta, të dëgjojmë se çfarë thonë dhe të shohim atë çka panë edhe ata. Por shumë veta e konsiderojnë Biblën si diçka më shumë, sesa një libër historie. Besojnë se ajo përmban atë që është quajtur histori e shkruar që më parë. Dhe përse? Sepse Bibla është plot me gjëra të parathëna, ose profeci.
Megjithatë, sa të besueshme janë parashikimet e Biblës? Nëse profecitë biblike për ngjarjet e së shkuarës janë plotësuar, a nuk duhet të presim që të vërtetohen edhe parashikimet për ngjarjet e së ardhmes? Le të shohim tani, disa shembuj për të parë nëse parashikimet e Biblës janë të besueshme.
Izraeli dhe Asiria në skenën botërore
Profeti i Perëndisë, Isaia, që filloi të profetizonte rreth vitit 778 p.e.s., paratha: «Me këmbë do të shkelen kurorat e shquara të pijanecëve të Efraimit [Izraelit]. Dhe lulja e fishkur e stolisë së tij të bukurisë, që qëndron në krye të luginës së pjellorisë, duhet të bëhet si fiku i lashtë përpara verës, që, kur një shikues e sheh, ndërsa është ende në dorën e tij, e gëlltit.» (Isaia 28:3) Siç qe parathënë, rreth gjysmës së shekullit VIII, kryeqyteti i Izraelit, Samaria, ishte bërë si një fik i pjekur, gati për t’u vjelë dhe gëlltitur prej forcave ushtarake të Asirisë. Dhe pikërisht kështu ndodhi, kur Samaria u pushtua prej Asirisë në vitin 740 p.e.s.—2. Mbretërve 17:6, 13, 18.
Pastaj, i erdhi radha Asirisë që të kalonte në histori. Kryeqyteti i saj, Ninevia, ishte shumë i njohur për trajtimin e egër që u bënte robërve, aq sa ishte quajtur «qyteti i gjakderdhjes». (Naumi 3:1) Vetë Jehova Perëndia kishte dekretuar rrënimin e Ninevisë. Për shembull, me anë të profetit Naum, Perëndia tha: «Shiko! Unë jam kundër teje . . . Do të të bëj të përbuzshme; dhe do të të vendos si një shfaqje. Dhe duhet të ndodhë që kushdo që do të të shohë, do të largohet prej teje dhe me siguri do të thotë: ‘Ninevia është zhveshur!’» (Naumi 3:5-7) Zefania parashikoi, gjithashtu, shkatërrimin e Asirisë dhe shkretimin e Ninevisë. (Zefania 2:13-15) Këto profeci u plotësuan në vitin 632 p.e.s., kur, në mënyrë të papritur, forcat e bashkuara të mbretit babilonas Nabopolasar dhe Siaksaresit të Medisë, e plaçkitën dhe e rrafshuan përdhe Ninevinë, aq sa vendndodhja e qytetit mbeti e panjohur për gati 2.000 vjet. Ishte koha që në skenën botërore të hypte perandoria babilonase.
Rrënimi i parathënë i Babilonisë
Bibla kishte parathënë se perandoria babilonase do të rrëzohej dhe kishte parashikuar edhe se si do të binte kryeqyteti i saj, Babilonia. Gati dy shekuj më parë profeti Isaia paralajmëroi se ujërat e Eufratit do të thaheshin. Ai kalonte përmes Babilonisë dhe portat mbi lumë përbënin një pjesë kryesore të mbrojtjes së qytetit. Profecia quante Kirin si pushtues dhe thoshte se «portat dykanatëshe» nuk do të mbylleshin për pushtuesit. (Isaia 44:27–45:7) Në përputhje me këtë, Perëndia bëri të mundur që portat dykanatëshe të Babilonisë përgjatë Eufratit, të liheshin hapur gjatë një feste natën dhe forcat e Kirit të Madh kaluan në sulm. Pa vështirësi, këto hynë në qytet nëpërmjet shtratit të lumit dhe pushtuan Babiloninë.
Historiani Herodoti shkruan: «[Kiri] e vendosi pjesën më të madhe të ushtrisë së tij në pikën e hyrjes së lumit [Eufrat], atje ku ai depërton në qytet [Babiloni], ndërsa ushtarët e tjerë në anën e kundërt, ku del lumi dhe i urdhëroi forcat që kur të shihnin se lumi ishte bërë i kalueshëm në va, të depërtonin në qytet nëpër atë rrugë. . . . Pasi me anë të një kanali i futi ujërat e Eufratit në pellgun që kishin gërmuar si kënetë, bëri të mundur që me uljen e nivelit të lumit, shtrati i vjetër të bëhej i kalueshëm. Pas një rezultati të tillë, persët, që kishin marrë urdhra pikërisht për këtë, kur Eufrati u ul derisa nuk vinte as në mes të këmbës së një burri, vazhduan rrugën përgjatë tij dhe hynë në Babiloni. . . . Në atë çast [babilonasit] ishin dhënë mbas kërcimit (në fakt, qëlloi që për ta të ishte ditë feste) dhe gëzimit të marrë, derisa e kuptuan se si qëndronte puna.»—Le Storie, I, 191, përkth. italisht nga L. Annibaletto, Mondadori, Milano, 1982.
Po atë natë, profeti i Perëndisë, Danieli, e paralajmëroi sundimtarin babilonas për shkatërrimin që po afrohej. (Danieli, kapitulli 5) Pas asaj kohe, për disa shekuj, ekzistoi një Babiloni e parëndësishme. Prej aty, për shembull, apostulli Pjetër shkroi në shek. I të e.s. letrën e tij të parë të frymëzuar. (1. Pjetrit 5:13) Por profecia e Isaisë kishte thënë: «Babilonia . . . duhet të bëhet si atëherë kur Perëndia rrafshoi Sodomën dhe Gomorrën. Ajo nuk do të banohet kurrë.» Perëndia kishte thënë, gjithashtu: «Do të shkul nga Babilonia emër, të mbetur, pasardhës dhe zhvillim.» (Isaia 13:19-22; 14:22) Siç qe parathënë, Babilonia u bë më në fund një grumbull rrënojash. Çdo rindërtim i mundshëm i atij qyteti antik do të mund të përbënte një tërheqje për turistët, por ai do të mbetej ende pa «pasardhës dhe zhvillim».
Danieli, profet i Jehovait që gjendej në Babiloni kur ajo ra, pati një vizion që lidhej me pushtuesit medo-persë. Pa një dash me dy brirë dhe një cjap me një bri të madh midis syve. Cjapi sulmoi dashin dhe e rrëzoi përdhe, duke i thyer të dy brirët. Pastaj, briri i madh i cjapit u thye dhe në vend të tij dolën katër të tjerë. (Danieli 8:1-8) Siç parathoshte dhe siç ka vërtetuar edhe historia dashi me dy brirë paraqet Medo-Persinë. Cjapi paraqiste Greqinë. Çfarë është «briri i madh»? Është provuar se ky është Aleksandri i Madh. Kur ai bri i madh simbolik u thye, katër brirë simbolikë (apo mbretëri) zunë vendin e tij. Ashtu siç qe parathënë, mbas vdekjes së Aleksandrit, katër prej gjeneralëve të tij erdhën në pushtet: Ptoleme Lagusi në Egjipt dhe Palestinë; Seleuk Nikatori në Mesopotami dhe Siri; Kasandri në Maqedoni dhe Greqi; dhe Lisimaku në Thrakë dhe në Azinë e Vogël.—Danieli 8:20-22.
Profeci për një të ardhme të shkëlqyer
Profeci të tilla biblike që lidhen me ngjarje si shkatërrimi i Babilonisë dhe përmbysja e medo-persëve, janë shembuj të shkëlqyer të shumë e shumë profecive biblike që janë vërtetuar në të kaluarën. Bibla përmban, gjithashtu, profeci edhe për një të ardhme të shkëlqyer që do të realizohej falë Mesisë, të Mirosurit të Perëndisë.
Disa profeci mesianike në Shkrimet Hebreje u aplikuan prej shkrimtarëve të Shkrimeve Greke për Jezu Krishtin. Për shembull, shkrimtarët e Ungjijve nxorën në pah se Jezui lindi në Bethlehem, siç ishte parathënë prej profetit Mikea. (Mikea 5:2; Luka 2:4-11; Gjoni 7:42) Në përmbushje të profecisë së Jeremisë, pas lindjes së Jezuit u vranë shumë fëmijë. (Jeremia 31:15; Mateu 2:16-18) Fjalët e Zaharisë (9:9) gjetën përmbushje kur Krishti hyri në Jeruzalem mbi një kërriç. (Gjoni 12:12-15) Dhe kur ushtarët ndanë veshjen e Jezuit, pasi e kishin vënë në shtyllë, u përmbushën fjalët e psalmistit: «Ata i ndanë mes tyre rrobat e mia dhe për veshjen time hodhën short.»—Psalmi 22:18.
Profeci të tjera mesianike tregojnë për një kohë të lumtur për njerëzimin. Në vizion, Danieli pa «dikë që ngjante me një bir njeriu», duke marrë «pushtet dhe dinjitet dhe mbretëri» prej Jehovait «të Lashtit të Ditëve». (Danieli 7:13, 14) Në lidhje me sundimin mesianik të atij Mbreti qiellor, Jezu Krishtit, Isaia deklaroi: «Emri i tij do të jetë Këshilltar i mrekullueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Bollëku i sundimit princëror dhe i paqes nuk do të ketë fund, mbi fronin e Davidit dhe mbi mbretërinë e tij për ta vendosur fortësisht dhe për ta mbështetur me anë të së drejtës dhe drejtësisë, prej tani e deri në kohë të pafundme. Vetë zelli i Jehovait të ushtrive do ta bëjë këtë.»—Isaia 9:6, 7.
Para se sundimi i drejtë i Mesisë të vendoset plotësisht, duhet të ndodhë diçka mjaft domethënëse. Edhe kjo qe parathënë në Bibël. Në lidhje me Mbretin mesianik, psalmisti tha: «Ngjishe shpatën në kofshë, O i fuqishëm . . . Në shkëlqimin tënd vazhdo për në sukses; ec kaluar në çështjen e së vërtetës, të përulësisë dhe drejtësisë.» (Psalmi 45:3, 4) Duke treguar për ditët tona, Shkrimet parashikonin, gjithashtu: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që kurrë nuk do të shkatërrohet në rrënim. Dhe vetë mbretëria nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do t’i thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha atyre mbretërive dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pafundme.»—Danieli 2:44.
Psalmi 72 na jep një ide të kushteve nën sundimin mesianik. Për shembull: «Në ditët e tij do të lulëzojë i drejti dhe bollëku i paqes, derisa të ekzistojë hëna.» (Vargu 7) Nuk do të ketë më as shtypje, as dhunë. (Vargu 14) Askush nuk do të jetë i uritur, sepse «mbi tokë do të ketë grurë me bollëk; në majë të maleve do të ketë vërshim». (Vargu 16) Dhe mendo pak! Ti mund t’i gëzosh këto dhe bekime të tjera në një parajsë tokësore, kur sistemi i tanishëm i gjërave të zëvendësohet nga bota e re e premtuar e Perëndisë.—Luka 23:43; 2. Pjetrit 3:11-13; Zbulesa 21:1-5.
Sigurisht, pra, që profecitë biblike e meritojnë të shqyrtohen. Prandaj, përse të mos u kërkosh Dëshmitarëve të Jehovait informata të tjera? Një shqyrtim i profecive të Biblës mund të të ndihmojë për të kuptuar se në ç’pikë të vazhdës kohore jemi. Mund të ngjallë, gjithashtu, në zemrën tënde një çmueshmëri të thellë për Perëndinë Jehova dhe për masën e tij të mrekullueshme për bekime të përjetshme ndaj të gjithë atyre që e duan dhe i binden.
[Figura në faqen 4]
A e njeh domethënien e vizionit të Danielit në lidhje me një cjap dhe një dash?