Rri syçelë si Jeremia
«Unë [Jehovai] rri syçelë ndaj fjalës sime, që ta plotësoj.»—JER. 1:12.
1, 2. Pse ‘qëndrimi syçelë’ i Jehovait krahasohet me pemën e bajames?
NË KODRAT e Libanit dhe të Izraelit, një nga pemët e para që çel është bajamja. Lulet e saj të këndshme ngjyrë rozë ose të bardhë dalin që në fund të janarit ose fillim të shkurtit. Në hebraisht, emri i saj fjalë për fjalë do të thotë «ajo që zgjohet».
2 Kur Jehovai e caktoi Jereminë si profet, kjo karakteristikë e bajames u përdor me vend për të ilustruar një të vërtetë të rëndësishme. Në fillim të shërbimit të tij, profeti pa në një vegim një lastar të kësaj peme. Ç’domethënie kishte? Jehovai shpjegoi: «Unë rri syçelë ndaj fjalës sime, që ta plotësoj.» (Jer. 1:11, 12) Ashtu si bajamja ‘zgjohej’ herët, po kështu edhe Jehovai, në kuptimin e figurshëm, ‘çohej herët’ që t’i dërgonte profetët e tij të paralajmëronin popullin për pasojat e mosbindjes. (Jer. 7:25) Dhe ai nuk pushonte, por ‘qëndronte syçelë’ derisa fjala e tij profetike të plotësohej. Në vitin 607 p.e.s, pikërisht në kohën e caktuar, gjykimi i Jehovait ra mbi kombin apostat të Judës.
3. Për çfarë jemi të sigurt në lidhje me Jehovain?
3 Edhe sot Jehovai qëndron syçelë, vigjilent që të plotësojë vullnetin e tij. Për të është e pamundur të lërë pas dore plotësimin e fjalës së tij. Si ndikon te ti kjo vigjilencë e Jehovait? A beson se edhe tani, gjatë vitit 2011, Jehovai qëndron «syçelë» që të plotësojë premtimet e tij? Nëse kemi ndonjë dyshim rreth premtimeve të sigurta të Jehovait, tani është koha që të zgjohemi nga çdo përgjumje frymore. (Rom. 13:11) Si profet i Jehovait, Jeremia qëndroi syçelë. Duke shqyrtuar se si dhe pse qëndroi zgjuar Jeremia për të plotësuar caktimin që i kishte dhënë Perëndia, do të arrijmë të kuptojmë se si mund të ngulmojmë edhe ne në veprën që na ka caktuar Ai.
Një mesazh urgjent
4. (a) Çfarë sfidash hasi Jeremia për të shpallur mesazhin e tij? (b) Pse ishte urgjent mesazhi i tij?
4 Jeremia mund të ketë qenë rreth 25 vjeç kur Jehovai e caktoi si rojë. (Jer. 1:1, 2) Por ai ndihej si një djalosh, krejt i pakualifikuar që t’u fliste pleqve të kombit, burra me moshë dhe në pozita me autoritet. (Jer. 1:6) Jeremia duhej të shpallte dënime të ashpra dhe gjykime të frikshme, sidomos për priftërinjtë, profetët e rremë dhe sundimtarët, si edhe për ata që ecnin në ‘udhën që ndiqte shumica’ dhe ishin ‘gjithmonë të pabesë’. (Jer. 6:13; 8:5, 6) Tempulli i lavdishëm i mbretit Solomon, që kishte qenë qendra e adhurimit të vërtetë për gati katër shekuj, do të shkatërrohej. Jerusalemi dhe Juda do të shkretoheshin, kurse banorët e tyre do të merreshin rob. Qartë, mesazhi që duhej të shpallte Jeremia ishte urgjent.
5, 6. (a) Si po i përdor sot Jehovai të krishterët e mirosur? (b) Ku do të përqendrohet ky studim?
5 Në kohët e sotme, me dashuri Jehovai ka caktuar një grup të krishterësh të mirosur, të cilët si roja të figurshme i paralajmërojnë njerëzit për gjykimin e Tij ndaj kësaj bote. Prej dekadash këta të krishterë të mirosur i kanë nxitur njerëzit t’u kushtojnë vëmendje kohëve ku jetojmë. (Jer. 6:17) Bibla thekson se Jehovai, Ai që cakton afatet kohore dhe u përmbahet atyre, nuk është i ngadalshëm. Dita e tij do të vijë tamam në kohë, në një orë që njerëzit nuk e presin.—Sof. 3:8; Mar. 13:33; 2 Pjet. 3:9, 10.
6 Ki parasysh se Jehovai është syçelë dhe do të sjellë botën e tij të re e të drejtë tamam në kohë. Kjo duhet t’i nxitë të krishterët e mirosur dhe t’i ndihmojë delet e tjera që të qëndrojnë syçelë, plotësisht të vetëdijshëm se mesazhi i tyre bëhet gjithnjë e më urgjent. Si ndikon kjo te ti? A nuk duhet të të nxitë të shtosh përpjekjet për të predikuar? Kjo u jep mundësi të gjithëve të vendosin nëse do t’i shërbejnë Jehovait, siç tregoi Jezui. Le të shqyrtojmë tri cilësi që e ndihmuan Jereminë të qëndronte syçelë për të plotësuar caktimin e tij, dhe që do të na ndihmojnë edhe neve të bëjmë po njësoj.
Dashuri për njerëzit
7. Shpjego se si e nxiti dashuria Jereminë të predikonte pavarësisht nga rrethanat e vështira.
7 Çfarë e nxiti Jereminë të predikonte pavarësisht nga rrethanat e vështira? Dashuria për njerëzit. Jeremia e dinte se barinjtë e rremë ishin shkaktarë të shumë prej telasheve të popullit. (Jer. 23:1, 2) Kjo dijeni e ndihmoi Jereminë ta kryente veprën e tij me dashuri e dhembshuri. Ai donte që bashkëkombësit e tij t’i dëgjonin fjalët e Perëndisë e të jetonin. Kaq shumë merak kishte, sa qau për gjëmën që do të binte mbi popullin. (Lexo Jereminë 8:21; 9:1.) Libri i Vajtimeve pasqyron në mënyrë të gjallë dashurinë dhe merakun e thellë të Jeremisë për emrin dhe popullin e Jehovait. (Vajt. 4:6, 9) Kur i sheh njerëzit sot që janë «të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari», a nuk ndien dëshirën t’u çosh lajmin ngushëllues për Mbretërinë e Perëndisë?—Mat. 9:36.
8. Ç’gjë e tregon se vuajtjet nuk e hidhëruan Jereminë?
8 Ndonëse vuajti pikërisht nga njerëzit që donte të ndihmonte, Jeremia nuk u hakmor ose nuk u hidhërua. Ai ishte shpirtgjerë dhe mirëdashës, madje edhe ndaj mbretit të korruptuar Zedekia. Edhe pasi Zedekia e dorëzoi që ta vritnin, përsëri Jeremia iu përgjërua mbretit që t’i bindej zërit të Jehovait. (Jer. 38:4, 5, 19, 20) A është dashuria jonë për njerëzit po aq e fortë sa e Jeremisë?
Guxim nga Perëndia
9. Si e dimë se guximi i Jeremisë vinte nga Perëndia?
9 Kur Jehovai i foli për herë të parë, Jeremia u përpoq të shmangej. Nga kjo kuptojmë se guximi dhe vendosmëria që tregoi më pas, nuk ishin pjesë e natyrës së tij. Jo, forca e jashtëzakonshme që tregoi Jeremia gjatë karrierës si profet, faktikisht vinte ngaqë u mbështet plotësisht te Perëndia. Jehovai ishte me profetin «si një i fuqishëm dhe i tmerrshëm», në kuptimin që e mbështeti Jereminë dhe e forcoi që ta kryente caktimin. (Jer. 20:11) Jeremia u bë aq i famshëm për guximin, saqë gjatë shërbimit të Jezuit në tokë, disa kujtuan se Jezui ishte Jeremia i ringjallur.—Mat. 16:13, 14.
10. Pse mund të thuhet se mbetja e të krishterëve të mirosur është «mbi kombet dhe mbi mbretëritë»?
10 Si «Mbret i kombeve», Jehovai e caktoi Jereminë të shpallte një mesazh gjykimi për kombe dhe mbretëri. (Jer. 10:6, 7) Por, në ç’kuptim mbetja e të krishterëve të mirosur është «mbi kombet dhe mbi mbretëritë»? (Jer. 1:10) Ashtu si profeti Jeremia në lashtësi, të krishterët e mirosur kanë marrë një caktim nga Sovrani i universit. Prandaj, kanë autorizimin e duhur të shpallin në mbarë botën mesazhet e Perëndisë kundër kombeve dhe mbretërive. Me autoritetin që u ka dhënë Perëndia Më i Lartë dhe duke përdorur gjuhën e pastër të Fjalës së tij të frymëzuar, të mirosurit shpallin se kombet dhe mbretëritë e sotme do të shkulen me rrënjë e do të shkatërrohen në kohën e caktuar nga Perëndia dhe me anë të mjetit që ka zgjedhur ai. (Jer. 18:7-10; Zbul. 11:18) Të krishterët e mirosur janë të vendosur të mos heqin dorë nga caktimi që u ka dhënë Perëndia për të shpallur kudo mesazhet gjykuese të Jehovait.
11. Çfarë do të na ndihmojë që të vazhdojmë të predikojmë pareshtur kur hasim rrethana të vështira?
11 Nuk është e pazakontë të shkurajohemi ndonjëherë kur hasim kundërshtim, indiferentizëm ose rrethana të vështira. (2 Kor. 1:8) Por si Jeremia, le të vazhdojmë përpara. Të mos na lëshojë zemra. Secili nga ne le t’i përgjërohet Perëndisë, të mbështetet tek ai dhe ‘të marrë guxim’ ndërsa i mbajmë sytë tek ai për ndihmë! (1 Sel. 2:2) Si adhurues të vërtetë, duhet të vazhdojmë të qëndrojmë syçelë për të plotësuar përgjegjësitë që na ka dhënë Perëndia. Duhet të jemi të vendosur që të vazhdojmë të predikojmë pareshtur për shkatërrimin e krishterimit të rremë, i cili paraqitet nga Jerusalemi i pabesë. Të mirosurit nuk do të vazhdojnë të shpallin vetëm «vitin e miratimit nga ana e Jehovait», por edhe «ditën e hakmarrjes nga ana e Perëndisë tonë».—Isa. 61:1, 2; 2 Kor. 6:2.
Gëzim i thellë
12. Pse mund të themi se Jeremia e ruajti gëzimin dhe çfarë e ndihmoi në radhë të parë?
12 Jeremia ndiente gëzim në veprën e tij. Ai i tha Jehovait: «Kur më erdhën fjalët e tua, i përpiva. Fjala jote është ngazëllimi dhe gëzimi i zemrës sime, sepse thirrem me emrin tënd, o Jehova.» (Jer. 15:16) Për Jereminë ishte privilegj të përfaqësonte Perëndinë e vërtetë dhe të predikonte fjalën e Tij. Është interesante që kur Jeremia u përqendrua te talljet e njerëzve, humbi gëzimin. Kur filloi të mendonte për bukurinë dhe rëndësinë e mesazhit që kishte, gëzimi iu rigjallërua.—Jer. 20:8, 9.
13. Pse është e rëndësishme të ushqehemi me të vërteta të thella frymore që të ruajmë gëzimin?
13 Që të ruajmë gëzimin në veprën e predikimit sot, duhet të ushqehemi me ‘ushqim të fortë’, pra me të vërtetat e thella të Fjalës së Perëndisë. (Hebr. 5:14) Studimi i thellë e ndërton besimin. (Kolos. 2:6, 7) Ai na ngulit në mendje se si veprimet tona e prekin vërtet në zemër Jehovain. Nëse mezi po gjejmë kohë të lexojmë dhe të studiojmë Biblën, duhet të rishqyrtojmë programin tonë. Edhe pak minuta studim dhe meditim çdo ditë, do të na afronin më shumë me Jehovain e do të na e shtonin ‘ngazëllimin dhe gëzimin e zemrës’, siç ndodhi me Jereminë.
14, 15. (a) Ç’rezultate erdhën ngaqë Jeremia iu përmbajt me besnikëri caktimit të tij? (b) Për çfarë është i vetëdijshëm sot populli i Perëndisë lidhur me veprën e predikimit?
14 Vërtet Jeremia shpalli pareshtur paralajmërimet dhe mesazhin gjykues të Jehovait, megjithatë ai kishte për zemër caktimin që ‘të ndërtonte e të mbillte’. (Jer. 1:10) Vepra e tij për të ndërtuar dhe për të mbjellë, solli fryt. Disa judenj, si edhe joizraelitë, mbijetuan nga shkatërrimi i Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Mes tyre ishin rekabitët, Ebed-Meleku dhe Baruku. (Jer. 35:18, 19; 39:15-18; 43:5-7) Këta miq besnikë të Jeremisë që i frikësoheshin Perëndisë, ilustrojnë më së miri individët me shpresë tokësore sot që ndihmojnë të krishterët e mirosur. Ç’kënaqësi ndiejnë të mirosurit teksa ndërtojnë frymësisht këtë «shumicë të madhe»! (Zbul. 7:9) Po kështu, edhe këta shokë besnikë të të mirosurve ndiejnë kënaqësi të pamasë ndërsa i ndihmojnë njerëzit e sinqertë të marrin njohuri për të vërtetën.
15 Populli i Perëndisë është i vetëdijshëm se predikimi i lajmit të mirë nuk është vetëm një shërbim publik për ata që dëgjojnë, por edhe një akt adhurimi ndaj Perëndisë. Pavarësisht nëse gjejmë apo jo dikë që na dëgjon, shërbimi i shenjtë që i bëjmë Jehovait me anë të predikimit, na sjell gëzim të madh.—Psal. 71:23; lexo Romakëve 1:9.
«Rri syçelë» që të plotësosh caktimin tënd
16, 17. Si e tregojnë Zbulesa 17:10 dhe Habakuku 2:3 urgjencën e kohëve tona?
16 Urgjenca e kohëve ku jetojmë del në pah kur shqyrtojmë profecinë e frymëzuar te Zbulesa 17:10. Mbreti i shtatë, fuqia botërore anglo-amerikane, ka ardhur në ekzistencë. Për të lexojmë: «Kur të mbërrijë [fuqia e shtatë botërore], do të mbetet për pak kohë.» Tashmë kjo «pak kohë» duhet të jetë pranë përfundimit. Profeti Habakuk na jep këtë siguri për fundin e sistemit të sotëm të lig: «Vegimi është ende për kohën e caktuar . . . Rri në pritje të tij, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.»—Hab. 2:3.
17 Pyet veten: «A pasqyron vërtet jeta ime urgjencën e kohëve tona? A tregon jeta ime se pres që fundi të vijë së shpejti? Apo vendimet dhe përparësitë e mia tregojnë se nuk pres të vijë kaq shpejt a madje se nuk jam i sigurt nëse do të vijë ndonjëherë?»
18, 19. Pse tani nuk është koha të ngadalësojmë ritmin?
18 Puna e klasës së rojës nuk ka mbaruar ende. (Lexo Jereminë 1:17-19.) Ç’gëzim është që mbetja e të mirosurve po qëndron e patundur si «një shtyllë hekuri» dhe ‘një qytet i fortifikuar’! Ata i kanë «ijët të ngjeshura me të vërtetën», në kuptimin që e lejojnë Fjalën e Perëndisë t’i forcojë derisa puna që u është caktuar të përfundojë. (Efes. 6:14) Me një vendosmëri të ngjashme, edhe ata të shumicës së madhe i mbështetin në mënyrë aktive të mirosurit që të plotësojnë caktimin që u ka dhënë Perëndia.
19 Tani nuk është koha të ngadalësojmë ritmin në veprën e Mbretërisë, por të mendojmë për kuptimin e fjalëve të Jeremisë 12:5. (Lexoje.) Të gjithë hasim sprova që duhet t’i durojmë. Këto sprova besimi mund të krahasohen me «këmbësorët» me të cilët duhet të vrapojmë. Megjithatë, ndërsa ‘shtrëngimi i madh’ afrohet, mund të presim që vështirësitë të shtohen. (Mat. 24:21) Lufta me sfidat më të vështira të së ardhmes mund të jetë si të bësh «garë me kuajt». Që një njeri të qëndrojë në një hap me galopin e kuajve, kërkohet shumë qëndrueshmëri. Prandaj, është mirë të durojmë sprovat që hasim sot, pasi mund të na përgatitin të durojmë ato që presim në të ardhmen.
20. Çfarë je i vendosur të bësh?
20 Të gjithë mund ta imitojmë Jereminë e të plotësojmë me sukses caktimin që të predikojmë. Cilësi të tilla, si dashuria, guximi dhe gëzimi, e nxitën Jereminë të kryente me besnikëri shërbimin e tij për 67 vjet. Çelja e luleve të bukura të bajames na kujton se Jehovai ‘do të rrijë syçelë’, që ta plotësojë fjalën e tij. Prandaj, kemi arsye të vlefshme që edhe ne të rrimë syçelë. Jeremia ‘qëndroi syçelë’ e po kështu mund të bëjmë edhe ne.
A të kujtohet?
• Si e ndihmoi dashuria Jereminë ‘të qëndronte syçelë’ që të plotësonte caktimin e tij?
• Pse na nevojitet guximi që vjen nga Perëndia?
• Çfarë e ndihmoi Jereminë të ruante gëzimin?
• Pse dëshiron ‘të qëndrosh syçelë’?
[Figurat në faqen 31]
A do të vazhdosh të predikosh pavarësisht nga kundërshtimi?