Bibla—Një libër me profeci të sakta, Pjesa 3
«Kemi gjetur Mesinë»
Në këtë seri me tetë pjesë, «Zgjohuni!» po shqyrton një veçori mbresëlënëse të Biblës—profecitë e saj, ose parashikimet. Artikujt do t’ju ndihmojnë t’u përgjigjeni këtyre pyetjeve: a erdhën thjesht nga disa njerëz të zgjuar profecitë e Biblës? A mbajnë këto parashikime vulën e qartë se janë të frymëzuara nga Perëndia? Ju ftojmë të peshoni dëshmitë.
SHUMË shekuj para lindjes së Jezuit, profetët hebrenj parathanë ardhjen e Mesisë, që në hebraisht do të thotë «i Mirosuri». Ata profetë dhanë hollësi specifike për jetën e Mesisë, përfshirë linjën gjenealogjike, si edhe ku e kur do të vinte e çfarë do t’i ndodhte.
Të krishterët në shekullin e parë të e.s. besonin se këto profeci përmbusheshin te Jezui. Ata mendonin si dishepulli Andrea që i tha të vëllait, Simonit: «Kemi gjetur Mesinë.» (Gjoni 1:40, 41) A ishte vërtet kështu? Le të shohim vetëm katër nga profecitë e shumta për Mesinë dhe në çdo rast do të shqyrtojmë provat.
Profecia 1: «Ai do të ulet në fronin mbretëror të Davidit.»—Isaia 9:7, «Knox».
Plotësimi: Ungjilli i Mateut fillon me fjalët: «Libri i historisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.» Mateu pastaj tregon hap pas hapi prejardhjen e Jezuit nëpërmjet Davidit, siç bën edhe shkrimtari i Ungjillit, Luka.—Mateu 1:1-16; Luka 3:23-38.
Çfarë tregon historia:
● Shkrimet e historianit jude, Jozefit, tregojnë se regjistrimet gjenealogjike të familjeve judeje gjendeshin në arkiva dhe mund t’i shihte kushdo. Këto regjistrime u shkatërruan në vitin 70 të e.s. kur Jerusalemi u plaçkit. Por, para se Jerusalemi të shkatërrohej, pohimi se Jezuit ishte pasardhës i Davidit ishte gjerësisht i përhapur. (Mateu 9:27; 20:30; 21:9) Nëse kjo nuk do të ishte e vërtetë, kushdo mund ta kishte vënë në dyshim ose të provonte të kundërtën. Megjithatë, askund nuk thuhet se ndonjëri është përpjekur ta bëjë këtë.
Profecia 2: «Nga ti, o Betlehem-Efratah, që je më i vogli ndër qytetet e Judës, do të dalë për mua ai që ka për t’u bërë sundimtar në Izrael.»—Mikea 5:2.
Plotësimi: Jezui lindi në Betlehem. Kur Cezar Augusti dha urdhër për regjistrimin e popullsisë, babait birësues të Jezuit, Jozefit, iu desh të shkonte nga Nazareti deri «në Jude [Judë], në qytetin e Davidit, i cili quhet Betlehem, meqë ishte nga shtëpia dhe nga familja e Davidit, që të regjistrohej bashkë me Marinë». Kur ishin atje, Maria «lindi një djalë», Jezuin.—Luka 2:1-7.
Çfarë tregon historia:
● Arkeologjia vërteton se romakët bënin regjistrime të popullsisë në Lindjen e Mesme për mbledhjen e taksave dhe për rekrutimin në ushtri. Provë e një regjistrimi të tillë është një dekret i vitit 104 të e.s., nxjerrë nga guvernatori romak i Egjiptit. Në një kopje të këtij dekreti, e cila ruhet në Bibliotekën Britanike, thuhet: «Meqë ka ardhur koha për regjistrimin e popullsisë shtëpi më shtëpi, është e nevojshme që të gjithë ata që për çfarëdolloj arsyeje banojnë jashtë krahinave të tyre, të detyrohen të rikthehen në shtëpitë e veta që të zbatojnë urdhrin e rregullt për regjistrimin dhe gjithashtu të kujdesen me zell për kultivimin e ngastrave të tyre.»
● Kur lindi Jezui, dy qytete në Izrael quheshin Betlehem. Njëri ishte në veri afër Nazaretit. Tjetri, që me sa duket më parë quhej Efratah, ishte pranë Jerusalemit në Judë. (Zanafilla 35:19) Jezui lindi në Betlehem të Judës, tamam siç kishte parathënë Mikea rreth tetë shekuj më parë.
Profecia 3: «Nga dalja e fjalës për të restauruar dhe për të rindërtuar Jerusalemin deri te Mesia, Udhëheqësi, do të kalojnë shtatë javë, si edhe gjashtëdhjetë e dy javë.»—Danieli 9:25.
Plotësimi: Periudha kohore e përcaktuar te profecia e Danielit përbëhet nga 69 njësi me 7 vjet secila, gjithsej 483 vjet. Rindërtimi i Jerusalemit nisi në vitin 455 p.e.s. Siç ishte profetizuar, 483 vjet (69 javë vjetore) më vonë, në vitin 29 të e.s., Jezui u bë i Mirosuri, ose Mesia, kur u pagëzua dhe u miros me frymën e shenjtë të Perëndisë.a—Luka 3:21, 22.
Çfarë tregon historia:
● Në fillim të shekullit të parë të e.s., «populli ishte në pritje» të Mesisë. (Luka 3:15) Në librin e tij, studiuesi jude Aba Hilel Silver shkruan se, në periudhën para se të shkatërrohej Jerusalemi, «kishte një entuziazëm të jashtëzakonshëm për shfaqjen e Mesisë». Gjithashtu ai vëren se «Mesia pritej të vinte aty nga çereku i dytë i shekullit të parë». Siç shkruante Silveri, pritja e judenjve bazohej në «kronologjinë e njohur të asaj kohe».—A History of Messianic Speculation in Israel.
Profecia 4: «Kur të vdesë, varri i tij do të jetë mes të ligjve dhe të pasurve.»—Isaia 53:9.
Plotësimi: Jezui u ekzekutua përkrah dy kriminelëve të dënuar e megjithatë u varros në një varr të gërmuar në shkëmb, që ia dha Jozefi nga Arimatea, një besimtar i pasur.—Mateu 27:38, 57-60; Gjoni 19:38.
Çfarë tregon historia:
● Shumë shkrimtarë të lashtë jo të krishterë, përfshirë edhe historianin jude, Jozefin, dhe historianin romak, Tacitin, dëshmojnë se Jezui u ekzekutua si kriminel.
● Studimet arkeologjike në Palestinë kanë zbuluar varre të lashta që ishin si dhoma të vogla ose guva të gërmuara në shkëmb. Të kishe një varr tashmë të përgatitur nuk përbënte problem për një njeri të pasur e me influencë siç ishte Jozefi nga Arimatea.
Këto që thamë më sipër janë vetëm disa nga profecitë e shumta mesianike që u përmbushën te Jezui. Është e qartë se askush nuk mund të shtrembëronte plotësimin e këtyre profecive të hollësishme. Përmbushja e tyre me imtësi na forcon besimin se Burimi i tyre ishte Perëndia dhe se do të bëjë realitet të gjitha bekimet mesianike që ka parathënë për njerëzimin e bindur.
Në artikullin tjetër të kësaj serie do të shqyrtojmë një pyetje interesante: nëse Jezui ishte vërtet Mesia i premtuar, pse pranoi të vuante e të vdiste?
[Shënimi]
a Për më shumë informacion rreth përmbushjes së profecisë për kohën kur do të shfaqej Mesia, shih faqet 197-199 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Tabela dhe figurat në faqet 22, 23]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
KRONOLOGJIA E KATËR PROFECIVE MESIANIKE
1 Mesia do të ishte pasardhës i mbretit David
1070 p.e.s.
Davidi bëhet mbret i gjithë Izraelit
607 p.e.s.
Jerusalemi shkatërrohet nga babilonasit
455 p.e.s.
Del urdhri për restaurimin dhe rindërtimin e Jerusalemit
2 Mesia do të lindte në Betlehem të Judës
2 p.e.s.
Jezui lind në Betlehem të Judës në linjën familjare të Davidit
3 Mesia do të vinte 483 vjet pas daljes së urdhrit për rindërtimin e Jerusalemit
29 i e.s.
Jezui pagëzohet dhe miroset si Mesia
4 Mesia do të vdiste me mëkatarët dhe do të varrosej me të pasurit
33 i e.s.
Jezui vdes me kriminelët dhe varroset me të pasurit