KAPITULLI 11
«Unë të kam caktuar si rojë»
NË KËTË KAPITULL: Jehovai cakton një rojë dhe shpjegon përgjegjësitë e tij
1. Çfarë kanë bërë prej dekadash rojat që ka caktuar Jehovai dhe çfarë i ndodh Jerusalemit?
NJË rojë qëndron mbi muret e Jerusalemit. Ndërsa vë dorën mbi sy për t’i mbrojtur nga dielli që po perëndon, vështron me vëmendje tej në horizont. Befas merr trumbetën, mbushet me frymë dhe jep një paralajmërim: po vjen ushtria babilonase! Edhe pse banorët e dëgjojnë tingullin e bririt, s’mund të bëjnë më asgjë; tani është tepër vonë. Për dekada me radhë Jehovai kishte caktuar roja, ose profetë, që të paralajmëronin se kjo ditë do të vinte, por ata nuk ua vunë veshin. Tani ushtria babilonase rrethon qytetin. Pas shumë muajsh rrethim, ushtarët shembin muret, rrafshojnë tempullin dhe vrasin ose zënë rob banorët e pabesë dhe idhujtarë të Jerusalemit.
2, 3. (a) Me çfarë do të përballen së shpejti banorët e tokës dhe ç’vendim duhet të marrin që sot? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?
2 Sot ushtria qiellore e Jehovait po marshon drejt betejës me banorët e pabesë të tokës. (Zbul. 17:12-14) Kjo përplasje do të jetë kulmi i shtrëngimit më të madh që ka parë ndonjëherë historia. (Mat. 24:21) Por nuk është tepër vonë që njerëzit t’i përgjigjen paralajmërimit të rojave që ka caktuar Jehovai.
3 Çfarë e nxiti Jehovain të caktonte roja? Çfarë mesazhi shpall një rojë? Kush e ka përmbushur këtë rol dhe ç’përgjegjësi kemi ne? Le të shohim përgjigjet e këtyre pyetjeve.
«Paralajmëroji ata nga ana ime»
4. Pse Jehovai caktoi roja? (Shih figurën hapëse.)
4 Lexo Ezekielin 33:7. Në kohët e lashta, zakonisht rojat qëndronin mbi muret e qytetit për të mbrojtur banorët. Ata ishin provë e qartë se udhëheqësi i qytetit merakosej për nënshtetasit. Edhe pse buçitja e bririt të rojës mund t’u prishte gjakun banorëve të përgjumur, i njëjti tingull i mprehtë mund t’u shpëtonte jetën atyre që ia vinin veshin. Po ashtu, Jehovai nuk i caktoi rojat që t’i terrorizonte izraelitët me një mesazh gjykimi, por ngaqë merakosej për ta dhe donte t’u shpëtonte jetën.
5, 6. Cila është një provë e qartë e drejtësisë së Jehovait?
5 Kur caktoi Ezekielin si rojë, Jehovai zbuloi cilësi të personalitetit të tij që na japin zemër. Të shohim vetëm dy prej tyre.
6 Drejtësia: Një provë e qartë e drejtësisë së Jehovait është se ai na sheh si individë. Për shembull, ndonëse shumica e hodhën poshtë mesazhin e Ezekielit, Jehovai nuk i konsideroi të gjithë izraelitët si një turmë rebele, përkundrazi donte të shihte si do të reagonte secili. Ai përdor shpesh fjalët «i ligu» dhe «i drejti». Kjo tregon se Jehovai gjykon në bazë të mënyrës si reagon çdo individ ndaj mesazhit.—Ezek. 33:8, 18-20.
7. Mbi ç’bazë i gjykon njerëzit Jehovai?
7 Një provë tjetër e drejtësisë së Jehovait është baza mbi të cilën i gjykon njerëzit. Çdo njeri duhet t’i japë llogari për mënyrën si reagon sot ndaj paralajmërimit dhe jo për veprimet e së shkuarës. Jehovai i tha Ezekielit: «Nëse i them të ligut: ‘Ke për të vdekur’, por ai largohet nga mëkati i vet dhe gjykon me drejtësi e bën atë që është e drejtë, . . . ai ka për të jetuar.» Pastaj bën këtë premtim të mrekullueshëm: «Asnjë nga mëkatet që ka bërë, nuk do t’i llogaritet.» (Ezek. 33:14-16) Nga ana tjetër, ata që kanë ecur në udhën e drejtë për vite me radhë, s’mund të presin që bindja në të shkuarën të justifikojë rebelimin në të tashmen. Jehovai tha se, nëse një njeri «ka besim në drejtësinë e vet dhe bën atë që është e gabuar, asnjë nga veprat e tij të drejta nuk do të kujtohet. Përkundrazi, do të vdesë për të këqijat që bëri».—Ezek. 33:13.
8. Çfarë na mësojnë për drejtësinë e Jehovait paralajmërimet e profetëve të tij?
8 Drejtësia e Jehovait duket edhe nga fakti që paralajmëron mjaft kohë para se të veprojë. Ezekieli nisi të profetizonte rreth gjashtë vjet para se ushtria babilonase të shkatërronte Jerusalemin. Por nuk ishte i pari që paralajmëroi popullin se Perëndia do t’u kërkonte llogari. Për më se një shekull para shkatërrimit të Jerusalemit, Jehovai kishte caktuar si roja disa profetë, si Hozenë, Isainë, Mikenë, Odedin dhe Jereminë. Ai i tha Jeremisë t’u kujtonte izraelitëve: «Unë caktova roja që thoshin: ‘Kushtojini vëmendje tingullit të bririt!’» (Jer. 6:17) As Jehovai, as këta roja s’mund të mbanin përgjegjësi për jetët që u shuan kur babilonasit ekzekutuan gjykimin hyjnor.
9. Si shfaqi dashuri besnike Jehovai?
9 Dashuria: Jehovai tregoi dashuri besnike kur dërgoi roja për të paralajmëruar jo vetëm të drejtët, por edhe të ligjtë: pikërisht ata që i thyen zemrën dhe i njollosën emrin. Mendo pak: izraelitët njiheshin si populli i Jehovait, por sa e sa herë i kthyen shpinën dhe u marrosën pas perëndive të rreme. Jehovai e krahasoi kombin me një grua kurorëshkelëse, për të treguar sa thellë e kishte lënduar kjo tradhti. (Ezek. 16:32) Prapëseprapë nuk i hodhi menjëherë poshtë. Jehovai donte pajtim, jo hakmarrje. Shpatën e gjykimit e përdori si gurin e fundit. Pse? Ai i tha Ezekielit: «Unë nuk kënaqem me vdekjen e të ligut, por kënaqem kur i ligu kthen rrugë e vazhdon të jetojë.» (Ezek. 33:11) Kështu ndihej Jehovai në atë kohë, e po njësoj ndihet sot.—Mal. 3:6.
10, 11. Ç’mësime nxjerrim nga mënyra si veproi Jehovai me popullin e tij?
10 Ç’mësojmë nga drejtësia dhe dashuria që shfaqi Jehovai ndaj izraelitëve? Së pari mësojmë se ata të cilëve u predikojmë nuk duhet t’i shohim si pjesë të një turme, por si persona unikë. Sa gabim do të ishte ta paragjykonim dikë si të padenjë për të dëgjuar mesazhin tonë për shkak të sjelljes në të shkuarën ose të prejardhjes etnike, fisnore, ekonomike a gjuhësore! Jehovai i dha apostullit Pjetër një mësim që vlen sot e kësaj dite: «Perëndia nuk është i anshëm, por pranon nga çdo komb këdo që e nderon thellësisht dhe që bën atë që është e drejtë.»—Vep. 10:34, 35.
11 Një mësim tjetër i rëndësishëm është se duhet t’i kushtojmë vëmendje vetes. Veprat e drejta në të shkuarën nuk justifikojnë mëkatet në të tashmen. Bëjmë mirë të kujtojmë se kemi të njëjtat prirje mëkatare si njerëzit të cilëve u predikojmë. Këshilla që i dha apostulli Pavël kongregacionit të Korintit, vlen edhe për ne: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, të hapë sytë që të mos bjerë. Nuk keni hasur asnjë sprovë që të mos e kenë hasur edhe të tjerë.» (1 Kor. 10:12, 13) Nuk duam të jemi kurrë si ai që «ka besim në drejtësinë e vet» e të mendojmë se mund të gabojmë pa u ndëshkuar ngaqë bëjmë edhe gjëra të mira. (Ezek. 33:13) Pavarësisht nga sa vjet i shërbejmë Jehovait, është jetësore të mbetemi të përulur e të bindur.
12. Çfarë nuk duhet të harrojmë nëse në të kaluarën kemi bërë mëkate të rënda?
12 Po nëse të mundojnë akoma ndjenjat e fajit për ndonjë mëkat të rëndë që ke bërë në të kaluarën? Nga mesazhi i Ezekielit kuptojmë se Jehovai do të ndëshkojë mëkatarët e papenduar. Mësojmë edhe se në radhë të parë Jehovai është Perëndi i dashurisë, jo i hakmarrjes. (1 Gjon. 4:8) Nëse e tregojmë me vepra se jemi penduar, s’duhet të mendojmë kurrë se mëshira e Perëndisë nuk i mbulon dot mëkatet tona. (Jak. 5:14, 15) Jehovai donte t’i falte izraelitët që s’i qëndruan besnikë, e po njësoj do që të na falë edhe ne sot.—Psal. 86:5.
«Thuaju bijve të popullit tënd»
13, 14. (a) Çfarë mesazhi duhej të shpallnin rojat? (b) Çfarë mesazhi shpalli Isaia?
13 Lexo Ezekielin 33:2, 3. Çfarë mesazhi duhej të shpallnin rojat që caktoi Jehovai? Kryesisht jepnin paralajmërime. Ama shpallnin edhe lajme të mira. Ja disa shembuj.
14 Isaia, që shërbeu aty nga viti 778 deri më 732 p.e.s., paralajmëroi se babilonasit do të pushtonin Jerusalemin dhe do t’i çonin në mërgim banorët e tij. (Isa. 39:5-7) Por, Jehovai e frymëzoi të shkruante edhe këto fjalë: «Dëgjo! Rojat e tua ngrenë zërin. Të gjithë njëzëri lëshojnë britma gëzimi, sepse e shohin qartë që Jehovai i kthen njerëzit e Sionit.» (Isa. 52:8) Isaia dha lajmin më të bukur: adhurimi i vërtetë do të rivendosej!
15. Çfarë mesazhi dha Jeremia?
15 Jeremia, që shërbeu nga viti 647 deri më 580 p.e.s., është quajtur shpesh «lajmëtar i të këqijave». Është e vërtetë që i paralajmëroi vazhdimisht izraelitët për të këqijat që do t’u sillte Jehovai.a Mirëpo dha edhe lajme të mira e paratha se populli i Perëndisë do të kthehej dhe do të rivendoste adhurimin e pastër.—Jer. 29:10-14; 33:10, 11.
16. Si u solli dobi robërve në Babiloni mesazhi i Ezekielit?
16 Ezekieli e filloi caktimin si rojë në vitin 613 p.e.s. dhe e vazhdoi të paktën deri në vitin 591 p.e.s. Siç e shqyrtuam në kapitujt 5 dhe 6 të këtij libri, Ezekieli e paralajmëroi pareshtur popullin e Izraelit për shkatërrimin që do t’i vinte. Kështu hoqi nga vetja fajin e gjakut për njerëzit që do të vdisnin. Gjatë asaj kohe, ai i paralajmëroi të mërguarit se Jehovai do t’i ndëshkonte apostatët në Jerusalem. Përveç kësaj i ndihmoi robërit në Babiloni të ruanin një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë e të ishin gati për punën që i priste. Në fund të mërgimit 70-vjeçar, Jehovai do të kthente në Izrael një grup të vogël judenjsh. (Ezek. 36:7-11) Ky grup do të përbëhej kryesisht nga fëmijët dhe nipërit e atyre që i vunë veshin mesazhit të Ezekielit. Siç e theksojnë edhe kapitujt e tjerë në Pjesën 3, Ezekieli shpalli edhe shumë lajme të mira që theksonin se në Jerusalem do të rivendosej adhurimi i pastër.
17. Kur cakton roja Jehovai?
17 Profetët që kemi përmendur deri tani, shërbyen në periudhën para dhe pas shkatërrimit të Jerusalemit në vitin 607 p.e.s. Por, a ishin të vetmit roja që ka përdorur Jehovai? Jo. Para çdo ngjarjeje vendimtare që lidhej me plotësimin e qëllimit të tij, Jehovai caktonte roja për të paralajmëruar të ligjtë dhe për të dhënë lajme të mira.
Roja në shekullin e parë
18. Çfarë caktimi kreu Gjon Pagëzori?
18 Në shekullin e parë të e.s. Gjon Pagëzori shërbeu si rojë. Ai paralajmëroi se së shpejti Jehovai do të hidhte poshtë shtëpinë e Izraelit. (Mat. 3:1, 2, 9-11) Por nuk u mjaftua me kaq. Madje, Jezui tha për Gjonin se ishte «lajmëtari» i parathënë, i cili përgatiti udhën për Mesinë. (Mal. 3:1; Mat. 11:7-10) Pjesë e caktimit të tij ishte të shpallte edhe lajmin e mirë se kishte ardhur «Qengji i Perëndisë» që do të hiqte «mëkatin e botës».—Gjoni 1:29, 30.
19, 20. Në ç’mënyrë vepruan si roja Jezui dhe dishepujt e tij?
19 Nga të gjithë rojat, Jezui ishte më i spikaturi. Njësoj si Ezekielin, Jehovai e dërgoi t’i fliste «shtëpisë së Izraelit». (Ezek. 3:17; Mat. 15:24) Jezui paralajmëroi se, së shpejti, Jehovai do ta hidhte poshtë kombin e Izraelit dhe se Jerusalemi do të shkatërrohej. (Mat. 23:37, 38; 24:1, 2; Luka 21:20-24) Ama, caktimi i tij kryesor ishte të shpallte lajme të mira.—Luka 4:17-21.
20 Kur ishte në tokë, Jezui u dha dishepujve këtë urdhër specifik: «Qëndroni vigjilentë.» (Mat. 24:42) Ata iu bindën këtij urdhri dhe shërbyen si roja, duke paralajmëruar se Jehovai e kishte hedhur poshtë shtëpinë e Izraelit dhe qytetin e Jerusalemit. (Rom. 9:6-8; Gal. 4:25, 26) Ashtu si rojat para tyre, këta duhej të shpallnin edhe lajme të mira. Mesazhi i tyre përfshinte një lajm të mrekullueshëm: tani edhe jojudenjtë mund të ishin pjesë e ‘Izraelit të Perëndisë’, që përbëhet nga të krishterë të mirosur nga fryma, dhe do të kishin privilegjin të ndihmonin Krishtin për të rivendosur adhurimin e pastër në tokë.—Vep. 15:14; Gal. 6:15, 16; Zbul. 5:9, 10.
21. Çfarë shembulli la Pavli?
21 Ndër rojat e shekullit të parë, një shembull të shkëlqyer la edhe apostulli Pavël. Ai e mori seriozisht këtë përgjegjësi. Ashtu si Ezekieli, e dinte se do të mbante faj gjaku po të mos e përmbushte këtë caktim. (Vep. 20:26, 27) Duke ndjekur shembullin e rojave të tjerë, Pavli i paralajmëroi njerëzit, por edhe u shpalli lajmin e mirë. (Vep. 15:35; Rom. 1:1-4) Në fakt, nën drejtimin e frymës së shenjtë, citoi profecinë që dokumentoi Isaia: «Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajmin e mirë!» Këtë e zbatoi për dishepujt e Krishtit që predikojnë për Mbretërinë e Perëndisë.—Isa. 52:7, 8; Rom. 10:13-15.
22. Çfarë ndodhi pas vdekjes së apostujve?
22 Pas vdekjes së apostujve, apostazia e parathënë hyri si gangrenë në kongregacionin e krishterë. (Vep. 20:29, 30; 2 Sel. 2:3-8) Për një periudhë të gjatë, të krishterët e shtirur, të krahasuar me egjrat, u bënë shumë më tepër se dishepujt e Krishtit, të krahasuar me grurin. Kështu, mësimet e tyre të rreme ua zunë frymën të vërtetave të qarta për Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 13:36-43) Megjithatë, kur erdhi koha që Jehovai të ndërhynte, ai tregoi sërish dashuri e drejtësi, duke caktuar roja që të jepnin një sinjal të qartë paralajmërues dhe të shpallnin lajme të mira. Për cilët e kemi fjalën?
Jehovai dërgon përsëri roja për të paralajmëruar të ligjtë
23. Ç’detyrë kishin Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij?
23 Në vitet para 1914-s, Çarls Tejz Rasëlli dhe bashkëpunëtorët e tij vepruan si «lajmëtari» që ‘do të përgatiste udhën’ para se Mbretëria Mesianike të fillonte të qeveriste.b (Mal. 3:1) Ky grup kreu detyrën e rojës, duke përdorur revistën Kulla e Rojës e Sionit dhe Lajmëtarja e pranisë së Krishtit që t’i paralajmëronte njerëzit për gjykimin e Perëndisë dhe të shpallte lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.
24. (a) Në ç’mënyrë ka vepruar si rojë skllavi besnik? (b) Çfarë ke mësuar nga shembujt e rojave në të kaluarën? (Shih kutinë «Disa roja shembullorë».)
24 Pasi Mbretëria filloi të qeveriste, Jezui caktoi një grup të vogël burrash që të shërbenin si skllavi besnik. (Mat. 24:45-47) Që nga ajo kohë, skllavi besnik, që sot njihet si Trupi Udhëheqës, ka përmbushur detyrën e rojës. Ky grup merr drejtimin jo vetëm për të paralajmëruar «ditën e hakmarrjes», por edhe për të shpallur «vitin e favorshëm të Jehovait».—Isa. 61:2; shih edhe 2 Korintasve 6:1, 2.
25, 26. (a) Cilën përgjegjësi duhet të përmbushin të gjithë dishepujt e Krishtit dhe si mund ta bëjnë këtë? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në kapitullin vijues?
25 Edhe pse skllavi besnik na drejton si roja i kohëve moderne, Jezui u kërkon ‘të gjithë’ dishepujve të tij ‘të qëndrojnë vigjilentë’. (Mar. 13:33-37) I bindemi këtij urdhri kur qëndrojmë zgjuar dhe e mbështetim me besnikëri këtë rojë. Tregojmë se jemi zgjuar kur përmbushim përgjegjësinë për të predikuar. (2 Tim. 4:2) Pse veprojmë kështu? Një arsye është se duam t’u shpëtojmë jetën të tjerëve. (1 Tim. 4:16) Së shpejti, shumë e shumë njerëz do të humbin jetën vetëm se shpërfillin paralajmërimin që jep roja e kohëve të sotme. (Ezek. 3:19) Ama, arsyeja kryesore është se dëshirojmë t’u japim njerëzve lajmin më të mirë që ekziston: adhurimi i pastër është rivendosur. Sot, në «vitin e favorshëm të Jehovait», dera është ende e hapur edhe për shumë të tjerë që të bashkohen me ne për të adhuruar Perëndinë tonë të drejtë e të dashur, Jehovain. Pas pak të gjithë njerëzit që do t’i mbijetojnë shkatërrimit të këtij sistemi të lig, do të nxjerrin dobi nga qeverisja e mëshirshme e Birit të tij, Krishtit Jezu. E si të mos i mbështetim rojat e sotme për të shpallur një lajm kaq të mirë!—Mat. 24:14.
26 Që tani, para se ky sistem i lig të marrë fund, Jehovai e ka bashkuar popullin e tij në një mënyrë të mrekullueshme. Në kapitullin vijues do të shqyrtojmë një profeci që zbulon si ndodhi kjo: profecinë për dy shkopinjtë.
a Fjalët «e keqe», «e zezë» dhe «shkatërrim» dalin shumë herë në librin e Jeremisë
b Për të kuptuar më shumë këtë profeci dhe si u përmbush, shih kapitullin 2 të librit Mbretëria e Perëndisë qeveris!, që titullohet «Mbretëria lind në qiell»