«Tempulli» dhe «prijësi» sot
«Për sa i përket prijësit në mes të tyre, kur ata të hyjnë, duhet të hyjë edhe ai, dhe kur ata të dalin, duhet të dalë edhe ai.»—EZEKIELI 46:10, BR.
1, 2. Cila e vërtetë kyçe na ndihmon për të zbërthyer pjesën më të madhe të domethënies së vizionit të Ezekielit për tempullin?
DISA rabinë të lashtë nuk ndiheshin plotësisht rehat me librin e Ezekielit. Sipas Talmudit, disa prej tyre menduan madje ta hiqnin librin nga lista e librave të autorizuar të Shkrimeve të Shenjta. Ata kishin veçanërisht vështirësi për ta interpretuar vizionin e tempullit dhe e përcaktuan atë përtej aftësisë njerëzore për ta kuptuar. Dijetarë të tjerë të Biblës janë hutuar nga vizioni i Ezekielit për tempullin e Jehovait. Po ne?
2 Që nga koha e rivendosjes së adhurimit të pastër, Jehovai e ka bekuar popullin e tij me shumë shkëndija mendjehollësie frymore, të cilat përfshijnë dallimin se çfarë është tempulli frymor i Perëndisë, domethënë rregullimi i Jehovait ngjashëm tempullit për adhurimin e pastër.a Kjo e vërtetë kyçe na ndihmon për të zbërthyer shumë nga domethënia e vizionit të Ezekielit për tempullin. Le t’i shqyrtojmë më nga afër katër aspektet e këtij vizioni: tempullin, priftërinë, prijësin dhe tokën. Çfarë kuptimi kanë sot këto?
Tempulli dhe ti
3. Çfarë mësojmë nga tavani i lartë dhe nga gdhendjet në mure nëpër korridoret e tempullit?
3 Imagjino sikur po bëjmë një vizitë në këtë tempull të parë në vizion. Afrohemi dhe ngjitim shtatë shkallët për të arritur te njëra nga portat e tij gjigante. Duke qëndruar brenda kësaj hyrjeje, ngremë sytë lart me magjepsje. Tavani është mbi 30 metra i lartë! Në këtë mënyrë na vjen ndër mend se standardet për të hyrë në rregullimin e Jehovait për adhurimin janë të larta. Rrezet e dritës që hyjnë nga dritaret ndriçojnë gdhendjet e pemëve të palmave të bëra mbi mure, pemë të cilat Shkrimet i përdorin për të paraqitur drejtësinë. (Psalmi 92:12; Ezekieli 40:14, 16, 22) Ky vend i shenjtë është për ata që janë të drejtë moralisht dhe frymësisht. Në harmoni me këtë, edhe ne dëshirojmë të mbetemi të drejtë, me qëllim që adhurimi ynë të jetë i pranueshëm nga Jehovai.—Psalmi 11:7.
4. Cilëve u mohohet hyrja në tempull dhe çfarë na mëson kjo?
4 Përgjatë çdo ane të korridorit ka tri dhoma rojesh. A do të na lejojnë rojet të hyjmë brenda tempullit? Jehovai i thotë Ezekielit se asnjë i huaj që është «i parrethprerë në zemër» nuk mund të hyjë brenda. (Ezekieli 40:10; 44:9, BR) Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se Perëndia pranon si adhurues vetëm ata që i duan ligjet e tij dhe jetojnë sipas tyre. (Jeremia 4:4; Romakëve 2:29) Ai i mirëpret persona të tillë në tendën e tij frymore, në shtëpinë e tij të adhurimit. (Psalmi 15:1-5) Duke filluar që nga koha e rivendosjes së adhurimit të pastër në vitin 1919, organizata tokësore e Jehovait ka mbështetur dhe ka qartësuar progresivisht ligjet e tij morale. Ata që me vullnet refuzojnë të binden nuk janë më të mirëpritur në shoqëri me popullin e tij. Sot, praktika e bazuar në Bibël e përjashtimit të keqbërësve të papenduar ka shërbyer për ta mbajtur adhurimin tonë të pastër e të kulluar.—1. Korintasve 5:13.
5. (a) Çfarë ngjashmërish ka mes vizionit të Ezekielit dhe vizionit të Gjonit, të regjistruar në Zbulesën 7:9-15? (b) Në vizionin e Ezekielit, cilët përfaqësojnë 12 fiset që adhurojnë në oborrin e jashtëm?
5 Korridori çon në oborrin e jashtëm, ku populli adhuron dhe lëvdon Jehovain. Kjo na sjell ndër mend vizionin e apostullit Gjon për «shumicën e madhe», e cila adhuron Jehovain «ditë e natë në tempullin e tij». Në të dyja vizionet figurojnë pemët e palmave. Në vizionin e Ezekielit ato zbukurojnë muret e hyrjes. Në vizionin e Gjonit adhuruesit kanë në duar degë palme, që simbolizojnë gëzimin e tyre, ndërsa lëvdojnë Jehovain dhe e mirëpresin Jezuin si Mbretin e tyre. (Zbulesa 7:9-15) Në kontekstin e vizionit të Ezekielit, të 12 fiset e Izraelit paraqesin «delet e tjera». (Gjoni 10:16; krahaso Lukën 22:28-30.) A je edhe ti ndër ata që gjejnë gëzim kur lëvdojnë Jehovain, duke shpallur Mbretërinë e tij?
6. Cili ishte qëllimi i dhomave të ngrënies në oborrin e jashtëm dhe cilin privilegj mund t’u kujtojë kjo gjë deleve të tjera?
6 Ndërsa bëjmë vizitën përreth oborrit të jashtëm, shohim 30 dhoma ngrënieje ku populli merr pjesë nga ofertat e veta vullnetare. (Ezekieli 40:17) Sot, delet e tjera nuk ofrojnë flijime kafshësh, por as nuk vijnë me duar bosh në tempullin frymor. (Krahaso Daljen [Eksodi] 23:15.) Apostulli Pavël shkroi: «Nëpërmjet [Jezuit] le t’i ofrojmë gjithnjë Perëndisë një flijim lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve që i bëjnë shpallje publike emrit të tij. Për më tepër, mos harroni bërjen e së mirës dhe ndarjen e gjërave me të tjerët, sepse me flijime të tilla Perëndia kënaqet shumë.» (Hebrenjve 13:15, 16, BR; Hozea [Osea] 14:2) Është një privilegj i madh t’i ofrojmë Jehovait flijime të tilla.—Proverbat (Fjalët e urta) 3:9, 27.
7. Për çfarë na siguron matja e tempullit?
7 Ezekieli sheh, ndërsa një engjëll mat këtë tempull që ai sheh në vizion. (Ezekieli 40:3) Në mënyrë të ngjashme, apostullit Gjon iu tha: «Ngrihu dhe mat shenjtëroren e tempullit të Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë në të.» (Zbulesa 11:1, BR) Çfarë domethënieje ka kjo matje? Në të dyja rastet është e dukshme se kjo ka shërbyer si një garanci, një shenjë se asgjë nuk mund ta ndalojë Jehovain që të përmbushë qëllimet e tij lidhur me adhurimin e pastër. Ngjashëm sot, ne mund të jemi të sigurt se asgjë, madje as kundërshtimi i ashpër nga qeveritë e fuqishme, nuk mund ta ndalojë rivendosjen e adhurimit të pastër.
8. Cilët hyjnë nga portat për në oborrin e brendshëm dhe çfarë na kujtojnë këto porta?
8 Ndërsa ecim përgjatë oborrit të jashtëm, shohim se ka tri porta që të çojnë në oborrin e brendshëm; portat e brendshme janë të radhitura dhe kanë të njëjtat përmasa si portat e jashtme. (Ezekieli 40:6, 20, 23, 24, 27) Vetëm priftërinjtë mund të hyjnë në oborrin e brendshëm. Portat e brendshme na kujtojnë se të mirosurit duhet të përputhen me standardet dhe ligjet hyjnore, por të njëjtat ligje dhe standarde i udhëheqin të gjithë të krishterët e vërtetë. Por, cila është puna e priftërinjve e me çfarë domethënieje sot?
Një priftëri besimplotë
9, 10. Në ç’mënyrë ka siguruar arsimim frymor «priftëria mbretërore», siç paraqitet nga klasa priftërore në vizionin e Ezekielit?
9 Në kohët para krishterimit, priftërinjtë bënin punë të lodhshme në tempull. Therja e kafshëve të flijimit, ofrimi i tyre mbi altar dhe shërbimi ndaj priftërinjve të tjerë e ndaj popullit ishin punë me lodhje fizike. Por ata kishin edhe një punë tjetër të rëndësishme. Jehovai urdhëroi për sa u përket priftërinjve: «Duhet ta mësojnë popullin tim lidhur me dallimin mes një gjëje të shenjtë dhe një gjëje profane, dhe duhet t’i bëjnë të njohë dallimin mes asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër.»—Ezekieli 44:23, BR; Malakia 2:7.
10 A e çmoni punën e lodhshme dhe shërbimin e përulur që të mirosurit si një trup, «një priftëri mbretërore», kanë bërë në dobi të adhurimit të pastër? (1. Pjetrit 2:9, BR) Si priftërinjtë e lashtë levitikë, këta kanë marrë drejtimin në dhënien e arsimimit frymor, duke i ndihmuar njerëzit që të kuptojnë se çfarë është e pastër dhe e pranueshme në sytë e Perëndisë e çfarë jo. (Mateu 24:45) Një arsimim i tillë, i cili vjen nëpërmjet botimeve të bazuara në Bibël dhe nëpërmjet mbledhjeve e kongreseve të krishtere, ka ndihmuar miliona njerëz që të pajtohen me Perëndinë.—2. Korintasve 5:20.
11. (a) Si e thekson vizioni i Ezekielit rëndësinë e pastërtisë nga ana e priftërinjve? (b) Në ditët e fundit, si janë pastruar të mirosurit në kuptimin frymor?
11 Megjithatë, priftërinjtë duhet të bëjnë më shumë sesa të mësojnë të tjerët që të jenë të pastër; ata duhet të jenë vetë të pastër. Kështu, Ezekieli parapa një proces rafinimi për priftërinë e Izraelit. (Ezekieli 44:10-16) Në mënyrë të ngjashme, historia tregon se në vitin 1918 Jehovai u ul «si një rafinues» në tempullin e tij frymor, duke shqyrtuar klasën e mirosur priftërore. (Malakia 3:1-5) Ata që u gjykuan të pastër frymësisht, pasi ishin penduar për ndonjë idhujtari të mëparshme, u lejuan të vazhdonin në privilegjin e shërbimit në tempullin e tij frymor. Sidoqoftë, ashtu si çdo njeri tjetër, individë të mirosur mund të bëhen të papastër, frymësisht ose moralisht. (Ezekieli 44:22, 25-27) Atyre u është dashur të punojnë pa u lodhur për të mbetur «të panjollë nga bota».—Jakovit 1:27, BR; krahaso Markun 7:20-23.
12. Pse duhet ta çmojmë punën e të mirosurve?
12 Secili prej nesh mund të pyesë: ‘A e çmoj shembullin e lënë nga të mirosurit përgjatë shumë viteve të shërbimit të tyre besimplotë? A e imitoj besimin e tyre?’ Është mirë që ata të shumicës së madhe të mbajnë ndër mend se nuk do t’i kenë të mirosurit gjithnjë pranë tyre këtu mbi tokë. Për priftërinjtë e vizionit të Ezekielit, Jehovai tha: «Ju njerëz nuk duhet t’u jepni asnjë zotërim [toke] në Izrael: Unë jam zotërimi i tyre.» (Ezekieli 44:28, BR) Ngjashëm, të mirosurit nuk kanë asnjë vend të përhershëm në tokë. Ata kanë një trashëgimi qiellore dhe ata të shumicës së madhe e shohin si një privilegj t’i mbështetin dhe t’i inkurajojnë ata ndërkohë që janë akoma këtu në tokë.—Mateu 25:34-40; 1. Pjetrit 1:3, 4.
Kush është prijësi?
13, 14. (a) Pse prijësi duhet të jetë nga delet e tjera? (b) Kë përfaqëson prijësi?
13 Tani ngrihet një pyetje që ngjall kureshtje. Kë paraqet, pra, prijësi? Meqenëse për të flitet si për një individ, ashtu edhe për një grup, ne mund të pohojmë se ai paraqet një klasë burrash. (Ezekieli 44:3; 45:8, 9) Por cilët? Sigurisht që jo të mirosurit. Në vizion, ai punon ngushtësisht me priftërinë, por nuk është një prej tyre. Ndryshe nga klasa priftërore, atij i jepet një trashëgimi toke e prandaj ka një të ardhme këtu në tokë, jo në qiell. (Ezekieli 48:21) Më tej, Ezekieli 46:10 thotë: «Për sa i përket prijësit në mes të tyre, kur ata [fiset jopriftërore] të hyjnë [në oborrin e jashtëm të tempullit], duhet të hyjë edhe ai, dhe kur ata të dalin, duhet të dalë edhe ai.» (BR) Ai nuk hyn në oborrin e brendshëm, por adhuron në oborrin e jashtëm, duke hyrë e duke dalë nga tempulli bashkë me popullin. Këta faktorë përfundimisht e vendosin prijësin mes shumicës së madhe të deleve të tjera.
14 Qartë, prijësi ka disa përgjegjësi mes popullit të Perëndisë. Në oborrin e jashtëm, ai ulet në portikun e Portës së Lindjes. (Ezekieli 44:2, 3) Kjo tregon një pozitë mbikëqyrjeje të ngjashme me atë të pleqve në Izrael, të cilët uleshin te porta e qytetit dhe jepnin gjykime. (Rutha [Ruthit] 4:1-12; Proverbat 22:22) Cilët mes deleve të tjera mbajnë pozita mbikëqyrjeje sot? Pleqtë me shpresë tokësore, të cilët janë emëruar nga fryma e shenjtë. (Veprat 20:28) Prandaj klasa e prijësit tani po përgatitet me perspektivën e shërbimit më vonë në një detyrë administrative në botën e re.
15. (a) Si hedh dritë vizioni i Ezekielit mbi marrëdhënien që ekziston mes pleqve që janë të shumicës së madhe dhe klasës priftërore të të mirosurve? (b) Çfarë drejtimi kanë marrë pleqtë e mirosur në organizatën tokësore të Perëndisë?
15 Por, çfarë marrëdhënieje ka sot mes klasës së mirosur priftërore dhe këtyre pleqve që, si pjesë e shumicës së madhe, po shërbejnë në pozita mbikëqyrjeje? Vizioni i Ezekielit sugjeron se pleqtë që janë pjesëtarë të shumicës së madhe kanë një rol mbështetës dhe dytësor, kurse të mirosurit marrin drejtimin frymor. Në ç’mënyrë? Kujto se priftërinjve në vizion iu dha përgjegjësia për ta mësuar popullin në çështjet frymore. Atyre iu tha të vepronin edhe si gjyqtarë në çështjet gjyqësore. Më tej, levitët u caktuan në «poste mbikëqyrjeje» në portat e qytetit. (Ezekieli 44:11, BR, 23, 24) Qartë, prijësi duhej t’u nënshtrohej shërbimeve frymore dhe udhëheqjes së priftërinjve. Është e përshtatshme, pra, që në kohët moderne të mirosurit kanë marrë drejtimin në adhurimin e pastër. Për shembull, anëtarët e Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait janë zgjedhur mes këtyre të mirosurve. Këta pleq besimplotë të mirosur kanë stërvitur për dekada klasën në zhvillim të prijësit, duke i përgatitur anëtarët e mundshëm të kësaj klase për ditën kur atyre do t’u delegohet masa e plotë e autoritetit, në botën e re të Perëndisë, që po vjen.
16. Sipas Isaisë 32:1, 2, si duhet të veprojnë të gjithë pleqtë?
16 Por, çfarë lloj mbikëqyrësish janë këta anëtarë të mundshëm, të cilët janë në radhë për përgjegjësi më të mëdha si klasë e prijësit? Profecia që gjendet në Isainë 32:1, 2, thotë: «Ja! Një mbret do të mbretërojë për vetë të drejtën dhe për sa u përket princave, do të sundojnë si princa për vetë drejtësinë. Dhe secili duhet të provojë se është si një vend fshehjeje nga era dhe si një vend i fshehtë nga stuhia, si rrëke uji në një vend pa ujë, si hija e një shkrepi të rëndë në një tokë të shkretuar.» (BR) Kjo profeci po përmbushet sot, ndërsa të gjithë pleqtë e krishterë, të mirosurit dhe delet e tjera, punojnë për ta mbrojtur tufën nga ‘stuhi’ si persekutimi dhe shkurajimi.
17. Si duhet ta konsiderojnë veten barinjtë e krishterë dhe si duhet t’i konsiderojë tufa ata?
17 Fjalët «princ» dhe «prijës», të cilat kanë kuptim të ngjashëm në hebraisht, nuk përdoren si tituj të caktuar për të lartësuar njerëz. Në vend të kësaj, ato përshkruajnë përgjegjësinë që pritet të mbajnë këta burra në kujdesjen për delet e Perëndisë. Jehovai paralajmëron rreptë: «Mjaft më, o prijës të Izraelit! Eliminoni dhunën e plaçkitjen dhe zbatoni vetë drejtësinë dhe të drejtën.» (Ezekieli 45:9, BR) Të gjithë pleqtë sot bëjnë mirë ta marrin për zemër këtë këshillë. (1. Pjetrit 5:2, 3) Tufa, nga ana tjetër, e pranon se Jezui i ka siguruar këta barinj si «dhurata në njerëz». (Efesianëve 4:8, BR) Kualifikimet e tyre gjenden në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. (1. Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Prandaj të krishterët e ndjekin drejtimin e pleqve.—Hebrenjve 13:7.
18. Cilat janë disa përgjegjësi të klasës së mundshme të prijësit tani dhe cila do të jetë përgjegjësia e kësaj klase në të ardhmen?
18 Në kohët biblike disa prijës kishin shumë autoritet, disa të tjerë më pak. Sot, pleqtë e shumicës së madhe kanë përgjegjësi të shumëllojshme. Disa shërbejnë në një kongregacion; të tjerë u shërbejnë shumë kongregacioneve si mbikëqyrës udhëtues; të tjerë i shërbejnë të gjithë vendit si anëtarë të Komitetit të Degës; të tjerë ndihmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë komitete të ndryshme të Trupit Udhëheqës. Në botën e re, Jezui do të emërojë «princa në të gjithë tokën», për të marrë drejtimin mes adhuruesve të Jehovait mbi tokë. (Psalmi 45:16, BR) Pa dyshim që shumë prej këtyre ai do t’i zgjedhë mes pleqve të sotëm besimplotë. Duke qenë se këta burra po e provojnë veten tani, ai do të vendosë t’u besojë shumë prej tyre privilegje edhe më të mëdha në të ardhmen, kur të zbulojë rolin e klasës së prijësit në botën e re.
Toka e popullit të Perëndisë sot
19. Çfarë përfaqëson toka në vizionin e Ezekielit?
19 Vizioni i Ezekielit portretizon edhe tokën e rivendosur të Izraelit. Çfarë përfaqëson ky aspekt i vizionit? Profeci të tjera të rivendosjes parathanë se toka, Izraeli, do të ishte një parajsë si Edeni. (Ezekieli 36:34, 35) Sot, ne gëzojmë një «tokë» të rivendosur dhe, edhe ajo është në njëfarë kuptimi edenike. Po kështu ne flasim shpesh për parajsën tonë frymore. Kulla e Rojës e ka përkufizuar «tokën» tonë si «sfera e aktivitetit» të popullit të zgjedhur të Perëndisë.b Kudo qoftë një shërbëtor i Jehovait, ai gjendet në këtë tokë të rivendosur për sa kohë që përpiqet t’i përmbahet adhurimit të vërtetë, duke ecur në gjurmët e Krishtit Jezu.—1. Pjetrit 2:21.
20. Cilin parim mund të mësojmë nga «kontributi i shenjtë» në vizionin e Ezekielit dhe si mund ta zbatojmë këtë parim?
20 Po në lidhje me pjesën e tokës të quajtur «kontributi i shenjtë»? Ky ishte kontributi i popullit për të mbështetur priftërinë dhe qytetin. Ngjashëm, «i gjithë populli i vendit» duhej të kontribuonte një pjesë toke për prijësin. Çfarë do të thotë kjo sot? Patjetër, jo se popullit të Perëndisë duhet t’i vihet një barrë me një klasë kleri që paguhet. (2. Selanikasve [Thesalonikasve] 3:8) Përkundrazi, mbështetja që u jepet pleqve sot është kryesisht frymore. Ajo përfshin ndihmesën në punën që duhet bërë dhe tregimin e një fryme bashkëpunimi e nënshtrimi. Megjithatë, si në ditët e Ezekielit, ky kontribut i bëhet «Jehovait», jo ndonjë njeriu.—Ezekieli 45:1, BR, 7, 16.
21. Çfarë mund të mësojmë nga ndarja e tokës në vizionin e Ezekielit?
21 Nuk janë vetëm prijësi dhe priftëria ata që kanë vende të caktuara në këtë tokë të rivendosur. Ndarja e tokës tregon që secili prej 12 fiseve ka një trashëgimi të sigurt. (Ezekieli 47:13, 22, 23) Prandaj, ata të shumicës së madhe jo vetëm që kanë një vend në parajsën frymore sot, por do të marrin edhe një caktim toke kur të trashëgojnë një vend në sferën tokësore të Mbretërisë së Perëndisë.
22. (a) Çfarë përfaqëson qyteti në vizionin e Ezekielit? (b) Çfarë mund të mësojmë nga fakti që qyteti ka porta nga të gjitha anët?
22 Përfundimisht, çfarë përfaqëson qyteti në këtë vizion? Nuk është një qytet qiellor, sepse është vendosur në mes të tokës «profane» (jo të shenjtë). (Ezekieli 48:15-17) Prandaj duhet të jetë diçka tokësore. Mirë, pra, çfarë është një qytet? A nuk jep ai idenë e njerëzve që janë së bashku si grup e që formojnë diçka të strukturuar e të organizuar? Po. Prandaj, qyteti duket se paraqet administratën tokësore, e cila është në dobi të të gjithë atyre që do të përbëjnë shoqërinë e drejtë tokësore. Ky qytet do të veprojë në masën më të plotë në «tokën e re» që po vjen. (2. Pjetrit 3:13) Portat e qytetit nga të gjitha anët, një për secilin fis, ilustrojnë tamam faktin se qyteti është i hapur. Sot, populli i Perëndisë nuk është nën ndonjë administratë të fshehtë e klandestine. Vëllezërit përgjegjës duhet të jenë njerëz të cilëve mund t’u afrohemi dhe të gjithë i njohin fare mirë parimet që i udhëheqin ata. Fakti se njerëz nga të gjitha fiset e kultivojnë tokën që mbështet qytetin na sjell ndër mend se delet e tjera mbështetin, madje edhe materialisht, rregullimet administrative që bëhen për popullin e Perëndisë në mbarë botën.—Ezekieli 48:19, 30-34.
23. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
23 Po, ç’të themi për lumin që rrjedh nga shenjtërorja e tempullit? Se çfarë përfaqëson ai sot dhe për të ardhmen do të jetë tema e artikullit të tretë e të fundit të kësaj serie artikujsh.
[Shënimet]
a Shiko librin Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër!, faqe 64, paragrafi 22, anglisht, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
Pika për rishikim
◻ Çfarë paraqet tempulli në vizionin e Ezekielit?
◻ Cilët paraqesin priftërinjtë që shërbejnë në tempull?
◻ Cila është klasa e prijësit dhe cilat janë disa nga përgjegjësitë e tij?
◻ Çfarë është toka në vizionin e Ezekielit dhe në cilin kuptim u ndahet 12 fiseve?
◻ Çfarë paraqet qyteti?
[Diagrami dhe harta në faqen 15]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Ndarja e tokës siç përshkruhet në vizionin e Ezekielit
DYMBËDHJETË FISET
Deti i Madh
Deti i Galilesë
Lumi Jordan
Deti i Kripur
DANI
ASHERI
NEFTALI
MANASEU
EFRAIMI
RUBENI
JUDA
PRIJËSI
BENJAMINI
SIMEONI
ISAKARI
ZEBULONI
GADI
[Diagrami]
ZGJERIM I KONTRIBUTIT TË SHENJTË
A. «Vetë Jehovai është atje» (Jehovah Shamah); B. toka produktive e qytetit
Pjesa e levitëve
Shenjtërorja e Jehovait
Pjesa e priftërinjve
B A B