SHESHAKU
Ka të ngjarë një emër simbolik për Babiloninë. (Jr 25:26; 51:41) Një hipotezë është që Sheshak do të thotë «me porta bakri», dhe ky përshkrim do t’i shkonte Babilonisë. Një ide tjetër është që «Sheshak» përkon me SiskuKI që gjendet në një dokument të lashtë mbretëror babilonas. Sisku ose Siska mund të ketë qenë një krahinë në Babiloninë e lashtë. Megjithatë, sipas traditës judaike, Sheshak është një emër i koduar për emrin hebraik Babel (ose Babiloni), duke ndjekur një sistem të quajtur athbash. Sipas këtij sistemi kriptografik, emri i vërtetë maskohet duke e zëvendësuar germën e fundit të alfabetit hebraik (ta) me germën e parë (álef), germën e parafundit (shin) me germën e dytë (beth), e kështu me radhë. Si rrjedhojë, te fjala «Babel», çdo germë beth (b) del shin (sh), lámedh (l) bëhet haf (kh), e kështu del fjala Sheshákh. Emri Sheshak mund të nënkuptojë edhe poshtërim, i cili do të binte më pas mbi Babiloninë.—Soncino Books of the Bible, nga A. Koheni, Londër, 1949.