Lajmëtarët e paqes hyjnore shpallen të lumtur
«Pikërisht të shpenguarit nga Jehovai do të kthehen dhe me siguri do të vijnë në Sion me një britmë gëzimi; dhe mbi kokat e tyre do të ketë gëzim në kohë të pacaktuar.»—ISAIA 35:10, BR.
1. Për çfarë ka nevojë bota në mënyrë të dëshpëruar?
SOT, si kurrë më parë, njerëzimi ka nevojë për një lajmëtar të lajmit të mirë. Ekziston një nevojë urgjente që dikush të thotë të vërtetën rreth Perëndisë dhe qëllimeve të tij, që një dëshmitar sypatrembur të paralajmërojë të ligjtë për ardhjen e shkatërrimit dhe të ndihmojë njerëzit me zemër të drejtë për të gjetur paqen hyjnore.
2, 3. Si e përmbushi Jehovai premtimin e tij të shkruar në Amosin 3:7, në rastin e Izraelit?
2 Në ditët e Izraelit, Jehovai premtoi se do të siguronte lajmëtarë të këtij lloji. Në fund të shekullit të nëntë p.e.s., profeti Amos tha: «Zotëria Sovran Jehova nuk do të bëjë asgjë pa ua zbuluar çështjen e vet konfidenciale shërbëtorëve të tij, profetëve.» (Amosi 3:7, BR) Në shekujt që pasuan këtë shpallje, Jehovai kreu shumë vepra të fuqishme. Për shembull, në vitin 607 p.e.s., ai e disiplinoi ashpër popullin e tij të zgjedhur, pasi ata ishin rebelë dhe fajtorë gjaku. Veç kësaj, ai ndëshkoi kombet përreth, që kënaqeshin me shpirtligësi për vuajtjet e Izraelit. (Jeremia, kapitujt 46-49) Më pas, në vitin 539 p.e.s., Jehovai shkaktoi rënien e forcës së fuqishme botërore, Babilonisë, dhe si rezultat, në 537 p.e.s., një mbetje e Izraelit u kthye në vendin e tyre, për të rindërtuar tempullin.—2. Kronikave 36:22, 23.
3 Këto ishin ngjarje të një rëndësie themelore dhe në përputhje me fjalët e Amosit, Jehovai ua zbuloi ato më parë profetëve, të cilët shërbyen si lajmëtarë, duke paralajmëruar Izraelin për atë që do të ndodhte. Nga mesi i shekullit të tetë p.e.s., ai ngriti Isainë, ndërsa në mes të shekullit të shtatë p.e.s., ngriti Jereminë. Më vonë, nga fundi i atij shekulli, ai ngriti Ezekielin. Këta dhe profetë të tjerë të besueshëm, dhanë një dëshmi të plotë lidhur me qëllimet e Jehovait.
Të identifikojmë lajmëtarët e Perëndisë sot
4. Ç’gjë e tregon nevojën e njerëzimit për lajmëtarët e paqes?
4 Po sot? Shumë njerëz në botë kanë një parandjenjë të fuqishme se diçka e tmerrshme do të ndodhë, kur vërejnë keqësimin e shoqërisë njerëzore. Atyre që kanë dashuri për drejtësinë, u dhemb zemra kur shohin hipokrizinë dhe ligësinë e tejdukshme të të ashtuquajturit krishterim. Siç paratha Jehovai nëpërmjet Ezekielit, ata «po psherëtijnë e po rënkojnë për të gjitha gjërat e neveritshme që bëhen në mes të tij». (Ezekieli 9:4, BR) Megjithatë, shumë nuk e kuptojnë se cilat janë qëllimet e Jehovait. Ata kanë nevojë që dikush t’ua tregojë.
5. Si tregoi Jezui se do të kishte lajmëtarë në ditët tona?
5 A flet ndokush sot me frymën sypatrembur të Isaisë, të Jeremisë dhe të Ezekielit? Jezui tregoi se dikush do ta bënte një gjë të tillë. Kur paratha ngjarjet e ditëve tona, ai tha: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar për dëshmi në të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14, BR) Kush po e përmbush sot atë profeci, duke shërbyer si një lajmëtar, predikues i lajmit të mirë? Ngjashmëritë ndërmjet ditëve tona dhe kohës së Izraelit të lashtë, na ndihmojnë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.
6. (a) Përshkruaj përvojën e ‘Izraelit të Perëndisë’ gjatë luftës së parë botërore. (b) Si u përmbush Ezekieli 11:17 në Izraelin e lashtë?
6 Gjatë ditëve të zymta të Luftës I Botërore, populli i Jehovait në ditët moderne, mbetja e të mirosurve të «Izraelit të Perëndisë», ra në një robëri të ngjashme me atë të Izraelit në Babiloni. (Galatasve 6:16) Ata vuajtën mërgimin frymor në Babiloninë e Madhe, në tërësinë botërore të feve të rreme, në të cilën i ashtuquajturi krishterim është më i shquari dhe më i qortueshmi. Megjithatë, fjalët e Jehovait drejtuar Ezekielit, tregonin se ata nuk ishin të braktisur. Ai tha: «Gjithashtu, do t’ju mbledh nga popujt dhe do t’ju grumbulloj nga vendet, në të cilët keni qenë të shpërndarë dhe do t’ju jap truallin e Izraelit.» (Ezekieli 11:17, BR) Që të përmbushte këtë premtim për Izraelin e lashtë, Jehovai ngriti Kirin e Persisë, i cili rrëzoi fuqinë botërore të Babilonisë dhe i hapi rrugën mbetjes së Izraelit që të kthehej në vendin e vet. Por, ç’mund të thuhet për sot?
7. Cila ngjarje në 1919-n tregoi se Jezui kishte vepruar kundër Babilonisë së Madhe? Shpjego.
7 Në fillimet e këtij shekulli, kishte prova të fuqishme se një Kir më i Madh ishte në veprim. Kush ishte ai? Askush tjetër veç Jezu Krishtit, i cili kishte hipur në fronin e Mbretërisë qiellore që në 1914-n. Ky Mbret i madh u tregua vullnetmirë karshi vëllezërve të tij të mirosur në tokë, kur në vitin 1919, të krishterët e mirosur ishin liruar nga robëria frymore dhe ishin kthyer në «vendin» e tyre, në gjendjen e tyre frymore. (Isaia 66:8; Zbulesa 18:4) Kështu, Ezekieli 11:17 pati një përmbushje në ditët moderne. Në kohët e lashta, kërkohej rënia e Babilonisë, që të hapej rruga për kthimin e izraelitëve në vendin e tyre. Në kohët moderne, rivendosja e Izraelit të Perëndisë ishte një provë, që tregonte se Babilonia e Madhe kishte përjetuar rënien në duart e Kirit më të Madh. Kjo rënie u shpall nga engjëlli i dytë i kreut 14 të Zbulesës, kur ai thërriti: «Babilonia e Madhe ra, ajo që i bëri të gjitha kombet të pinin nga vera e zemërimit të kurvërisë së saj!» (Zbulesa 14:8, BR) Ç’ndryshim i madh për Babiloninë e Madhe, veçanërisht për të ashtuquajturin krishterim! E çfarë bekimi për të krishterët e vërtetë!
8. Si e përshkruan libri i Ezekielit lumturinë e popullit të Perëndisë pas lirimit të tij në 1919-n?
8 Në Ezekielin 11:18-20, lexojmë përshkrimin që i bën profeti lumturisë së popullit të Perëndisë pas rivendosjes së tij. Përmbushja e parë e fjalëve të tij nënkuptonte pastrimin e Izraelit në ditët e Ezdrës dhe të Nehemisë. Përmbushja në ditët moderne nënkupton diçka të ngjashme. Le të shohim se si. Jehovai thotë: «Ata me siguri do të vijnë [në vendin e tyre] dhe do të heqin prej saj të gjitha gjërat e neveritshme dhe të gjitha gjërat e urryera.» (BR) Pikërisht siç u profetizua, duke filluar nga viti 1919, Jehovai e pastroi popullin e tij dhe e rifuqizoi për t’i shërbyer atij. Ata filluan të hiqnin nga mjedisi i tyre frymor të gjitha praktikat dhe doktrinat babilonase, të cilat i ndotnin në sy të tij.
9. Cilat bekime domethënëse i dha Jehovai popullit të tij, duke filluar nga 1919-a?
9 Më pas, sipas Ezk 11 vargut 19, Jehovai vazhdoi të thoshte: «Unë do t’u jap atyre një zemër dhe do të vendos brenda tyre një frymë të re; dhe me siguri do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t’u jap një zemër prej mishi.» (BR) Në përputhje me këto fjalë, në 1919-n, Jehovai bashkoi shërbëtorët e tij të mirosur dhe si të themi, u dha atyre «një zemër», me qëllim që ata t’i shërbenin atij «sup më sup». (Sofonia 3:9, BR) Veç kësaj, Jehovai i dha popullit të tij frymën e shenjtë për ta forcuar në veprën e dëshmisë dhe për të sjellë në të frytet e mira, të përshkruara në Galatasve 5:22, 23. Në vend të një zemre të pandjeshme, si prej guri, Jehovai u dha atyre një zemër të butë, të përkulshme, të bindur, një zemër që do t’i përgjigjej vullnetit të tij.
10. Përse e ka bekuar Jehovai popullin e tij të rivendosur nga 1919-a e më pas?
10 Përse e bëri ai këtë? Jehovai vetë shpjegon. Në Ezekielin 11:20 lexojmë: «Me qëllim që ata të mund të ecin sipas statuteve të mia, të ruajnë vendimet e mia gjyqësore dhe t’i kryejnë me të vërtetë ato; dhe ata mund të bëhen vërtet populli im dhe unë vetë mund të bëhem Perëndia i tyre.» Izraeli i Perëndisë mësoi t’i bindej ligjit të Jehovait, në vend se të ndiqte idetë e tij. Ata mësuan të kryenin vullnetin e Perëndisë pa pasur frikë nga njeriu. Prandaj, ata spikatën si të ndryshëm nga të krishterët artificialë të të ashtuquajturit krishterim. Ata ishin populli i Jehovait. Si i tillë, Jehovai ishte i gatshëm për ta përdorur si lajmëtarin e tij, si ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’.—Mateu 24:45-47, BR.
Lumturia e lajmëtarëve të Perëndisë
11. Si e përshkruan libri i Isaisë lumturinë e popullit të Jehovait?
11 A mund të përfytyrosh lumturinë e tyre, kur kuptuan se ç’pozitë të privilegjuar gëzonin? Si një grup, ata u bënin jehonë fjalëve të Isaisë 61:10: «Patjetër do të ngazëllehem në Jehovain. Shpirti im do të jetë i gëzuar në Perëndinë tim.» (BR) Premtimi i Isaisë 35:10 u përmbush tek ata: «Pikërisht të shpenguarit nga Jehovai do të kthehen dhe me siguri do të vijnë në Sion me një britmë gëzimi; dhe mbi kokat e tyre do të ketë gëzim në kohë të pacaktuar. Ata do të arrijnë ngazëllimin e gëzimin dhe hidhërimi e psherëtima duhet të largohen.» E tillë ishte lumturia e lajmëtarëve të Jehovait për paqen hyjnore, në vitin 1919, ndërsa u nisën për t’i predikuar lajmin e mirë të gjithë njerëzimit. Që atëherë e deri në ditët e sotme, ata nuk kanë pushuar së kryeri këtë detyrë dhe lumturia e tyre është rritur. Në Predikimin e tij në Mal, Jezui tha: «Të lumtur janë paqebërësit, sepse ata do të quhen ‘bij të Perëndisë’.» (Mateu 5:9, shënimi, BR) Vërtetësia e kësaj shpalljeje është përjetuar nga mbetja e «bijve [të mirosur] të Perëndisë», që nga 1919-a e deri më sot.
12, 13. (a) Kush u bashkua me Izraelin e Perëndisë për t’i shërbyer Jehovait dhe cilën vepër bënë ata? (b) Cili gëzim i madh është përjetuar nga shërbëtorët e mirosur të Jehovait?
12 Ndërsa vitet kalonin, numri i Izraelit të Perëndisë u rrit deri në vitet ’30, kur mbledhja e mbetjes së të mirosurve iu afrua plotësimit. A u ndal rritja në numrin e predikuesve të lajmit të mirë atëherë? Jo aspak. Një shumicë e madhe të krishterësh me shpresë tokësore, kishte nisur tashmë të shfaqej dhe këta ishin bashkuar me vëllezërit e tyre të mirosur në veprën e predikimit. Apostulli Gjon e pa në vizion këtë shumicë të madhe dhe mënyra se si e përshkruan ai atë, meriton vëmendje: «Ata janë para fronit të Perëndisë dhe i bëjnë atij shërbim të shenjtë ditë e natë.» (Zbulesa 7:15, BR) Po, shumica e madhe u angazhua në shërbim të Perëndisë. Si rezultat, kur numri i të mirosurve filloi të zvogëlohej pas 1935-s, vepra e dëshmisë u çua përpara me një rritje të vrullshme nga këta shokë besimplotë.
13 Në këtë mënyrë, u përmbush Isaia 60:3, 4: «Me siguri kombet do të vijnë në dritën tënde dhe mbretërit në shkëlqimin e ndriçimit tënd. Ngri sytë përreth dhe shiko! Ata janë mbledhur të gjithë së bashku; kanë ardhur tek ty. Nga larg vazhdojnë të vijnë bijtë e tu dhe bijat e tua, të cilët do të kujdeseshin në krahë.» (BR) Lumturia që i sollën këto zhvillime Izraelit të Perëndisë, është përshkruar shumë bukur në Isainë 60:5, ku lexojmë: «Në atë kohë do të shohësh e me siguri do të bëhesh rrezatues dhe zemra jote me të vërtetë do të drithërohet e do të zgjerohet, sepse tek ty do të drejtohet pasuria e detit; vetë të ardhurat e kombeve, do të vijnë tek ty.»—BR.
Organizata e Jehovait në lëvizje
14. (a) Cilin vizion mbi gjërat qiellore pa Ezekieli dhe çfarë urdhri mori ai? (b) Çfarë dalloi populli i Jehovait në ditët moderne dhe çfarë detyrimi ndien ata?
14 Në vitin 613 p.e.s., Ezekieli pa në vizion organizatën qiellore të Jehovait në formën e një karroce, në lëvizje. (Ezekieli 1:4-28) Pas kësaj, Jehovai i tha atij: «Bir i njeriut, shko dhe hyr në mes të shtëpisë së Izraelit dhe duhet t’u flasësh atyre me fjalët e mia.» (Ezekieli 3:4, BR) Në këtë vit, në 1997-n, dallojmë se organizata qiellore e Jehovait është ende duke ecur patundshmërisht për përmbushjen e qëllimeve të Perëndisë. Prandaj, ndihemi akoma të shtytur për t’u treguar të tjerëve ato qëllime. Në ditët e tij, Ezekieli tha fjalë që ishin të frymëzuara drejtpërsëdrejti nga Jehovai. Sot, ne themi fjalë nga Fjala e frymëzuar e Jehovait, Bibla. Ç’mesazh të mrekullueshëm përmban ky libër për njerëzimin! Ndërkohë që shumë njerëz janë të shqetësuar për të ardhmen, Bibla tregon se gjërat janë shumë më keq dhe në të njëjtën kohë, shumë më mirë nga sa imagjinojnë ata.
15. Përse gjendja e botës është më keq nga sa e mendojnë shumë njerëz sot?
15 Gjërat janë më keq, sepse siç mësuam në artikujt pararendës, i ashtuquajturi krishterim dhe të gjitha fetë e tjera të rreme së shpejti do të shkatërrohen, në mënyrë po aq të plotë sa edhe Jerusalemi në vitin 607 p.e.s. Dhe jo vetëm kaq, por e gjithë qenia globale politike, e përshkruar në librin e Zbulesës si bisha e egër me shtatë kokë dhe dhjetë brirë, shumë shpejt do të zhduket nga faqja e dheut, ashtu siç ndodhi me shumë nga fqinjët paganë të Jerusalemit. (Zbulesa 13:1, 2; 19:19-21) Në ditët e Ezekielit, Jehovai përshkroi në mënyrë të gjallë tmerrin që ngjallte afrimi i shkatërrimit të Jerusalemit. Por fjalët e tij do të kenë edhe më shumë kuptim, kur njerëzit të shquajnë shkatërrimin e pashmangshëm të kësaj bote. Jehovai i tha Ezekielit: «Sa për ty, o bir i njeriut, psherëtij me ijet që dridhen. Madje me hidhërim duhet të psherëtish para syve të tyre. E duhet të ndodhë që në rast se ata të thonë, ‘Për ç’arsye po psherëtin?’, ti duhet të thuash, ‘Për shkak të një lajmi’. Sepse me siguri do të vijë dhe çdo zemër duhet të tretet, të gjitha duart duhet të thyhen dhe çdo shpirt duhet të brengoset dhe çdo gju do të pikojë ujë. ‘Ja! Me siguri do të vijë dhe do të ndodhë’,—është thënia e Zotërisë Sovran Jehova.» (Ezekieli 21:6, 7, BR; Mateu 24:30) Ngjarje të frikshme shtrihen përpara nesh. Interesimi ynë i thellë për të tjerët, na nxit të shqiptojmë paralajmërimin, të themi ‘lajmin’ mbi ardhjen e zemërimit të Jehovait.
16. Përse për të butët gjendja është më e mirë nga sa mendojnë shumë njerëz?
16 Në të njëjtën kohë, për të butët gjërat janë shumë më mirë sesa imagjinojnë shumica e njerëzve. Në ç’kuptim? Në atë që Jezu Krishti ka vdekur për mëkatet tona dhe tani sundon si Mbret i Mbretërisë së Perëndisë. (1. Timoteut 1:15; Zbulesa 11:15) Problemet e njerëzimit në dukje të pazgjidhshme do të kapërcehen së shpejti nëpërmjet asaj Mbretërie qiellore. Vdekja, sëmundjet, korrupsioni, urija dhe krimet do të bëhen gjëra të së kaluarës dhe Mbretëria e Perëndisë do të sundojë e pakundërshtuar mbi një tokë parajsore. (Zbulesa 21:3, 4) Njerëzimi do të gëzojë paqen hyjnore, një marrëdhënie paqësore me Perëndinë Jehova dhe me njëri-tjetrin.—Psalmi 72:7.
17. Cilat rritje sjellin gëzim në zemrat e lajmëtarëve të paqes hyjnore?
17 Në disa pjesë të botës, në mënyrë mahnitëse grupe të mëdha me persona të butë po i përgjigjen këtij mesazhi të paqes hyjnore. Sa për të përmendur pak shembuj, vitin e kaluar Ukraina raportoi një rritje prej 17 për qind në numrin e lajmëtarëve. Mozambiku raportoi një rritje prej 17 për qind dhe Lituania një rritje prej 29 për qind. Rusia kishte një rritje prej 31 për qind, ndërsa Shqipëria ka përjetuar një rritje prej 52 për qind në numrin e lajmëtarëve. Këto rritje paraqesin dhjetëra mijëra individë me zemër të ndershme, të cilët dëshirojnë të gëzojnë paqen hyjnore dhe kanë marrë qëndrimin e tyre në përkrahje të drejtësisë. Një rritje e tillë e shpejtë i sjell gëzim të gjithë vëllazërisë së krishterë.
18. Dëgjojnë apo jo njerëzit, cili duhet të jetë qëndrimi ynë?
18 A përgjigjen kaq me gatishmëri njerëzit aty ku jeton ti? Nëse po, ne gëzojmë bashkë me ty. Megjithatë, në disa territore duhen shumë e shumë orë punë të lodhshme, përpara se të gjendet qoftë edhe një person i interesuar. A do t’u plogështohen duart apo do të dëshpërohen ata që shërbejnë në territore të tilla? Jo, Dëshmitarët e Jehovait kujtojnë fjalët që Perëndia i drejtoi Ezekielit, kur për herë të parë e ngarkoi profetin e ri për t’u predikuar bashkatdhetarëve të tij judenj: «Sa për ata, do të dëgjojnë apo s’do të pranojnë të dëgjojnë, sepse janë një shtëpi rebele, me siguri do të njohin se midis tyre është ndodhur një profet.» (Ezekieli 2:5, BR) Ashtu si Ezekieli, ne vazhdojmë t’u flasim njerëzve mbi paqen hyjnore, pavarësisht nga fakti nëse i përgjigjen apo jo. Kur ata dëgjojnë, ne drithërohemi. Kur ata nuk na pranojnë, na tallin dhe madje na persekutojnë, ne qëndrojmë. Ne e duam Jehovain dhe Bibla thotë: «Dashuria . . . duron gjithçka.» (1. Korintasve 13:4, 7, BR) Ngaqë predikojmë me durim, njerëzit e dinë se kush janë Dëshmitarët e Jehovait. Ata e dinë se cili është mesazhi ynë. Kur të vijë fundi, ata do ta dinë se Dëshmitarët e Jehovait janë përpjekur që t’i ndihmojnë për të gëzuar paqen hyjnore.
19. Si shërbëtorë të Perëndisë së vërtetë, cilin privilegj të madh ruajmë?
19 A ka privilegj më të madh sesa t’i shërbesh Jehovait? Jo! Lumturia jonë më e madhe vjen nga marrëdhënia jonë me Perëndinë dhe nga fakti që dimë se jemi duke kryer vullnetin e tij. «Të lumtur janë njerëzit që njohin thirrjen e gëzueshme. O Jehova, në dritën e fytyrës sate vazhdojnë të ecin.» (Psalmi 89:15, BR) Le të ruajmë gjithmonë gëzimin që vjen, duke qenë lajmëtarët e Perëndisë për paqen e njerëzimit. Le ta bëjmë me zell pjesën tonë në këtë vepër, derisa Jehovai të thotë se ajo është kryer.
A të kujtohet?
◻ Kush janë lajmëtarët e Perëndisë për paqen hyjnore sot?
◻ Si e dimë se Babilonia e Madhe përjetoi rënien në 1919-n?
◻ Cili është interesimi kryesor i «shumicës së madhe»?
◻ Përse e ardhmja është më e zymtë nga sa mendojnë shumica e njerëzve sot?
◻ Përse për njerëzit me zemër të ndershme, e ardhmja mund të jetë më e mirë nga sa e imagjinojnë ata?
[Figurat në faqen 21]
Shumë njerëz në botë kanë një parandjenjë të fuqishme se diçka e tmerrshme do të ndodhë, kur vërejnë keqësimin e shoqërisë njerëzore
[Figurat në faqen 23]
Lajmëtarët e paqes hyjnore janë populli më i lumtur në tokë sot