Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i Vajtimeve
PROFETI Jeremia sheh përmbushjen e mesazhit të gjykimit që ka shpallur për 40 vjet me radhë. Si ndihet ai kur sheh me sytë e vet shkatërrimin e qytetit që e do shumë? «Jeremia u ul, qau e vajtoi me këtë vajtim mbi Jerusalemin»,—thotë Septuaginta greke në hyrjen e librit të Vajtimeve. Ky libër, i shkruar në vitin 607 p.e.s., ndërkohë që profeti i ka ende të freskëta në mendje kujtimet e rrethimit 18-mujor të pasuar nga djegia e Jerusalemit, shpreh me gjuhë të gjallë brengën që ndien në zemër Jeremia. (Jeremia 52:3-5, 12-14) Për asnjë qytet tjetër në histori nuk është vajtuar me shprehje kaq prekëse e tragjike.
Libri i Vajtimeve është një përmbledhje e pesë poemave lirike. Katër të parat janë vaje ose këngë të përvajshme; e pesta është një kërkesë ose lutje. Katër këngët e para janë akrostike, domethënë secili varg fillon me një shkronjë të ndryshme, sipas rendit të alfabetit hebre me 22 shkronja. Ndonëse kënga e pestë ka 22 vargje që përkojnë me shkronjat e alfabetit hebre, kjo këngë nuk është renditur sipas rendit alfabetik.—Vajtimet 5:1.
«SYTË M’U TRETËN NGA LOTËT»
«Oh, ç’është ulur i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me njerëz! Si vejushë është bërë ai që ndër kombet kishte popullsi të dendur! Ai që mes provincave ishte si një princeshë, është katandisur të bëjë punë të detyruar!» Kështu fillojnë vajtimet e profetit Jeremia për Jerusalemin. Duke treguar arsyen e kësaj gjëme, profeti thotë: «Këtë pikëllim ia ka sjellë vetë Jehovai, nga moria e shkeljeve të tij.»—Vajtimet 1:1, 5.
I personifikuar si një vejushë që ka mbetur pa burrë e pa fëmijë, Jerusalemi pyet: «A ka ndonjë dhembje si dhembja e rëndë që më ka goditur?» Lidhur me armiqtë e tij, ai i lutet Perëndisë: «E keqja e tyre ardhtë para teje, dhe ti sillu rreptë me ta, ashtu siç u solle rreptë me mua, për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra më është ligështuar.»—Vajtimet 1:12, 22.
I pikëlluar thellë, Jeremia thotë: «Në zjarrin e zemërimit [Jehovai] ka rrëzuar çdo bri të Izraelit. Ai e ka tërhequr të djathtën e tij kur gjendeshin para armikut, dhe po e djeg Jakobin si një zjarr flakërues që përpin gjithçka përreth.» Duke përshkruar trishtimin e tij të thellë, profeti vajton: «Sytë m’u tretën nga lotët, zorrët po më dridhen dhe mëlçia më është derdhur përtokë.» Edhe kalimtarët kanë shprehur habi e kanë thënë: «Ky qenka qyteti për të cilin thuhej: ‘Ai është përsosmëria e bukurisë, ngazëllimi i tokës mbarë.’»—Vajtimet 2:3, 11, 15.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:15—Në ç’mënyrë Jehovai kishte «shtypur në shtypësen e rrushit që i përkiste bijës së virgjër të Judës»? Kur shkatërruan qytetin, që përshkruhet si një virgjëreshë, babilonasit derdhën aq shumë gjak, sa mund të krahasohej me shtypjen e rrushit në shtypëse. Jehovai e paratha këtë dhe e lejoi të ndodhte, prandaj mund të thuhet se ai kishte «shtypur në shtypësen e rrushit».
2:1—Si ‘u hodh nga qielli në tokë bukuria e Izraelit’? Meqë «qiejt qëndrojnë më lart se toka», nganjëherë poshtërimi i gjërave të lartësuara paraqitet me ‘hedhjen nga qielli në tokë’. ‘Bukuria e Izraelit’, domethënë lavdia dhe pushteti i tij kur kishte bekimin e Jehovait, u hodh poshtë me shkatërrimin e Jerusalemit dhe me shkretimin e Judës.—Isaia 55:9.
2:1, 6—Çfarë është ‘stoli i këmbëve’ të Jehovait dhe ‘kasollja’ e tij? Psalmisti këndoi: «Le të shkojmë te tabernakulli i tij i madh! Le të përkulemi te stoli i tij i këmbëve!» (Psalmi 132:7) Kështu, te Vajtimet 2:1 ‘stoli i këmbëve’ bën fjalë për shtëpinë e adhurimit të Jehovait ose ndryshe tempullin e tij. Babilonasit ‘e dogjën shtëpinë e Jehovait’ si të ishte një kasolle ose një kolibe në një kopsht.—Jeremia 52:12, 13.
2:16, 17—A nuk duhet të fillojë vargu i 16-të me shkronjën hebraike ajën dhe vargu i 17-të me shkronjën pe, sipas alfabetit hebraik? Kur shkruanin poema në këtë stil, zakonisht shkrimtarët e frymëzuar ndiqnin rendin alfabetik. Por, nuk e bënin një gjë të tillë kur kjo do të dukej artificiale ose e panatyrshme. Domethënia konsiderohej më e rëndësishme se ndjekja e një metode letrare që shërbente thjesht sa për të ndihmuar kujtesën. Përdorimi i ndërsjellë i këtyre dy shkronjave gjendet edhe në këngët 3 dhe 4 të Vajtimeve.—Vajtimet 3:46, 49; 4:16, 17.
2:17—Çfarë ishte «ajo që tha» Jehovai e që e përmbushi në lidhje me Jerusalemin? Me sa duket, këtu po i referohet Levitikut 26:17, ku thuhet: «Do të kthehem kundër jush, dhe ju do të mundeni para armiqve tuaj. Ata që ju urrejnë, do t’ju shtypin, dhe do t’ia mbathni pa ju ndjekur kush.»
Mësime për ne:
1:1-9. Jerusalemi qan me dënesë natën dhe lotët i rrjedhin faqeve. Portat e tij kanë mbetur të shkreta dhe priftërinjtë e tij psherëtijnë. Virgjëreshat e tij i ka pushtuar pikëllimi dhe ai vetë është i hidhëruar. Përse? Sepse Jerusalemi ka mëkatuar me pafytyrësi. Në cepat e rrobave të tij ka ndyrësi. Shkelja e ligjit nuk sjell si fryt gëzimin, por lot, psherëtima, pikëllim e hidhërim.
1:18. Kur ndëshkon shkelësit, Jehovai është gjithnjë i drejtë.
2:20. Izraelitët ishin paralajmëruar se po të mos e dëgjonin zërin e Jehovait, do t’i zinin mallkimet, ndër të cilat ishte edhe ngrënia e ‘mishit të bijve e të bijave’. (Ligji i përtërirë 28:15, 45, 53) Sa e pamend të zgjedhësh rrugën e mosbindjes ndaj Perëndisë!
«MOS I MBYLL VESHËT KUR TË KËRKOJ LEHTËSIM»
Në kapitullin e tretë të Vajtimeve, kombi i Izraelit përshkruhet si një burrë. Pavarësisht se kalon vështirësi, ky burrë këndon: «I mirë është Jehovai me atë që shpreson tek ai, me shpirtin që e kërkon vazhdimisht.» Në një lutje drejtuar Perëndisë së vërtetë, ai kërkon: «Dëgjoma zërin! Mos i mbyll veshët kur të kërkoj lehtësim dhe kur të thërras për ndihmë.» Duke i kërkuar Jehovait t’i kushtojë vëmendje poshtërimit nga armiqtë, ai thotë: «Ti do t’ua kthesh, o Jehova, siç e meritojnë veprat e duarve të tyre.»—Vajtimet 3:1, 25, 56, 64.
Jeremia zbraz ndjenjat e tij për pasojat e tmerrshme të rrethimit 18-mujor të Jerusalemit dhe vajton: «Ndëshkimi për fajin e bijës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi për mëkatin e Sodomës, që u përmbys në një çast dhe që askush s’i zgjati dorën për ta ndihmuar.» Jeremia vazhdon: «Më mirë janë ata që i vret shpata sesa ata që i vret zia e bukës, sepse këta rraskapiten, si të shpuar tejpërtej nga mungesa e frytit të fushës.»—Vajtimet 4:6, 9.
Në poemën e pestë paraqiten sikur flasin banorët e Jerusalemit. Ata thonë: «Kujto, o Jehova, ç’na ka ndodhur. Shiko dhe vëreje poshtërimin tonë.» Pasi tregojnë mundimet e tyre, ata luten: «Ti, o Jehova, do të qëndrosh përjetë. Froni yt do të jetë brez pas brezi. Na kthe pranë teje, o Jehova, dhe ne do të kthehemi me gatishmëri. Sillna ditë të reja si kohë më parë.»—Vajtimet 5:1, 19, 21.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
3:16—Çfarë tregon shprehja: «Me zhavorr m’i theu dhëmbët.» Një vepër referimi thotë: «Rrugës për në mërgim, judenjtë u detyruan ta piqnin bukën nëpër gropa të hapura në tokë, kështu që buka e tyre përzihej me zhavorr.» Kur hanin këtë bukë, mund të thyenin ndonjë copë dhëmbi.
4:3, 10—Pse Jeremia e krahason ‘bijën e popullit të tij’ me «strucët në shkretëtirë»? Te Jobi 39:16 thuhet se femra e strucit «është e ashpër me zogjtë e vet, si të mos ishin të sajët». Për shembull, pasi çelin vezët, femra e strucit ikën me femrat e tjera, kurse mashkulli merr përsipër përgjegjësinë që të kujdeset për zogjtë e vegjël. Po kur ndeshin rrezik, ç’ndodh me këta shpendë? Si mashkulli, dhe femra e strucit ikin nga foleja, duke i braktisur zogjtë e vegjël. Gjatë rrethimit babilonas, zia e bukës në Jerusalem u bë kaq e rëndë, saqë nënat që normalisht do të ishin të dhembshura, u bënë mizore me fëmijët e tyre, ashtu si struci në shkretëtirë. Kjo ishte në kontrast të plotë me kujdesin prindëror që tregojnë çakejtë.
5:7—A i konsideron përgjegjës Jehovai njerëzit për gabimet e paraardhësve të tyre? Jo, Jehovai nuk i dënon drejtpërdrejt njerëzit për mëkatet e paraardhësve të tyre. «Secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten»,—thotë Bibla. (Romakëve 14:12) Por, pasojat e mëkateve mund të zgjatin e mund t’i përjetojnë edhe brezat e mëvonshëm. Për shembull, fakti që Izraeli i lashtë iu kthye idhujtarisë ua bëri të vështirë edhe izraelitëve besnikë më vonë që të ndiqnin rrugën e drejtë.—Dalja 20:5.
Mësime për ne:
3:8, 43, 44. Gjatë gjëmës që i ra Jerusalemit, Jehovai nuk donte t’i dëgjonte thirrjet për ndihmë të banorëve të qytetit. Përse jo? Sepse ata nuk ishin treguar të bindur dhe vazhdonin të ishin të papenduar. Nëse duam që Jehovai t’u përgjigjet lutjeve tona, duhet t’i bindemi atij.—Proverbat 28:9.
3:20. Jehovai, «Më i Larti në tërë dheun», është kaq i lartë sa përkulet «për të parë në qiell dhe në tokë». (Psalmi 83:18; 113:6) E megjithatë, Jeremia ishte i vetëdijshëm se i Plotfuqishmi ishte i gatshëm të përkulej mbi njerëzit, domethënë të zbriste në nivelin e tyre, për t’u dhënë zemër. Sa të lumtur duhet të jemi që Perëndia i vërtetë nuk është vetëm i gjithëpushtetshëm dhe i mençur në kuptimin absolut, por edhe i përulur!
3:21-26, 28-33. Si të qëndrojmë edhe nën vuajtje të mëdha? Jeremia na tregon se si. Nuk duhet të harrojmë se veprat e dashamirësisë së Jehovait janë të shumta dhe mëshira e tij është e madhe. Gjithashtu, duhet të mbajmë në mend se edhe fakti që jemi gjallë mjafton për të mos i humbur shpresat dhe se duhet të jemi të duruar e të presim në heshtje, pa u ankuar, për shpëtimin nga Jehovai. Për më tepër, duhet ‘ta vëmë gojën në pluhur’, domethënë t’u nënshtrohemi me përulësi sprovave, duke e kuptuar se atë që Perëndia e lejon të ndodhë, e lejon për arsye të vlefshme.
3:27. Të hasësh sprova besimi gjatë rinisë mund të nënkuptojë të durosh vështirësi e tallje. Por ‘është gjë e mirë për njeriun të mbajë zgjedhën gjatë rinisë së tij’. Përse? Sepse kur një njeri mëson të mbajë zgjedhën e vuajtjeve në rini, përgatitet për të përballuar sfidat që do t’i dalin më vonë në jetë.
3:39-42. Nuk është e mençur ‘të rrimë duke u ankuar’ ndërsa vuajmë si pasojë e mëkateve tona. Në vend që të ankohemi sepse po korrim pasojat e keqbërjes, «le t’i shqyrtojmë e t’i hetojmë udhët tona, dhe të kthehemi te Jehovai». Me mençuri duhet të pendohemi e të ndreqim udhët tona.
Bëjeni Jehovain sigurinë tuaj
Libri biblik i Vajtimeve zbulon si e shihte Jehovai Jerusalemin dhe vendin e Judës pasi babilonasit e dogjën qytetin dhe e lanë të shkretë vendin. Shprehjet e pranimit të mëkatit që i gjejmë aty, bëjnë të qartë se, sipas pikëpamjes së Jehovait, gjëma i erdhi popullit për shkak të mëkatit që praktikonte. Këngët e frymëzuara të këtij libri përmbajnë edhe fjalë që shprehin shpresën te Jehovai dhe dëshirën për t’u rikthyer në rrugën e drejtë. Edhe pse këto nuk ishin ndjenjat e shumicës së njerëzve në ditët e Jeremisë, paraqitnin ndjenjat e Jeremisë e të mbetjes së penduar.
Vlerësimi që i bën Jehovai gjendjes së Jerusalemit në librin e Vajtimeve, na tregon dy mësime jetësore. Së pari, shkatërrimi i Jerusalemit dhe shkretimi i Judës na nxitin t’i bindemi Jehovait dhe shërbejnë si paralajmërim që të mos e shpërfillim vullnetin e Tij. (1 Korintasve 10:11) Mësimi i dytë vjen nga shembulli i Jeremisë. (Romakëve 15:4) Edhe në një situatë në dukje të pashpresë, profeti i hidhëruar thellë iu drejtua Jehovait për shpëtim. Sa thelbësore është që t’i besojmë plotësisht Jehovait dhe Fjalës së tij e ta bëjmë Atë sigurinë tonë!—Hebrenjve 4:12.
[Figura në faqen 9]
Profeti Jeremia pa përmbushjen e mesazhit të gjykimit që kishte shpallur
[Figura në faqen 10]
Besimi i këtyre Dëshmitarëve koreanë u vu në provë për qëndrimin e tyre në çështjen e asnjanësisë së krishterë