ARIELI
[vatër e altarit të Perëndisë; ose luan i Perëndisë].
1. Një moabit, dy djemtë e të cilit i vrau Benajahu.—2Sa 23:20; 1Kr 11:22.
2. Një nga nëntë krerët e popullit që Ezdra i ngarkoi të gjenin «shërbëtorë [të kualifikuar] për shtëpinë e Perëndisë tonë». Kjo ndodhi në pranverën e vitit 468 p.e.s., kur rreth 1.500 meshkuj izraelitë me në krye Ezdrën ishin gati të niseshin nga lumi Ahava për në Jerusalem.—Ezd 8:15-17, 31.
3. Emër simbolik për Jerusalemin i përdorur tek Isaia 29:1, 2, 7. Në Jerusalem ndodhej tempulli i Perëndisë dhe në oborrin e tij ishte altari i flijimeve. Për këtë arsye, qyteti ishte vatër e altarit të Perëndisë. Gjithashtu duhej të ishte qendra e adhurimit të pastër të Jehovait. Gjithsesi, mesazhi i Isaisë 29:1-4 është i kobshëm dhe parathotë shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. nga babilonasit, kur ai do të bëhej ‘vatër altari’ në një kuptim tjetër: një qytet ku do të shkonte gjaku lumë, i përpirë nga flakët dhe i mbushur me kufomat e zjarrit shkatërrimtar. Arsyet që ishin në rrënjë të kësaj gjëme thuhen në vargun 9 deri në 16. Megjithatë, Isaia 29:7, 8 tregon se kombet që do të sillnin këtë shkatërrim mbi Jerusalemin, nuk do ta arrinin qëllimin ose synimin e tyre përfundimtar.