Pyetje nga lexuesit
Përderisa Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të jenë të ndershëm dhe i besojnë njëri-tjetrit, përse ata mendojnë se është e rëndësishme të bëjnë një kontratë me shkrim, kur mes tyre ka marrëdhënie biznesi?
Bërja e një kontrate është biblike, praktike dhe një masë e dashur. Si kështu? Mirë, pra, le të shqyrtojmë këto aspekte të kontratave të biznesit.
Bibla paraqet një dokument të shkruar të marrëdhënieve të Perëndisë me popullin e tij të besëlidhjes, me izraelitët. Ajo përfshin edhe marrëdhëniet e biznesit mes adhuruesve të vërtetë. Kreu 23 i Zanafillës përmban një, të cilin mund ta shqyrtojmë. Kur Sara e tij e dashur vdiq, Abrahami dëshironte të siguronte një vend për varrin e saj. Ai filloi të bisedonte me kananitët që jetonin pranë Hebronit. Vargjet 7-9 tregojnë se ai ofroi një çmim të shprehur qartë për pjesën e tokës që donte. Vargu 10 dëshmon se kjo ofertë u bë publikisht, ndërsa të tjerët dëgjonin në portën e qytetit. Vargu 13 tregon se pronari u ofrua t’ia jepte tokën Abrahamit, por ai iu përgjigj se do ta merrte tokën vetëm si tokë të blerë. Kurse vargjet 17, 18 dhe 20 shpjegojnë se Abrahami e bleu tokën, gjë që u vërtetua «para syve të bijve të Hethit, mes gjithë atyre që hynin nëpër portën e qytetit të tij».—BR.
A duhej të ndodhte ndryshe, meqenëse të dy ata që kishin një marrëdhënie të tillë biznesi ishin adhurues të vërtetë? Kapitulli 32 i Jeremisë siguron përgjigjen. Duke filluar nga vargu 6, shohim se Jeremia donte të blinte tokë nga kushëriri i tij. Vargu 9 tregon se ishte vulosur një çmim i përshtatshëm për të. Tani lexo vargjet 10-12: «Pastaj, unë [Jeremia] shkrova një dokument shitblerjeje, vendosa vulën dhe mora dëshmitarë, ndërsa po peshoja paratë në peshore. Pas kësaj, mora aktin e blerjes, atë që ishte vendosur në përputhje me urdhërimin dhe rregullimet, si dhe atë që ishte lënë hapur; pastaj ia dhashë aktin e blerjes Barukut, birit të Neriahut, bir i Mahseiahut, para syve të Hanamelit, birit të xhaxhait tim dhe para syve të dëshmitarëve, të cilët kishin shkruar në aktin e blerjes, para syve të të gjithë judenjve që ishin ulur në oborrin e gardës.»—BR.
Po, megjithëse Jeremia po bënte një marrëveshje me një bashkadhurues, që ishte madje një i afërm i tij, ai kreu plotësisht disa procedura të arsyeshme ligjore. U bënë dy dokumente të shkruara, ku njëri u la hapur për ta pasur më të lehtë për t’u këshilluar, tjetri u vulos, për të siguruar një provë ku do të mbështeteshin në rast se do të kishte ndonjë dyshim rreth saktësisë së dokumentit të hapur. E gjithë kjo, u nënshkrua, siç thotë vargu 13 «para syve të tyre». Kështu, ajo ishte një marrëveshje biznesi publike, ligjore, e kryer me dëshmitarë. Është e qartë, pra, se ka precedentë biblikë që adhuruesit e vërtetë i trajtonin çështjet në një mënyrë të tillë të konfirmuar e të dokumentuar.
Veç kësaj, është praktike. E dimë se sa e vërtetë është thënia që «koha dhe ngjarja e paparashikuar u ndodh të gjithëve». (Eklisiastiu [Predikuesi] 9:11, BR) Këtu përfshihen edhe të krishterët e devotshëm e besimplotë. Jakovit 4:13, 14 e shpreh një gjë të tillë në këtë mënyrë: «Ejani, tani, ju që thoni: ‘Sot ose nesër do të udhëtojmë për në këtë qytet dhe do të rrimë atje një vit, do të merremi me tregti e do të nxjerrim fitime’, ndërsa nuk dini se çfarë do të jetë nesër jeta juaj.» Pra, mund të nisësh një projekt, të tillë si bërjen e një blerjeje, kryerjen e një aktmarrëveshjeje për një punë apo një shërbim, apo prodhimin e diçkaje për dikë tjetër. Por, ç’do të sjellë e nesërmja, muaji tjetër apo viti tjetër? Ç’ndodh nëse ne apo personi i palës tjetër pëson një aksident? Kjo mund të duket se e bën të pamundur mbajtjen e marrëveshjes. Po sikur ne të mos mund ta bëjmë punën ose ta kryejmë shërbimin apo personi tjetër e ka gati të pamundur t’u përmbahet pagesave ose të kryejë pjesën e tij të marrëveshjes? Nëse nuk ka marrëveshje të shkruar, mund të ngrihen probleme serioze, të cilat mund të ishin zgjidhur ose mund të ishin shmangur thjesht nga një kontratë e shkruar.
Për më tepër, nuk duhet të harrojmë që vetë natyra e pasigurt e shumë aspekteve të jetës, lë ndoshta të nënkuptohet se dikush tjetër duhet të marrë përsipër përgjegjësinë apo të zgjidhë çështjet tona të biznesit (apo të tijat). Në Jk 4 vargun 14, Jakovi shtoi: «Sepse ju jeni avull që shfaqet për pak dhe më pas zhduket.» (BR) Realisht, papritur ne mund të vdesim. Një marrëveshje e shkruar, një kontratë, praktikisht mund të lejojë që të tjerët të vazhdojnë në trajtimin e çështjeve edhe sikur t’i ndodhë diçka e papritur njërës palë apo palës tjetër.
Në njëfarë kuptimi, kjo të çon, gjithashtu, në aspektin e tretë: kontratat e shkruara janë një masë e dashur. Sigurisht, nëse njëra prej palëve vdes apo pëson një aksident që e bën të paaftë, do të ishte e dashur nga ana e një të krishteri që të kishte siguruar një dokument të shkruar mbi detyrimet e tij apo perspektivat financiare. Kështu, në vend që të tregojë mosbesim, ajo tregon dashuri për vëllain me të cilin po trajtojmë bërjen e një kontrate të shkruar, e cila do të tregojë me qartësi dhe saktësi se çfarë është i detyruar të bëjë apo çfarë duhet të marrë. Ky hap i dashur do të minimizojë çdo shkak për ndjenja zemërimi apo inati, kur njëra nga palët e papërsosura do të harronte disa hollësira apo përgjegjësi. E cili prej nesh nuk është i papërsosur, harraq ose i prirur për të keqkuptuar hollësirat apo qëllimet?—Mateu 16:5.
Ka edhe mënyra të tjera, nëpërmjet të cilave marrëveshjet e shkruara të biznesit pasqyrojnë dashurinë për vëllanë tonë, për familjen dhe për kongregacionin në përgjithësi. Por duhet të jetë e qartë që përveçse janë një masë e dashur, dokumente të tilla të shkruara me hollësira të mjaftueshme janë praktike dhe biblike.