ARTIKULLI I STUDIMIT 46
Si na ndihmon Jehovai t’i përballojmë sprovat me gëzim
«Jehovai mezi pret që të tregohet zemërmirë me ju dhe t’ju tregojë mëshirë.»—ISA. 30:18.
KËNGA 3 Jehova, ti më jep forcë, shpresë dhe siguri
PËRMBLEDHJEa
1-2. (a) Cilat pyetje do të shqyrtojmë? (b) Ç’gjë tregon se Jehovai mezi pret të na ndihmojë?
JEHOVAI mund të na ndihmojë të përballojmë hallet e jetës dhe të gjejmë gëzim në shërbimin e tij. Në ç’mënyra na ndihmon? Si mund të nxjerrim dobi plotësisht nga ndihma e Jehovait? Këto pyetje do të marrin përgjigje gjatë artikullit. Por më parë, të shqyrtojmë një pyetje që lidhet me to: a dëshiron vërtet Jehovai të na ndihmojë?
2 Për të gjetur përgjigjen, mund të na ndihmojë një fjalë që përdori apostulli Pavël në letrën që u shkroi hebrenjve. Ai tha: «Jehovai është ndihma ime, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?!» (Hebr. 13:6) Disa vepra shpjeguese për Biblën thonë se fjala «ndihmë» në këtë varg përcjell idenë e një personi që vrapon të ndihmojë dikë që thërret për ndihmë. Imagjino Jehovain tek rend për të shpëtuar dikë që është në hall. Patjetër je dakord që ky përshkrim thekson se Jehovai ka dëshirë të zjarrtë—se mezi pret—të jetë Ndihma jonë. Me Jehovain përkrah, mund t’i përballojmë sprovat me gëzim.
3. Cilat janë tri mënyra si na ndihmon Jehovai t’i përballojmë sprovat me gëzim?
3 Cilat janë disa mënyra si na ndihmon Jehovai t’i përballojmë sprovat me gëzim? Përgjigjen mund ta gjejmë te libri i Isaisë. Pse? Sepse shumë nga profecitë që u frymëzua të shkruante Isaia përmbushen për shërbëtorët e Perëndisë sot. Veç kësaj, Isaia në përgjithësi e përshkruan Jehovain me një gjuhë që kuptohet kollaj. Të marrim për shembull kapitullin 30 të Isaisë. Atje ai përdor ilustrime të bukura e të gjalla për të treguar se Jehovai na ndihmon (1) duke na dëgjuar me vëmendje e duke iu përgjigjur lutjeve tona, (2) duke na siguruar udhëheqje dhe (3) duke na derdhur bekime sot e në të ardhmen. Le t’i shohim me radhë këto tri mënyra si na ndihmon Jehovai.
JEHOVAI NA DËGJON
4. (a) Si i përshkroi Jehovai judenjtë e kohës së Isaisë, dhe çfarë lejoi t’u ndodhte më vonë? (b) Çfarë shprese u dha Jehovai besnikëve? (Isaia 30:18, 19)
4 Në fillim të kapitullit 30 të Isaisë, Jehovai i përshkruan judenjtë si ‘bij kokëfortë’ që ‘i shtojnë mëkatet njëri pas tjetrit’. Më tej thotë: «Janë një popull rebel, . . . që nuk duan ta dëgjojnë ligjin e Jehovait.» (Isa. 30:1, 9) Ngaqë populli refuzonte të dëgjonte, Isaia paratha se Jehovai do të lejonte t’u binin të zeza. (Isa. 30:5, 17; Jer. 25:8-11) E vërtet, ata përfunduan robër në Babiloni. Megjithatë, mes judenjve ishin edhe disa besnikë, dhe Isaia kishte një mesazh shprese për ta. Ai u tha se një ditë Jehovai do të tregohej zemërmirë me ta dhe do t’i kthente në Jerusalem. (Lexo Isainë 30:18, 19.) Tamam ashtu ndodhi. Jehovai i dha fund robërisë së tyre. Megjithatë, ai çlirim nuk do të vinte menjëherë. Shprehja «Jehovai mezi pret [«po pret me durim», shën.] që të tregohet zemërmirë me ju» tregonte se do të kalonte njëfarë kohe para se t’i shpëtonte besnikët. Në fakt, izraelitët kaluan 70 vjet mërgim në Babiloni para se Jehovai të lejonte që një mbetje të kthehej në Jerusalem. (Isa. 10:21; Jer. 29:10) Pasi u kthyen në atdhe, lotët e hidhur që kishin derdhur në robëri u shndërruan në lot gëzimi.
5. Çfarë premtimi sigurues gjejmë tek Isaia 30:19?
5 Sot na e ngrohin zemrën këto fjalë: «Me të dëgjuar klithmën tënde për ndihmë, ai do të tregohet zemërmirë me ty.» (Isa. 30:19) Isaia na siguron se Jehovai do të na dëgjojë me vëmendje kur t’i thërrasim e do t’u përgjigjet me shpejtësi përgjërimeve tona. Isaia shton: «Sapo ta dëgjojë, ai do të të përgjigjet.» Këto fjalë zemërdhënëse na kujtojnë se Ati ynë ka shumë dëshirë—se mezi pret—t’u shkojë në ndihmë atyre që e thërrasin. Ky fakt na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri në sprova pa e humbur gëzimin.
6. Si e tregojnë fjalët e Isaisë se Jehovai dëgjon lutjet e secilit prej shërbëtorëve të tij?
6 Për çfarë na siguron tjetër ky varg në lidhje me lutjet tona? Jehovai u kushton vëmendje lutjeve të secilit prej nesh. Nga e dimë këtë? Në pjesën e parë të kapitullit 30 të Isaisë përdoret numri shumës, sepse Jehovai u drejtohet shërbëtorëve të tij si grup. Mirëpo, vargu 19 është në numrin njëjës, pasi këto fjalë u drejtohen shërbëtorëve të Jehovait si individë. Isaia shkruan: «Nuk do të qash më. . . . Ai do të tregohet zemërmirë me ty . . . ai do të të përgjigjet.» Si një Atë i dashur, Jehovai nuk i thotë birit ose bijës së vet të shkurajuar «duhet të jesh i fortë si vëllai ose si motra jote». Përkundrazi, na sheh si individë dhe u kushton vëmendje lutjeve të secilit prej nesh.—Psal. 116:1; Isa. 57:15.
7. Si e theksuan Isaia dhe Jezui sa e rëndësishme është të lutemi me ngulm?
7 Kur i hapemi Perëndisë tonë për diçka që na shqetëson, përgjigjja e tij e menjëhershme mund të jetë të na japë forcë që t’i bëjmë ballë problemit. E nëse sprova nuk mbaron aq shpejt sa shpresonim, mund të na duhet t’i lutemi vazhdimisht Jehovait për forcë që ta përballojmë. Ai na fton të veprojmë kështu. Isaia e theksoi këtë kur tha: «Lutjuni [Jehovait] pa pushim.» (Isa. 62:7) Pra duhet t’i lutemi Jehovait me ngulm, pareshtur. Fjalët e Isaisë na sjellin ndër mend ilustrimet e Jezuit për lutjen që gjenden te Luka 11:8-10, 13. Atje Jezui na nxit ‘të këmbëngulim fort’ në lutje dhe ‘të vazhdojmë të kërkojmë’ frymën e shenjtë. Veç kësaj, mund t’i përgjërohemi Jehovait të na japë udhëheqjen e nevojshme për të marrë vendime të mençura.
JEHOVAI NA UDHËHEQ
8. Si u plotësua Isaia 30:20, 21 në kohët e lashta?
8 Lexo Isainë 30:20, 21. Kur ushtria babilonase e rrethoi Jerusalemin për një vit e gjysmë, vuajtjet që hiqte populli u bënë pjesë e jetës, njësoj si buka dhe uji. Megjithatë, sipas vargjeve 20 dhe 21, Jehovai u premtoi judenjve se po të pendoheshin dhe të ndryshonin mënyrën si silleshin, do t’i shpëtonte. Isaia e quajti Jehovain ‘Mësuesi i tyre i Madh’ dhe i premtoi popullit se Jehovai do t’i mësonte si ta adhuronin në një mënyrë që e miratonte. Ato fjalë u përmbushën kur judenjtë u çliruan nga robëria. Jehovai tregoi se ishte Mësuesi i tyre i Madh dhe, nën udhëheqjen e tij, populli ia doli të rivendoste adhurimin e pastër. Sa të bekuar jemi që Jehovai është Mësuesi ynë i Madh sot!
9. Cila është një mënyrë si na udhëheq Jehovai sot?
9 Duke vazhduar të përdorë një gjuhë të figurshme, Isaia na përshkruan si nxënës që Jehovai i mëson në dy mënyra. Për mënyrën e parë thotë: «Ti do ta shohësh me sytë e tu Mësuesin tënd të Madh.» Në këtë ilustrim, Isaia tregon se Mësuesi qëndron përballë nxënësve. Çfarë nderi është të arsimohemi nga Jehovai sot! Si na mëson ai? Nëpërmjet organizatës së tij. Ndiejmë mirënjohje të pakufishme për drejtimin e qartë që na jep organizata e Jehovait. Udhëzimet që marrim në mbledhje, asamble e kongrese dhe nëpërmjet botimeve, programeve në JW Broadcasting® e shumë mënyrave të tjera na ndihmojnë t’i përballojmë stuhitë pa humbur gëzimin.
10. Në ç’kuptim i dëgjojmë «nga pas fjalët» e Perëndisë?
10 Isaia përmend një mënyrë të dytë si na mëson Jehovai, kur thotë: «Do të dëgjoni nga pas fjalët.» Këtu profeti e përshkruan Jehovain si një Mësues të vëmendshëm që ecën pas nxënësve të tij, duke u treguar ç’rrugë të ndjekin e duke i drejtuar. Sot ne e dëgjojmë zërin e Perëndisë nga pas. Në ç’kuptim? Fjalët e frymëzuara të Perëndisë u shkruan në Bibël në kohë të largëta, shumë pas nesh në rrjedhën e historisë. Ja pse kur lexojmë Biblën, është si ta dëgjojmë nga pas zërin e Perëndisë.—Isa. 51:4.
11. Cilët hapa duhet të bëjmë që të tregojmë qëndrueshmëri pa humbur gëzimin, dhe pse?
11 Si mund të nxjerrim dobi plotësisht nga udhëheqja që na jep Jehovai nëpërmjet organizatës së tij dhe Fjalës së tij? Të bie në sy që Isaia përmend dy gjëra. Së pari, «kjo është udha». Së dyti, «ecni në të». (Isa. 30:21) Pra nuk mjafton ta dimë çfarë ‘udhe’ duhet të ndjekim. Duhet edhe ‘të ecim në të’. Me anë të Fjalës së Jehovait dhe të shpjegimeve që jep organizata e tij, mësojmë çfarë pret Jehovai nga ne. Mësojmë edhe si ta zbatojmë atë që mësojmë. Për të treguar qëndrueshmëri në shërbim të Jehovait pa humbur gëzimin, duhet t’i bëjmë të dy këta hapa. Vetëm kështu mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na derdhë bekime.
JEHOVAI NA BEKON
12. Siç tregon Isaia 30:23-26, si do ta bekonte Jehovai popullin e tij?
12 Lexo Isainë 30:23-26. Si u plotësua kjo profeci në rastin e judenjve që u kthyen në vendin e tyre, në Izrael, pas robërisë në Babiloni? Jehovai i mbuloi me bekime pa fund—bekime fizike dhe bekime në adhurimin e tij. Ai u dha me bollëk ushqim fizik. Por mbi të gjitha, u dha me bollëk ushqim besimforcues ndërsa rivendosej dalëngadalë adhurimi i pastër. Në atë kohë, Jehovai derdhi mbi popullin e tij më shumë bekime se kurrë më parë. Siç tregonte vargu 26, ai bëri që drita e së vërtetës të shndriste shumë më fort. (Isa. 60:2) Bekimet e Jehovait i ndihmuan shërbëtorët e tij të vazhdonin t’i shërbenin plot hare dhe forcë «nga gëzimi i zemrës».—Isa. 65:14.
13. Si është plotësuar në kohën tonë profecia e rivendosjes së adhurimit të pastër?
13 A është plotësuar edhe në kohën tonë profecia e rivendosjes së adhurimit të pastër? Pa diskutim! Në ç’mënyrë? Që nga viti 1919 i e.s., miliona njerëz janë çliruar nga robëria e Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Ata i kanë udhëhequr drejt një vendi shumë më të mirë se Toka e Premtuar e Izraelit, drejt një parajse të figurshme. (Isa. 51:3; 66:8) Çfarë është kjo parajsë e figurshme?
14. Çfarë është parajsa e figurshme, dhe kush jeton sot në të? (Shih «Shpjegimi i shprehjes».)
14 Që nga viti 1919 i e.s., të mirosurit kanë jetuar në një parajsë të figurshme.b Me kalimin e kohës, edhe ‘delet e tjera’, njerëzit me shpresë tokësore, kanë ardhur të jetojnë në këtë vend parajsor dhe kanë shijuar bekimet e bollshme të Jehovait.—Gjoni 10:16; Isa. 25:6; 65:13.
15. Ku ndodhet parajsa e figurshme?
15 Ku ndodhet sot ky vend ose parajsë e figurshme? Adhuruesit e Jehovait jetojnë në çdo cep të botës. Prandaj edhe parajsa e figurshme ku banojnë, shtrihet anembanë globit. Pra, kudo që të jetojmë sot në tokë, mund të banojmë në parajsën e figurshme për sa kohë ta mbështetim adhurimin e pastër me fjalë e me vepra.
16. Si mund të vazhdojmë të admirojmë bukurinë e parajsës së figurshme?
16 Që të vazhdojmë të jetojmë në këtë parajsë, ndër të tjera duhet të ushqejmë çmueshmëri të thellë për familjen tonë mbarëbotërore. Si mund ta bëjmë këtë? Duke u përqendruar te bukuritë, jo te të metat, e atyre që jetojnë në këtë parajsë. (Gjoni 17:20, 21) Pse është kaq e rëndësishme kjo? Mendo për këtë krahasim. Në një pyll ose park të bukur zakonisht shohim një larmi pemësh. Po njësoj, ambientin parajsor në kongregacionet tona sot e zbukuron një larmi individësh që janë krahasuar me ‘pemët’. (Isa. 44:4; 61:3) Duhet të bëjmë çmos të vazhdojmë të përqendrohemi te bukuria e «pyllit», jo te papërsosmëritë e «pemëve» që kemi më afër. Të mos lejojmë që të metat tona ose të të tjerëve në kongregacion të na pengojnë të çmojmë bukurinë e familjes sonë të bashkuar mbarëbotërore.
17. Çfarë mund të bëjë secili prej nesh që të ruhet uniteti në kongregacion?
17 Si mund të ndihmojmë personalisht që të ruhet ky unitet? Duke qenë paqebërës. (Mat. 5:9; Rom. 12:18) Sa herë që marrim iniciativën të nxitim marrëdhënie paqësore në kongregacion, e stolisim parajsën e figurshme. Nuk harrojmë që secilin banor të kësaj parajse e ka tërhequr Jehovai drejt adhurimit të pastër. (Gjoni 6:44) Imagjino si i gufon zemra Jehovait kur sheh që përpiqemi me gjithë shpirt të forcojmë paqen dhe unitetin mes shërbëtorëve të tij—mes atyre që për të janë ‘thesare’!—Isa. 26:3; Hag. 2:7.
18. Për çfarë duhet të meditojmë shpesh, dhe pse?
18 Si mund të nxjerrim dobi plotësisht nga bekimet që u jep Perëndia shërbëtorëve të vet? Mund të mendojmë thellë për atë që studiojmë në Fjalën e Perëndisë dhe në botimet e bazuara tek ajo. Ky studim e meditim do të na ndihmojnë të zhvillojmë cilësi të krishtere që na nxitin të shfaqim «dashuri vëllazërore» dhe «përzemërsi të ngrohtë për njëri-tjetrin» në kongregacion. (Rom. 12:10) Kur meditojmë për bekimet që kemi, forcojmë miqësinë me Jehovain. E kur meditojmë për bekimet që na ka premtuar, shpresa që t’i shërbejmë në përjetësi është shumë reale për ne. Të gjitha këto do të na ndihmojnë t’i shërbejmë Jehovait me më shumë gëzim.
TË VENDOSUR TË PËRBALLOJMË ÇDO SPROVË
19. (a) Sipas Isaisë 30:18, për çfarë jemi të sigurt? (b) Çfarë do të na ndihmojë t’i përballojmë sprovat me gëzim?
19 Jehovai «mezi pret» të na mbrojë kur t’i japë fund kësaj bote të ligë. (Isa. 30:18) Jemi të sigurt se Jehovai, ‘Perëndia i drejtësisë’, nuk do të lejojë që bota e Satanait të ekzistojë as edhe një ditë më shumë nga ç’e kërkon drejtësia. (Isa. 25:9) Bashkë me Jehovain, edhe ne mezi presim të vijë ajo ditë çlirimi. Ndërkohë jemi të vendosur të vazhdojmë ta vlerësojmë si thesar privilegjin e lutjes, të studiojmë e të zbatojmë Fjalën e Perëndisë dhe të meditojmë për bekimet tona. Ndërsa i bëjmë këto, Jehovai do të na ndihmojë t’i përballojmë sprovat pa humbur gëzimin në adhurimin e tij.
KËNGA 142 Spirancë është shpresa jonë!
a Në këtë artikull do të shohim tri mënyra si i ndihmon Jehovai adhuruesit e tij t’i përballojnë me gëzim hallet e jetës. Për këtë do të na ndihmojë kapitulli 30 i Isaisë. Shqyrtimi i këtij kapitulli do të na kujtojë sa rëndësi ka t’i lutemi Jehovait, të studiojmë Fjalën e tij dhe të meditojmë për bekimet që gëzojmë sot e për ato që na presin në të ardhmen.
b SHPJEGIMI I SHPREHJES: «Parajsa e figurshme» është ambienti i sigurt ku adhurojmë Jehovain në unitet. Në këtë ambient kemi me bollëk ushqim besimforcues që është i pandotur nga gënjeshtrat e feve të rreme. Kemi edhe plot punë që na mbushin me gëzim në predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë. Gëzojmë një miqësi të ngushtë me Jehovain dhe jetojmë në paqe me vëllezërit e motrat tona të dashura, që na ndihmojnë t’i përballojmë problemet e jetës pa humbur gëzimin. Në parajsën e figurshme hyjmë kur fillojmë ta adhurojmë Jehovain në mënyrën e duhur dhe kur bëjmë çmos ta imitojmë.