BETH-HAKEREMI
[shtëpi e vreshtit].
Vend pranë Jerusalemit, i përmendur nga Jeremia si vend i përshtatshëm për të ngritur një sinjal me zjarr që të paralajmërohej afrimi i forcave armike nga veriu. (Jr 6:1) Pas mërgimit, ky ishte emri i një krahine të Judës, «princ» i së cilës ishte Malkijahu. (Ne 3:14) Meqë te Jeremia 6:1 Beth-Hakeremi përmendet bashkë me Tekoan, disa mendojnë se Beth-Hakeremi gjendej në jug të Jerusalemit, mes tij dhe Tekoas. Sipas Jeronimit, që jetoi në shekullin e 4-t të e.s., Beth-Hakeremi ndodhej në këtë vend dhe quhej Betakarma. Në përputhje me këto pikëpamje, është hedhur ideja se vendndodhja është Kirbet-Salihu (Ramat-Raheli), 4,5 km në jug-jugperëndim të Malit të Tempullit. Gjithsesi, të tjerë mendojnë se përmendja e Tekoas nuk tregon domosdoshmërisht se Beth-Hakeremi ndodhej afër saj, ndaj e lidhin me ʽAin-Karimin (ʽEn-Keremin) (që do të thotë «burim i vreshtit»), 7,5 km në perëndim-jugperëndim të Malit të Tempullit. Kjo është një zonë pjellore me ullishte e vreshta dhe shtrihet rrëzë Jebel-ʽAliut, nga i cili mund të shihet Mali i Ullinjve, një pjesë e Jerusalemit dhe, në perëndim, deti Mesdhe. Sipas disave, pirgjet e mëdha të gurëve të gjetura në majë të tij mund të jenë përdorur për të ndezur sinjale zjarri, si ato që përmendi Jeremia.—Shih BETH-HARI.