BABILONIA
[ngatërrim].
1. Emri i mëvonshëm i Babelit. Ky qytet i famshëm ndodhej buzë lumit Eufrat, në rrafshinën e Shinarit, afro 870 km në lindje të Jerusalemit dhe rreth 80 km në jug të Bagdadit. Rrënojat e Babilonisë zënë një hapësirë të madhe në formë trekëndëshi plot me pirgje. Pirgu Tell-Babil (Mujelibe), në veri të trekëndëshit, ruan emrin e lashtë dhe gjendet rreth 10 km në veri të qytetit të Hilës, Irak.—Shih BABILONIA nr. 2; SHINARI.
Qyteti shtrihej në të dyja brigjet e lumit Eufrat. Me një sistem të dyfishtë muresh përqark, Babilonia dukej e pamposhtshme.
Ledhi i brendshëm prej qerpiçi përbëhej nga dy mure. Muri i brendshëm ishte 6,5 m i trashë. Muri i jashtëm ndodhej 7 m më tutje dhe kishte një trashësi rreth 3,5 m. Kullat mbrojtëse në mure shërbenin si kundërforca dhe përforconin strukturën e tyre. Afro 20 m matanë murit të jashtëm ngrihej një mol, i ndërtuar me tulla të pjekura të lidhura me bitum. Përtej murit, në veri e në jug të qytetit, ndodhej një hendek që lidhej me Eufratin. Ai furnizonte qytetin me ujë dhe shërbente si mbrojtje nga ushtritë armike. Sipas dokumenteve babilonase, në qytet mund të hyje nga tetë porta. Deri më sot janë gjetur dhe janë nxjerrë në dritë katër porta të Babilonisë.
Ledhin e jashtëm në lindje të Eufratit e shtoi Nabukodonosori II (që shkatërroi tempullin e Solomonit). Brenda tij përfshihej një sipërfaqe e madhe në veri, lindje dhe jug të rrafshinës, ku mund të gjenin strehë në rast lufte ata që banonin aty pranë. Edhe ledhi i jashtëm përbëhej nga dy mure. Muri i brendshëm, i ndërtuar me tulla të papjekura, ishte afro 7 m i trashë dhe kishte kulla mbrojtëse që shërbenin si kundërforca. Rreth 12 m më tej, ndodhej muri i jashtëm me tulla të pjekura, i përbërë nga dy pjesë të lidhura mes tyre me kulla: njëri mur ishte gati 8 m i trashë, ndërsa muri tjetër ishte rreth 3,5 m i trashë.
Nabonidi bashkoi skajet e ledhit të jashtëm, duke ndërtuar një mur përgjatë bregut lindor të lumit. Ai ishte rreth 8,5 m i gjerë dhe kishte kulla e një mol 3,5 m të gjerë.
Herodoti, historian grek i shekullit të pestë p.e.s., thotë se në gjithë gjatësinë e dy brigjeve të lumit Eufrat kishte një mol, i cili ndahej nga qyteti prej mureve me porta. Sipas tij, muret e qytetit ishin rreth 90 m të larta, 26,5 m të trasha dhe afro 95 km të gjata. Por, me sa duket, Herodoti i ka fryrë faktet rreth Babilonisë. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se Babilonia ishte shumë më e vogël dhe ledhi i jashtëm ishte shumë më i shkurtër e më i ulët. Nuk është zbuluar asnjë provë që të tregojë se ekzistonte një mol përgjatë bregut perëndimor të lumit.
Rrugët nisnin nga portat në muret masive dhe përshkonin qytetin. Rruga e Procesionit, bulevardi kryesor, ishte e shtruar dhe muret anash saj ishin të zbukuruara me luanë. (FIGURA, vëll. 2, f. 323 në botimin anglisht) Nabukodonosori II meremetoi dhe zgjeroi pallatin e vjetër, si edhe ndërtoi një pallat veror rreth 2 km në veri. Gjithashtu ngriti një strukturë madhështore tarraca-tarraca, me harqe në formë kubeje, e njohur si Kopshtet e Varura të Babilonisë dhe e famshme si një «mrekulli e botës së lashtë».
Ky metropol i paanë, që përshkohej nga ujërat e Eufratit, ishte një qendër botërore tregtare dhe industriale. Më tepër se qendër prodhimi, Babilonia ishte një depo tregtie për shkëmbimin e mallrave mes popujve të Lindjes e të Perëndimit, si në rrugë tokësore, edhe në rrugë detare. Kështu, flota e saj përshkonte Gjirin Persik dhe detet e largëta.
Historia. Babiloninë, kryeqytetin e perandorisë së parë politike të krijuar nga njeriu, e themeloi Nimrodi, që jetoi në pjesën e fundit të mijëvjeçarit të tretë p.e.s. Por ndërtimi i qytetit u ndërpre papandehur, kur u ngatërrua gjuha në të cilën komunikonin ndërtuesit. (Zn 11:9) Breza të tjerë ndërtuesish erdhën e shkuan. Hamurabi e zgjeroi qytetin, e fortifikoi dhe e bëri kryeqytet të Perandorisë Babilonase nën sundimin semitik.
Në kohën kur Asiria ishte fuqi botërore, Babilonia u përfshi në disa përleshje e kryengritje. Pastaj, kur perandoria e dytë botërore ra, kaldeasi Nabopolasar themeloi një dinasti të re në Babiloni, rreth vitit 645 p.e.s. I biri, Nabukodonosori II, që përfundoi restaurimin e qytetit dhe e çoi në kulmin e lavdisë së tij, u mburr: «A s’është kjo Babilonia e Madhe, që unë vetë e kam ndërtuar?!» (Dn 4:30) Lavdia e saj si kryeqytet i fuqisë së tretë botërore vazhdoi deri natën e 5 tetorit të vitit 539 p.e.s. (sipas kalendarit gregorian), kur Babilonia ra para sulmit të ushtrive medo-perse nën komandën e Kirit të Madh.
Atë natë fatale, Belshazari shtroi një gosti në qytetin e Babilonisë për një mijë nga fisnikët e tij. Nabonidi nuk ishte i pranishëm që të shihte shkrimin ogurzi në suvanë e murit: «MÉNE, MÉNE, TÉKEL dhe PÁRSIN.» (Dn 5:5-28) Pas disfatës me persët, Nabonidi ishte strehuar në qytetin e Borsipës, në jugperëndim. Por natën e 5 tetorit të vitit 539 p.e.s., në Babiloni ndodhej Danieli, profeti i Jehovait. Ai shpjegoi kuptimin e asaj që ishte shkruar në mur. Në kampin e ngritur rreth mureve të Babilonisë, që dukeshin të pamposhtshme, burrat e ushtrisë së Kirit nuk kishin rënë në gjumë. Atë natë atyre s’u zinin këmbët dhé. Me një strategji brilante, inxhinierët e ushtrisë së Kirit devijuan rrjedhën e lumit të fuqishëm Eufrat që kalonte nëpër qytetin e Babilonisë. Pas kësaj, persët çanë nëpër shtratin e lumit dhe u ngjitën në breg, që ta zinin qytetin në befasi, duke hyrë nga portat përgjatë molit. Pasi kaluan vetëtimthi rrugët, duke vrarë të gjithë ata që bënin rezistencë, pushtuan pallatin dhe ekzekutuan Belshazarin. Gjithçka mori fund. Brenda një nate të vetme, Babilonia ra, e kështu përfunduan shekuj të tërë të epërsisë semitike; Babilonia u vu nën sundimin arian dhe fjala profetike e Jehovait u plotësua.—Is 44:27; 45:1, 2; Jr 50:38; 51:30-32; shih FIGURËN, vëll. 2, f. 325 në botimin anglisht; KIRI nr. 1.
Që nga ajo datë historike, viti 539 p.e.s., lavdia e Babilonisë nisi të venitej. Ajo ngriti krye dy herë kundër perandorit pers Dari I (Histaspisi) dhe, pas kryengritjes së dytë, strukturat mbrojtëse të Babilonisë u dobësuan fare. Qyteti pjesërisht i restauruar u rebelua edhe kundër Kserksit I dhe u plaçkit. Aleksandri i Madh kishte ndër mend ta bënte Babiloninë kryeqytetin e vet, por vdiq befas në vitin 323 p.e.s. Gjenerali Nikator e pushtoi qytetin në vitin 312 p.e.s. dhe shumë nga materialet e tij i transportoi në brigjet e lumit Tigër, për të ndërtuar kryeqytetin e ri, Seleukinë. Megjithatë, në kohën e të krishterëve të hershëm, Babilonia ekzistonte ende dhe kishte në gjirin e saj një koloni judenjsh. Për këtë arsye shkoi në Babiloni apostulli Pjetër, siç tregohet në letrën e tij. (1Pj 5:13) Sipas mbishkrimeve të gjetura atje, tempulli i Belit në Babiloni ekzistonte edhe në vitin 75 të e.s. Në shekullin e katërt të e.s., qyteti ishte gërmadhë dhe, me kalimin e kohës, u zhduk nga faqja e dheut. Ai ishte katandisur në «pirgje gurësh».—Jr 51:37.
Sot nga Babilonia kanë ngelur veç pirgje dheu e gërmadha, një shkreti e vërtetë. (FIGURA, vëll. 2, f. 324 në botimin anglisht) Në një libër thuhet: «Këto rrënoja të paana—nga të cilat është nxjerrë në dritë vetëm një pjesë e vogël, me gjithë punën e Kolduejit—i kanë grabitur në masë gjatë shekujve të shkuar, për të marrë materiale ndërtimi. Pjesërisht për këtë arsye, sot në pjesën dërrmuese të atij vendi ka aq rrëmujë e kaos, saqë të vijnë qartë ndër mend profecitë e Is xiii. 19–22 dhe Jr l. 39 e më tej. Vendi duket edhe më i shkretë për shkak të thatësirës që karakterizon një pjesë të madhe të zonës së gërmadhave.»—Archaeology and Old Testament Study, nga D. U. Tomasi, Oksford, 1967, f. 41.
Feja. Babilonia ishte një vend mjaft fetar. Dëshmitë e gërmimeve dhe dokumentet e lashta flasin për ekzistencën e më shumë se 50 tempujve. Perëndia kryesor i qytetit perandorak ishte Marduku, i quajtur Merodak në Bibël. Mendohet se Nimrodi ishte hyjnizuar si Marduku, por studiuesit kanë mendime nga më të ndryshmet se cilat perëndi lidhen me njerëz të caktuar. Edhe triadat ishin karakteristikë e fesë babilonase. Njëra prej tyre, që përbëhej nga dy perëndi dhe një perëndeshë, ishte Sini (perëndia-hënë), Shamashi (perëndia-diell) dhe Ishtari; këta konsideroheshin sundimtarët e zodiakut. Një triadë tjetër përbëhej nga djajtë Labartu, Labasu dhe Akhazu. Idhujtarinë ta zinte syri gjithkund. Babilonia ishte vërtet «një vend me shëmbëlltyra të gdhendura», me ‘idhuj të pështirë’.—Jr 50:1, 2, 38.
Babilonasit besonin se shpirti i njeriut ishte i pavdekshëm.—The Religion of Babylonia and Assyria, nga M. Xhestrou i Riu, 1898, f. 556.
Në përpjekje për të zbuluar të ardhmen e njeriut tek yjet, babilonasit zhvilluan astrologjinë. (Shih ASTROLOGË.) Magjia, shtrigëria dhe astrologjia luanin rol të rëndësishëm në fenë e tyre. (Is 47:12, 13; Dn 2:27; 4:7) Shumë trupave qiellorë, si për shembull disa planetëve, iu vu emri i perëndive babilonase. Falli ishte ende pjesë thelbësore e fesë babilonase në kohën e Nabukodonosorit, i cili hidhte fall para se të merrte vendime.—Ezk 21:20-22.
Armikja shekullore e Izraelit. Bibla e përmend shpesh Babiloninë, duke nisur që nga tregimi i Zanafillës për fillesën e Babilonisë, qytetin e Babelit. (Zn 10:10; 11:1-9) Mes plaçkës që mori Akani nga Jerikoja ishte ‘një veshje zyrtare nga Shinari’. (Js 7:21) Pas rënies së mbretërisë veriore të Izraelit në vitin 740 p.e.s., u sollën njerëz nga Babilonia dhe nga vise të tjera, që t’u zinin vendin robërve izraelitë. (2Mb 17:24, 30) Hezekia bëri gabim kur u tregoi thesaret e shtëpisë së vet të dërguarve të Babilonisë; më vonë, pikërisht ato thesare, si edhe disa nga «bijtë» e Hezekisë u çuan në Babiloni. (2Mb 20:12-18; 24:12; 25:6, 7) Edhe mbretin Manase (716-662 p.e.s.) e çuan rob në Babiloni, por, meqë u përul para Jehovait, ai e ktheu në fron. (2Kr 33:11) Mbreti Nabukodonosor çoi në Babiloni pajisjet e çmuara të shtëpisë së Jehovait, bashkë me mijëra robër.—2Mb 24:1–25:30; 2Kr 36:6-20.
Shkrimet e Krishtere Greke tregojnë se Jekonia (Jehojakini), i cili ishte rob në Babiloni, bënte pjesë në gjenealogjinë e Jezuit. (Mt 1:11, 12, 17) Letra e parë kanonike e apostullit Pjetër u shkrua në Babiloni. (1Pj 5:13; shih LETRAT E PJETRIT.) Ajo «Babiloni» ishte qyteti buzë Eufratit dhe jo Roma, siç thonë disa.
Shih BABILONIA E MADHE.
2. Emri i kryeqytetit, Babiloni, përdorej edhe për mbarë Perandorinë Babilonase, e cila kishte qendrën në pjesën e poshtme të luginës së Mesopotamisë.—HARTA, vëll. 2, f. 321 në botimin anglisht.
Nganjëherë historianët e ndajnë krahinën e Babilonisë në pjesën veriore, që e quajnë Akad, dhe në pjesën jugore, që e quajnë Sumer ose Kalde. Fillimisht në Shkrime ky territor quhej ‘vendi i Shinarit’. (Zn 10:10; 11:2; shih SHINARI.) Më vonë, kur sundimtarët e bënë Babiloninë kryeqytet, kjo zonë mori të njëjtin emër. Meqë hera-herës e merrnin pushtetin dinastitë kaldease, quhej edhe ‘vendi i kaldeasve’. (Jr 24:5; 25:12; Ezk 12:13) Ndër qytetet e lashta të krahinës së Babilonisë ishin Adabi, Akadi, Babilonia, Borsipa, Ereku, Kishi, Lagashi, Nipuri dhe Uri. Sigurisht, Perandoria Babilonase shtrihej përtej krahinës së Babilonisë dhe përfshinte Sirinë e Palestinën deri në kufirin me Egjiptin.
Rreth gjysmës së parë të shekullit të tetë p.e.s., në Babiloni sundonte Tiglath-Pileseri III (Puli), një mbret asirian. (2Mb 15:29; 16:7; 1Kr 5:26) Më pas u bë mbret i Babilonisë kaldeasi Merodak-Baladan, por pas 12 vjetësh e rrëzoi nga froni Sargoni II. Senakeribi, që pasoi Sargonin II, u përball me një revoltë tjetër babilonase, të kryesuar nga Merodak-Baladani. Pasi dështoi orvatja e Senakeribit për të pushtuar Jerusalemin në vitin 732 p.e.s, Merodak-Baladani dërgoi një delegacion te Hezekia i Judës, ndoshta për të kërkuar mbështetje në kryengritjen kundër Asirisë. (Is 39:1, 2; 2Mb 20:12-18) Më vonë, Senakeribi e dëboi Merodak-Baladanin dhe u vetëshpall mbret i Babilonisë, pozitë që e mbajti deri kur vdiq. I biri, Esar-Hadoni, rindërtoi Babiloninë. Babilonasit u mblodhën rreth Nabopolasarit dhe e bënë mbret. Me të zuri fill dinastia neobabilonase, që vazhdoi deri në kohën e Belshazarit. Ajo dinasti, që nga biri i Nabopolasarit, Nabukodonosori, deri te Belshazari, paraqitet në profecinë biblike nga koka e artë e shëmbëlltyrës që pa në ëndërr Nabukodonosori (Dn 2:37-45); dhe në vegimin që pa në ëndërr Danieli paraqitet nga një luan me krahë shqiponje dhe zemër njeriu.—Dn 7:4.
Në vitin 632 p.e.s., kjo dinasti e re kaldease mundi Asirinë me përkrahjen e aleatëve medë dhe skithas. Në vitin 625 p.e.s., djali i madh i Nabopolasarit, Nabukodonosori (II), mundi faraonin Neko të Egjiptit në betejën e Karkemishit dhe, po atë vit, mori në dorë frerët e qeverisë. (Jr 46:1, 2) Në epokën e Nabukodonosorit, Babilonia ishte «një kupë e artë» në duart e Jehovait, që të zbrazte zemërimin kundër Jerusalemit dhe Judës jobesnike. (Jr 25:15, 17, 18; 51:7) Në vitin 620 p.e.s., Nabukodonosori e detyroi Jehojakimin të paguante haraç, por rreth tre vjet më pas ai ngriti krye. Në vitin 618 p.e.s., pra vitin e tretë të Jehojakimit si mbret haraçpagues, Nabukodonosori doli kundër Jerusalemit. (2Mb 24:1; 2Kr 36:6) Mirëpo Jehojakimi vdiq para se ta kapnin babilonasit. Jehojakini, që pasoi të atin, u dorëzua shpejt dhe në vitin 617 p.e.s. e çuan rob në Babiloni, bashkë me fisnikë të tjerë. (2Mb 24:12) Pas kësaj, në fronin e Judës u vu Zedekia, por edhe ai u rebelua; kështu, në vitin 609 p.e.s., babilonasit e rrethuan sërish Jerusalemin dhe në vitin 607 p.e.s arritën të hapnin një të çarë në muret e qytetit. (2Mb 25:1-10; Jr 52:3-12) Viti 607 p.e.s., kur Jerusalemi u shkretua, ishte një vit i rëndësishëm për të llogaritur kohën kur Jehovai, Sovrani i universit, do t’i jepte pushtetin mbretëror atij që kishte zgjedhur vetë si Mbret të mbarë botës.—Shih KOHËT E CAKTUARA TË KOMBEVE (Fillimi i ‘shkeljes’).
Është zbuluar një pllakë me shkrim kuneiform, në të cilën përmendet një fushatë kundër Egjiptit në vitin e 37-të të mbretërimit të Nabukodonosorit (588 p.e.s.). Ky mund të ishte rasti kur babilonasit bënë zap Egjiptin e fuqishëm, siç paratha me sa duket në vitin 591 p.e.s. profeti Ezekiel. (Ezk 29:17-19) Pas një mbretërimi 43-vjeçar, që përfshinte pushtimin e shumë kombeve, si edhe një program madhështor ndërtimi në Babiloni, në tetor të vitit 582 p.e.s. Nabukodonosori II vdiq dhe pasuesi i tij ishte Avil-Marduku (Evil-Merodaku). Ky sundimtar i ri u tregua i mirë me mbretin Jehojakin, që ishte i burgosur. (2Mb 25:27-30) Për mbretërimin e Neriglisarit, që me sa duket pasoi Evil-Merodakun, dhe për mbretërimin e Labashi-Mardukut dihet fare pak.
Informacionet historike janë më të plota për Nabonidin dhe për birin e tij Belshazarin, që siç duket ishin bashkëregjentë në kohën kur ra Babilonia.
Në atë kohë medët dhe persët, nën komandën e Kirit të Madh, po marshonin që të merrnin Babiloninë dhe të bëheshin fuqia e katërt botërore. Natën e 5 tetorit të vitit 539 p.e.s. (sipas kalendarit gregorian), Babilonia u pushtua dhe Belshazari u vra. Pas pushtimit të Babilonisë, vitin e parë të mbretërimit Kiri nxori dekretin e famshëm që lejonte të kthehej në Jerusalem një grup prej 42.360 burrash, përveç shumë skllevërve e këngëtarëve. Në vitin 331 p.e.s., rreth 200 vjet më pas, Aleksandri i Madh pushtoi Babiloninë dhe sundimi i persëve atje mori fund. Në mesin e shekullit të dytë p.e.s., Babilonia ishte në dorë të partëve, nën sundimin e mbretit të tyre Mitridatit I.
Meqë në atë vend lulëzonin kolonitë hebraike, Pjetri, apostulli i hebrenjve, shkoi në Babiloni dhe prej andej shkroi të paktën njërën nga letrat e tij të frymëzuara. (Ga 2:7-9; 1Pj 5:13) Krerët hebrenj të atyre kolonive të Lindjes përpiluan, veç të tjerash, Targumin babilonas, të quajtur edhe Targumi i Onkelosit, dhe bënë një sërë dorëshkrimesh të Shkrimeve Hebraike. Vlen të përmendet Kodiku i Pjetërburgut i Profetëve të Mëvonshëm, i vitit 916 të e.s., pasi është një bashkim i versionit lindor (babilonas) dhe i versionit perëndimor (tiberiadas).
[Harta]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin e shtypur)
Qyteti i Babilonisë së lashtë
Qyteti i Ri
Kanal
Pallati Veror
Porta e Ishtarit
Kopshtet e Varura
Pallati i Qytetit
Zigurat
Porta e Lumit
Muri i Lumit
Lumi Eufrat
Muri i brendshëm i qytetit
Kanal
Muri i jashtëm i Nabukodonosorit
Kanal