MËSIMI 57
Po nëse bën një mëkat të rëndë?
Edhe pse e do Jehovain me gjithë shpirt dhe përpiqesh fort të mos e lëndosh, me raste do të bësh gabime. Ama disa gabime janë më të rënda se të tjerat. (1 Korintasve 6:9, 10) Nëse bën një mëkat të rëndë, mos harro se Jehovai të do. Ai është gati të të falë dhe të të ndihmojë.
1. Ç’duhet të bëjmë që Jehovai të na falë?
Dikush që e do Jehovain ndihet përtokë kur e di se ka kryer një mëkat të rëndë. Por e ngushëllon premtimi që Jehovai i ka bërë popullit të tij: «Edhe pse mëkatet tuaja janë të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.» (Isaia 1:18) Nëse pendohemi vërtet, Jehovai do të na falë plotësisht. Si e tregojmë se jemi penduar? Të shtyrë nga keqardhja e thellë, nuk vazhdojmë më në rrugën e shtrembër dhe i lutemi Jehovait që të na falë. Më pas, punojmë fort për të ndryshuar mënyrën e gabuar të të menduarit ose për të hequr veset që na kanë çuar drejt mëkatit. Gjithashtu përpiqemi të jetojmë sipas standardeve të pastra të Jehovait.—Lexo Isainë 55:6, 7.
2. Si na ndihmon Jehovai me anë të pleqve kur kemi bërë ndonjë mëkat?
Nëse bëjmë një mëkat të rëndë, Jehovai na thotë ‘të thërrasim pleqtë e kongregacionit’. (Lexo Jakovin 5:14, 15.) Këta vëllezër të emëruar e duan Jehovain dhe delet e tij. Ata janë të kualifikuar që të na ndihmojnë të rivendosim miqësinë me Jehovain.—Galatasve 6:1.
Si na ndihmojnë pleqtë kur kemi bërë ndonjë mëkat të rëndë? Duke përdorur shkrimet, dy ose tre pleq do të na tregojnë pse ajo që kemi bërë është e gabuar. Gjithashtu do të na japin sugjerime e këshilla praktike për të na ndihmuar që të mos e përsëritim mëkatin. Kur dikush që ka kryer një mëkat të rëndë, nuk pendohet, pleqtë e heqin nga kongregacioni që të mos ndikojë për keq te të tjerët.
SHQYRTO MË TEJ
Mëso më shumë dhe thello mirënjohjen për ndihmën që na jep Jehovai kur kemi bërë një mëkat të rëndë.
3. Kur e rrëfejmë mëkatin, rivendosim miqësinë me Jehovain
Çdo mëkat që bëjmë, ndikon te Jehovai. Ja pse duhet t’ia rrëfejmë atij. Lexoni Psalmin 32:1-5 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Pse është më mirë t’ia rrëfejmë mëkatet Jehovait në vend se të përpiqemi t’i fshehim?
Pasi t’ia kemi rrëfyer mëkatet Jehovait, diçka tjetër që do të na ndihmojë shumë, është të kërkojmë ndihmën e pleqve. Shihni VIDEON dhe më pas diskutoni për pyetjen që vijon.
Siç tregohet në video, si e ndihmuan pleqtë Kenonin të rikthehej te Jehovai?
Duhet të flasim hapur e të tregohemi të sinqertë me pleqtë; ata duan të na ndihmojnë. Lexoni Jakovin 5:16 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Pse pleqtë e kanë më të lehtë të na ndihmojnë kur tregohemi të sinqertë me ta?
4. Jehovai tregon mëshirë ndaj mëkatarëve
Nëse dikush ka bërë një mëkat të rëndë dhe nuk pranon të ndjekë standardet e Jehovait, ai hiqet nga kongregacioni, dhe ne nuk shoqërohemi më me të. Lexoni 1 Korintasve 5:6, 11 e më pas diskutoni për këtë pyetje:
Ashtu si majaja e bën brumin të vijë, si do të ndikonte te kongregacioni shoqërimi me një mëkatar të papenduar?
Duke imituar mëshirën e Jehovait kundrejt mëkatarëve të papërsosur, pleqtë përpiqen t’i ndihmojnë ata që janë hequr nga kongregacioni. Shumë veta janë rikthyer në kongregacion, ngaqë disiplina, edhe pse mund të ketë qenë e dhimbshme, i ka sjellë në vete.—Psalmi 141:5
• Si e tregon Jehovai se është i arsyeshëm, i mëshirshëm dhe i dashur me mënyrën si vepron me mëkatarët?
5. Jehovai na fal kur pendohemi
Jezui përdori një ilustrim për të na treguar si ndihet Jehovai kur dikush pendohet. Lexoni Lukën 15:1-7 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Çfarë mëson për Jehovain nga ky ilustrim?
Lexoni Ezekielin 33:11 dhe më pas diskutoni për këtë pyetje:
Cilin hap të rëndësishëm përfshin pendimi?
DISA THONË: «Kam frikë se po t’u them pleqve ç’kam bërë, do të më heqin nga kongregacioni.»
Çfarë do t’i thoshe dikujt që ndihet kështu?
PËRMBLEDHJE
Nëse bëjmë një mëkat të rëndë, por ndiejmë keqardhje të thellë dhe jemi të vendosur të mos e përsëritim, Jehovai do të na falë.
Si do të përgjigjeshe?
Pse është mirë t’ia rrëfejmë mëkatet Jehovait?
Ç’duhet të bëjmë që Jehovai të na i falë mëkatet?
Pse duhet të kërkojmë ndihmën e pleqve nëse bëjmë një mëkat të rëndë?
EKSPLORO
Shiko si një burrë provoi mëshirën e Jehovait, e cila përshkruhet tek Isaia 1:18.
Si përpiqen pleqtë të ndihmojnë ata që kanë bërë një mëkat të rëndë?
«Pleq—Përgjigjjuni mëkatit me dashuri e mëshirë» (Kulla e Rojës, gusht 2024)
Shqyrto si u tregohet dashuri dhe mëshirë mëkatarëve të papenduar.
«Pleq—Ndihmoni ata që janë hequr nga kongregacioni» (Kulla e Rojës, gusht 2024)
Në historinë me titull «Duhej të kthehesha te Jehovai», mëso se si një burrë që ishte larguar nga e vërteta, kuptoi që Jehovai e kishte tërhequr sërish.