Pyetje nga lexuesit
U gëzuam me studimin e profecive të Danielit të trajtuara në «Kullën e Rojës». Megjithatë, përse datat e tre kohëve e gjysmë të Zbulesës 11:3 ndryshojnë nga ato të librit «Zbulesa»?
Po, Kulla e Rojës e 1 marsit 1994 përmbante ndryshime të vogla në datat e përmbushjes moderne të Zbulesës 11:3. Pse?
Le të shohim më parë Zbulesën 11:2, që përfundon duke përmendur «dyzet e dy muaj». Vargu 3 vazhdon: «Dhe unë do t’u jap të dy dëshmitarëve të mi për të profetizuar, dhe ata do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.» Kur aplikohet kjo?
Në fakt, Dëshmitarët e Jehovait e dinë se kjo profeci është plotësuar mbi të krishterët e mirosur me frymë pas përfundimit të «kohëve të paganëve» [të kohëve të caktuara të kombeve, (BR)] në 1914-ën. (Luka 21:24; 2. Korintasve 1:21, 22) Duke komentuar mbi këtë në librin, Zbulesa—Përfundimi i saj madhështor është afër!* (angl.) botuar në 1988-ën, në faqen 164 thuhet: «Pati një periudhë të caktuar prej tre vjet e gjysmë kur përvojat e rënda të popullit të Perëndisë u përshtatën me ngjarjet e profetizuara këtu—duke filluar nga shpërthimi i luftës së parë botërore, pjesa e fundit e vitit 1914, deri në fillim të 1918-ës.»
Vërej se data e propozuar ishte «shpërthimi i luftës së parë botërore, pjesa e fundit e vitit 1914, deri në fillim të 1918-ës». Kjo korrespondon me datën shpesh të propozuar, për shembull në librin «Përfundoi, pra, misteri i Perëndisë», (angl.) faqet 261-264, botuar në 1969-ën.a
Megjithatë, Kulla e Rojës përqendrohej në profecitë e librit të Danielit, i cili përmend dy herë një periudhë të ngjashme me atë që është përmendur më vonë tek Zbulesa 3 vjet e gjysmë ose 42 muaj. Për të qenë specifikë, Danieli 7:25 thotë se të shenjtët e Perëndisë do të ishin të ngacmuar «për një kohë, disa kohëra dhe për gjysmën e një kohe», (BR) ose për tre kohë e gjysmë. Më vonë, Danieli 12:7 parathotë «një kohë të caktuar, disa kohë të caktuara dhe një gjysmë», (BR) ose tre kohë e gjysmë, që do të arrinte kulmin ‘kur forca e popullit të shenjtë do të thyhej plotësisht’.
Kemi kështu, profeci që kanë të bëjnë me një periudhë të njëjtë kohore në Danielin 7:25, Danielin 12:7 dhe në Zbulesën 11:2, 3, si edhe në Zbulesën 13:5. Botimet tona kanë treguar se të gjitha këto janë plotësuar në periudhën 1914-1918. Por, duke i trajtuar veç e veç këto profeci, ka disa ndryshime të vogla në datat e fillimit dhe të fundit.
Megjithatë, Kulla e Rojës e 1 marsit 1994 bënte këtë pyetje: «Si u plotësuan të gjitha këto profeci paralele?» Po, profecitë e tre kohëve e gjysmë të përmendura në Danielin 7:25, Danielin 12:7 dhe në Zbulesën 11:3 njiheshin si «profeci paralele». Pra, datat e fillimit dhe të fundit duhej të korrespondonin.
Në lidhje me fundin, revista tregonte se armiqësia ndaj të mirosurve të Perëndisë (Danieli 7:25) arriti kulmin në qershor 1918, kur J. F. Rutherford dhe drejtues të tjerë të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract «u dënuan nën akuza të rreme me periudha të gjata burgimi». Sigurisht, siç vëren Danieli 12:7, me këtë ngjarje ‘forca e popullit të shenjtë u thye plotësisht’.
Duke shkuar prapa në vite nga qershori 1918 arrijmë në dhjetorin e 1914-ës si fillim i tre kohëve e gjysmë. Në këtë muaj të fundit të vitit 1914, të mirosurit e Perëndisë në tokë kuptuan se shkrimi i vitit në vazhdim do të ishte: «‘A mund të pini ju prej kupës sime?’—Mateu 20:20-23» (King James Version). Artikulli që e njoftonte, bënte këtë paralajmërim: «Kush e di nëse nuk mund të ketë ndonjë provë të veçantë, ndonjë kupë vuajtjesh apo turpërimi për ithtarët besnikë të Qengjit gjatë vitit 1915!» Siç ishte parathënë në Danielin 7:25 për këtë periudhë prej tre kohë e gjysmë, filloi dhe vazhdoi ‘përndjekja e shenjtorëve të Shumë të Lartit’. Kombet u përfshinë në luftën e parë botërore, gjë që e bëri më të lehtë përndjekjen e tyre në mënyrë të padrejtë. Përfundimi është: Që të tre këto profeci paralele, Danieli 7:25; 12:7 dhe Zbulesa 11:3, u plotësuan në periudhën prej tre vjet e gjysmë ose 42 muaj, nga dhjetori 1914 deri në qershor 1918.
Kjo shpjegon atë ndryshim të vogël në datën e plotësimit të Zbulesës 11:3. Kjo ndreqje është diçka që mund ta mbajmë në mendje, kur të studiojmë dhe të përdorim librin Zbulesa në të ardhmen.
[Shënimi]
a Të botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.