TABORI
1. Mal madhështor në kufirin verior të territorit të Isakarit. (Js 19:17, 22) Në arabisht quhet Jebel-et-Tur, kurse në hebraisht Har-Tavor. Ndodhet rreth 20 km në perëndim të skajit jugor të detit të Galilesë dhe gati 8 km në lindje-juglindje të Nazaretit.
I veçuar nga malet e tjera, Tabori ngrihet mbi luginën e Jezreelit në një lartësi prej rreth 562 m mbi nivelin e detit. Nga perëndim-veriperëndimi duket si kon i cunguar, kurse nga jugperëndimi duket si copë sfere. Nga maja e tij—një zonë vezake deri diku e sheshtë, rreth 0,4 km e gjerë nga veriu në jug dhe dyfish më e gjatë nga lindja në perëndim—mund të shijohet një panoramë madhështore në çdo drejtim. Pamja hijerëndë e këtij mali shpjegon pse psalmisti i përmend bashkë Taborin dhe Hermonin, si shembuj të spikatur të mjeshtërisë së jashtëzakonshme të Krijuesit. (Ps 89:12) Gjithashtu, Jehovai e përdori madhështinë mbresëlënëse të Taborit—që ngrihet i vetëm në luginën e Jezreelit—për të ilustruar hyrjen madhështore të Nabukodonosorit në Egjipt me një ushtri të fuqishme.—Jr 46:13, 18.
Tabori u bë veçanërisht i njohur kur Baraku, nën drejtimin e Perëndisë, mblodhi 10.000 burra nga fiset e Neftalit e të Zabulonit për të dalë kundër Siserës dhe ushtrisë së tij që kishte 900 karroca me «kosa të hekurta». Me të marrë sinjalin, Baraku dhe burrat e tij u turrën poshtë shpateve të Taborit. Pasi Jehovai i bëri rrëmujë kananitët, izraelitët korrën një fitore vendimtare kundër forcave të Siserës që po ia mbathnin.—Gjy 4:4-16.
Disa vjet më vonë, Zebahu e Zalmunai, mbretërit e Midianit, vranë në Tabor vëllezërit e Gideonit. (Gjy 8:18, 19) Nga mesi i shekullit të 8-të p.e.s., priftëria dhe shtëpia e mbretit të Izraelit, që u treguan të pabesë, u bënë «si një rrjetë e shtrirë mbi Tabor», ndoshta sepse e përdorën atë mal në perëndim të Jordanit si qendër idhujtarie për të futur në lak izraelitët; Mizpahu mund të ketë shërbyer për të njëjtin qëllim në lindje të Jordanit.—Ho 5:1.
Maja e Taborit siguronte një pozicion strategjik dhe shumë të volitshëm për një qytet të fortifikuar. Rrënojat tregojnë se atje lulëzonte një qytet i tillë para dhe pas shekullit të parë të e.s. Ky fakt vë në dyshim mendimin tradicional se shpërfytyrimi i Jezuit ndodhi në Tabor, pasi tregimet thonë se Jezui dhe tre shoqëruesit e tij ishin në mal «vetëm». Ka më shumë të ngjarë që ‘mali i lartë’ të ishte Hermoni, i cili gjendej afër Cezaresë së Filipit te burimet e Jordanit, ku Jezui kishte qenë pak para shpërfytyrimit.—Mt 17:1, 2; Mr 8:27; 9:2.
2. Një nga qytetet në territorin e Zabulonit që iu dhanë levitëve meraritë. Sot vendndodhja e tij nuk dihet.—1Kr 6:1, 77.
3. «Pema e madhe e Taborit» ka shumë të ngjarë të ketë qenë në territorin e Beniaminit. Samueli e përmendi si pikë referimi në udhëzimet që i dha Saulit pasi e mirosi. Ai i tha se, rrugës për në Bethel, do të takonte atje tre burra. Sot vendndodhja nuk dihet.—1Sa 10:1-3.
[Figura në botimin e shtypur]
Mali Tabor ngrihet mbi luginën e Jezreelit