KEBARI
[nga gjuha babilonase që do të thotë «(kanal) i madh»].
Një ‘lumë’ në «vendin e kaldeasve» pranë të cilit, në Tel-Abib, banonin mërgimtarë judenj. (Ezk 1:1-3; 3:15) Kur përmendi ‘lumin Kebar’, Ezekieli me sa duket e përdori termin hebraik nahár (përkthyer ‘lumë’) në kuptimin më të gjerë, për të përfshirë kanalet e shumta të Babilonisë, që dikur gërshetoheshin me njëri-tjetrin në zonën pjellore mes rrjedhave të poshtme të lumenjve Eufrat dhe Tigër. Kjo ishte në harmoni me termin përkatës në gjuhën babilonase, i cili po ashtu përdorej si për një lumë, edhe për një kanal. Vendndodhja e Kebarit nuk dihet me saktësi.
Gjithsesi, shumica e gjeografëve që merren me vendet biblike e lidhin ‘lumin Kebar’ me Shat-en-Nilin, që mendohet se është naru Kabaru (ose «kanali i madh»). Ky i fundit përmendet në pllakat me shkrim kuneiform (që ishin kontrata biznesi), të gjetura në qytetin e Nipurit, rreth 85 km në juglindje të Babilonisë. Shat-en-Nili ndahet nga Eufrati sipër Babilonisë, rrjedh drejt juglindjes, kalon pranë Nipurit dhe bashkohet sërish me Eufratin në jug të Urit, rreth 240 km poshtë Babilonisë.
Në vitin 613 p.e.s., në Tel-Abib, pranë lumit Kebar, profeti Ezekiel pa vegimin e tij të parë të dokumentuar, nga i cili mbeti shtatë ditë i shtangur; gjithashtu, atje u caktua si «rojë për shtëpinë e Izraelit». (Ezk 1:1–3:21) Disa vegime të ngjashme që pa më vonë i kujtonin profetit përvojën afër Kebarit.—Ezk 10:15, 20, 22; 43:3.