BENIAMINI
[djalë i dorës së djathtë].
1. Djali i 12-të i Jakobit dhe vëlla gjaku i Jozefit. Duket se Beniamini ishte i vetmi që i lindi Jakobit në vendin e Kanaanit, meqenëse të tjerët i kishin lindur në Padan-Aram. (Zn 29:31–30:25; 31:18) Rakela e lindi Beniaminin, djalin e saj të dytë, gjatë rrugës nga Betheli për në Efratah (Betlehem). Ajo pati një lindje të vështirë që i kushtoi jetën. Duke vdekur, ajo e quajti të birin Ben-Oni që do të thotë «djalë i brengës sime»; por, më vonë, burri i saj i ve e quajti Beniamin që do të thotë «djalë i dorës së djathtë».—Zn 35:16-19; 48:7.
Për Beniaminin nuk thuhet më asgjë që nga momenti i lindjes deri kur Jozefin, vëllanë e tij, e shitën si skllav në Egjipt. Duke qenë djali më i vogël që i kishte lindur Rakela, gruaja që donte shumë (Zn 44:20), Beniamini ishte djali që Jakobi kishte më për zemër, aq më tepër tani që e mendonte Jozefin të vdekur. Ja pse Jakobi ngurronte aq shumë ta linte Beniaminin të shkonte me vëllezërit në Egjipt dhe pranoi vetëm pasi ata këmbëngulën tepër. (Zn 42:36-38; 43:8-14) Për këtë rast, duhet përmendur se, megjithëse Juda e quajti Beniaminin ‘djalë’, në atë kohë Beniamini duhej të ishte i rritur. Sipas tregimit të Zanafillës 46:8, 21, Beniamini kishte disa fëmijë në kohën kur Jakobi shkoi të banonte në Egjipt. Megjithatë, për Jakobin ai ishte ‘djali i pleqërisë’, të cilin ky baba i moshuar e donte fort dhe tek i cili mbështetej në shumë mënyra. (Zn 44:20-22, 29-34) Edhe Jozefi e donte shumë vëllanë e tij më të vogël.—Zn 43:29-31, 34.
Gjenealogjia e pasardhësve të Beniaminit jepet në disa pjesë të Biblës, ku disa janë më të plota. Te Zanafilla 46:21 numërohen dhjetë ‘bij të Beniaminit’, por meqë në listat e mëvonshme nuk përmenden disa emra, kjo i ka shtyrë disa të mendojnë se ca nga bijtë e tij mund të kenë vdekur në moshë të re ose mund të mos kenë lindur djem për të ruajtur emrin e familjes. Në këto lista është e dukshme që ka ndryshime në shkrimin e emrave (krahaso Ehin, Ahiramin, Aharahun) dhe disa nga ata që përmenden te Zanafilla 46:21, mund të kenë qenë thjesht pasardhës. (Nu 26:38-40; 1Kr 7:6; 8:1) Janë ngritur disa kundërshtime lidhur me mundësinë që në atë kohë Beniamini të kishte kaq shumë djem, e madje nipër. Megjithatë nuk duhet të harrojmë se, fakti që përmenden mes atyre «që vajtën me Jakobin në Egjipt», nuk do të thotë medoemos se kishin lindur para se të shkonin atje. Ata mund të kenë ‘vajtur në Egjipt’ në kuptimin që lindën në atë vend gjatë 17 vjetëve që Jakobi qëndroi atje para se të vdiste, njësoj siç përmenden si pjesë e ‘shtëpisë së Jakobit në Egjipt’ edhe dy bijtë e Jozefit që lindën në Egjipt. (Zn 46:26, 27) Kur i vdiq i ati, Beniamini duhet të ketë qenë te të 40-at, pra, në moshë për të pasur nipër.
Bekimi që i dha i ati Beniaminit si një nga krerët e 12 fiseve të Izraelit shqyrtohet më poshtë.—Zn 49:27, 28.
2. Beniamin quhej edhe fisi që erdhi nga ky bir i Jakobit. Në kohën e Daljes së Izraelit nga Egjipti, Beniamini ishte gati fisi më i vogël (pas Manaseut) për sa i përket numrit të meshkujve. (Nu 1:36, 37) Regjistrimi që u bë më vonë në rrafshinat e Moabit tregoi se fisi i Beniaminit ishte rritur dhe tani ishte i shtati për nga numri i meshkujve. (Nu 26:41) Kur Izraeli fushonte në shkretëtirë, ky fis e kishte vendin në anën perëndimore të tabernakullit, bashkë me fiset që vinin nga bijtë e Jozefit, Manaseu dhe Efraimi, dhe, kur kampi fillonte marshimin, kjo ndarje trifisëshe nisej e treta.—Nu 2:18-24.
Në Kanaan, territori që iu caktua fisit të Beniaminit shtrihej mes atij të Efraimit dhe të Judës, kurse në perëndim kufizohej me territorin e Danit. Kufiri i tij në veri niste nga lumi Jordan afër Jerikosë, kalonte nëpër zonën malore afër Bethelit dhe vazhdonte drejt perëndimit deri diku afër Beth-Horonit të Poshtëm. Nga atje kufiri perëndimor zbriste në Kiriat-Jearim, pastaj në jug kthente drejt lindjes dhe kalonte Jerusalemin përmes luginës së Hinomit, dredhonte nëpër shpatet e thyera lindore dhe përfundonte përsëri në Jordan, në skajin verior të Detit të Vdekur; pra, lumi Jordan formonte kufirin e tij lindor. (Js 18:11-20; krahaso kufirin verior të Judës te Js 15:5-9 dhe kufirin jugor të «bijve të Jozefit» te Js 16:1-3.) Nga veriu në jug territori arrinte një gjatësi rreth 19 km dhe nga lindja në perëndim rreth 45 km. Përveç pjesës së luginës së Jordanit që rrethonte oazën e Jerikosë, territori ishte malor dhe kodrinor me disa toka pjellore në shpatet perëndimore. Luginat e përrenjve që zbritnin në perëndim drejt rrafshinës filistine dhe në lindje drejt Jordanit e bënin këtë zonë një urë kryesore lidhëse me zonën malore për qëllime tregtare dhe ushtarake. Në fillim të mbretërimit të Saulit, forcat e armatosura filistine që kishin fushuar në Mikmash, pak më në veri të Gibeahut, ku gjendej shtëpia e Saulit, u sulën si karkalecat në këtë zonë dhe plaçkitën izraelitët. Por kjo zgjati vetëm derisa Jonatani i goditi me trimëri në Mikmash dhe të shpartalluar i detyroi të zmbrapseshin drejt rrafshinës bregdetare.—1Sa 13:16-18; 14:11-16, 23, 31, 46.
Mes qyteteve më të rëndësishme që fillimisht iu caktuan Beniaminit ishin Jerikoja, Betheli, Gibeoni, Gibeahu dhe Jerusalemi. Megjithatë, Bethelin e shtiu në dorë shtëpia e Jozefit. Më vonë, Betheli u bë një qytet i rëndësishëm i Efraimit, fisit fqinj, dhe qendër e adhurimit idhujtar të viçit. (Gjy 1:22; 1Mb 12:28, 29; shih BETHELI nr. 1.) Megjithëse Jerusalemi bënte pjesë në territorin e Beniaminit, ai gjendej në kufi me Judën, dhe pikërisht ky fis ishte i pari që e shtiu në dorë dhe e dogji. (Gjy 1:8) Sidoqoftë, as Juda, as Beniamini nuk arritën t’i dëbonin jebusitët nga fortesa e Jerusalemit. (Js 15:63; Gjy 1:21) Qyteti u mor plotësisht vetëm gjatë mbretërimit të Davidit dhe u bë kryeqyteti i Izraelit.—2Sa 5:6-9.
Gjatë periudhës së gjykatësve, fisi i Beniaminit nuk pranoi me kryeneçësi të dorëzonte ata që kishin kryer një akt të neveritshëm në qytetin e Gibeahut. Kjo çoi në luftë civile me fiset e tjera, që ishin të vendosura të mos e linin të pandëshkuar këtë të keqe. Si pasojë e kësaj lufte, fisi i Beniaminit gati u shfaros. (Gjy 19-21) Megjithatë, ky fis u rimëkëmb falë mënyrës që gjetën fiset e tjera për të mos e zhdukur për fare dhe, nga 600 burra, në kohën e Davidit arritën në rreth 60.000 luftëtarë.—1Kr 7:6-12.
Zotësia për luftë e pasardhësve të Beniaminit u përshkrua në profecinë që tha Jakobi kur ishte në shtratin e vdekjes. Ja çfarë tha ai për këtë djalë që e donte shumë: «Beniamini do të shqyejë si një ujk. Në mëngjes do të hajë kafshën e kapur dhe në mbrëmje do të ndajë prenë.» (Zn 49:27) Luftëtarët beniaminitë ishin të famshëm si hobetarë; ata kishin nishan edhe me të djathtën, edhe me të majtën, dhe nuk u dilte huq edhe kur merrnin në shenjë «një fije floku». (Gjy 20:16; 1Kr 12:2) Gjykatësi Ehud, mëngjarashi që vrau mbretin shtypës, Eglonin, ishte beniaminit. (Gjy 3:15-21) Gjithashtu, s’duhet harruar se «në mëngjes», domethënë në fillimet e mbretërisë së Izraelit, nga fisi i Beniaminit, edhe pse një ‘nga fiset më të vogla të Izraelit’, erdhi mbreti i parë i Izraelit, Sauli, biri i Kishit, i cili mbeti deri në fund një luftëtar i paepur kundër filistinëve. (1Sa 9:15-17, 21) Po ashtu, kur po afrohej ‘mbrëmja’ për Izraelin si komb, nga fisi i Beniaminit erdhi mbretëresha Ester dhe kryeministri Mordekai, që ishin mjeti për të shpëtuar nga shfarosja izraelitët nën Perandorinë Perse.—Es 2:5-7.
Megjithëse disa beniaminitë e kishin mbështetur Davidin, të cilin mbreti Saul e kishte nxjerrë jashtë ligjit dhe e përndiqte (1Kr 12:1-7, 16-18), kur ky i fundit vdiq, pjesa më e madhe e fisit mbështeti fillimisht Ish-Boshethin, djalin e Saulit. (2Sa 2:8-10, 12-16) Megjithatë, ata e pranuan më pas Davidin si mbret dhe, që nga ai moment, i qëndruan besnikë mbretërisë së Judës, me përjashtime të rralla. Disa, si Shimei dhe Sheba, vazhduan ta mbështetnin me fanatizëm shtëpinë e Saulit, dhe kjo provokoi një ndarje të përkohshme. (2Sa 16:5; 20:1-22) Por, në kohën e ndarjes së fisit, kur fisi fqinj i Efraimit (i ardhur nga një nip i Beniaminit) u bë fisi kryesor i mbretërisë veriore, fisi i Beniaminit i qëndroi besnik Judës, duke pranuar dekretin e Jehovait.—1Mb 11:31, 32; 12:21; 2Kr 11:1; Zn 49:8-10.
Pas mërgimit në Babiloni, fisi i Beniaminit dhe i Judës ishin më të spikatshmit mes izraelitëve të rivendosur në Palestinë. (Ezd 4:1; 10:9) Besnikëria e Beniaminit kundrejt Judës dhe Jerusalemit kontribuoi pa dyshim në pozicionin që pati ky fis në vegimin e Ezekielit për ndarjen e vendit nën mbretërinë e premtuar. Në këtë vegim, fisi i Beniaminit paraqitej ngjitur me kufirin jugor të «kontributit të shenjtë», kurse fisi i Judës në kufirin verior.—Ezk 48:8, 21-23.
Mes ithtarëve besnikë të Jezuit, ‘luanit që është nga fisi i Judës’, ishte edhe apostulli Pavël, një beniaminit që u tregua luftëtar i zjarrtë në luftën frymore kundër doktrinave dhe praktikave të rreme fetare. (Zb 5:5; Ro 11:1; Fi 3:5) Fisi i Beniaminit përmendet me të drejtë mes fiseve të Izraelit frymor.—Zb 7:8.
Në disa letra të lashta të zbuluara në qytetin e Marit në lumin Eufrat, të cilat mendohet se datojnë nga shekulli i 18-të p.e.s., përmendet një fis i dhunshëm nomadësh i quajtur Binu-Jamina. Në lidhje me këtë emër, një vepër thotë se disa studiues «i kanë kërkuar këtu rrënjët e fisit biblik; por ndryshimi në kohë dhe origjinë e bën këtë përfundim shumë të pasigurt».— The Illustrated Bible Dictionary, nga Xh. Dagllasi, 1980, vëll. 1, f. 185.
3. Një beniaminit, pasardhës i Jediaelit nga Bilhani.—1Kr 7:6, 10.
4. Një nga «bijtë e Harimit» që larguan gratë e huaja në ditët e Ezdrës. (Ezd 10:31, 32, 44) Edhe pse nuk është e sigurt, ai mund të ketë qenë i njëjti Beniamin që përmendet te Nehemia 3:23 dhe 12:34.