Kapitulli Trembëdhjetë
Dy mbretër në konflikt
1, 2. Pse duhet të na interesojë profecia që gjendet në kapitullin 11 të Danielit?
DY MBRETËR rivalë kacafyten në një luftë totale për epërsi. Ndërsa kalojnë vitet, njëherë mbizotëron njëri, njëherë tjetri. Hera-herës, njëri mbret sundon si suprem, ndërsa tjetri bëhet joaktiv, kështu që kalojnë periudha pa konflikte. Por më pas shpërthen papritur një betejë tjetër dhe konflikti vazhdon. Mes pjesëmarrësve në këtë dramë kanë qenë mbreti sirian Seleuku I Nikator, mbreti egjiptian Ptoleme Lagu, princesha siriane dhe mbretëresha egjiptiane Kleopatra I, perandorët romakë Augusti dhe Tiberi, si dhe mbretëresha palmiriane Zenobia. Ndërsa konflikti i afrohet fundit, në të përfshihen edhe Gjermania naziste, blloku komunist i kombeve, fuqia botërore anglo-amerikane, Lidhja e Kombeve dhe Kombet e Bashkuara. Fundi është një episod i paparashikuar nga asnjëri prej këtyre entiteteve politike. Engjëlli i Jehovait ia shpalli këtë profeci emocionuese profetit Daniel rreth 2.500 vjet më parë.—Danieli, kapitulli 11.
2 Sa duhet të jetë drithëruar Danieli tek dëgjonte engjëllin t’i zbulonte me hollësi rivalitetin mes dy mbretërve të ardhshëm! Drama është me interes edhe për ne, sepse lufta për pushtet mes dy mbretërve arrin deri në ditët tona. Duke parë se si ka treguar historia që pjesa e parë e profecisë është e vërtetë, do të forcohet besimi dhe siguria jonë se edhe pjesa e fundit e tregimit profetik do të përmbushet patjetër. Duke i kushtuar vëmendje kësaj profecie, do të kemi një ide të qartë se ku ndodhemi në rrjedhën e kohës. Gjithashtu, kjo do të forcojë vendosmërinë tonë për të mbetur asnjanës në këtë konflikt, ndërsa presim me durim që Perëndia të veprojë në favorin tonë. (Psalmi 146:3, 5) Le të dëgjojmë, pra, me vëmendje të madhe, ndërsa engjëlli i Jehovait i flet Danielit.
KUNDËR MBRETËRISË SË GREQISË
3. Kë mbështeti engjëlli «në vitin e parë të medit Dar»?
3 «Sa për mua,—tha engjëlli,—në vitin e parë të medit Dar [539-538 p.e.s.], u ngrita si forcues dhe si fortesë për të.» (Danieli 11:1) Dari nuk jetonte më, por engjëlli iu referua mbretërisë së tij si pikënisja e mesazhit profetik. Ky ishte mbreti që kishte urdhëruar nxjerrjen e Danielit nga gropa e luanëve. Dari kishte dekretuar, gjithashtu, se të gjithë nënshtetasit e tij duhej ta druanin Perëndinë e Danielit. (Danieli 6:21-27) Megjithatë, ai për të cilin engjëlli u ngrit si një mbështetje nuk ishte medi Dar, por engjëlli që ishte me të, Mikaeli, princi i popullit të Danielit. (Krahaso Danielin 10:12-14.) Engjëlli i Perëndisë e dha këtë mbështetje ndërkohë që Mikaeli ndeshej me princin demon të Medo-Persisë.
4, 5. Cilët ishin katër mbretërit e parathënë të Persisë?
4 Engjëlli i Perëndisë vazhdoi: «Ja! Do të ketë ende tre mbretër që do të ngrihen për Persinë dhe i katërti do të grumbullojë pasuri më të mëdha se gjithë të tjerët. Dhe sapo të bëhet i fortë në pasuritë e tij, do të ngrejë çdo gjë kundër mbretërisë së Greqisë.» (Danieli 11:2) Por, kush ishin këta sundimtarë persë?
5 Tre mbretërit e parë ishin Kiri i Madh, Kambisi II dhe Dari I (Hystaspi). Meqenëse Bardija (ose ndoshta Gaumata, i cili pretendonte se ishte mbret) sundoi vetëm për shtatë muaj, profecia nuk i merr në konsideratë periudhat e shkurtra të mbretërimit të tyre. Në vitin 490 p.e.s., mbreti i tretë, Dari I, u orvat ta zaptonte Greqinë për herë të dytë. Megjithatë, persët u shpartalluan në Maratonë dhe u tërhoqën në Azinë e Vogël. Megjithëse Dari bëri përgatitje të kujdesshme për një fushatë tjetër kundër Greqisë, nuk mundi ta realizonte atë përpara vdekjes së tij katër vjet më vonë. Kjo iu la birit dhe pasuesit të tij, mbretit të «katërt», Kserksit I. Ky ishte mbreti Aser, i cili u martua me Esterën.—Estera 1:1; 2:15-17.
6, 7. (a) Si «ngriti çdo gjë kundër mbretërisë së Greqisë» mbreti i katërt? (b) Cili ishte rezultati i fushatës së Kserksit kundër Greqisë?
6 Kserksi I ‘ngriti me të vërtetë çdo gjë kundër mbretërisë së Greqisë’, domethënë kundër shteteve të pavarura greke si grup. «I shtyrë nga disa oborrtarë ambiciozë,—thotë libri Medët dhe persët: Pushtues dhe diplomatë,—Kserksi u hodh në sulm nga toka dhe nga deti.» Një historian grek i shekullit të pestë p.e.s., Herodoti, shkruan se «asnjë ekspeditë tjetër nuk mund të krahasohet kurrsesi me këtë». Dokumentimi nga Herodoti pohon se forcat detare «arritën gjithsej në 517.610 burra. Numri i ushtarëve këmbësorë ishte 1.700.000, ndërsa ai i kalorësve 80.000; këtyre duhet t’u shtohen arabët që ngitnin devetë dhe libanezët që luftonin të hipur nëpër karroca, të cilët sipas llogaritjeve të mia duhet të kenë qenë rreth 20.000 veta. Prandaj, i tërë numri, i forcave tokësore dhe detare të marra së bashku, arrin në 2.317.610 burra».
7 Me objektivin e një pushtimi të plotë, në vitin 480 p.e.s. Kserksi I i drejtoi forcat e tij të stërmëdha kundër Greqisë. Pasi përballuan në Termopile një veprim taktik për të shtyrë sulmin, persët bastisën Athinën. Por në Salamis, ata pësuan një disfatë të tmerrshme. Një fitore tjetër e grekëve ndodhi në Platea, në vitin 479 p.e.s. Asnjëri nga të shtatë mbretërit që erdhën pas Kserksit në fronin e Perandorisë Perse gjatë 143 vjetëve që pasuan, nuk shkelën në Greqi. Por më pas, në Greqi u ngrit një mbret i fuqishëm.
NJË MBRETËRI MADHËSHTORE E NDARË MË KATËRSH
8. Cili «mbret i fuqishëm» u ngrit dhe si arriti ai të ’sundonte me zotërim të shtrirë’?
8 «Me siguri do të ngrihet një mbret i fuqishëm dhe do të sundojë me një zotërim të shtrirë dhe do të bëjë sipas vullnetit të tij»,—tha engjëlli. (Danieli 11:3) Aleksandri njëzetë e tre vjeçar ‘u ngrit’ si mbret i Maqedonisë në vitin 336 p.e.s. Ai u bë vërtet «një mbret i fuqishëm»: Aleksandri i Madh. Duke zbatuar një plan të të atit, Filipit II, ai pushtoi provincat perse në Lindjen e Mesme. Pasi kaluan lumin Eufrat dhe Tigër, 47.000 njerëzit e tij shpartalluan në Gaugamela 250.000 trupat ushtarake të Darit III. Më pas, Dari iku dhe e vranë, duke i dhënë kështu fund dinastisë perse. Tani Greqia u bë fuqia botërore e Aleksandri ‘sundoi me një zotërim të shtrirë dhe bëri sipas vullnetit të tij’.
9, 10. Si doli e vërtetë profecia se mbretëria e Aleksandrit nuk do t’i kalonte pasardhësve të tij?
9 Sundimi i Aleksandrit mbi botën do të ishte i shkurtër, sepse engjëlli i Perëndisë shtoi: «Kur të jetë ngritur ai, mbretëria e tij do të thyhet dhe do të ndahet drejt katër erërave të qiejve, por jo pasardhësve të tij dhe jo sipas pushtetit të tij, me të cilin kishte sunduar, sepse mbretëria e tij do të jetë çrrënjosur, po, për të tjerë veç këtyre.» (Danieli 11:4) Aleksandri nuk i kishte mbushur ende 33 vjeç, kur një sëmundje e papritur i mori jetën në Babiloni, në vitin 323 p.e.s.
10 Perandoria e shtrirë e Aleksandrit nuk i kaloi «pasardhësve të tij». Vëllai i tij, Filipi III Arrideu, mbretëroi për më pak se shtatë vjet dhe u vra me kërkesën e Olimpias, nënës së Aleksandrit, në vitin 317 p.e.s. Djali i Aleksandrit, Aleksandri IV, sundoi deri në vitin 311 p.e.s., kur vdiq nga duart e Kasandrit, njërit prej gjeneralëve të babait të tij. Djali i paligjshëm i Aleksandrit, Herakliu, u përpoq të sundonte në emrin e të atit, por e vranë në vitin 309 p.e.s. Kështu mori fund linja e Aleksandrit, «zotërimi i tij» që nisi nga familja e tij.
11. Si ‘u nda drejt katër erërave të qiejve’ mbretëria e Aleksandrit?
11 Pas vdekjes së Aleksandrit, mbretëria e tij ’u nda drejt katër erërave’. Gjeneralët e tij të shumtë u zunë mes tyre, sepse kërkonin të gllabëronin territore. Gjenerali Antigon, që kishte vetëm njërin sy, u përpoq madje ta vinte nën kontrollin e vet të gjithë perandorinë e Aleksandrit. Por u vra në një betejë në Ipsus të Frygisë. Aty nga viti 301 p.e.s., katër gjeneralë të Aleksandrit kishin marrë pushtetin mbi territorin e shtrirë që kishte pushtuar komandanti i tyre. Kasandri sundonte në Maqedoni dhe në Greqi. Lisimaku vuri nën kontrollin e vet Azinë e Vogël dhe Trakën. Seleuku I Nikator shtiu në dorë Mesopotaminë dhe Sirinë. Ndërsa Ptoleme Lagu mori Egjiptin dhe Palestinën. Në vërtetim të fjalës profetike, perandoria madhështore e Aleksandrit u nda në katër mbretëri helenistike.
SHFAQEN DY MBRETËR RIVALË
12, 13. (a)Si u reduktuan në dy, katër mbretëritë helenistike? (b) Cilën dinasti themeloi Seleuku në Siri?
12 Disa vjet pas ardhjes në fuqi, Kasandri vdiq dhe në vitin 285 p.e.s., Lisimaku vuri nën zotërim pjesën evropiane të Perandorisë Greke. Në vitin 281 p.e.s., Lisimaku ra në një betejë me Seleukun I Nikator, duke i dhënë kështu Seleukut kontrollin mbi pjesën më të madhe të territoreve aziatike. Antigoni II Gonata, nip i njërit prej gjeneralëve të Aleksandrit, hipi në fronin e Maqedonisë në vitin 276 p.e.s. Me kalimin e kohës, Maqedonia u vu nën varësinë e Romës dhe në vitin 146 p.e.s., përfundoi si provincë romake.
13 Vetëm dy prej katër mbretërive helenistike mbetën tani të rëndësishme: njëra nën Seleukun I Nikator dhe tjetra nën Ptoleme Lagun. Seleuku e vendosi dinastinë e Seleukajve në Siri. Mes qyteteve që themeloi ai ishin Antiokia, kryeqyteti i ri sirian, dhe porti detar i Seleukisë. Më vonë, apostulli Pavël mësoi njerëzit në Antioki, ku ithtarët e Jezuit u quajtën për herë të parë të krishterë. (Veprat 11:25, 26; 13:1-4) Seleukun e vranë në vitin 281 p.e.s., por dinastia e tij sundoi deri në vitin 64 p.e.s., kur gjenerali romak Gneu Pompei e bëri Sirinë provincë romake.
14. Kur u themelua dinastia e Ptolemejve në Egjipt?
14 Mbretëria helenistike që qëndroi më gjatë nga të katër mbretëritë ishte ajo e Ptolemeut I, i cili e mori titullin mbret në vitin 305 p.e.s. Dinastia e Ptolemejve që themeloi ai vazhdoi të sundonte në Egjipt derisa ra në duart e Romës në vitin 30 p.e.s.
15. Cilët ishin dy mbretërit e fuqishëm që dolën nga katër mbretëritë helenistike dhe cilën kacafytje filluan ata?
15 Kështu, nga katër mbretëri helenistike dolën dy mbretër të fortë: Seleuku I Nikator mbi Sirinë dhe Ptolemeu I mbi Egjiptin. Me këta dy mbretër filloi kacafytja e gjatë mes «mbretit të veriut» dhe «mbretit të jugut», e cila përshkruhet në kapitullin 11 të Danielit. Engjëlli i Jehovait i la pa përmendur emrat e mbretërve, sepse me kalimin e shekujve identiteti dhe kombësia e këtyre dy mbretërve do të ndryshonte. Duke i hequr hollësitë e panevojshme, engjëlli përmendi vetëm dy sundimtarë dhe ngjarje që ndikuan në këtë konflikt.
KONFLIKTI FILLON
16. (a) Në veri dhe në jug të kujt ishin dy mbretërit? (b) Cilët ishin mbretërit që luajtën në fillim rolin e «mbretit të veriut» dhe të «mbretit të jugut»?
16 Dëgjo! Duke përshkruar fillimin e këtij konflikti dramatik, engjëlli i Jehovait thotë: «Mbreti i jugut do të bëhet i fortë, madje një prej princave të tij [të Aleksandrit]; dhe ai [mbreti i veriut] do të triumfojë mbi të dhe me siguri do të sundojë me një pushtet të shtrirë më të madh se fuqia sunduese e atij.» (Danieli 11:5) Titujt «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut» u referohen mbretërve në veri dhe në jug të popullit të Danielit, i cili në atë kohë ishte çliruar nga robëria babilonase dhe ishte rivendosur në vendin e Judës. ‘Mbreti i parë i jugut’ ishte Ptolemeu I i Egjiptit. Njëri prej gjeneralëve të Aleksandrit që triumfuan mbi Ptolemeun I dhe sunduan «me zotërim të shtrirë», ishte mbreti sirian Seleuku I Nikator. Ai luajti rolin e «mbretit të veriut».
17. Nën zotërimin e kujt ishte vendi i Judës në fillim të konfliktit mes mbretit të veriut dhe mbretit të jugut?
17 Në fillim të konfliktit, vendi i Judës ishte nën zotërimin e mbretit të jugut. Që rreth vitit 320 p.e.s., Ptolemeu I ndikoi te hebrenjtë që të vinin në Egjipt si kolonë. Një koloni hebreje lulëzoi në Aleksandri, ku Ptolemeu I ngriti një bibliotekë të famshme. Hebrenjtë e Judës mbetën nën kontrollin e Egjiptit të Ptolemejve, mbretit të jugut, deri në vitin 198 p.e.s.
18, 19. Me kalimin e kohës, si hynë dy mbretërit në «një marrëveshje të paanshme»?
18 Në lidhje me dy mbretërit, engjëlli profetizoi: «Në fund të disa viteve ata do të bëjnë aleancë me njëri-tjetrin dhe vetë bija e mbretit të jugut do të vijë te mbreti i veriut që të bëjë një marrëveshje të paanshme. Por ajo nuk do ta ruajë fuqinë e krahut të saj, dhe ai nuk do të qëndrojë, as krahu i tij, dhe atë do ta dorëzojnë, atë vetë dhe ata që e kanë sjellë edhe atë që shkaktoi lindjen e saj, edhe atë që e ka bërë të fortë në ato kohë.» (Danieli 11:6) Si u realizua kjo?
19 Profecia nuk bënte fjalë për birin dhe pasuesin e Seleukut I Nikator, Antiokut I, sepse ai nuk bëri një luftë vendimtare kundër mbretit të jugut. Por pasuesi i tij, Antioku II, bëri një luftë të gjatë kundër Ptolemeut II, birit të Ptolemeut I. Antioku II dhe Ptolemeu II përbënin përkatësisht mbretin e veriut dhe mbretin e jugut. Antioku II ishte martuar me Laodicenë dhe kishin një djalë që quhej Seleuku II, ndërsa Ptolemeu II kishte një vajzë që quhej Bernike. Në vitin 250 p.e.s., këta dy mbretër hynë në «një marrëveshje të paanshme». Për të paguar çmimin e kësaj aleance, Antioku II u divorcua nga gruaja e tij Laodice dhe u martua me Berniken, «vetë bija e mbretit të jugut». Nga Bernike ai pati një bir që u bë trashëgimtar i fronit sirian në vend të bijve të Laodicesë.
20. (a) Në ç’mënyrë nuk qëndroi «krahu» i Bernikes? (b) Si u dorëzuan Bernike, «ata që e sollën» dhe «ai që e bëri të fortë»? (c) Kush u bë mbreti sirian pasi Antioku II humbi «krahun e tij», apo fuqinë?
20 «Krahu» i Bernikes ose fuqia mbështetëse ishte babai i saj, Ptolemeu II. Kur ai vdiq në vitin 246 p.e.s., ajo nuk e «ruajti fuqinë e krahut të saj» me burrin e vet. Antioku II e largoi atë, u rimartua me Laodicenë dhe birin e tyre e caktoi si pasues të vet. Siç e kishte bërë me plan Laodicea, Bernike dhe djali i saj u vranë. Duket se shërbëtorët që e kishin sjellë Berniken nga Egjipti në Siri, «ata që e kanë sjellë», patën të njëjtin fund. Madje Laodicea e helmoi Antiokun II e kështu edhe «krahu i tij», apo fuqia, nuk ‘qëndroi’. Kështu, si babai i Bernikes, «ai që shkaktoi lindjen e saj», ashtu edhe burri i saj sirian, që e kishte bërë përkohësisht «të fortë», vdiqën. Kjo gjë e la Seleukun II, birin e Laodicesë, si mbret të Sirisë. Si do të reagonte mbreti tjetër i Ptolemejve ndaj gjithë kësaj?
NJË MBRET HAKMERRET PËR VRASJEN E SË MOTRËS
21. (a) Kush ishte «një nga filizi» i «rrënjëve» të Bernikes dhe si ‘u ngrit’ ai? (b) Si «doli kundër fortesës së mbretit të veriut» Ptolemeu III dhe si triumfoi mbi të?
21 «Një nga filizi i rrënjëve të saj do të ngrihet me siguri në vend të tij,—tha engjëlli,—dhe do të vijë drejt forcave ushtarake dhe do të vijë kundër fortesës së mbretit të veriut dhe me siguri do të veprojë kundër tyre dhe do të triumfojë.» (Danieli 11:7) «Një nga filizi» i prindërve të Bernikes, ose i «rrënjëve», ishte vëllai i saj. Me vdekjen e babait të tij, ai ‘u ngrit’ si mbreti i jugut, faraoni egjiptian Ptolemeu III. Menjëherë ai i vuri vetes si qëllim që të hakmerrej për vrasjen e së motrës. Duke marshuar kundër mbretit sirian Seleuku II, të cilin Laodicea e kishte përdorur për të vrarë Berniken dhe birin e saj, ai erdhi kundër «fortesës së mbretit të veriut». Ptolemeu III mori pjesën e fortifikuar të Antiokisë dhe i dha një goditje vdekjeprurëse Laodicesë. Duke kaluar përmes zotërimit të mbretit të veriut për të shkuar në lindje, ai plaçkiti Babiloninë dhe marshoi drejt Indisë.
22. Çfarë ktheu në Egjipt Ptolemeu III dhe pse «për disa vjet qëndroi larg mbretit të veriut»?
22 Ç’ndodhi më pas? Engjëlli i Perëndisë na thotë: «E edhe me perënditë e tyre, me shëmbëlltyrat e tyre prej metali të shkrirë, me objektet e tyre të dëshirueshme prej argjendi dhe ari, edhe me robërit, ai do të vijë në Egjipt. Dhe ai vetë, për disa vite, do të qëndrojë larg mbretit të veriut.» (Danieli 11:8) Mbi 200 vjet më parë, mbreti pers Kambisi II kishte pushtuar Egjiptin dhe kishte çuar në vendin e tij perënditë egjiptiane, «shëmbëlltyrat e tyre prej metali të shkrirë». Duke plaçkitur ish-kryeqytetin mbretëror të Persisë, Suzën, Ptolemeu III i shtiu sërish në dorë këto perëndi dhe i çoi ‘robër’ në Egjipt. Ai solli si plaçkë lufte edhe një sasi shumë të madhe «objektesh të dëshirueshme argjendi dhe ari». Meqenëse qe i detyruar të kthehej në Egjipt për të shtypur revoltën që kishte plasur, Ptolemeu III ‘qëndroi larg mbretit të veriut’, duke mos i shkaktuar atij dëme të mëtejshme.
MBRETI SIRIAN KUNDËRPËRGJIGJET
23. Pse mbreti i veriut «u kthye në dheun e vet», pasi erdhi në mbretërinë e mbretit të jugut?
23 Si reagoi mbreti i veriut? Danielit i ishte thënë: «Ai do të hyjë në fakt në mbretërinë e mbretit të jugut dhe do të kthehet në dheun e vet.» (Danieli 11:9) Mbreti i veriut, mbreti sirian Seleuku II, mori hak. Ai hyri në «mbretërinë» ose sferën e mbretit egjiptian të jugut, por u mund. Vetëm me ata pak që kishin mbetur nga ushtria e tij, Seleuku II ‘u kthye në dheun e tij’, duke u tërhequr në kryeqytetin sirian, në Antioki, rreth vitit 242 p.e.s. Pas vdekjes së tij, ai që e pasoi ishte i biri, Seleuku III.
24. (a) Çfarë i ndodhi Seleukut III? (b) Si «erdhi, përmbyti dhe kaloi përmes» zotërimit të mbretit të jugut Antioku III?
24 Çfarë ishte parathënë në lidhje me pasardhësit e mbretit sirian Seleuku II? Engjëlli i tha Danielit: «Tani, sa për bijtë e tij, ata do të turbullohen dhe do të grumbullojnë në fakt një turmë forcash të mëdha ushtarake. Dhe duke ardhur me siguri ai do të vijë, do të përmbytë dhe do të përshkojë. Por do të kthehet dhe do të turbullohet deri te fortesa e tij.» (Danieli 11:10) Vrasja i dha fund mbretërimit të Seleukut III brenda më pak se tre vjetësh. Vëllai i tij, Antioku III, e pasoi në fronin e Sirisë. Ky bir i Seleukut II grumbulloi forca të mëdha për të sulmuar mbretin e jugut, që në atë kohë ishte Ptolemeu IV. Mbreti i ri sirian i veriut doli me sukses në luftën kundër Egjiptit dhe rifitoi portin detar të Seleukisë, provincën e Koele-Sirisë, qytetin e Tirit dhe të Ptolemaisit, si dhe fshatrat përreth. Ai shpartalloi një ushtri të mbretit Ptolemeu IV dhe pushtoi shumë qytete të Judës. Në pranverën e vitit 217 p.e.s., Antioku III e la Ptolemaisin dhe shkoi në veri, «deri te fortesa e tij» në Siri. Por në horizont dukej një ndryshim.
NDRYSHON SITUATA
25. Kur u ndesh në betejë Ptolemeu IV me Antiokun III dhe çfarë «u dorëzua në dorën» e mbretit egjiptian të jugut?
25 Ashtu si Danieli, ne dëgjojmë me padurim ndërsa më pas engjëlli i Jehovait parathotë: «Mbreti i jugut do të acarohet dhe do t’i duhet të dalë e të luftojë me të, domethënë me mbretin e veriut, dhe me siguri do të bëjë të ngrihet një turmë e madhe, dhe turma do të jepet në fakt në dorën e këtij.» (Danieli 11:11) Me 75.000 trupa ushtarake, mbreti i jugut, Ptolemeu IV, shkoi drejt veriut kundër armikut. Për t’i bërë ballë atij, mbreti sirian i veriut, Antioku III, kishte ngritur «një turmë të madhe» prej 68.000 vetash. Por ‘turma iu dha në duar’ mbretit të jugut gjatë një beteje në qytetin bregdetar të Rafias, jo shumë larg kufirit të Egjiptit.
26. (a) Cila «turmë» u çua tutje nga mbreti i jugut në betejën e Rafias dhe cilat ishin kushtet e traktatit të paqes që u vunë atje? (b) Në ç’mënyrë ‘nuk e përdori pozitën e tij të fortë’ Ptolemeu IV? (c) Kush u bë mbreti tjetër i jugut?
26 Profecia vazhdon: «Dhe me siguri turma do të çohet tutje në vdekje. Zemra e tij do të lartësohet dhe ai në fakt do të bëjë të bien dhjetëra mijë, por nuk do ta përdorë pozitën e tij të fortë.» (Danieli 11:12) Ptolemeu IV, mbreti i jugut, ‘çoi tutje në vdekje’ 10.000 këmbësorë sirianë dhe 300 kalorës, si dhe zuri robër 4.000 veta. Pastaj mbretërit lidhën një traktat, sipas të cilit Antioku III mbante portin e tij detar sirian të Seleukisë, por humbiste Fenikinë dhe Koele-Sirinë. Për këtë fitore, zemra e mbretit egjiptian të jugut ‘u lartësua’, sidomos kundër Jehovait. Juda mbeti nën kontrollin e Ptolemeut IV. Megjithatë, ai nuk e ‘përdori pozitën e tij të fortë’ për ta çuar më tej fitoren kundër mbretit sirian të veriut. Përkundrazi, Ptolemeu IV nisi një jetë të shthurur dhe djali i tij pesëvjeçar, Ptolemeu V, u bë mbreti pasues i jugut disa vite përpara vdekjes së Antiokut III.
SHFRYTËZUESI KTHEHET
27. Si u kthye mbreti i veriut «në fund të kohëve» për të rimarrë territorin nga Egjipti?
27 Për shkak të gjithë bëmave të tij, me kalimin e kohës Antioku III u quajt Antioku i Madh. Për të, engjëlli tha: «Mbreti i veriut duhet të rikthehet dhe të ngrejë një turmë më të madhe se e para, dhe në fund të kohëve, disa vjet, do të vijë, duke e bërë këtë me forca të mëdha ushtarake dhe me një sasi të madhe të mirash.» (Danieli 11:13) Këto «kohë» ishin 16 ose më shumë vjet pas mundjes së sirianëve nga egjiptianët në Rafia. Kur i riu Ptolemeu V u bë mbret i jugut, Antioku III doli me «një turmë më të madhe se e para» për të rimarrë territoret që i kishte humbur me mbretin egjiptian të jugut. Për këtë qëllim, ai i bashkoi forcat me mbretin maqedonas Filipi V.
28. Cilat probleme pati mbreti i ri i jugut?
28 Mbreti i jugut kishte probleme edhe brenda mbretërisë së tij. «Në ato kohë, shumë do të ngrihen kundër mbretit të jugut»,—tha engjëlli. (Danieli 11:14a) Ata që «u ngritën kundër mbretit të jugut» ishin vërtet shumë. Përveçse u gjend ballë për ballë me forcat e Antiokut III dhe të aleatit të tij maqedonas, mbreti i ri i jugut hasi probleme edhe në vendin e vet, në Egjipt. Për shkak se mbrojtësi i vet, Agathokle, i cili sundonte në emrin e tij, ishte arrogant me egjiptianët, shumë veta u ngritën në revoltë. Engjëlli shtoi: «Dhe bijtë e kusarëve që i përkasin popullit tënd, nga ana e tyre, do t’i marrin me vete që të përpiqen të bëjnë të dalë i vërtetë një vizion dhe do t’u duhet të pengohen.» (Danieli 11:14b) Edhe disa nga populli i Danielit u bënë ‘bij kusarësh’ ose revolucionarë. Por çdo «vizion» që patën këta hebrenj mbi përfundimin e pushtimit të vendlindjes së tyre nga johebrenjtë ishte i rremë dhe ata do të dështonin ose do të ‘pengoheshin’.
29, 30. (a) Si iu nënshtruan sulmit nga veriu «krahët e jugut»? (b) Si arriti mbreti i veriut të «qëndronte në vendin e Stolisë»?
29 Më pas, engjëlli i Jehovait paratha: «Mbreti i veriut do të vijë dhe do të ngrejë një ledh rrethues dhe do të pushtojë në fakt një qytet me fortifikata. Dhe sa për krahët e jugut, ato nuk do të qëndrojnë, as populli i të zgjedhurve të tij dhe nuk do të ketë asnjë fuqi që të vazhdojë të qëndrojë. Dhe ai që vjen kundër tij do të bëjë sipas vullnetit të tij dhe askush nuk do të qëndrojë përpara tij. Dhe ai do të qëndrojë në vendin e Stolisë dhe në dorën e tij do të ketë shfarosje.»—Danieli 11:15, 16.
30 Forcat ushtarake nën Ptolemeun V ose «krahët e jugut», iu dorëzuan sulmit nga veriu. Në Panea (Cezare e Filipit), Antioku III i sprapsi gjeneralin Skopa të Egjiptit dhe 10.000 burra «të zgjedhur» deri në Sidon, «një qytet me fortifikata». Atje Antioku III ‘ngriti një ledh rrethues’, duke e marrë kështu portin detar të Fenikisë në vitin 198 p.e.s. Ai veproi «sipas vullnetit të tij», sepse forcat e mbretit egjiptian të jugut nuk ishin në gjendje të qëndronin përpara tij. Pastaj Antioku III marshoi kundër Jerusalemit, kryeqytetit të «vendit të Stolisë», Judës. Në vitin 198 p.e.s., Jerusalemi dhe Juda kaluan nga zotërimi i mbretit egjiptian të jugut në atë të mbretit sirian të veriut. Edhe Antioku III, mbreti i veriut, filloi të «qëndronte në vendin e Stolisë». ‘Në dorën e tij pati shfarosje’ për të gjithë hebrenjtë dhe egjiptianët që i dolën kundër. Për sa kohë do të kishte mundësi të bënte sipas qejfit të vet ky mbret i veriut?
ROMA DETYRON SHFRYTËZUESIN
31, 32. Pse mbreti i veriut përfundoi duke vënë «kushte të paanshme» paqeje me mbretin e jugut?
31 Engjëlli i Jehovait na jep këtë përgjigje: «Ai [mbreti i veriut] do ta kthejë fytyrën e tij për të ardhur me forcën e krejt mbretërisë së tij dhe do të ketë kushte të paanshme me të, dhe do të veprojë me efektshmëri. Dhe për sa i përket bijës së grave, atij do t’i jepet ta çojë në rrënim. Dhe ajo nuk do të qëndrojë dhe nuk do të vazhdojë të jetë e tija.»—Danieli 11:17.
32 Mbreti i veriut, Antioku III, ‘e ktheu fytyrën e tij’ për të zotëruar Egjiptin «me forcën e krejt mbretërisë së tij». Por përfundoi duke vënë «kushte të paanshme» me Ptolemeun V, mbretin e jugut. Kërkesat e Romës e kishin bërë Antiokun III ta ndryshonte planin e tij. Kur ai dhe mbreti i Maqedonisë Filipi V u bashkuan kundër mbretit egjiptian në moshë të njomë, për të marrë territoret e tij, mbrojtësit e Ptolemeut V iu drejtuan Romës për mbrojtje. Duke e shfrytëzuar këtë rast për të shtrirë sferën e saj të ndikimit, Roma tregoi forcën e saj.
33. (a) Cilat ishin kushtet e paqes mes Antiokut III dhe Ptolemeut V? (b) Cili ishte qëllimi i martesës mes Kleopatrës I e Ptolemeut V dhe pse dështoi kjo strategji?
33 I detyruar nga Roma, Antioku III i vuri kushte paqeje mbretit të jugut. Në vend se t’i dorëzonte territoret e pushtuara, siç kishte kërkuar Roma, Antioku III planifikoi të bënte një transferim sa për të thënë të tyre, duke e martuar vajzën e tij Kleopatra, «bijën e grave», me Ptolemeun V. Provincat që përfshinin Judën, «vendin e Stolisë», do t’i jepeshin asaj si pajë. Megjithatë, kur u martua ajo në vitin 193 p.e.s., mbreti sirian nuk la që këto provinca t’i kalonin Ptolemeut V. Kjo ishte një martesë politike që ishte lidhur për t’ia nënshtruar Egjiptin Sirisë. Por kjo strategji dështoi sepse Kleopatra I «nuk vazhdoi të ishte e tija», pasi më vonë ajo mori anën e të shoqit. Kur mes Antiokut III dhe romakëve shpërtheu lufta, Egjipti mori anën e Romës.
34, 35. (a) Drejt cilave «vende bregdetare» e ktheu fytyrën e tij mbreti i veriut? (b) Si i dha fund Roma «turpit» nga mbreti i veriut? (c) Si vdiq Antioku III dhe cili u bë mbreti tjetër i veriut?
34 Duke iu referuar disfatave të mbretit të veriut, engjëlli shtoi: «Dhe ai [Antioku III] do ta kthejë fytyrën e tij drejt vendeve bregdetare dhe do të marrë në fakt shumë. Dhe një komandanti [Romës] do t’i duhet ta bëjë të pushojë për vetveten turpi prej tij, kështu që turpi i tij [ai prej Antiokut III] nuk do të jetë. Ai [Roma] do ta bëjë atë të kthehet mbi atë. Dhe ai [Antioku III] do ta kthejë fytyrën e tij drejt fortesave të vendit të vet dhe me siguri do të pengohet, do të bjerë dhe nuk do të gjendet.»—Danieli 11:18, 19.
35 «Vendet bregdetare» ishin ato të Maqedonisë, Greqisë dhe Azisë së Vogël. Në vitin 192 p.e.s., në Greqi shpërtheu një luftë dhe Antioku III u ndie i shtyrë të shkonte në Greqi. E pakënaqur për shkak të përpjekjeve të mbretit sirian që të merrte territore të tjera atje, Roma i shpalli zyrtarisht luftë. Në Termopile ai pësoi një disfatë nga romakët. Rreth një vit pas humbjes në betejën e Magnesias në vitin 190 p.e.s., atij iu desh të dorëzonte gjithçka që kishte në Greqi, në Azinë e Vogël dhe në zonat në perëndim të maleve të Taurit. Roma kërkoi një haraç të madh dhe vendosi zotërimin e saj mbi mbretin sirian të veriut. I përzënë nga Greqia e nga Azia e Vogël dhe pasi kishte humbur pothuajse të gjitha flotat e tij, Antioku III ‘e ktheu fytyrën e tij drejt fortesave të vendit të vet’, Sirisë. Romakët e kishin ‘kthyer mbi të turpin e tij kundër tyre’. Antioku III vdiq ndërsa përpiqej të plaçkiste një tempull në Elimais të Persisë, në vitin 187 p.e.s. Kështu, ai ‘ra’ i vdekur dhe u pasua nga djali i tij Seleuku IV, mbreti tjetër i veriut.
KONFLIKTI VAZHDON
36. (a) Si u përpoq mbreti i jugut ta vazhdonte kacafytjen, por ç’u bë me të? (b) Si ra Seleuku IV dhe kush e pasoi?
36 Si mbret i jugut, Ptolemeu V u përpoq të fitonte provincat që duhej t’i kishin kaluar si pajë Kleopatrës, por përpjekjeve të tij u dha fund helmi. Ai u pasua nga Ptolemeu VI. Ç’të themi për Seleukun IV? I gjendur në hall për të paguar haraçin e madh që i detyrohej Romës, ai e dërgoi thesarmbajtësin e tij Heliodorin të shtinte në dorë pasuritë që thuhej se ishin grumbulluar në tempullin e Jerusalemit. Meqenëse dëshironte të merrte fronin, Heliodori e vrau Seleukun IV. Megjithatë, mbreti Eumen i Pergamit dhe vëllai i tij Atali kishin hipur në fron vëllanë e mbretit të vrarë, Antiokun IV.
37. (a) Si u përpoq Antioku IV të tregohej më i fuqishëm se Perëndia Jehova? (b) Në ç’gjë çoi përdhosja e tempullit të Jerusalemit nga Antioku IV?
37 Mbreti i ri i veriut, Antioku IV, kërkoi ta tregonte veten më të fuqishëm se Perëndia, duke çrrënjosur masën që kishte marrë Jehovai për adhurim. Duke sfiduar Jehovain, ai ia dedikoi tempullin e Jerusalemit Zeusit ose Jupiterit. Në dhjetor të vitit 167 p.e.s., një altar pagan u ngrit në majë të altarit të madh në oborrin e tempullit, ku Jehovait i bëhej çdo ditë një ofertë e djegur. Dhjetë ditë më vonë, mbi altarin pagan iu ofrua një flijim Zeusit. Kjo përdhosje çoi në një revoltë të hebrenjve të udhëhequr nga makabenjtë. Antioku IV i luftoi ata për tre vjet. Në vitin 164 p.e.s., në përvjetorin e përdhosjes, Juda Makabeu ia ridedikoi tempullin Jehovait dhe u themelua festa e dedikimit, Hanukah.—Gjoni 10:22.
38. Si i erdhi fundi sundimit të Makabenjve?
38 Ka të ngjarë që makabenjtë të kenë bërë një traktat me Romën në vitin 161 p.e.s. dhe të kenë themeluar një mbretëri në vitin 104 p.e.s. Por fërkimi mes tyre dhe mbretit sirian të veriut vazhdoi. Së fundi, u kërkua ndërhyrja e Romës. Gjenerali romak Gneu Pompei e mori Jerusalemin në vitin 63 p.e.s., pas një rrethimi prej tre muajsh. Në vitin 39 p.e.s., Senati i Romës caktoi Herodin, një edomit, si mbret të Judës. Duke i dhënë fund sundimit makabeas, ai e pushtoi Jerusalemin në vitin 37 p.e.s.
39. Në ç’mënyrë ke nxjerrë dobi nga shqyrtimi i Danielit 11:1-19?
39 Sa drithërohesh kur sheh se pjesa e parë e profecisë mbi dy mbretërit në konflikt është përmbushur deri në hollësi! Sa emocionuese është në fakt, ta shqyrtosh nga afër zhvillimin e historisë rreth 500 vjet pasi Danielit i ishte dhënë mesazhi profetik dhe të identifikosh sundimtarët që zunë pozitën si mbret i veriut dhe i jugut! Megjithatë, identitetet politike të këtyre dy mbretërve ndryshojnë, ndërsa beteja mes tyre vazhdoi gjatë kohës kur Jezu Krishti ishte në tokë dhe vazhdon deri në ditët tona. Duke kombinuar zhvillimet historike me hollësitë tërheqëse të zbuluara në këtë profeci, do të jemi në gjendje t’i identifikojmë këta dy mbretër që ndeshen me njëri-tjetrin.
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Cilat ishin dy linjat e mbretërve të fuqishëm që dolën nga mbretëritë helenistike dhe cilën kacafytje nisën mbretërit?
• Siç parathuhej në Danielin 11:6, si hynë dy mbretërit në një «marrëveshje të paanshme»?
• Si vazhdoi konflikti mes
Seleukut II dhe Ptolemeut III (Danieli 11:7-9)?
Antiokut III dhe Ptolemeut IV (Danieli 11:10-12)?
Antiokut III dhe Ptolemeut V (Danieli 11:13-16)?
• Cili ishte qëllimi i martesës mes Kleopatrës I e Ptolemeut V dhe pse dështoi kjo strategji (Danieli 11:17-19)?
• Si ke nxjerrë dobi duke i kushtuar vëmendje Danielit 11:1-19?
[Tabela dhe figurat në faqen 228]
MBRETËRIT NË DANIELIN 11:5-19
Mbreti i veriut
Mbreti i jugut
Danieli 11:5 Seleuku I Nikator Ptolemeu I
Danieli 11:6 Antioku II Ptolemeu II
(gruaja Laodicea) (e bija Bernike)
Danieli 11:7-9 Seleuku II Ptolemeu III
Danieli 11:10-12 Antioku III Ptolemeu IV
Danieli 11:13-19 Antioku III Ptolemeu V
(e bija Kleopatra I) Pasuesi:
Pasuesit: Ptolemeu VI
Seleuku IV dhe
Antioku IV
[Figura]
Monedhë që paraqet Ptolemeun II dhe gruan e tij
[Figura]
Seleuku I Nikator
[Figura]
Antioku III
[Figura]
Ptolemeu VI
[Figura]
Ptolemeu III dhe pasuesit e tij ndërtuan këtë tempull të Horusit në Idfu, Egjipti i Sipërm
[Harta dhe figurat në faqet 216, 217]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Titujt «mbreti i veriut» dhe «mbreti i jugut» u referohen mbretërve në veri dhe në jug të vendit të popullit të Danielit
MAQEDONIA
GREQIA
AZIA E VOGËL
IZRAELI
LIBIA
EGJIPTI
ETIOPIA
SIRIA
Babilonia
ARABIA
[Figura]
Ptolemeu II
[Figura]
Antioku i Madh
[Figura]
Rrasë guri që mban dekrete zyrtare të nxjerra nga Antioku i Madh
[Figura]
Monedhë që paraqet Ptolemeun V
[Figura]
Portë e Ptolemeut III, në Karnak, Egjipt
[Figura që zë gjithë faqen 210]
[Figura në faqen 215]
Seleuku I Nikator
[Figura në faqen 218]
Ptolemeu I