GJIRI, KRAHARORI
Gjiri është një gjëndër sisore; megjithatë, ky term është përdorur rëndom duke iu referuar thjesht kraharorit ose gjoksit, pra, pjesës së përparme të trupit të njeriut (mashkull apo femër) nga qafa deri te barku. Dy fjalët hebraike për gjirin e njeriut janë shadh dhe shodh. (Kng 8:1; Jb 24:9) Fjalët greke për gji ose gjoks janë mastós (Lu 11:27) dhe stéthos. (Zb 15:6) Gjiri i njeriut ose gjoksi a kraharori, është përdorur në Shkrime për të treguar afërsi, intimitet dhe favor (Kng 1:13; Gjo 13:25; 21:20); pjekuri (Kng 8:8, 10; Ezk 16:7); bukuri (Kng 4:5; 7:3, 7, 8); marrëdhënie seksuale («nga gjinjtë e saj» [Ho 2:2], «u shtypën gjoksin», «u shtrënguan gjinjtë» [Ezk 23:3, 21]); pjellori (Zn 49:25; Ho 9:14); ngazëllim e begati (Is 60:16; 66:11). ‘Të rrahësh a të godasësh kraharorin’ ose ‘të shkulësh gjinjtë’, janë shprehje që tregojnë përulje, dëshpërim a hidhërim ekstrem.—Is 32:12; Ezk 23:34; Lu 18:13; 23:48.
Një grua që dëgjoi Jezuin të fliste, ngriti zërin dhe i tha: «Lum barku që të mbajti dhe gjinjtë ku u mënde!» Meqë çdo grua dëshironte të kishte një djalë të mbarë, e sidomos gratë judeje donin të kishin privilegjin të ishin nëna të ndonjë profeti e në veçanti të Mesisë, është e kuptueshme pse ajo grua judeje foli në atë mënyrë. Por Jezui ia ktheu: «Jo, më mirë lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!» Kjo përgjigje tregoi se të ishe i afërm gjaku i Jezuit nuk ngrinte shumë peshë; ajo që kishte vërtet rëndësi ishte karakteri frymor. Ky parim përjashton çdo lloj përnderimi që i bëhet Marisë si nëna e Zotërisë.—Lu 11:27, 28.
Ngaqë shkatërrimi i Jerusalemit po afrohej, e bashkë me të edhe masakrimi i tmerrshëm i banorëve të qytetit, Jezui tha: «Po vijnë ditët kur do të thonë: ‘Lum shterpat, barqet që nuk lindën dhe gjinjtë që nuk mëndën!’»—Lu 23:29; krahaso Jr 16:1-4.
Shkrimet Hebraike përdorin terma të ndryshëm për të bërë dallimin mes gjirit të njeriut dhe atij të kafshëve, i cili ndryshon nga ana anatomike. Kur izraelitët bënin flijime në bashkësi, gjoksi (heb., ħazéh ) i kafshës së flijuar ishte pjesa që i takonte priftit si ushqim.—Le 7:29-35; 10:14, 15.
Ka edhe disa terma të tjerë biblikë që sipas kontekstit përkthehen «gji», «gjoks» e «kraharor», e në disa raste i referohen palës së sipërme të një rrobe. Në hebraisht këto fjalë janë ħehk (1Mb 1:2), ħócen (Ne 5:13) dhe forma e dyzuar e dadh (Ezk 23:3); në greqisht është kólpos.—Gjo 13:23.
Rroba që vishnin izraelitët në kohët biblike ishte mjaft e bollshme në pjesën e kraharorit, aq sa personi mund të fuste në palët e saj duart, paratë ose gjëra të tjera, madje mund të mbante edhe një foshnjë ose një qengj të vogël. (Da 4:6, 7; Nu 11:12; 2Sa 12:3) Jehovai thotë se do t’i mbajë qengjat e vet në gji, një ilustrim që tregon dashurinë dhe kujdesin e tij të butë për ta. (Is 40:11) Shprehjes «gruaja e gjirit t’ ënt», që gjendet në disa përkthime (Kris), i është dhënë një kuptim më i qartë, kur është përkthyer «gruaja që prehet mbi gjirin tënd» (Dio) ose «gruaja jote e shtrenjtë» (BR). (Lp 13:6; 28:54) Disa herë termi nënkupton marrëdhëniet seksuale.—Zn 16:5; 2Sa 12:8.
Shprehjet ‘të japësh shpagimin në gji’ ose ‘të llogaritësh shpagimin dhe t’ua derdhësh në gji’, marrin kuptim po të mbajmë parasysh se xhepat nuk bëheshin në fund ose në pjesën e poshtme të veshjes, siç ndodh sot. (Is 65:6, 7; Ps 79:12; Jr 32:18) Po ashtu, edhe shprehjet «mbaj në gji poshtërimin», ‘grumbulloj zjarr në gji’, ‘ryshfeti që del nga gjiri’ dhe ‘ryshfeti që futet në gji’, lidhen me palën e sipërme të rrobës.—Ps 89:50; Pr 6:27; 17:23; 21:14.
«Në gji të» ose «në kraharorin e». Një njeri shumë i dashur ose i shtrenjtë mbahej në gji (heb., ħehk), sikurse Naomi mbajti Obedin, fëmijën e Ruthës, duke treguar se e pranonte si trashëgimtarin e ligjshëm të Elimelekut, burrit të vdekur të Naomit. (Ru 4:16) Në një ilustrim Jezui foli për një lypës të quajtur Lazar, të cilin kur vdiq, engjëjt e çuan «në gji (gr., kólpos) të Abrahamit»; gjithashtu Gjoni tha se Jezui është «në gji të Atit». (Lu 16:22, 23; Gjo 1:18) Fjalët «gji» dhe «kraharor» i referohen tërthorazi edhe pozicionit të dikujt që shtrohet për të ngrënë përbri një tjetri në të njëjtin divan.
Mysafirët shtriheshin brinjas, me bërrylin e majtë të mbështetur në një jastëk, kurse krahun e djathtë e kishin të lirë. Zakonisht, në një divan rrinin tre veta, por mund të qëndronin edhe pesë. Koka e secilit ishte pranë kraharorit, ose si të thuash pranë gjirit të atij që ndodhej pas tij. Personi që s’kishte askënd prapa, konsiderohej në pozitën më të lartë dhe ai që rrinte menjëherë pranë tij, ishte në vendin e dytë të nderit. Duke mbajtur parasysh sa afër rrinin mysafirët me njëri-tjetrin, ishte zakon që miqtë të vendoseshin pranë njëri-tjetrit, dhe kjo u jepte mundësi të bënin edhe biseda private nëse dëshironin. Të rrije pranë kraharorit ose gjirit të një tjetri në gosti, do të thoshte se, në të vërtetë, gëzoje favorin e veçantë të këtij personi. Për shembull, gjatë kremtimit të Pashkës së fundit, apostulli Gjon, të cilin Jezui e donte shumë, ‘mbështetej në kraharorin e Jezuit’ dhe në atë pozicion «u përkul në kraharorin e Jezuit» dhe i bëri një pyetje.—Gjo 13:23, 25; 21:20.
Ja pse, kur Gjoni përshkroi pozitën shumë të veçantë e të favorizuar që gëzonte Jezui, tha se ai ishte «në gji» të Atit të tij, Jehovait. Meqë ishte kaq i afërt me Jehovain, ai ishte i vetmi që mund ta bënte të njohur Atë në mënyrën më të plotë. Po ashtu, në ilustrimin e Jezuit, engjëjt e çuan Lazarin «në gji» të Abrahamit, duke treguar se, në fund, ai lypës fitoi një vend ku gëzonte favorin e veçantë të dikujt që ishte më i lartë se ai.—Shih VAKTI.