SAMARIA
[e klanit të Shemerit].
1. Qyteti që nisi ta ndërtonte mbreti Omri aty nga mesi i shekullit të 10-të p.e.s.; kryeqyteti i mbretërisë veriore të Izraelit për më shumë se 200 vjet. Malin majë të cilit u ndërtua qyteti, Omri ia bleu Shemerit për dy talenta argjendi (13.212 dollarë). (1Mb 16:23, 24) Edhe mali, edhe qyteti vazhduan të mbanin emrin e pronarit të mëparshëm.—Am 4:1; 6:1.
Vendndodhja. Mendohet se Samaria ndodhej aty ku janë rrënojat e Shomeronit, ngjitur me fshatin arab të Sabastijas, afro 55 km në veri të Jerusalemit dhe 11 km në veriperëndim të Sikemit. Ishte në territorin e Manaseut. Kur Samaria u përshkrua si «koka» e Efraimit, bëhej fjalë për pozitën e saj si kryeqytet i mbretërisë dhjetëfisëshe, ku Efraimi ishte fisi kryesor. (Is 7:9) Samaria ndodhej afër, në mos në të njëjtin vend me ‘Shamirin, në rajonin malor të Efraimit’, qyteti ku banonte gjykatësi Tola, që shërbeu në epokën e gjykatësve.—Gjy 10:1, 2.
Maja thuajse e sheshtë e kodrës së Samarisë, afro 2 km e gjerë nga lindja në perëndim, ishte vend i përkryer për një qytet. Ai mund të mbrohej lehtë, falë rrëpirës që ngrihej rreth 90 m mbi rrafshinën poshtë saj. Edhe panorama ishte marramendëse, pasi nga veriu, lindja dhe jugu ngriheshin male më të larta, kurse në perëndim terreni zbriste butë nga një lartësi 463 m deri në Mesdheun e kaltër, 34 km larg.
Një pjesë e mirë e historisë së Samarisë lidhet me sjelljen rebele të 14 mbretërve të Izraelit, nga Omri te Hoshea.—1Mb 16:28, 29; 22:51, 52; 2Mb 3:1, 2; 10:35, 36; 13:1, 10; 14:23; 15:8, 13, 14, 17, 23, 25, 27; 17:1.
Në epokën e Akabit. Pas vdekjes së Omrit, biri i tij Akabi vazhdoi projektin për ndërtimin e qytetit gjatë mbretërimit të tij 22-vjeçar. Këtu përfshihej ndërtimi i një tempulli për Baalin, ngritja e një altari për Baalin dhe ngritja e ‘shtyllës së shenjtë’ për adhurim. Të gjitha këto dëshmonin se, në qytetin e sapokrijuar, ndikonte feja kananite që e përkrahte gruaja fenikase e Akabit, Jezebela. (1Mb 16:28-33; 18:18, 19; 2Mb 13:6) Veç kësaj, Akabi e stolisi Samarinë me një ‘shtëpi prej fildishi’ që mbase ishte mobiluar me «shtretër të fildishtë», të ngjashëm me ata që përmendi profeti Amos një shekull më pas. (1Mb 22:39; Am 3:12, 15; 6:1, 4) Mes rrënojave të Samarisë, arkeologët kanë gjetur më se 500 copa fildishi, shumë prej të cilave me gdhendje artistike.
Në pjesën e fundit të mbretërimit të Akabit, Ben-Hadadi II, mbreti i Sirisë, rrethoi Samarinë dhe u betua se do ta shkretonte aq sa pluhuri i saj nuk do të mjaftonte që të mbushnin grushtet ushtarët e tij. Megjithatë, izraelitëve iu dha fitorja, që Akabi ta merrte vesh se Jehovai është Perëndia i Plotfuqishëm. (1Mb 20:1-21) Në një betejë të dytë brenda një viti, kur Ben-Hadadi u detyrua të dorëzohej, Akabi e la të ikte me kusht që t’i kthente Izraelit qytetet e pushtuara dhe Akabi ‘të zgjidhte për vete rrugë në Damask’, ashtu si kishte zgjedhur i ati i Ben-Hadadit rrugë në Samari. (1Mb 20:26-34) Me sa duket, ato «rrugë» shërbyen për të hapur pazare që të çoheshin para interesat tregtare të të atit të Ben-Hadadit. Gjithsesi, Akabi u kthye në Samari i trishtuar dhe i ngrysur, sepse Jehovai i kishte thënë se do të humbte jetën e vet, meqë ia kishte kursyer jetën Ben-Hadadit.—1Mb 20:35-43.
Kjo ndodhi vitin e tretë pas kësaj kur Akabi e ftoi mbretin e Judës, Jehozafatin, që ta ndihmonte t’ia merrte sërish Ramot-Galaadin Sirisë. Dy mbretërit mblodhën një këshill në hyrje të Samarisë dhe pastaj u nisën për betejë, ngaqë ia vunë veshin këshillës mashtruese të profetëve të rremë dhe shpërfillën paralajmërimin e profetit të Jehovait. (1Mb 22:1-28; 2Kr 18:2, 9) Akabi u maskua, por e zuri një shigjetë, ndonëse harkëtari armik s’e njohu që ishte mbreti. Ai vdiq në karrocë ngaqë humbi gjak. E kthyen në kryeqytet për ta varrosur dhe karrocën e lanë te rezervuari i Samarisë. (1Mb 22:29-38) Ky mund të jetë rezervuari drejtkëndësh, i madh por disi i cekët, që kanë zbuluar atje arkeologët.
Hesapet me shtëpinë e Akabit i lau përfundimisht Jehu, që Jehovai e mirosi të ekzekutonte gjykimin e Tij. (2Mb 9:6-10) Pasi vrau Jehoramin, Ahaziahun dhe Jezebelën, pra birin, nipin dhe të venë e Akabit (2Mb 9:22-37), Jehu, në një letërkëmbim me princat dhe pleqtë e Samarisë, mori masa që t’u pritej koka 70 bijve të tjerë të Akabit. Jehu deklaroi: «Dijeni pra, se asgjë nga ato që ka thënë Jehovai kundër shtëpisë së Akabit, nuk do të mbetet pa u plotësuar. Jehovai ka bërë atë që tha me anë të shërbëtorit të tij Elija.»—2Mb 10:1-12, 17.
Në Samari dhe në rrethinat e saj u bënë shpallje të tjera të Jehovait nëpërmjet profetëve të tij Elija dhe Elise, si edhe ndodhën ngjarjet e lidhura me to. Për shembull, Ahaziahu, bir i Akabit, ra nga vrima e tarracës së pallatit të tij në Samari (2Mb 1:2-17), siriani Naaman, që ishte i lebrosur, shkoi në Samari që të shërohej (2Mb 5:1-14) dhe forcat ushtarake siriane, të dërguara për të zënë rob Eliseun, u goditën me verbim mendor dhe u çuan në Samari, ku u dhanë për të ngrënë e i kthyen në vendin e tyre (2Mb 6:13-23). Gjatë mbretërimit të Jehoramit, birit të Akabit, sirianët rrethuan Samarinë, duke shkaktuar një zi buke të atillë sa disa hëngrën fëmijët e vet. Por, siç kishte profetizuar Eliseu, zia e bukës mori fund brenda një nate kur Jehovai bëri që sirianët t’ia mbathnin në panik e të linin pas ushqime.—2Mb 6:24-29; 7:1-20.
Rivale e Jerusalemit. Rivaliteti dhe armiqësia mes Samarisë dhe Jerusalemit, kryeqytetet e mbretërisë veriore e jugore, herë pas here shpërthenin në luftë të hapur. Në një rast, mbreti i Judës, që po bëhej gati të sulmonte Edomin, ktheu mbrapsht 100.000 mercenarë të Izraelit me urdhër të Jehovait. Edhe pse u paguan 100 talenta argjendi (660.600 dollarë), ata izraelitë u tërbuan aq sa mësynë dhe plaçkitën qytetet e Judës «nga Samaria deri në Beth-Horon». (2Kr 25:5-13) Pastaj, i dehur nga fitorja mbi Edomin, mbreti i Judës hapi sherr me mbretin e Samarisë. Ajo grindje u shua vetëm pasi gjithë ari e argjendi i shtëpisë së Jehovait dhe thesari i mbretit u çuan nga Jerusalemi në Samari. (2Mb 14:8-14; 2Kr 25:17-24) Mirëpo vite më vonë, pas një disfate të Akabit, mbretit të Judës, burrat e Izraelit kthyen disa robër dhe plaçkën e çuar në Samari, që t’i shpëtonin zemërimit të Jehovait.—2Kr 28:5-15.
Në fund, qyteti i Samarisë u shkatërrua për idhujtarinë, korruptimin moral dhe shpërfilljen e pareshtur të ligjeve e parimeve të Perëndisë. (2Mb 17:7-18) Sa e sa herë Jehovai i paralajmëroi sundimtarët dhe nënshtetasit e tyre nëpërmjet profetëve, si Isaia (8:4; 9:9), Hozea (7:1; 8:5, 6; 10:5, 7; 13:16), Amosi (3:9; 8:14), Mikea (1:1, 5, 6) e të tjerë (1Mb 20:13, 28, 35-42; 22:8), përveç Elijas dhe Eliseut. Kohë më vonë, pasi u shkatërrua, profetë të tjerë e përmendën Samarinë si shembull paralajmërues për ata që do të hidhnin poshtë urdhërimet e Jehovait.—2Mb 21:10-13; Jr 23:13; Ezk 16:46, 51, 53, 55; 23:4, 33.
Historia e mëvonshme. Në vitin 742 p.e.s., Shalmaneseri V, mbreti i Asirisë, rrethoi Samarinë, por qyteti rezistoi për gati tre vjet. Kur përfundimisht ra më 740 p.e.s., shumë nga paria e qytetit u çuan në mërgim në Mesopotami dhe Medi. Ende nuk dihet me siguri nëse merita për pushtimin e qytetit i takon Shalmaneserit V apo pasuesit të tij Sargoni II.—2Mb 17:1-6, 22, 23; 18:9-12; shih SARGONI.
Me rënien e Samarisë në duar të asirianëve, merr fund historia e hollësishme e Biblës për këtë qytet. Më tej, qyteti përmendet shpesh—por jo gjithmonë (2Mb 23:18; Ve 8:5)—për të kujtuar si përfundojnë ata që rebelohen kundër Jehovait. (2Mb 18:34; 21:13; Is 10:9-11; 36:19) Bibla tregon se pas shkatërrimit të Jerusalemit dhe pas vrasjes së Gedaliahut, 80 burra nga Sikemi, Shilohu dhe Samaria zbritën në Mizpah, ku takuan Ismaelin, vrasësin. Ai vrau shumë prej tyre, por la gjallë disa që premtuan t’i dëftenin ku i kishin fshehur thesaret e grurit, elbit, vajit dhe mjaltit.—Jr 41:1-9.
Dokumentet jofetare tregojnë një pjesë të historisë së Samarisë nga koha e Aleksandrit të Madh e më pas. Në epokën romake, qyteti arriti shkëlqimin falë programit të ndërtimit të Herodit të Madh, i cili ia ndërroi emrin në Sebaste (forma greke e emrit latin August), për nder të perandorit të parë, Augustit. Sot emri që i vuri Herodi ruhet në emrin arab Sabastija. Pra, nuk është çudi që gërmimet në atë vend kanë nxjerrë në dritë rrënojat e një sërë periudhave të historisë së saj; disa prej tyre i përkasin kohës së mbretërve të Izraelit.
2. Territori i mbretërisë dhjetëfisëshe të Izraelit. Emri i kryeqytetit, Samarisë, nganjëherë përdorej për mbarë rajonin. Për shembull, kur Akabi u quajt ‘mbret i Samarisë’, nuk u tha në kuptimin e ngushtë si mbret vetëm i qytetit, por në kuptimin më të gjerë si mbret i dhjetë fiseve. (1Mb 21:1) Po ashtu, «qytetet e Samarisë» ishin qytetet anekënd territorit të dhjetë fiseve, jo qytezat në periferi të kryeqytetit. (2Mb 23:19; e njëjta shprehje e përdorur te 1Mb 13:32 sikur Samaria s’ishte ndërtuar ende, ose ishte profetike, ose mund ta ketë futur përpiluesi i librit të Mbretërve.) Zia e bukës «në Samari» në ditët e Akabit kishte mbërthyer mbarë mbretërinë e Samarisë, e madje edhe Fenikinë, të paktën nga lugina e përroit të Keritit, në lindje të Jordanit, deri në Zarefat në brigjet e Mesdheut. (1Mb 17:1-12; 18:2, 5, 6) Po njësoj, premtimi për rimëkëmbjen e ‘maleve të Samarisë’ me siguri që duhej të përfshinte krejt mbretërinë e Samarisë.—Jr 31:5.
Me sa duket, Tiglath-Pileseri III ishte i pari që i shkuli izraelitët nga territori i Samarisë, dhe mes të shpërngulurve në Asiri ishin disa rubenitë, gaditë e manasitë të shquar nga lindja e Jordanit. (1Kr 5:6, 26) Kur mbretëria më në fund ra, u çuan në mërgim edhe të tjerë. (2Mb 17:6) Por kësaj here mbreti i Asirisë i zëvendësoi izraelitët me banorë nga vise të tjera të perandorisë—një politikë shpërnguljeje që e vijuan Esar-Hadoni dhe Asenapari (Ashurbanipali).—2Mb 17:24; Ezd 4:2, 10.
Në vend nisën të shumoheshin luanët, mbase ngaqë toka, ose të paktën një pjesë e madhe e saj, ishte dergjur e shkretë për njëfarë kohe. (Krahaso Da 23:29.) Për shkak të bestytnive, banorët e rinj pandehën se kjo vinte ngaqë nuk dinin si ta adhuronin perëndinë e vendit. Kështu, mbreti i Asirisë ktheu nga mërgimi një prift izraelit të kultit të viçit. Ai u dha njohuri për Jehovain të shpërngulurve, por sipas mënyrës së Jeroboamit, kështu që, edhe pse mësuan diçka për Jehovain, në të vërtetë vazhduan të adhuronin perënditë e tyre të rreme.—2Mb 17:24-41.
3. Krahina romake që përshkoi hera-herës Jezui dhe ku apostujt çuan më pas mesazhin e krishterimit. Sot kufijtë nuk dihen me saktësi por, pak a shumë, ndodhej midis Galilesë në veri dhe Judesë në jug, dhe nga Jordani shtrihej drejt perëndimit deri në rrafshinat bregdetare të Mesdheut. Kjo krahinë përfshinte kryesisht territoret që dikur i përkitnin fisit të Efraimit dhe gjysmës së fisit të Manaseut (në perëndim të Jordanit).
Herë pas here, kur shkonte e vinte nga Jerusalemi, Jezui kalonte nëpër Samari, pasi ajo ndodhej mes krahinave të Judesë dhe të Galilesë. (Lu 17:11; Gjo 4:3-6) Por zakonisht nuk predikonte në atë territor, e madje u tha të 12-ve t’i anashkalonin qytetet samaritane dhe ‘të vazhdonin të shkonin te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit’, domethënë te judenjtë.—Mt 10:5, 6.
Megjithatë, ky kufizim ishte i përkohshëm, sepse para se të ngjitej në qiell, Jezui u tha dishepujve se duhej ta çonin lajmin e mirë jo vetëm në Samari, por deri në skajin më të largët të tokës. (Ve 1:8, 9) Prandaj, kur shpërtheu përndjekja në Jerusalem, dishepujt, e sidomos Filipi, zunë të shpallnin lajmin e mirë në Samari. Më vonë, atje u dërguan Pjetri e Gjoni, e kështu krishterimi u përhap më gjerësisht.—Ve 8:1-17, 25; 9:31; 15:3.
[Figura në botimin e shtypur]
Rrënoja romake në Samarinë e lashtë