A interesohet vërtet Perëndia për ty?
A E NDIEN se të tjerët të duan? Apo ndonjëherë ndihesh sikur askush nuk do t’ia dijë për ty? Në këtë botë me ritëm të shpejtë, ku secili përqendrohet te vetja, mund të jetë e lehtë të mendosh se je tepër i parëndësishëm që të tjerët të të vënë re. Siç i përshkruan Bibla kohët tona, shumë veta janë kaq të përqendruar te vetja, sa mungesa e interesimit për tjetrin është përhapur anekënd.—2 Timoteut 3:1, 2.
Pavarësisht nga mosha, kultura, gjuha a raca, të gjithë njerëzit kanë të rrënjosur nevojën që të duan të tjerët dhe që të tjerët t’i duan. Sipas disa raporteve, sistemi ynë nervor është projektuar në mënyrë të veçantë që ne të ndiejmë dashurinë dhe butësinë. Perëndia Jehova, ai që na krijoi, e kupton më mirë se kushdo nevojën tonë që të na duan e të na vlerësojnë. Si do të ndiheshe nëse ai do të të siguronte se për të je i çmuar? Patjetër që do të ishte vlerësimi më i madh për ty. A mund të jemi vërtet të sigurt se Jehovai interesohet për njerëzit e papërsosur? A merakoset ai për ne si individë? Nëse po, çfarë e bën një njeri të dëshirueshëm për të?
Jehovai interesohet
Rreth 3.000 vjet më parë, një psalmist me frikë Perëndie u mbush me nderim kur pa madhështinë e qiellit plot yje natën. Nuk kishte dyshim në mendjen e tij se Ai që kishte krijuar yjet e panumërta ishte tejet i lartë. Duke medituar sa madhështor është Jehovai dhe sa i vogël njeriu, psalmisti shprehu admirimin për interesimin e dashur të Jehovait: «Kur shoh qiejt, veprën e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ke bërë, mendoj: ç’është vdekatari që ta mbash në mendje dhe biri i njeriut që të kujdesesh për të?!» (Psalmi 8:3, 4) Do të ishte e lehtë të nxirrnim përfundimin se Supremi është tepër i largët ose tepër i zënë që të merret me njerëzit e papërsosur. Por, psalmisti e dinte se, megjithëse njeriu është i papërfillshëm dhe jetëshkurtër, ai ka rëndësi për Perëndinë.
Këtë siguri e shprehu edhe një psalmist tjetër: «Jehovait i pëlqejnë ata që i frikësohen, ata që presin dashamirësinë e tij.» (Psalmi 147:11) Mendimi i shprehur në të dyja këto psalme është prekës. Jehovai, megjithëse shumë i lartë, nuk është thjesht i vetëdijshëm që njerëzit ekzistojnë. Përkundrazi, ai ‘kujdeset për ta’ dhe «i pëlqejnë».
Ky fakt theksohet më tej në një profeci biblike që përshkruan ngjarjet e kohës sonë. Me anë të profetit Hage, Jehovai tregoi se predikimi i lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë do të bëhej në të gjithë botën. Çfarë do të sillte kjo? Ja një nga rezultatet: «Gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve kanë për të ardhur; unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi.»—Hageu 2:7.
Çfarë janë këto ‘gjëra të dëshirueshme’ që mblidhen nga të gjitha kombet? Nuk mund të jenë pasuri materiale. (Hageu 2:8) Ajo që ia gëzon vërtet zemrën Jehovait nuk është argjendi dhe ari. Atë e gëzojnë njerëzit që, pavarësisht nga të metat, e adhurojnë ngaqë e duan. (Proverbat 27:11) Këta janë «gjërat e dëshirueshme» që i sjellin lavdi Jehovait, i cili e çmon përkushtimin e tyre me gjithë zemër dhe shërbimin e zellshëm. A je një prej tyre?
Mendimi se krijesat e papërsosura njerëzore mund të jenë të dëshirueshme për Krijuesin e Madh të universit, mund të duket i pabesueshëm. Përkundrazi, kjo e vërtetë duhet të na shtyjë të pranojmë ftesën e ngrohtë për t’iu afruar atij.—Isaia 55:6; Jakovi 4:8.
«Ti je shumë i vyer»
Kur ishte në moshë të shkuar, profeti Daniel pati një takim të pazakontë në muzgun e mbrëmjes. Teksa po lutej, papritur erdhi një vizitor i njohur. Emri i tij ishte Gabriel. Danieli e kishte takuar më parë dhe e njohu që ishte engjëlli i Jehovait. Gabrieli shpjegoi arsyen e ardhjes së papritur: «O Daniel, erdha që të të bëj të kesh gjykim të thellë dhe kuptueshmëri. . . . Sepse ti je shumë i vyer.»—Danieli 9:21-23.
Në një rast tjetër, një engjëll i Jehovait iu drejtua Danielit me fjalët: «O Daniel, njeri shumë i vyer.» Më pas, që ta forconte Danielin, engjëlli i tha: «Mos ki frikë, o njeri shumë i vyer! Paqja qoftë me ty!» (Danieli 10:11, 19) Pra, tri herë Danieli quhet «shumë i vyer». Kjo shprehje ka edhe kuptimin «shumë i dashur», «shumë i vlerësuar», madje «i preferuar».
Patjetër, Danieli tashmë ndihej afër Perëndisë së tij dhe pa dyshim që e kuptonte se Jehovai e miratonte shërbimin e tij të përkushtuar. Megjithatë, ajo shprehje e përzemërsisë së madhe të Perëndisë me anë të lajmëtarëve të tij engjëllorë duhet t’i ketë dhënë shumë zemër Danielit. Ja pse ai u përgjigj: «Më dhe forcë.»—Danieli 10:19.
Tregimi prekës për ndjenjat e buta të Jehovait ndaj profetit të tij besnik është dokumentuar në Fjalën e Perëndisë për dobinë tonë. (Romakëve 15:4) Meditimi rreth shembullit të Danielit na ndihmon të kuptojmë se çfarë e bën dikë të vyer për Atin tonë të dashur qiellor.
Studio rregullisht Fjalën e Perëndisë
Danieli ishte studiues i zellshëm i Shkrimeve. E dimë këtë pasi ai vetë shkroi: «Unë . . . dallova me anë të librave numrin e viteve . . . për përmbushjen e shkretimit të Jerusalemit.» (Danieli 9:2) Librat që kishte në dispozicion në atë kohë, ka të ngjarë të përfshinin shkrimet e frymëzuara të Moisiut, Davidit, Solomonit, Isaisë, Jeremisë, Ezekielit dhe të profetëve të tjerë. Mund ta përfytyrojmë Danielin të rrethuar nga rrotulla të panumërta, krejtësisht të zhytur në leximin dhe në krahasimin e shpalljeve profetike që lidheshin me rivendosjen e adhurimit të vërtetë në Jerusalem. Në ambient të qetë, ndoshta në dhomën në tarracë, pa dyshim që meditonte thellë për domethënien e atyre fragmenteve. Ky studim domethënës ia forconte besimin dhe e afronte më tepër me Jehovain.
Gjithashtu, studimi i Fjalës së Perëndisë ia modeloi personalitetin Danielit dhe ndikoi tek e gjithë rrjedha e jetës. Mësimi sipas Shkrimeve qysh në vogëli, pa dyshim e bëri të vendosur që në rini t’u përmbahej rregullave të Ligjit të Perëndisë për ushqimet, të cilat zbatoheshin në atë kohë. (Danieli 1:8) Më vonë, pa frikë ua shpalli mesazhin e Perëndisë sundimtarëve të Babilonisë. (Proverbat 29:25; Danieli 4:19-25; 5:22-28) Ai njihej se ishte i zellshëm, i ndershëm dhe i denjë për besim. (Danieli 6:4) Mbi të gjitha, në vend që të bënte kompromis për të shpëtuar jetën, Danieli i besoi plotësisht Jehovait. (Proverbat 3:5, 6; Danieli 6:23) Nuk habitemi pse ishte «shumë i vyer» në sytë e Perëndisë.
Në disa drejtime, të studiojmë Biblën sot është më e lehtë sesa ishte për Danielin. Rrotullat e stërmëdha ia kanë lënë vendin librave të rehatshëm. Sot e kemi Biblën të plotë, përfshirë dokumentimin e shkruar që shpjegon si u përmbushën disa profeci të Danielit. Po ashtu, kemi në dispozicion një bollëk mjetesh ndihmëse për të studiuar Biblën dhe për të bërë kërkime.a A i përdor sa më shumë që mundesh këto mjete? A lë rregullisht kohë për të lexuar Biblën e për të medituar rreth saj? Nëse bën kështu, do të kesh të njëjtat dobi si Danieli. Do të kesh besim më të fortë dhe marrëdhënie më të ngushtë me Jehovain. Fjala e Perëndisë do të jetë një udhërrëfyese e sigurt në jetën tënde, duke të të siguruar për interesimin e tij të dashur.
Ngulmo në lutje
Lutja ishte pjesë e rëndësishme në jetën e Danielit. Ai i bënte kërkesa të përshtatshme Perëndisë. Kur Danieli ishte i ri, Nabukodonosori, mbreti babilonas, e kërcënoi se do ta ekzekutonte nëse nuk do t’ia interpretonte ëndrrën. Pa ngurruar, Danieli iu përgjërua Jehovait që ta mbështeste e ta mbronte. (Danieli 2:17, 18) Vite më vonë, duke e kuptuar me përulësi papërsosmërinë e tij njerëzore, profeti besnik rrëfeu mëkatin e vet bashkë me mëkatet e popullit të tij dhe iu përgjërua Jehovait për falje. (Danieli 9:3-6, 20) Kur nuk i kuptonte gjërat që i jepeshin nën frymëzim, Danieli kërkonte ndihmën e Perëndisë. Në një rast, engjëlli që e vizitoi Danielin për t’i dhënë kuptueshmëri të mëtejshme pasi ky ishte lutur, e siguroi: «Fjalët e tua u dëgjuan.»—Danieli 10:12.
Por Danieli besnik nuk i bëri vetëm kërkesa Perëndisë. Në Danielin 6:10 thuhet: «Tri herë në ditë . . . lutej dhe thurte lavde para Perëndisë së tij, ashtu si kishte bërë rregullisht.» Danieli kishte shumë arsye që ta falënderonte e lëvdonte Jehovain. Dhe ai e bënte këtë rregullisht. Po, lutja ishte pjesë kaq e rëndësishme e adhurimit të tij, sa nuk hoqi dorë prej saj edhe kur rrezikoi jetën. Sigurisht, kjo qëndrueshmëri e bëri shumë të dashur për Jehovain.
Ç’dhuratë e mrekullueshme është privilegji i lutjes! Kurrsesi mos lejo të kalojë ndonjë ditë pa folur me Atin tënd qiellor. Kujtohu që ta falënderosh e ta lëvdosh për gjithë mirësinë që tregon. Shprehja lirisht ankthet dhe shqetësimet. Mendo si u është përgjigjur kërkesave dhe përgjërimeve të tua dhe shprehja mirënjohjen. Mos bëj lutje të përcipta e të shpejta. Kur ia hapim zemrën në lutje Jehovait, përjetojmë dashurinë e tij në mënyrë shumë personale. Ç’arsye e fortë për të ‘ngulmuar në lutje’!—Romakëve 12:12.
Jepi lavdi emrit të Jehovait
Nuk ka miqësi të suksesshme nëse njëra palë përqendrohet te vetja. Kjo është e vërtetë edhe për marrëdhënien tonë me Jehovain. Danieli e dinte këtë. Shqyrto sa shumë merakosej ai që emri i Jehovait të merrte lavdi.
Kur Perëndia iu përgjigj lutjes së tij duke ia zbuluar ëndrrën e Nabukodonosorit dhe interpretimin e saj, Danieli tha: «Bekuar qoftë emri i Perëndisë në jetë të jetëve e në amshim, sepse atij i përkasin mençuria dhe fuqia!» Më vonë, kur i bëri të ditur ëndrrën dhe kuptimin e saj Nabukodonosorit, Danieli ia dha disa herë rresht meritën Jehovait duke theksuar se vetëm Ai është «Zbulues i të fshehtave». Po ashtu, kur u lut për falje e çlirim, Danieli tha: «O Perëndia im, . . . qyteti yt dhe populli yt thirret me emrin tënd.»—Danieli 2:20, 28; 9:19.
Kemi shumë raste që ta imitojmë Danielin në këtë drejtim. Kur lutemi, mund të shprehim merakun që ‘të shenjtërohet emri’ i Perëndisë. (Mateu 6:9, 10) Kurrë nuk do të donim që sjellja jonë t’i sillte sharje emrit të shenjtë të Jehovait. Në vend të kësaj, le t’i sjellim lavdi gjithnjë Jehovait duke u folur të tjerëve për atë që mësojmë rreth lajmit të mirë të Mbretërisë së tij.
Në botën ku jetojmë duket qartë se dashuria dhe interesimi për të tjerët mungojnë. Gjithsesi, na ngushëllon mjaft dijenia se Jehovai interesohet vërtet për secilin nga adhuruesit e tij. Siç u shpreh psalmisti: «Jehovait i pëlqen populli i tij. Ai i hijeshon zemërbutët me shpëtim.»—Psalmi 149:4.
[Shënimi]
a Dëshmitarët e Jehovait botojnë një sërë mjetesh ndihmëse studimi dhe kërkimi, që ndihmojnë për të nxjerrë më shumë dobi nga leximi dhe studimi i Biblës. Nëse dëshiron të kesh mjete të tilla, ndihu i lirë që t’ia kërkosh kujtdo nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Diçitura në faqen 21]
Perëndia e tregoi përzemërsinë për Danielin duke dërguar engjëllin Gabriel që ta forconte
[Diçitura në faqen 23]
Zelli i Danielit në studim dhe në lutje ia përmirësoi personalitetin dhe e bëri të dashur për Perëndinë