Kapitulli njëzet e dy
Isaia parathotë ‘veprimin e çuditshëm’ të Jehovait
1, 2. Pse ndihen të sigurt Izraeli dhe Juda?
PËR një periudhë të shkurtër në historinë e tyre, Izraeli dhe Juda ndihen të sigurt. Udhëheqësit e tyre kanë lidhur aleanca me kombe më të mëdha e më të fuqishme, në përpjekje për të gjetur siguri në një botë të rrezikshme. Samaria, kryeqyteti i Izraelit, i është drejtuar Sirisë fqinje, ndërsa Jerusalemi, kryeqyteti i Judës, i ka varur shpresat tek Asiria e pamëshirshme.
2 Veç faktit që po u besojnë aleatëve të rinj politikë, disa individë në mbretërinë veriore presin ndoshta që edhe Jehovai t’i mbrojë, pavarësisht se vazhdojnë të përdorin viça të artë në adhurim. Në mënyrë të ngjashme, Juda është e bindur se mund të mbështetet në mbrojtjen e Jehovait. Në fund të fundit, tempulli i Jehovait, a nuk gjendet në Jerusalem që është kryeqyteti i tyre? Por të dyja kombet i presin ngjarje të paparashikuara. Jehovai e frymëzon Isainë të parathotë zhvillime që do t’i duken vërtet të çuditshme popullit të tij rebel. Nga ana tjetër, fjalët e tij përmbajnë mësime jetësore për të gjithë sot.
‘Pijanecët e Efraimit’
3, 4. Për çfarë gjëje është krenare mbretëria veriore e Izraelit?
3 Isaia e fillon profecinë e tij me fjalë të frikshme: «Mjerë kurora madhështore e pijanecëve të Efraimit dhe lulja e fishkur e stolisjes së bukur të saj, që është mbi kryet e luginës pjellore të atyre që i ka mposhtur vera! Ja, Jehovai ka dikë të fortë dhe energjik. Si një stuhi breshëri me rrufe, . . . ai me siguri do të rrëzojë përtokë me forcë. Kurorat madhështore të pijanecëve të Efraimit do të shkelen me këmbë.»—Isaia 28:1-3.
4 Efraimi, më i shquari i dhjetë fiseve veriore, është bërë përfaqësuesi i gjithë mbretërisë së Izraelit. Kryeqyteti i tij, Samaria, gjendet në një vend të bukur e tërheqës «në krye të luginës pjellore». Udhëheqësit e Efraimit janë krenarë për ‘kurorën madhështore’ të pavarësisë nga mbretërimi i linjës së Davidit në Jerusalem. Por ata janë ‘pijanecë’, të dehur frymësisht për shkak të aleancës që kanë bërë me Sirinë kundër Judës. Çdo gjë që gëzojnë do të shkelet së shpejti nën këmbët e pushtuesve.—Krahaso Isainë 29:9.
5. Cila është gjendja e rrezikshme në të cilën ndodhet Izraeli, por çfarë shprese jep Isaia?
5 Efraimi nuk e kupton gjendjen e rrezikshme në të cilën ndodhet. Isaia vazhdon: «Lulja e fishkur e stolisjes së bukur të saj që është mbi kryet e luginës pjellore duhet të bëhet si fiku i hershëm para verës, që, kur shikuesi e shikon, ndërsa është ende në pëllëmbën e dorës së tij, e kapërdin poshtë.» (Isaia 28:4) Efraimi do të bjerë në dorën e Asirisë dhe do të jetë për të një kafshatë e shijshme për t’u ngrënë me një të kafshuar. Atëherë, a do të thotë kjo se s’ka asnjë shpresë? Në fakt, ashtu si edhe në shumë raste të tjera, profecitë e gjykimit të shpallura nga Isaia zbuten me nota shprese. Ndonëse kombi bie, individë besnikë do të mbijetojnë me ndihmën e Jehovait. «Jehovai i ushtrive do të bëhet si diademë stolisjeje dhe si kurorë bukurie për ata që do të mbeten nga populli i tij, dhe si frymë drejtësie për atë që ulet të gjykojë, dhe si fuqi për ata që e largojnë betejën nga porta.»—Isaia 28:5, 6.
«Kanë devijuar»
6. Kur pushon së ekzistuari Izraeli dhe përse nuk duhet të gëzohet Juda?
6 Dita e llogaridhënies për Samarinë vjen në vitin 740 p.e.s., kur asirianët shkretojnë vendin dhe mbretëria veriore pushon së ekzistuari si komb i pavarur. Por ç’të themi për Judën? Vendi i saj do të pushtohet nga Asiria dhe më vonë Babilonia do të shkatërrojë kryeqytetin e saj. Por gjatë jetës së Isaisë, tempulli dhe priftëria e Judës do të vazhdojnë të funksionojnë dhe profetët e saj do të vazhdojnë të profetizojnë. A duhet të gëzohet Juda për shkatërrimin e ardhshëm të mbretërisë veriore? Patjetër që jo. Jehovai do t’i kërkojë llogari edhe Judës dhe udhëheqësve të saj për mosbindjen dhe mungesën e besimit të tyre.
7. Në cilin kuptim janë të dehur udhëheqësit e Judës dhe me çfarë rezultati?
7 Duke i drejtuar mesazhin e tij Judës, Isaia vazhdon: «Dhe edhe këta, për shkak të verës kanë devijuar dhe për shkak të pijes dehëse janë endur andej-këtej. Prifti dhe profeti, kanë devijuar për shkak të pijes dehëse, janë turbulluar si pasojë e verës, janë endur andej-këtej si pasojë e pijes dehëse, kanë devijuar në shikimin e tyre, janë lëkundur për sa i përket vendimit. Sepse tavolinat janë mbushur me të vjella të qelbura dhe s’ka vend ku të mos ketë.» (Isaia 28:7, 8) Sa e neveritshme! Dehja në kuptimin e mirëfilltë, në shtëpinë e Perëndisë, do të ishte një gjë mjaft serioze. Por këta priftërinj dhe profetë janë të dehur frymësisht—mendjet e tyre janë të errësuara nga besimi i tepërt në aleancat njerëzore. Ata e kanë mashtruar veten me mendimin se rruga e tyre është e vetmja rrugë praktike, ndoshta duke menduar se tani kanë një plan rezervë në rast se mbrojtja e Jehovait del e pamjaftueshme. Në gjendjen e tyre të dehur frymore, këta udhëheqës fetarë vjellin shprehje fyese e të papastra që zbulojnë mungesën e madhe të besimit të vërtetë në premtimet e Perëndisë.
8. Cili është reagimi ndaj mesazhit të Isaisë?
8 Si reagojnë udhëheqësit fetarë të Judës ndaj paralajmërimit të Jehovait? Ata tallen me Isainë, duke e akuzuar se po u flet atyre sikur të ishin fëmijë: «Kë do të mësojë në njohuri dhe kë do të ndihmojë të kuptojë atë që është dëgjuar? Ata të cilëve u është prerë qumështi, ata që janë hequr nga gjiri? Sepse është ‘urdhër mbi urdhër, urdhër mbi urdhër, litar për të matur mbi litar për të matur, litar për të matur mbi litar për të matur, pak këtu, pak atje’.» (Isaia 28:9, 10) Fjalët e Isaisë u tingëllojnë atyre si përsëritje dhe shumë të çuditshme. Ai vazhdon të përsëritë fjalët e tij, duke thënë: ‘Kjo është ajo që Jehovai ka urdhëruar! Kjo është ajo që Jehovai ka urdhëruar! Ky është standardi i Jehovait! Ky është standardi i Jehovait!’a Por së shpejti, Jehovai do t’u «flasë» banorëve të Judës me anë të veprimeve. Ai do të dërgojë kundër tyre forcat ushtarake të Babilonisë—të huaj që flasin me të vërtetë një gjuhë tjetër. Ato forca ushtarake do të zbatojnë me siguri ‘urdhrin mbi urdhër’ që vjen nga Jehovai dhe Juda do të bjerë.—Lexo Isainë 28:11-13.
Pijanecë frymorë sot
9, 10. Kur dhe në ç’mënyrë kanë pasur një domethënie fjalët e Isaisë për brezat e mëvonshëm?
9 A u përmbushën profecitë e Isaisë vetëm në lidhje me Izraelin dhe Judën e kohës së lashtë? Aspak! Si Jezui, ashtu edhe Pavli i cituan fjalët e tij dhe ia zbatuan kombit në kohën e tyre. (Isaia 29:10, 13; Mateu 15:8, 9; Romakëve 11:8) Edhe sot është krijuar një situatë e ngjashme me atë të kohës së Isaisë.
10 Këtë radhë janë udhëheqësit fetarë të të ashtuquajturit krishterim ata që e vënë besimin te politika. Të paqëndrueshëm, ata lëkunden andej-këtej si pijanecët e Izraelit dhe të Judës, duke futur hundët në çështjet politike dhe gëzojnë kur të ashtuquajturit të mëdhenj të kësaj bote u marrin mendimin. Në vend që të thonë të vërtetën e pastër biblike, ata thonë gjëra të papastra. Pamja e tyre frymore është errësuar dhe nuk janë udhërrëfyes të sigurt për njerëzimin.—Mateu 15:14.
11. Si reagojnë udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim ndaj lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë?
11 Si reagojnë udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim kur Dëshmitarët e Jehovait u tërheqin vëmendjen drejt shpresës së vetme të vërtetë, Mbretërisë së Perëndisë? Ata nuk kuptojnë. U duket sikur Dëshmitarët belbëzojnë në mënyrë të përsëritur, si foshnjat. Udhëheqësit fetarë i shohin me mospërfillje këta lajmëtarë dhe i tallin. Si judenjtë e kohës së Jezuit, ata nuk e duan Mbretërinë e Perëndisë dhe as duan që kopetë e tyre të dëgjojnë për të. (Mateu 23:13) Për këtë arsye atyre u bëhet e ditur se Jehovai nuk do të flasë gjithmonë nëpërmjet lajmëtarëve të padëmshëm. Do të vijë koha kur ata që nuk i nënshtrohen Mbretërisë së Perëndisë do të «thyhen, do të zihen në lak dhe do të kapen», po, do të shkatërrohen plotësisht.
«Një besëlidhje me Vdekjen»
12. Ç’është ‘besëlidhja me vdekjen’ që pretendon se ka lidhur Juda?
12 Isaia vazhdon shpalljen e tij: «Ju keni thënë: ‘Kemi përfunduar një besëlidhje me Vdekjen dhe me Sheolin kemi bërë një vizion; vërshimi i beftë përmbytës, në rast se kalon, nuk do të vijë te ne, sepse kemi bërë strehimin tonë një gënjeshtër dhe jemi fshehur në falsitet.’» (Isaia 28:14, 15) Udhëheqësit e Judës mburren se aleancat e tyre politike do t’i ruajnë nga disfata. Mendojnë se kanë bërë «një besëlidhje me Vdekjen» që t’i lërë të qetë. Por strehimi i tyre i rremë nuk do t’i mbrojë. Aleancat e tyre janë një gënjeshtër, një falsitet. Në mënyrë të ngjashme sot, marrëdhënia e ngushtë e të ashtuquajturit krishterim me udhëheqësit e botës nuk do ta mbrojë kur të vijë koha që Jehovai t’i kërkojë llogari. Në fakt, ajo kohë do të shënojë shkatërrimin e saj.—Zbulesa 17:16, 17.
13. Kush është ‘guri i sprovuar’ dhe si e ka hedhur poshtë i ashtuquajturi krishterim atë?
13 Kujt duhet t’i drejtohen, atëherë, këta udhëheqës fetarë? Tani, Isaia regjistron premtimin e Jehovait: «Ja, unë po vendos si themel në Sion një gur, një gur të sprovuar, qoshen e çmuar të një themeli të sigurt. Askënd që ushtron besim nuk do ta zërë paniku. Do ta bëj të drejtën litar për të matur dhe drejtësinë nivel, dhe breshëri duhet të fshijë strehën e gënjeshtrës dhe ujërat do të përmbytin vendin e fshehtë.» (Isaia 28:16, 17) Jo shumë kohë pasi Isaia thotë këto fjalë, në Sion kurorëzohet mbreti besimplotë Hezekia dhe mbretëria e tij shpëton, jo falë aleatëve fqinjë, por falë ndërhyrjes së Jehovait. Megjithatë, këto fjalë të frymëzuara nuk u përmbushën me Hezekinë. Duke cituar fjalët e Isaisë, apostulli Pjetër tregoi se Jezu Krishti, një pasardhës i largët i Hezekisë, është ‘guri i sprovuar’ dhe askush që ushtron besim tek Ai nuk ka pse të ketë frikë. (1 Pjetrit 2:6) Sa e trishtueshme që udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim, ndërkohë që e quajnë veten të krishterë, kanë bërë atë që Jezui refuzoi ta bënte! Ata kanë kërkuar famë dhe pushtet në këtë botë dhe nuk kanë pritur që Jehovai të sillte Mbretërinë e tij me Jezu Krishtin si Mbret.—Mateu 4:8-10.
14. Kur do të prishet «besëlidhja me vdekjen» që ka bërë Juda?
14 Kur «vërshimi i beftë përmbytës» i forcave ushtarake babilonase të kalojë përmes vendit, Jehovai do ta demaskojë strehimin politik të Judës si të rremë, ashtu siç është në të vërtetë. «Besëlidhja juaj me Vdekjen me siguri do të prishet,—thotë Jehovai.—Kur të kalojë vërshimi i beftë përmbytës edhe ju duhet të bëheni për të një vend për t’u shkelur. Sa herë që të kalojë, . . . duhet të bëhet veçse shkak për dridhje për t’i bërë të tjerët të kuptojnë atë që është dëgjuar.» (Isaia 28:18, 19) Po, mund të nxirret një mësim i fuqishëm nga ajo çka u ndodh atyre që pohojnë se i shërbejnë Jehovait, por që përkundrazi e vendosin besimin e tyre në aleancat me kombet.
15. Si e ilustron Isaia pamjaftueshmërinë e mbrojtjes së Judës?
15 Mendoni për pozitën në të cilën ndodhen tani këta udhëheqës të Judës. «Shtrati ka dalë tepër i shkurtër për t’u shtrirë në të dhe çarçafi i endur është shumë i ngushtë kur mbështillesh me të.» (Isaia 28:20) Është njësoj sikur të donin të shtriheshin për të pushuar, por më kot. Ose pjesa e fundit e këmbëve u del jashtë në të ftohtë, ose i mbledhin këmbët, por mbulesa është tepër e ngushtë që t’i mbështjellë e t’i mbajë ngrohtë. Kjo ishte situata e parehatshme në ditët e Isaisë. Dhe kjo është situata sot për cilindo që beson në strehimin e rremë të të ashtuquajturit krishterim. Sa gjë e neveritshme është fakti që, si rezultat i përfshirjes në politikë, disa nga udhëheqësit e të ashtuquajturit krishterim janë përfshirë në mizori të tmerrshme të tilla, si spastrimi etnik dhe gjenocidi!
‘Veprimi i çuditshëm’ i Jehovait
16. Çfarë është ‘veprimi i çuditshëm’ i Jehovait dhe pse është e pazakontë kjo vepër?
16 Përfundimisht gjërat do të shkojnë krejt ndryshe nga sa shpresojnë udhëheqësit fetarë të Judës. Jehovai do t’u bëjë diçka të çuditshme pijanecëve frymorë të Judës. «Jehovai do të ngrihet ashtu si në malin Perazim, do të zemërohet ashtu si në ultësirën afër Gabaonit, që të mund të bëjë veprimin e tij—veprimi i tij është i çuditshëm—dhe që të mund të kryejë veprën e tij—vepra e tij është e pazakontë.» (Isaia 28:21) Në kohën e mbretit David, Jehovai i dha popullit të tij fitore të bujshme kundër filistejve në malin Perazim dhe në ultësirën e Gabaonit. (1 Kronikave 14:10-16) Në kohën e Josiut, ai bëri, madje, që dielli të qëndronte pa lëvizur mbi Gabaon në mënyrë që fitorja e Izraelit ndaj amorejve të ishte e plotë. (Josiu 10:8-14) Kjo ishte shumë e pazakontë! Tani Jehovai do të luftojë përsëri, por kësaj here kundër atyre që pohojnë se janë populli i tij. A mund të kishte gjë më të çuditshme ose më të pazakontë se kjo? Jo, po të marrim parasysh faktin që Jerusalemi është qendra e adhurimit të Jehovait dhe qyteti i mbretit të mirosur të Tij. Deri tani, shtëpia mbretërore e Davidit në Jerusalem nuk është shembur kurrë. Megjithatë, Jehovai do ta kryejë me siguri ‘veprimin e tij të çuditshëm’.—Krahaso Habakukun 1:5-7.
17. Çfarë efekti do të ketë tallja në përmbushjen e profecisë së Isaisë?
17 Prandaj, Isaia vazhdon: «Mos u tregoni tallës, që lidhjet tuaja të mos përforcohen, sepse nga Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive, kam dëgjuar për një shfarosje, po, për diçka që është vendosur për gjithë vendin.» (Isaia 28:22) Ndonëse udhëheqësit tallen, mesazhi i Isaisë është i vërtetë. Ai e ka dëgjuar atë nga Jehovai, me të cilin ata krerë gëzojnë një marrëdhënie të bazuar në një besëlidhje. Në mënyrë të ngjashme sot, udhëheqësit fetarë tallen kur dëgjojnë për ‘veprimin e çuditshëm’ të Jehovait. Madje, ata u ulërijnë Dëshmitarëve të Jehovait. Por mesazhi që shpallin Dëshmitarët e Jehovait është i vërtetë. Ai gjendet në Bibël, një libër që ata udhëheqës pohojnë se e përfaqësojnë.
18. Si e ilustron Isaia faktin që Jehovai është i ekuilibruar kur disiplinon?
18 Për sa u përket individëve të sinqertë që nuk i ndjekin ata udhëheqës, Jehovai do t’i ndreqë dhe do t’u japë përsëri miratimin e tij. (Lexo Isainë 28:23-29.) Ashtu si një fermer që përdor metoda më delikate për të shirë drithërat më të brishta, të tilla, si bari i gjumit, edhe Jehovai e përshtat dhënien e disiplinës sipas individit dhe rrethanave. Ai nuk tregohet kurrë arbitrar ose shtypës, por vepron duke pasur si qëllim ndreqjen e personit që ka gabuar. Po, nëse individët i përgjigjen thirrjes që u bën Jehovai, ka shpresë. Sot, në mënyrë të ngjashme, ndonëse fati i të ashtuquajturit krishterim si një i tërë është vulosur, çdo individ që i nënshtrohet Mbretërisë së Jehovait mund ta shmangë gjykimin e pafavorshëm që po vjen.
Mjerë Jerusalemi!
19. Në cilin kuptim duhet të bëhet Jerusalemi një ‘vatër altari’ dhe kur e në ç’mënyrë ndodh kjo?
19 Por, për çfarë po flet tani Jehovai? «Mjerë Arieli, Arieli, qyteti ku fushoi Davidi! Shtojini vitit vit; le të plotësojnë ciklin e tyre festat. Unë duhet ta fut Arielin në një gjendje ankthi dhe duhet të ketë mbajtje zi e vajtim, dhe ai duhet të bëhet për mua si vatra e altarit të Perëndisë.» (Isaia 29:1, 2) Emri «Ariel» ka mundësi të ketë kuptimin «vatra e altarit të Perëndisë» dhe këtu, me sa duket, i referohet Jerusalemit. Ky është vendi ku gjendet tempulli me altarin e tij të flijimeve. Judenjtë e kanë zakon të kremtojnë festa dhe të ofrojnë flijime atje, por Jehovai nuk gjen kënaqësi në adhurimin e tyre. (Hozea 6:6) Në vend të kësaj, ai dekreton se qyteti do të bëhet ‘vatër altari’ në një kuptim tjetër. Ashtu si një altar, ai do të mbytet në gjak dhe do të digjet me zjarr. Jehovai përshkruan madje edhe se si do të ndodhë kjo: «Unë duhet të fushoj në çdo anë kundër teje dhe duhet të të rrethoj me një gardh e duhet të ngre kundër teje vepra rrethimi. Dhe ti duhet të ulesh me qëllim që të flasësh nga toka dhe thënia jote do të dëgjohet dobët sikur të dalë nga pluhuri.» (Isaia 29:3, 4) Për Judën dhe Jerusalemin, kjo përmbushet në vitin 607 p.e.s. kur forcat ushtarake babilonase rrethojnë e shkatërrojnë qytetin dhe djegin tempullin. Jerusalemi ulet aq poshtë sa vetë toka mbi të cilën është ndërtuar.
20. Cili do të jetë fati përfundimtar i armiqve të Perëndisë?
20 Para se të vijë ajo kohë e frikshme, në Judë dalin herë pas here mbretër që i binden Ligjit të Jehovait. Ç’ndodh në ato raste? Jehovai lufton për popullin e tij. Ndonëse armiqtë janë aq të shumtë sa mbulojnë vendin, ata bëhen si «pluhur i imët» dhe si «byk». Në kohën e duhur sipas tij, Jehovai i shpërndan ata «me rrufe, me tërmet dhe me një tingull të fuqishëm, me erë të stuhishme, me furtunë dhe me flakën e një zjarri gllabërues».—Isaia 29:5, 6.
21. Shpjegoni ilustrimin e Isaisë 29:7, 8.
21 Ushtritë armike mund të presin me padurim të plaçkitin Jerusalemin dhe të ngopen me plaçkën e luftës. Por ata i pret me siguri një zgjim i papritur. Ashtu si një njeri tejet i uritur që sheh në ëndërr sikur po merr pjesë në një banket dhe më pas zgjohet më i uritur se kurrë, armiqtë e Judës nuk do ta gëzojnë banketin që mezi e presin. (Lexo Isainë 29:7, 8.) Shikoni se çfarë i ndodh ushtrisë asiriane nën drejtimin e Senakeribit, kur kërcënon Jerusalemin në kohën e mbretit besnik Hezekia. (Isaia, kapitujt 36 dhe 37) Brenda një nate, pa u ngritur asnjë dorë njeriu kundër saj, makina e frikshme luftarake asiriane sprapset dhe 185 000 luftëtarë trima të saj vdesin! Ëndrrat për fitore do të shuhen përsëri kur makina luftarake e Gogut të Magogut do të vihet në punë kundër popullit të Jehovait në të ardhmen e afërt.—Ezekieli 38:10-12; 39:6, 7.
22. Si ndikon mbi Judën dehja frymore?
22 Në kohën kur Isaia shpall këtë pjesë të profecisë së tij, udhëheqësit e Judës nuk kanë një besim si ai i Hezekisë. Ata janë dehur dhe janë zhytur në një topitje frymore nëpërmjet aleancave me kombe të paperëndishme. «Vonohuni dhe çudituni, verbohuni dhe jini të verbuar. Janë dehur, por jo me verë; kanë ecur të pasigurt, por jo për shkak të pijes dehëse.» (Isaia 29:9) Duke qenë të dehur frymësisht këta udhëheqës nuk janë në gjendje të dallojnë domethënien e vizionit që i është dhënë profetit të vërtetë të Jehovait. Isaia pohon: «Jehovai ka derdhur mbi ju një frymë gjumi të thellë; ai mbyll sytë tuaj, profetët, dhe ka mbuluar madje edhe kokat tuaja, ata që shohin vizione. Për ju vizioni i çdo gjëje bëhet si fjalët e një libri që është vulosur, të cilin ia japin dikujt që njeh shkrimin, duke i thënë ‘Të lutemi, lexoje këtë me zë të lartë’ dhe ai ka për të thënë ‘Nuk mundem, sepse është i vulosur’, dhe libri duhet t’i jepet dikujt që nuk e njeh shkrimin, duke i thënë ‘Të lutemi, lexoje këtë me zë të lartë’ dhe ai ka për të thënë ‘Unë nuk e njoh shkrimin fare’.»—Isaia 29:10-12.
23. Përse do t’i kërkojë llogari Judës Jehovai dhe si do ta bëjë këtë?
23 Udhëheqësit fetarë të Judës pretendojnë se janë të matur frymësisht, por ata e kanë braktisur Jehovain. Në vend të mendimit të Perëndisë, ata u mësojnë të tjerëve idetë e tyre të shtrembëra për të drejtën dhe të gabuarën, duke justifikuar kështu sjelljen e tyre imorale e jobesnike, si dhe çuarjen e popullit në gjendjen e pamiratuar nga Perëndia. Me anë të ‘diçkaje të mrekullueshme’—‘veprimit [të tij] të çuditshëm’—Jehovai do t’u kërkojë llogari për hipokrizinë e tyre. Ai thotë: «Meqenëse ky popull është afruar me gojë, më kanë lavdëruar vetëm me buzë, e kanë larguar zemrën nga unë dhe frika e tyre ndaj meje bëhet urdhërim njerëzish që mësohet, për këtë arsye, ja, unë jam Ai që do të veprojë përsëri mrekullisht me këtë popull, në mënyrë të mrekullueshme dhe me diçka të mrekullueshme, dhe mençuria e njerëzve të tyre të mençur duhet të marrë fund dhe kuptueshmëria e njerëzve të tyre të matur do të fshihet.» (Isaia 29:13, 14) E vetëquajtura mençuri dhe kuptueshmëri e Judës do të marrë fund kur Jehovai do t’i manovrojë gjërat në mënyrë që fuqia botërore babilonase të shkatërrojë gjithë sistemin e saj fetar apostat. E njëjta gjë ndodhi në shekullin e parë pasi udhëheqësit judenj të vetëquajtur të mençur e çuan popullin në rrugë të gabuar. Diçka e ngjashme do t’i ndodhë të ashtuquajturit krishterim në ditët tona.—Mateu 15:8, 9; Romakëve 11:8.
24. Si e tregojnë judenjtë mungesën e frikës hyjnore?
24 Megjithatë, aktualisht, udhëheqësit mburravecë të Judës besojnë se janë mjaft të zgjuar sa ta shmangin ndëshkimin për ndotjen që i kanë bërë adhurimit të vërtetë. A është kështu? Isaia ua çjerr maskën, duke nxjerrë sheshit se nuk kanë frikë të vërtetë Perëndie dhe si rezultat nuk kanë as mençuri të vërtetë: «Mjerë ata që shkojnë shumë thellë, duke e fshehur këshillën e tyre nga vetë Jehovai dhe veprat e të cilëve kanë ndodhur në një vend të errët, ndërsa thonë: ‘Kush na sheh dhe kush na njeh? Njerëz të mbrapshtë! A duhet të konsiderohet vetë poçari thjesht si argjila? Sepse a duhet që gjëja e bërë të thotë në lidhje me bërësin e saj: ‘Ai nuk më bëri?’ Dhe a thotë faktikisht vetë gjëja e formuar për formuesin e saj: ‘Ai nuk tregoi fare kuptueshmëri?» (Isaia 29:15, 16; krahaso Psalmin 111:10.) Pavarësisht nëse mendojnë se janë fshehur mirë, ata janë «lakuriq dhe fare sheshit» në sytë e Perëndisë.—Hebrenjve 4:13.
«Me siguri të shurdhrit do të dëgjojnë»
25. Në cilin kuptim do të dëgjojnë «të shurdhrit»?
25 Megjithatë, individët që ushtrojnë besim, do të shpëtojnë. (Lexo Isainë 29:17-24; krahaso Lukën 7:22.) «Të shurdhrit do të dëgjojnë fjalët e librit», mesazhin e Fjalës së Perëndisë. Ky nuk është shërim i shurdhësisë fizike. Është shërim frymor. Edhe një herë, Isaia i referohet vendosjes së Mbretërisë Mesianike dhe rivendosjes së adhurimit të pastër në tokë me anë të sundimit të Mesisë. Kjo ka ndodhur në kohën tonë dhe miliona njerëz të sinqertë po pranojnë të korrigjohen nga Jehovai e po mësojnë ta lavdërojnë atë. Ç’përmbushje drithëruese! Më në fund, do të vijë dita kur gjithkush, çdo gjë që merr frymë, do të lavdërojë Jehovain dhe do të shenjtërojë emrin e tij të shenjtë.—Psalmi 150:6.
26. Çfarë përkujtuesish frymorë dëgjojnë «të shurdhrit» sot?
26 Çfarë mësojnë këta ‘të shurdhër’ që dëgjojnë sot Fjalën e Perëndisë? Mësojnë që të gjithë të krishterët, sidomos ata të cilët kongregacioni i shikon si shembuj, duhet të shmangin rreptësisht ‘devijimin për shkak të pijes dehëse’. (Isaia 28:7) Veç kësaj, nuk duhet të lodhemi kurrë së dëgjuari përkujtuesit e Jehovait që na ndihmojnë të kemi një pikëpamje frymore për çdo gjë. Ndonëse, në mënyrë të përshtatshme, të krishterët u nënshtrohen autoriteteve qeveritare dhe presin prej tyre t’u sigurojnë disa shërbime, shpëtimi vjen, jo nga bota e paperëndishme, por nga Perëndia Jehova. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë kurrë se ashtu si gjykimi ndaj Jerusalemit apostat, gjykimi i Perëndisë ndaj këtij brezi është i pashmangshëm. Me ndihmën e Jehovait ne mund të vazhdojmë ta shpallim paralajmërimin e tij me gjithë kundërshtimin, ashtu siç bëri edhe Isaia.—Isaia 28:14, 22; Mateu 24:34; Romakëve 13:1-4.
27. Çfarë mësimesh mund të nxjerrin të krishterët nga profecia e Isaisë?
27 Pleqtë dhe prindërit mund të mësojnë nga mënyra në të cilën disiplinon Jehovai, duke u përpjekur gjithmonë t’i rivendosin keqbërësit në favorin e Perëndisë dhe jo thjesht t’i ndëshkojnë. (Isaia 28:26-29; krahaso Jereminë 30:11.) Gjithashtu, të gjithëve ne, duke përfshirë edhe të rinjtë, na kujtohet edhe njëherë se sa jetësore është që t’i shërbejmë Jehovait nga zemra dhe jo thjesht të shtiremi sikur jemi të krishterë sa për t’u pëlqyer njerëzve. (Isaia 29:13) Duhet të tregojmë se ndryshe nga banorët jobesnikë të Judës, kemi një frikë të shëndoshë ndaj Jehovait dhe respekt të thellë për të. (Isaia 29:16) Veç kësaj, duhet të tregojmë se jemi të gatshëm të korrigjohemi nga Jehovai dhe të mësohemi prej tij.—Isaia 29:24.
28. Si i konsiderojnë shërbëtorët e Jehovait veprimet e tij shpëtuese?
28 Sa e rëndësishme është të kemi besim dhe siguri në Jehovain dhe në mënyrën se si i bën gjërat ai! (Krahaso Psalmin 146:3.) Shumicës, mesazhi paralajmërues që predikojmë do t’i duket fëmijëror. Shkatërrimi i ardhshëm i një organizate, i të ashtuquajturit krishterim, i cili pretendon se i shërben Perëndisë, është një koncept i çuditshëm, i pazakontë. Por Jehovai do ta kryejë ‘veprimin e tij të çuditshëm’. Për këtë, nuk mund të ketë asnjë dyshim. Prandaj, gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi gjërash, shërbëtorët e Perëndisë besojnë plotësisht te Mbretëria e tij dhe te mbreti i tij i emëruar Jezu Krisht. Ata e dinë se veprat shpëtuese të Jehovait, të kryera bashkë me ‘veprën e pazakontë’ të tij, do t’i sjellin bekime të përhershme gjithë njerëzimit të bindur.
[Shënimi]
a Në hebraishten origjinale, Isaia 28:10 është një rimë e përsëritur, pak a shumë si një vjershë fëmijësh. Kështu, mesazhi i Isaisë u tingëllonte udhëheqësve fetarë si përsëritje dhe fëmijëror.
[Figurat në faqen 289]
I ashtuquajturi krishterim është mbështetur në aleancat me sundimtarët njerëzorë dhe jo te Perëndia
[Figura në faqen 290]
Jehovai e kryen ‘veprimin e tij të çuditshëm’ kur e lejon Babiloninë të shkatërrojë Jerusalemin
[Figura në faqen 298]
Ata që dikur ishin të shurdhër frymësisht mund të «dëgjojnë» Fjalën e Perëndisë