Të ecim me Perëndinë dhe të korrim të mira
«Erë vazhdojnë të mbjellin dhe erë shtrëngate do të korrin.»—HOZEA 8:7.
1. Si mund të ecim me Jehovain?
NË QOFTË se na duhet të udhëtojmë në një zonë të rrezikshme, do të ndihemi më të sigurt po të kemi me vete një udhërrëfyes me përvojë. Do të tregohemi të mençur po të ecim me këtë udhërrëfyes, e jo të bëjmë me kokën tonë. Në disa aspekte, kjo ilustron gjendjen në të cilën jemi. Si të thuash, Jehovai na ka propozuar të na udhëheqë përmes shkretëtirës së paanë të kësaj bote të ligë. Bëjmë mirë të ecim me të, në vend që të përpiqemi t’i drejtojmë vetë hapat tanë. Si mund të ecim me Perëndinë? Duke ndjekur udhëheqjen që ai na siguron në Fjalën e tij.
2. Çfarë do të trajtohet në këtë artikull?
2 Në artikullin e mëparshëm trajtuam dramën simbolike që gjendet në kapitujt 1 deri në 5 të Hozesë. Siç e kemi parë, kjo dramë përmban mësime që na ndihmojnë të ecim me Perëndinë. Le të shohim tani disa pika kryesore nga kapitujt 6 deri në 9. Më parë, do t’i bëjmë një përmbledhje këtyre katër kapitujve.
Një përmbledhje e shkurtër
3. Tregoni shkurtimisht përmbajtjen e kapitujve 6 deri në 9 të Hozesë.
3 Jehovai e dërgoi Hozenë që të profetizonte kryesisht në mbretërinë veriore prej dhjetë fisesh të Izraelit. Ky komb, i njohur edhe me emrin Efraim, sipas fisit më të madh, ishte larguar nga Perëndia. Në kapitujt 6 deri në 9 të Hozesë shohim se populli u tregua i pabesë duke shkelur besëlidhjen e Jehovait dhe duke u zhytur në ligësi. (Hozea 6:7) U zunë besë aleancave me kombet e tjera, në vend që të ktheheshin te Jehovai. Ngaqë vazhdonin të mbillnin gjëra të këqija, do të korrnin po të këqija. Me fjalë të tjera, po afrohej gjykimi i pafavorshëm. Por profecia e Hozesë ka edhe një mesazh ngushëllues. Njerëzve iu dha siguria se mund të ktheheshin te Jehovai që do t’u tregonte mëshirë, po të jepnin prova se ishin penduar me gjithë zemër.
4. Çfarë mësimesh praktike do të shqyrtojmë nga profecia e Hozesë?
4 Nga këta katër kapituj të profecisë së Hozesë, marrim udhëzime të mëtejshme që do të na ndihmojnë të ecim me Perëndinë. Le të shqyrtojmë katër mësime praktike: (1) pendimi i vërtetë tregohet me vepra, jo vetëm me fjalë; (2) vetëm flijimet nuk e kënaqin Perëndinë; (3) Jehovai lëndohet kur adhuruesit e tij largohen nga ai dhe (4) që të korrim të mira, duhet të mbjellim të mira.
Si tregohet pendimi i vërtetë?
5. Përmblidhni atë që thuhet te Hozea 6:1-3.
5 Profecia e Hozesë na mëson shumë për pendimin e për mëshirën. Te Hozea 6:1-3 lexojmë: «Ejani, le të kthehemi te Jehovai, sepse ai na ka copëtuar, por do të na shërojë. Na godiste, por do të na i lidhë plagët. Ai do të na ngjallë pas dy ditësh. Ditën e tretë do të na ngrejë dhe do të jetojmë përpara tij. Ne do ta njohim, do të përpiqemi ta njohim Jehovain. Ashtu si agimi, ardhja e tij është e sigurt. Ai do të vijë te ne si një shi i bollshëm, si një shi pranvere që e ngop tokën.»
6-8. Ku qëndronte problemi në lidhje me pendimin e Izraelit?
6 Kush i tha fjalët që lexojmë në këto vargje? Disa mendojnë se i kanë shprehur izraelitët jobesnikë e thonë se populli i pabesë po shtirej sikur ishte penduar dhe po pretendonte të merrte mëshirën e Perëndisë. Kurse të tjerë thonë se po fliste profeti Hozea, i cili po e luste popullin të kthehej te Jehovai. Por, pavarësisht kush i tha këto fjalë, pyetja kryesore është: a u kthyen te Jehovai të gjithë banorët e mbretërisë prej dhjetë fisesh të Izraelit, duke shfaqur pendim të vërtetë? Përgjigjja është jo. Jehovai thotë nëpërmjet Hozesë: «Ç’të të bëj, o Efraim? Ç’të të bëj, o Judë, kur dashamirësia juaj është si retë e mëngjesit dhe si vesa që ikën shpejt?» (Hozea 6:4) Sa përshkrim i gjallë i gjendjes së vajtueshme frymore të popullit të Perëndisë! Dashamirësia ose dashuria besnike, ishte zhdukur pothuajse fare, ashtu si mjegulla e mëngjesit që avullon sapo ngrihet dielli. Edhe pse njerëzit hiqeshin sikur ishin penduar, Jehovai nuk gjeti asnjë bazë për të treguar mëshirë. Ku qëndronte problemi?
7 Pendimi i Izraelit nuk vinte vërtet nga zemra. Te Hozea 7:14 shprehet me këto fjalë pakënaqësia e Jehovait ndaj popullit të tij: «Nuk më thirrën për ndihmë me gjithë zemër, edhe pse ulërinin në shtretërit e tyre.» Ho 7 Vargu 16 shton: «Ktheheshin, por jo te diçka më e lartë», domethënë «jo te një formë më e lartë adhurimi». (Shënimi, BR, angl.) Njerëzit nuk donin të ktheheshin në adhurimin e lartësuar të Jehovait, duke bërë ndryshimet e duhura për të rivendosur marrëdhënie të mira me të. Po, në të vërtetë ata s’donin të ecnin me Perëndinë.
8 Kishte edhe një problem tjetër me pendimin e Izraelit. Njerëzit ende praktikonin mëkatin, ose më mirë të themi një shumëllojshmëri mëkatesh, që nga mashtrimi, vrasjet, vjedhjet, idhujtaria e deri tek aleancat e pamenda që bënin me kombet e tjera. Te Hozea 7:4, populli krahasohet me «një furrë» bukëpjekësi, me sa duket për shkak të dëshirave të liga që digjeshin brenda tyre. A meritonin mëshirë, ndërkohë që ishin në këtë gjendje të vajtueshme frymore? Patjetër që jo! Hozea i thotë popullit rebel se Jehovai «do ta kujtojë fajin e tyre» dhe «do t’u kushtojë vëmendje mëkateve të tyre». (Hozea 9:9) S’kishte mëshirë për ta!
9. Çfarë mësojmë nga fjalët e Hozesë për sa i përket pendimit dhe mëshirës?
9 Çfarë mësojmë për pendimin e për mëshirën, kur lexojmë fjalët e Hozesë? Shembulli paralajmërues i izraelitëve të pabesë na mëson se, për të nxjerrë dobi nga mëshira e Jehovait, duhet të tregojmë pendim të sinqertë. Si shfaqet ky pendim? Jehovain nuk e mashtrojmë dot me lot ose me fjalë. Pendimi i sinqertë duket nga veprimet. Që t’i tregohet mëshirë, një keqbërës duhet ta lërë krejtësisht rrugën e tij mëkatare dhe ta vërë jetën në harmoni me normat e adhurimit të lartësuar të Jehovait.
Vetëm flijmet nuk e kënaqin Jehovain
10, 11. Pse vetëm flijimet nuk e kënaqin Jehovain, siç e tregon rasti i Izraelit?
10 Le të shqyrtojmë tani një mësim të dytë që na ndihmon të ecim me Jehovain. Mësimi është: vetëm flijimet nuk e kënaqin Perëndinë. Te Hozea 6:6 thuhet: «Unë [Jehovai] jam kënaqur me dashamirësinë, jo me flijimin; me njohurinë për Perëndinë dhe jo me blatimet e plota të djegura.» Vini re se Jehovai kënaqet me dashamirësinë ose ndryshe dashurinë besnike, që është cilësi e zemrës, dhe me njohurinë për të. Por ndoshta ju pyesni: ‘Pse në këtë varg thuhet se Jehovai nuk kënaqet me «flijimin» dhe me «blatimet e plota të djegura»? A nuk kërkoheshin ato sipas Ligjit të Moisiut?’
11 Vërtet, flijimet dhe blatimet kërkoheshin nga Ligji, por bashkëkohësit e Hozesë kishin një problem serioz. Me sa duket, disa izraelitë, me shumë rregullsi, bënin blatime të tilla, duke u hequr si të përkushtuar. Në të njëjtën kohë, praktikonin mëkatin. Me këto mëkate, tregonin se në zemër s’kishin dashuri besnike. Gjithashtu, tregonin se e kishin hedhur poshtë njohurinë për Perëndinë, sepse nuk jetonin në përputhje me të. E ç’vlerë kishin flijimet që bënin, në qoftë se s’kishin gjendjen e duhur të zemrës dhe nuk ndiqnin mënyrën e duhur të jetesës? Ato flijime e fyenin Perëndinë Jehova.
12. Çfarë paralajmërimi përmban Hozea 6:6 për njerëzit që jetojnë sot?
12 Në fjalët e Hozesë ka një paralajmërim për shumë nga ata që shkojnë në kishë sot. Ata i bëjnë blatime Perëndisë në formën e riteve të tyre fetare. Por, në sjelljen e tyre të përditshme, ky adhurim ka shumë pak ndikim të vërtetë, për të mos thënë fare. A po e kënaqin vërtet Perëndinë këta njerëz, nëse zemra nuk i shtyn të marrin njohuri të saktë për të dhe ta zbatojnë këtë njohuri, duke i lënë praktikat mëkatare? As të mos mendojë njeri se vetëm veprat fetare e kënaqin Perëndinë! Jehovai nuk kënaqet me ata njerëz që përpiqen ta fitojnë miratimin e tij, duke pasur vetëm një formë të jashtme adhurimi, por nuk jetojnë vërtet sipas Fjalës së tij.—2 Timoteut 3:5.
13. Ç’lloj flijimesh bëjmë ne, por çfarë duhet të mbajmë në mend për vlerën e tyre?
13 Si të krishterë të vërtetë, edhe ne duhet të mbajmë në mend se vetëm flijimet nuk e kënaqin Perëndinë. Është e vërtetë se ne nuk i paraqitim Jehovait flijime në kafshë. Megjithatë, «i paraqitim . . . Perëndisë një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij». (Hebrenjve 13:15) Është thelbësore të mos bëhemi si izraelitët mëkatarë në ditët e Hozesë, e të mendojmë se mund t’i shlyejmë keqbërjet duke i paraqitur Perëndisë flijime të tilla frymore. Shqyrtoni shembullin e një vajze të re që u përfshi fshehurazi në imoralitet. Më vonë ajo pranoi: «E shtova shërbimin, duke menduar se kjo, në ndonjë mënyrë, do ta mbulonte gabimin tim.» Kjo ishte e ngjashme me atë që u përpoqën të bënin izraelitët rebelë. Por, Jehovai e pranon flijimin tonë të lëvdimit vetëm nëse shoqërohet me motivin e duhur të zemrës dhe me sjelljen që i pëlqen Atij.
Jehovai lëndohet kur adhuruesit e tij largohen nga ai
14. Çfarë tregon profecia e Hozesë për ndjenjat që ka Perëndia?
14 Një mësim i tretë që mund të nxjerrim nga kapitujt 6 deri në 9 të Hozesë, ka të bëjë me mënyrën si ndihet Jehovai kur adhuruesit e tij largohen nga ai. Perëndia ka edhe ndjenja dhembshurie, edhe ndjenja zemërimi e indinjate. Ai ndien gëzim e dhembshuri për ata që pendohen për mëkatet e tyre. Por, kur shërbëtorët e tij nuk pendohen, ndërmerr veprime të prera, të vendosura. Ngaqë interesohet thellësisht për mirëqenien tonë, Perëndia gëzohet kur ecim me të besnikërisht. «Jehovait i pëlqen populli i tij»,—thotë Psalmi 149:4. Megjithatë, si ndihet Perëndia kur shërbëtorët e tij janë jobesnikë?
15. Si po vepronin disa izraelitë, sipas Hozesë 6:7?
15 Duke folur për izraelitët e pabesë, Jehovai thotë: «Ata, përderisa janë thjesht njerëz, e kanë shkelur besëlidhjen. Ja ku kanë vepruar pabesisht me mua.» (Hozea 6:7) Fjala hebraike që është përkthyer ‘veproj pabesisht’ do të thotë edhe «veproj me mashtrim, (veproj) me tradhti». Te Malakia 2:10-16, e njëjta fjalë hebraike përdoret për të përshkruar sjelljen jobesnike të atyre izraelitëve që kishin tradhtuar bashkëshortet. Për sa i përket përdorimit të këtij termi te Hozea 6:7, një vepër referimi tregon që Izraeli kishte qenë në një marrëdhënie të ngushtë, shumë personale, me Jehovain, të ngjashme me martesën, por që ata e kishin dhunuar dashurinë e Tij për ta.
16, 17. (a) Si veproi Izraeli ndaj besëlidhjes që kishte bërë Perëndia me të? (b) Çfarë duhet të mbajmë parasysh për sa u përket veprimeve tona?
16 Jehovai e konsideronte Izraelin si gruan e tij të figurshme, për shkak të besëlidhjes që kishte bërë me këtë komb. Prandaj, kur populli i tij i shkelte termat e besëlidhjes, ishte si të kryenin kurorëshkelje. Perëndia ishte si një bashkëshort besnik, por populli i tij e braktisi!
17 Po ne? Perëndisë i intereson nëse ecim apo jo me të. Duhet të mbajmë parasysh se «Perëndia është dashuri» dhe se veprimet tona ndikojnë tek ai. (1 Gjonit 4:16) Nëse ndjekim një rrugë të gabuar, mund t’i shkaktojmë Jehovait dhembje dhe, me siguri, pakënaqësi. Kjo gjë, po ta mbajmë në mendje, mund të na mbajë fort që të mos dorëzohemi para tundimit.
Si mund të korrim të mira?
18, 19. Cilin parim gjejmë te Hozea 8:7, dhe si u zbatua ky parim tek izraelitët?
18 Le të shqyrtojmë një mësim të katërt nga profecia e Hozesë: si të korrim të mira. Në lidhje me izraelitët e me marrëzinë dhe kotësinë e rrugës së tyre jobesnike, Hozea shkruan: «Erë vazhdojnë të mbjellin dhe erë shtrëngate do të korrin.» (Hozea 8:7) Këtu gjejmë një parim që duhet ta mbajmë në mendje: ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes asaj që bëjmë tani dhe asaj që na ndodh më vonë. Si doli i vërtetë ky parim në rastin e izraelitëve të pabesë?
19 Duke praktikuar mëkatin, ata izraelitë po mbillnin të këqija. A do të mund të vazhdonin ta bënin këtë, pa pësuar gjë? Me siguri që nuk do t’i shpëtonin dot gjykimit të pafavorshëm. Te Hozea 8:13 thuhet: «Ai [Jehovai] do ta kujtojë fajin e tyre dhe do të kërkojë llogari për mëkatet e tyre.» E te Hozea 9:17 lexojmë: «Perëndia im do t’i hedhë poshtë, sepse nuk e kanë dëgjuar. Ata do të bëhen të arratisur mes kombeve.» Jehovai do t’u kërkonte llogari izraelitëve për mëkatet e tyre. Ngaqë mbillnin të këqija, do të korrnin të këqija. Gjykimi i Perëndisë kundër tyre u zbatua në vitin 740 p.e.s., kur asirianët e rrëzuan mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit dhe i çuan në robëri banorët e saj.
20. Çfarë na mëson përvoja e izraelitëve?
20 Përvoja e atyre izraelitëve na mëson një të vërtetë themelore: ç’të mbjellim, do të korrim. Fjala e Perëndisë na paralajmëron: «Mos u mashtroni: Perëndia nuk vihet në lojë. Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Nëse mbjellim të këqija, do të korrim të këqija. Për shembull, ata që ndjekin një mënyrë jetese imorale, do të korrin pasoja të hidhura. Për mëkatarët e papenduar, përfundimi nuk do të jetë i lumtur.
21. Si mund të korrim të mira?
21 Atëherë, si të korrim të mira? Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi me një ilustrim të thjeshtë. Nëse një bujk dëshiron të korrë grurë, a do të mbjellë misër? Natyrisht që jo! Ai duhet të mbjellë atë që dëshiron të korrë. Po ashtu, nëse duam të korrim të mira, duhet të mbjellim të mira. A dëshiron të vazhdosh të korrësh të mira, domethënë një jetë të kënaqshme tani dhe shpresën e jetës së përhershme në botën e re të Perëndisë? Atëherë, duhet të vazhdosh të mbjellësh të mira, duke ecur me Perëndinë dhe duke jetuar në përputhje me normat e tij të drejta.
22. Çfarë mësimesh kemi nxjerrë nga kapitujt 6 deri në 9 të Hozesë?
22 Nga kapitujt 6 deri në 9 të Hozesë, kemi marrë katër mësime që na ndihmojnë të ecim me Perëndinë: (1) pendimi i vërtetë tregohet me vepra; (2) vetëm flijimet nuk e kënaqin Perëndinë; (3) Jehovai lëndohet kur adhuruesit e tij largohen nga ai dhe (4) që të korrim të mira, duhet të mbjellim të mira. Si na ndihmojnë pesë kapitujt e fundit të këtij libri biblik, për të ecur me Perëndinë?
Si do të përgjigjeshit?
• Si tregohet pendimi i vërtetë?
• Përse vetëm flijimet nuk e kënaqin Atin tonë qiellor?
• Si ndihet Perëndia, kur adhuruesit e tij largohen nga ai?
• Çfarë duhet të mbjellim, nëse duam të korrim të mira?
[Figura në faqen 23]
Ashtu si retë e mëngjesit, dashuria besnike e Izraelit ishte zhdukur
[Figura në faqen 23]
Dëshirat e liga të Izraelit digjnin si një furrë
[Figura në faqen 24]
Pse nuk i pranoi Jehovai flijimet e popullit të tij?
[Figura në faqen 25]
Që të korrim të mira, duhet të mbjellim të mira