PATROSI
Ky emër shfaqet shpesh përkrah atij të Egjiptit (heb., Micrájim). (Ezk 30:13, 14) Shumica e studiuesve e lidhin emrin e Patrosit me një shprehje egjiptiane që do të thotë «vendi i jugut» dhe, me sa duket, i referohet Egjiptit të Sipërm. Egjipti i Sipërm nënkupton përgjithësisht rajonin e luginës së Nilit, që fillon pak më në jug të Memfisit dhe shtrihet deri lart (në jug) në Sienë (Asuani i sotëm), në ujëvarën e parë të Nilit. Vargu i Isaisë 11:11, ku parathuhet rikthimi i të mërguarve izraelitë ‘nga Egjipti (Mizraimi), nga Patrosi dhe nga Kushi’, duket se mbështet vendndodhjen e Patrosit diku në Egjiptin e Sipërm, që kufizohej në jug me Kushin (Etiopinë). Në një mbishkrim asirian të mbretit Esar-Hadon gjendet një renditje e ngjashme, «Egjipti (Musuri), Paturisi dhe Nubia [Kusu ose Kushi]».—Ancient Near Eastern Texts, nga Xh. Priçardi, 1974, f. 290.
Tek Ezekieli 29:14, Patrosi quhet «vendi ku i kanë rrënjët [egjiptianët]». Me sa duket, këtë e mbështet edhe tradita egjiptiane, sipas së cilës, siç tregon Herodoti (II, 4, 15, 99), Egjipti i Sipërm dhe, në veçanti rajoni i Tebës, ishte selia e mbretërisë së parë egjiptiane, me një mbret që Herodoti e quan Menes, mirëpo ky emër nuk gjendet në dokumentet egjiptiane. Diodor Sikuli (shek. I p.e.s.) përshkruan një pikëpamje të ngjashme. (Diodor Sikuli, I, 45, 1) Tradita egjiptiane që përshkruajnë këta historianë grekë, mund të jetë një hije e zbehtë e historisë së vërtetë që paraqit Bibla për Mizraimin (emër që nënkupton Egjiptin) dhe pasardhësit e tij, përfshirë Patrusimin.—Zn 10:13, 14.
Pas shkretimit të Judës nga Nabukodonosori, një mbetje e judenjve ia mbathën në Egjipt. Ndër vendet ku u vendosën për të banuar ishin Migdoli, Tafnesi, Nofi (qytete të Egjiptit të Poshtëm) dhe ‘vendi i Patrosit’. (Jr 44:1) Në këto vende ata u zhytën në idhujtari, dhe për këtë arsye Jehovai i dënoi dhe paralajmëroi se Egjipti do të pushtohej nga Nabukodonosori. (Jr 44:15, 26-30) Disa dokumente papirusi të shekullit të pestë p.e.s. tregojnë për një koloni judenjsh që shtrihej deri në Elefantinë, pranë Sienës, në skajin më jugor të Egjiptit të lashtë.