Kapitulli gjashtë
«Të lutem, bindju zërit të Jehovait!»
1, 2. Cilin qëndrim kanë shpesh ata që ecin në «udhën që ndjek shumica», por pse ti duhet të jesh i ndryshëm?
NË BOTËN e sotme, bindja s’është në modë. Shumë njerëz nuk i marrin vendimet as sipas ndonjë parimi të përgjithshëm, si për shembull: «Bëj atë që është e drejtë.» Përkundrazi, në përgjithësi ata mendojnë «bëj ç’të duash» ose «bëj aq sa të dalësh pa u lagur». Këtë e sheh te shoferët që nuk respektojnë tabelat rrugore, tek investuesit që shkelin rregullat financiare dhe te zyrtarët e lartë që shkelin të njëjtat ligje që mund të kenë miratuar vetë. Kjo vërsulje «në udhën që ndjek shumica», ndonëse e gabuar dhe e dëmshme, ishte e zakonshme edhe në ditët e Jeremisë.—Jer. 8:6.
2 Ti e kupton se ata që duan miratimin e Perëndisë së Plotfuqishëm, nuk duhet të ecin në «udhën që ndjek shumica». Është domethënëse që Jeremia bëri dallimin mes atyre që ‘nuk i ishin bindur zërit të Jehovait’ dhe atyre që donin t’i bindeshin Atij. (Jer. 3:25; 7:28; 26:13; 38:20; 43:4, 7) Secili nga ne duhet të analizojë veten se ku qëndron në lidhje me këtë. Përse? Sepse sulmet e Satanait ndaj integritetit të adhuruesve të vërtetë, sot janë bërë veçanërisht të egra. Ai është si një gjarpër që në heshtje rri në pritë dhe sulmon në befasi me një kafshim që mund të jetë vdekjeprurës. Vendosmëria për t’iu bindur zërit të Jehovait na ndihmon t’u largohemi dhëmbëve të këtij gjarpri. Por, si ta forcojmë vendosmërinë për t’iu bindur Jehovait? Për këtë mund të na ndihmojnë shkrimet e Jeremisë.
AI TË CILIT I TAKON BINDJA JONË
3. Pse e meriton Jehovai bindjen tonë?
3 Pse Jehovai meriton bindjen tonë të plotë? Një arsye, Jeremia e zbulon duke e quajtur «Bërësi i tokës me fuqinë e tij, Ai që e ka bërë të patundshme me mençurinë e vet». (Jer. 10:12) Jehovai është Sovrani i universit. Duhet t’i frikësohemi atij më shumë se çdo sundimtari tjetër. Ai ka të drejtën e plotë të na kërkojë t’u bindemi urdhrave të tij të mençur, që faktikisht janë për të mirën tonë të përhershme.—Jer. 10:6, 7.
4, 5. (a) Cilën të vërtetë mësuan judenjtë gjatë kohëve të thatësirës? (b) Si e shpërdoruan banorët e Judës ‘ujin jetëdhënës’ që u jepte Jehovai? (c) Si mund të pish ‘ujin jetëdhënës’ që siguron Perëndia?
4 Megjithatë, përveçse Sovrani Universal, Jehovai është Ai që na mban në jetë. Kjo iu bë e qartë në mënyrë të jashtëzakonshme judenjve të kohës së Jeremisë. Vendi i Egjiptit kryesisht varej nga ujërat e lumit Nil, kurse në Tokën e Premtuar situata ishte ndryshe. Në një masë të madhe, populli i Perëndisë varej nga shirat stinore dhe shpesh e grumbullonte ujin e shiut nëpër sterna nën tokë. (Ligj. 11:13-17) Vetëm Jehovai mund të dërgonte shi që ta lagte tokën e ajo të jepte prodhim. Nga ana tjetër, kishte fuqinë edhe ta ndalte shiun e nevojshëm. Kështu, në kohën e Jeremisë, judenjtë e pabindur patën një sërë thatësirash shkretuese që ua zhuritën fushat e vreshtat dhe ua thanë puset e sternat.—Jer. 3:3; 5:24; 12:4; 14:1-4, 22; 23:10.
5 Edhe pse e vlerësonin ujin e mirëfilltë, ata judenj e hodhën poshtë ‘ujin jetëdhënës’ që u ofroi me bujari Jehovai. Këtë e bënë duke shkelur me vetëdije të plotë Ligjin e Perëndisë dhe duke i varur shpresat tek aleancat me kombet përreth. Ata judenj vuajtën pasojat e kësaj, njësoj si ata që, kur uji është i paktë, e hedhin në një sternë të prishur që s’mban ujë. (Lexo Jereminë 2:13; 17:13.) Patjetër që kemi arsye të mos i sjellim gjëmë vetes duke ndjekur një udhë të ngjashme. Jehovai vazhdon të na japë me bollëk udhëzime të bazuara në Fjalën e tij të frymëzuar. Natyrisht, ky ‘ujë jetëdhënës’ do të na sjellë dobi vetëm nëse e studiojmë rregullisht dhe përpiqemi të jetojmë në përputhje me të.
6. (a) Ç’qëndrim kishte mbreti Zedekia kur ishte puna për t’iu bindur Jehovait? (b) Si mendon, pse u tregua i pamend mbreti?
6 Ndërsa afrohej dita kur Perëndia do t’i kërkonte llogari Judës, bindja u bë gjithnjë e më e rëndësishme. Si individë, nëse donin të merrnin miratimin dhe mbrojtjen e Jehovait, judenjtë duhej të pendoheshin e të fillonin t’i bindeshin atij. Me këtë situatë u përball edhe mbreti Zedekia. Ai nuk ishte i vendosur të bënte ç’ishte e drejtë. Kur nënshtetasit i thanë se donin ta vritnin Jereminë, s’pati kurajën t’u kundërvihej. Siç e pamë në kapitullin e mëparshëm, me ndihmën e Ebed-Melekut profeti shpëtoi nga kjo orvatje për t’i marrë jetën, dhe më vonë e nxiti Zedekinë: «Të lutem, bindju zërit të Jehovait!» (Lexo Jereminë 38:4-6, 20.) Pra, për të mirën e tij, mbreti duhej ta mblidhte mendjen: a do t’i bindej Perëndisë?
Pse ishte me vend që Jeremia t’i nxiste herë pas here judenjtë t’i bindeshin Perëndisë?
ËSHTË URGJENTE T’I BINDESH JEHOVAIT
7. Cilat janë disa situata ku bindja mund të të vihet në provë?
7 Sot bindja është po aq e rëndësishme sa edhe në kohën e Jeremisë. Sa i vendosur je t’i bindesh Jehovait? Nëse pa dashur të del përpara një faqe pornografike në Internet, a do të vazhdosh ta shohësh apo do të mposhtësh çdo tundim e do ta mbyllësh menjëherë? Po nëse një jobesimtar në punë a në shkollë të fton të dilni bashkë? A do të kesh forcën e nevojshme t’i thuash jo? Sitet dhe literatura apostate do të të ngjallin kureshtje apo neveri? Në këto situata ose edhe në të tjera, mbaj gjithnjë në mendje fjalët e Jeremisë 38:20.
8, 9. (a) Pse është e mençur t’i dëgjosh pleqtë që po përpiqen të të ndihmojnë? (b) Si duhet t’i shohësh këshillat e përsëritura të pleqve?
8 Jehovai shpesh e dërgonte Jereminë te populli i Tij me thirrje si kjo: «Le të kthehet . . . secili nga udha e vet e ligë dhe ndreqini udhët e veprimet tuaja.» (Jer. 7:3; 18:11; 25:5; lexo Jereminë 35:15.) Edhe sot, pleqtë e krishterë bëjnë çmos t’i ndihmojnë bashkëbesimtarët që janë në rrezik frymësisht. Nëse ndonjëherë pleqtë të japin këshilla se si të shmangësh një rrugë të pamend a të gabuar, dëgjoji. Ata kanë të njëjtin synim si Jeremia.
9 Pleqtë mund të të kujtojnë disa parime biblike që t’i kanë treguar edhe më parë. Duhet të kuptosh se asnjëherë nuk është e lehtë t’ia përsëritësh një këshillë dikujt, por kjo bëhet edhe më e vështirë kur ai që ka nevojë për ndihmë, shfaq një qëndrim si shumica e judenjve të cilëve Jeremia u foli. Mundohu t’i shohësh si shprehje të dashurisë së Jehovait përpjekjet e përsëritura të pleqve për të të ndihmuar. Kupto edhe se Jeremia s’do të kishte pasur nevojë t’i përsëriste paralajmërimet, po qe se populli do të kishte reaguar siç duhet. Pra, që të mos marrësh këshilla të përsëritura, zbatoje menjëherë këshillën që të jepet.
JEHOVAI FAL BUJARISHT, POR JO AUTOMATIKISHT
10. Pse Jehovai nuk i fal automatikisht mëkatet?
10 Sado të përpiqemi, në këtë botë nuk i bindemi dot në mënyrë të përsosur Jehovait. Prandaj, e falënderojmë që tregohet i gatshëm të na i falë fajet. Megjithatë, ai nuk i fal automatikisht mëkatet. Pse jo? Sepse mëkati është i neveritshëm për Jehovain. (Isa. 59:2) Prandaj, do që të jetë i sigurt se e meritojmë faljen e tij.
11. Pse është e pamundur të shpëtosh paq nga mëkatet e fshehta?
11 Siç e kemi vënë re, në kohën e Jeremisë shumë judenj e bënë zakon të mos i bindeshin Perëndisë, duke shpërdoruar kështu durimin dhe mëshirën e tij. A mund të zhvillojë një prirje të ngjashme edhe një shërbëtor i Perëndisë sot? Po, nëse shpërfill përkujtuesit e Jehovait dhe nis ta praktikojë mëkatin. Në disa raste, kjo ka ndodhur haptazi, si për shembull kur dikush martohet, por njëra ose të dyja palët nga ana biblike nuk janë të lira të rimartohen. Megjithatë, edhe kur njerëzit e tjerë nuk e shohin një mëkat, ai që po shkel ligjin e Jehovait i ka hyrë një rruge të rrezikshme. Kush bën një jetë të dyfishtë, mund të mendojë: «S’ka për ta marrë vesh njeri.» Por, e vërteta është se Perëndia e di çfarë kemi në mendje e në zemër dhe mund të shohë ç’ndodh në fshehtësi. (Lexo Jereminë 32:19.) Si duhet të veprohet me dikë që vërtet nuk i është bindur Perëndisë?
12. Ç’duhet të bëjnë nganjëherë pleqtë për të mbrojtur kongregacionin?
12 Shumë judenj e përbuzën ndihmën që u ofroi herë pas here Jehovai me anë të Jeremisë. Edhe sot mund të ndodhë që dikush që është fajtor për një mëkat të rëndë të mos pendohet dhe ta refuzojë ndihmën e pleqve. Në këtë rast, pleqtë duhet të ndjekin drejtimin biblik për ta mbrojtur kongregacionin, duke e përjashtuar keqbërësin. (1 Kor. 5:11-13; shih kutinë «Jeta pa ligj», në faqen 73.) Por, a do të thotë kjo se ai ose ajo është përjetë i pashpresë dhe nuk do të mund të rifitojë kurrë miratimin e Jehovait? Jo. Izraelitët kishin qenë rebelë për një kohë të gjatë, e megjithatë Perëndia tha: «Kthehuni, o bij renegatë! Unë do t’ju shëroj nga kjo gjendje që jeni.» (Jer. 3:22)a Jehovai i fton keqbërësit të kthehen tek ai. Madje, u kërkon ta bëjnë këtë.
Pse kur gabojmë, gjëja më me mend është t’i kërkojmë falje Perëndisë?
BINDJU JEHOVAIT DUKE U KTHYER TEK AI
13. Çfarë duhet të pranojë dikush që dëshiron të kthehet te Jehovai?
13 Që të kthehet te Perëndia, siç tregoi Jeremia, një njeri duhet të pyesë veten: «Ç’kam bërë?!» Pastaj, duke u mbështetur te normat biblike, duhet të pranojë përgjigjen e sinqertë. Judenjtë e papenduar të kohës së Jeremisë e anashkaluan atë pyetje. Nuk donin të pranonin sa të rënda ishin mëkatet e tyre, kështu që Jehovai nuk i fali, sepse nuk mundej. (Lexo Jereminë 8:6.) Ndryshe nga ata, një mëkatar i penduar e kupton se, duke mos iu bindur Jehovait, i ka sjellë sharje emrit të Tij dhe kongregacionit të krishterë. Ai që është vërtet i penduar, është edhe thellësisht i trishtuar për dëmin që mund t’u ketë shkaktuar njerëzve të pafajshëm. Duhet të kuptojë se kërkesa e tij për falje do të ketë peshë para Jehovait vetëm kur të pranojë të gjitha pasojat e veprimeve të tij të këqija. Gjithsesi, nuk mjafton vetëm kaq për të rifituar miratimin e Perëndisë.
14. Si ‘kthehet te Jehovai’ një njeri? (Përfshi kutinë «Çfarë është pendimi?»)
14 Ai që është vërtet i penduar, shqyrton motivet, dëshirat dhe zakonet e veta. (Lexo Vajtimet 3:40, 41.) Shqyrton fusha të jetës ku shfaq dobësi, si për shembull në miqësitë me seksin tjetër, në përdorimin e alkoolit ose të duhanit, në përdorimin e Internetit ose në marrëdhëniet e biznesit. Ashtu si një amvisë që kruan edhe cepat e fshehur të kuzhinës për ta mbajtur çdo gjë të pastër e higjienike, një njeri i penduar duhet të punojë fort për të pastruar mendimet dhe veprimet që bën kur është vetëm. Ai duhet ‘të kthehet te Jehovai’ duke plotësuar kërkesat dhe normat e Tij. Në kohën e Jeremisë, disa judenj u kthyen «me dredhi» te Jehovai. U hoqën sikur i brente ndërgjegjja, por nuk e ndryshuan kurrë qëndrimin ose jetën e tyre. (Jer. 3:10) Ndryshe nga ata, ai që kërkon sinqerisht falje, nuk përpiqet t’ua hedhë Jehovait dhe kongregacionit të Tij. Nuk do që thjesht të mbrojë reputacionin e vet ose të ketë sërish shoqërinë e të afërmve a të vëllezërve e motrave në besim, por dëshiron t’ua kthejë shpinën plotësisht gabimeve që ka bërë e të jetë i denjë për faljen dhe miratimin e Perëndisë.
15. Ç’lloj lutjesh i bën Perëndisë një njeri që është vërtet i penduar?
15 Lutja është pjesë thelbësore e pendimit. Në kohët e lashta, nuk ishte e pazakontë që njerëzit të ngrinin duart drejt qiellit kur luteshin. Sot, kur i lutet Perëndisë, një njeri vërtet i penduar ‘ngre zemrën bashkë me duart’, siç e shprehu Jeremia. (Vajt. 3:41, 42) Ndjenjat e keqardhjes e motivojnë mëkatarin e penduar të veprojë në përputhje me lutjen e tij për falje. Lutjet e tij janë të sinqerta, i dalin nga zemra.
16. Pse është e arsyeshme të kthehesh te Perëndia?
16 Pa dyshim, ti e kupton se një mëkatar që i pranon vërtet gabimet e tij, mund të ketë nevojë të mposhtë krenarinë që të kthehet te Perëndia. Por, ka një të vërtetë themelore: Jehovai dëshiron që mëkatarët të kthehen tek ai. Kur Perëndia sheh që në zemrën e një njeriu ka keqardhje të vërtetë, edhe zemra e Tij reagon. Ai ‘trazohet’ nga ndjenjat e buta, sepse dëshiron t’i falë të gjithë ata që pendohen për mëkatet e tyre, siç bëri me izraelitët që u kthyen nga mërgimi. (Jer. 31:20) Sa qetësohemi kur dimë se Perëndia u ofron paqe e shpresë atyre që i binden! (Jer. 29:11-14) Ata mund të kenë sërish një vend mes shërbëtorëve të kushtuar të Perëndisë.
BINDJA TË MBRON
17, 18. (a) Cilët ishin rekabitët? (b) Për çfarë njiheshin ata, siç paraqitet në faqen 77?
17 Rruga më e sigurt është t’i bindesh në çdo gjë Jehovait. Këtë e shohim nga shembulli i rekabitëve, në ditët e Jeremisë. Më shumë se dy shekuj më parë, paraardhësi i tyre kenit, Jehonadabi, i cili me besnikëri mbajti anën e Jehut, u kishte vënë disa kufizime. Njëri ishte të mos pinin verë. Jehonadabi kishte kohë që kishte vdekur, por rekabitët vazhdonin t’i bindeshin. Për t’i vënë në provë, Jeremia i çoi në një nga dhomat e ngrënies në tempull dhe u vuri përpara verë, duke i nxitur të pinin. Ata i thanë: «Nuk do të pimë.»—Jer. 35:1-10.
18 Për rekabitët ishte e rëndësishme t’i bindeshin paraardhësit të tyre që kishte vdekur shumë kohë më parë. Adhuruesit e vërtetë duhet të ngulmojnë edhe më shumë që t’u binden urdhrave të Perëndisë së gjallë. Vendosmëria e rekabitëve për t’u bindur, i bëri përshtypje Jehovait dhe ishte një kontrast i fortë me mosbindjen e judenjve. Perëndia u premtoi rekabitëve se do t’i mbronte nga gjëma që po vinte. Duke e zbatuar këtë mësim për ditët tona, a nuk është e arsyeshme që atyre që i binden në çdo gjë Jehovait t’u jepet siguria se ai do t’i mbrojë gjatë shtrëngimit të madh?—Lexo Jereminë 35:19.
Pse pendimi për mëkatet e rënda është një aspekt i rëndësishëm i bindjes? Si mund ta ndihmojë bindja dikë që të mos ketë nevojë të pendohet?
ATA QË I BINDEN JEHOVAIT NUK JANË VETËM
19. Ç’mbrojtje mund të të sigurojë Perëndia, nëse i bindesh?
19 Nuk duhet të mendosh se Perëndia kujdesej për popullin e tij dhe e mbronte vetëm në të kaluarën. Edhe tani, Jehovai i mbron nga rreziku frymor ata që i binden. Ashtu si një mur i lartë që i mbronte qytetet e lashta nga sulmi, ligji i Perëndisë i mbron ata që e studiojnë dhe e zbatojnë vazhdimisht. A do të qëndrosh brenda murit mbrojtës të normave morale të Perëndisë? Mund të jesh i sigurt se po të veprosh kështu, do të të vejë mbarë. (Jer. 7:23) Ka shumë përvoja që e dëshmojnë këtë.—Shih kutinë «Bindja ndaj Jehovait të mbron», në faqen 78.
20, 21. (a) Për çfarë mund të jesh i sigurt ndërsa i shërben Jehovait? (b) Si reagoi mbreti Jehojakim ndaj mesazhit që i dha Perëndia me anë të Jeremisë?
20 Kundërshtarët, qofshin ata familjarë të tu, kolegë pune, shokë shkolle ose autoritete të vendit ku jeton, ta bëjnë të vështirë t’i shërbesh Perëndisë. Por mund të jesh i sigurt se po t’i bindesh plotësisht Jehovait në çdo rast, ai do të të mbështetë edhe në situatat më të vështira. Mos harro se Jehovai i premtoi Jeremisë se do ta mbështeste gjatë kundërshtimit të egër që do të haste, dhe ashtu bëri. (Lexo Jereminë 1:17-19.) Një nga periudhat kur u bë e qartë mbështetja e Perëndisë, ishte koha e mbretit Jehojakim.
21 Pak sundimtarë të Izraelit u janë kundërvënë zëdhënësve të Perëndisë me një furi si ajo e Jehojakimit. Këtë mund ta shohim në rastin e profetit Urijah, një bashkëkohës i Jeremisë. Mbreti i lig Jehojakim nuk ngurroi të dërgonte njerëz edhe jashtë kufijve të vendit që ta ndiqnin. Kur ata ia sollën profetin Urijah, mbreti e vrau me shpatë. (Jer. 26:20-23) Vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit, Jehovai e urdhëroi Jereminë t’i hidhte me shkrim të gjitha fjalët që Ai i kishte thënë deri në atë kohë e pastaj t’i lexonte me zë të lartë në tempull. Jehojakimi e mori rrotullën e Jeremisë dhe urdhëroi një zyrtar t’ia lexonte. Gjatë leximit, mbreti e bëri copë-copë rrotullën dhe e hodhi në zjarr, ndonëse disa nga princat iu lutën të mos e bënte. Pastaj, dërgoi njerëz që të arrestonin Jereminë dhe Barukun. Çfarë ndodhi? «Jehovai i fshehu.» (Jer. 36:1-6; lexo Jereminë 36:21-26.) Ai nuk lejoi që Jehojakimi t’u bënte keq këtyre dy burrave besnikë.
22, 23. Çfarë të tregon për mbështetjen e Perëndisë përvoja e një Dëshmitareje në Azinë Qendrore?
22 Nëse e sheh të udhës, edhe sot Jehovai mund t’i fshehë shërbëtorët e tij që janë në rrezik. Por, më shpesh, u jep guxim e mençuri që t’i binden atij dhe të vazhdojnë të predikojnë lajmin e mirë. Një nënë e vetme, që po e quajmë Gjylistan, ka katër fëmijë. Ajo e ka ndier mbështetjen e Jehovait. Për njëfarë kohe, ishte e vetmja Dëshmitare në një zonë të madhe të Azisë Qendrore ku autoritetet i kundërvihen predikimit të Mbretërisë. Kongregacionin më të afërt e ka 400 kilometra larg, kështu që rrallë ka mundësi të shoqërohet me të krishterë të pjekur. Pavarësisht nga kundërshtimi e nga probleme të tjera, Gjylistani predikon shtëpi më shtëpi dhe gjen shumë të interesuar. Sipas një raporti të kohëve të fundit, po drejtonte studime biblike me rreth 20 veta dhe kujdesej për një grup në rritje të deleve të Jehovait.
23 Ashtu si ndihmoi Jereminë dhe Dëshmitarë si Gjylistani, Perëndia është gati të të ndihmojë edhe ty e shërbëtorët e tjerë që i binden. Ji i vendosur t’i bindesh atij si Sundimtar, e jo njerëzve. Atëherë, kundërshtimi dhe pengesat e tjera nuk do të të ndalin që ta lëvdosh publikisht të vetmin Perëndi të vërtetë para njerëzve në territorin tënd.—Jer. 15:20, 21.
24. Çfarë dobish të sjell që tani bindja?
24 Nëse jetojmë të pavarur nga Krijuesi ynë, nuk do të gjejmë kurrë gëzim e kënaqësi të vërtetë në jetë. (Jer. 10:23) Pasi ke studiuar atë që shkroi Jeremia për bindjen, a sheh mënyra se si ta lejosh Jehovain që t’i drejtojë më plotësisht hapat e tu? Urdhrat e tij përbëjnë udhërrëfyesin e vetëm të jetës që të çon në lumturi e sukses të plotë. Jehovai na nxit: «Bindjuni zërit tim, . . . që t’ju vejë mbarë.»—Jer. 7:23.
Si mund t’i zbatosh në marrëdhënien tënde me Perëndinë mësimet për bindjen që gjenden në librin e Jeremisë?
a Këtu Jehovai po i drejtohej mbretërisë veriore të Izraelit. Kur Jeremia shpalli këtë mesazh, nënshtetasit e asaj mbretërie dhjetëfisëshe kishin rreth 100 vjet në mërgim. Jeremia e pranoi se deri atë ditë, ai komb nuk ishte penduar. (2 Mbret. 17:16-18, 24, 34, 35) Megjithatë, individualisht ata mund të merrnin sërish miratimin e Perëndisë, e madje të ktheheshin nga mërgimi.