GIBEAHU
[kodër].
1. Qytet në rajonin malor të Judës. (Js 15:1, 48, 57) Disa studiues e lidhin me El Jabʽën e sotme, rreth 12 km në perëndim-jugperëndim të Betlehemit. Mirëpo të tjerë mendojnë se Gibeahu i lashtë ndodhej në rajonin në juglindje të Hebronit, meqë renditet mes qyteteve të tjera të asaj zone. (Js 15:55-57) Ky qytet (ose Gibeahu nr. 2) mund të ketë qenë vendlindja e Makahës (Mikajahës), nënës së Abijamit (Abijahut), mbretit të Judës.—2Kr 13:1, 2; 1Mb 15:1, 2.
2. Qytet në territorin e Beniaminit (Js 18:28), i quajtur edhe ‘Gibeahu i Beniaminit’ (1Sa 13:2), Gibeahu i «bijve të Beniaminit» (2Sa 23:29) dhe ‘Gibeahu i Saulit’ (2Sa 21:6). Me sa duket, ndodhej pranë rrugës kryesore mes Jebusit (Jerusalemit) dhe Ramahut. (Gjy 19:11-15) Falë pozicionit që zinte në lartësitë e vargmalit qendror të Palestinës, Gibeahu shërbente më së miri si pikë vrojtimi në kohë lufte. (1Sa 14:16) Në përgjithësi studiuesit mendojnë se ky qytet ndodhej në Tell-el-Ful (Givʽat-Shaʼul), rreth 5 km në veri të Malit të Tempullit në Jerusalem.
Në hebraisht, emri Geba (forma mashkullore e fjalës që do të thotë «kodër») dhe emri Gibeah (forma femërore e fjalës që do të thotë «kodër») shkruhen thuajse njësoj. Shumë mendojnë se kjo ka çuar në gabime kopjimi në tekstin masoretik, prandaj sugjerojnë që në disa shkrime «Gibeahu» të ndryshohet në «Geba», e anasjelltas. Ja ç’thotë rreth kësaj një vepër, në lidhje me Librin e Parë të Samuelit, kapitujt 13 e 14: «Megjithatë, komentuesit nuk pajtohen me njëri-tjetrin për vendet ku duhen bërë zëvendësimet (p.sh. Smithi thotë kudo Geba në vend të Gibeah; Kenedi e zëvendëson Gibeahun me Gebën në [kapitullin 13] vargun 2, Gebën me Gibeahun në vargun 3 dhe Gibeahun me Gebën në xiv. 2); gjithashtu, nuk është e pamundur ta kuptosh ecurinë e fushatës ushtarake edhe pa këto ndryshime.» (Soncino Books of the Bible, nga A. Cohen, Londër, 1951, Samueli, f. 69) Te Gjykatësit 20:10, 33, konteksti tregon se bëhet fjalë për «Gibeahun», prandaj këtu shumë përkthyes nuk ndjekin variantin e tekstit masoretik dhe përdorin emrin «Gibeah» në vend të «Geba».
Në periudhën e Gjykatësve, në qytetin e Gibeahut ndodhi diçka që gati çoi në shuarjen e krejt fisit të Beniaminit. Një burrë i moshuar ftoi një levit nga Efraimi dhe konkubinën e tij që ta kalonin natën tek ai. Pas pak, disa burra pa pikë vlere të Gibeahut rrethuan shtëpinë dhe kërkuan të nxirrte levitin që të kryenin marrëdhënie me të. Pasi leviti u dha konkubinën e vet, ata e keqtrajtuan gjithë natën, aq sa në mëngjes gruaja vdiq. (Ndoshta te Ho 9:9 dhe 10:9 bëhet fjalë për këtë mëkat tronditës.) Meqë fisi i Beniaminit i mbrojti fajtorët e Gibeahut, fiset e tjera u ngritën në luftë kundër Beniaminit. Pas dy humbjesh të rënda, në fund i mundën beniaminitët dhe i vunë zjarrin Gibeahut. (Gjy 19:15–20:48) (Disa e lidhin tregimin biblik për shkatërrimin e Gibeahut me dëshmitë arkeologjike të zbuluara në Tell-el-Ful që tregojnë se qyteti u dogj.)
Gibeahu ishte qyteti i mbretit të parë të Izraelit, Saulit (1Sa 10:26; 15:34), e me sa duket edhe i Itait (Ithait), njërit prej burrave të fuqishëm të Davidit (2Sa 23:8, 29; 1Kr 11:26, 31), e po ashtu i Ahiezerit dhe i Joashit, dy luftëtarë që u bashkuan me Davidin në Ziklag. (1Kr 12:1-3) Duket se Gibeahu u bë edhe kryeqyteti i parë i mbretërisë së Izraelit gjatë sundimit të Saulit. Disa lajmëtarë nga Jabeshi (Jabesh-Galaadi) u dërguan të kërkonin ndihmë në Gibeah kur i rrethuan amonitët, e prej atje mbreti Saul e mobilizoi sakaq Izraelin për luftë, që t’i bënin ballë kërcënimit. (1Sa 11:1-7) Më vonë, vendi nga nisën operacionet ushtarake të Saulit kundër filistinëve ishte në afërsi të Gibeahut. (1Sa 13:2-4, 15; 14:2, 16) Veç kësaj, në dy raste burrat e Zifit vajtën në Gibeah për të lajmëruar Saulin se në ç’vend fshihej Davidi, që ai e kishte nxjerrë jashtë ligjit.—1Sa 23:19; 26:1.
Gjatë mbretërimit të Davidit, shtatë bij e nipër të Saulit u vranë në Gibeah («Gibeon», sipas Akuilës, Simakut dhe LXX), ngaqë mbi shtëpinë e Saulit rëndonte faji i gjakut, pasi ai kishte vrarë shumë gibeonitë. Konkubina e ve e Saulit i ruajti kufomat e tyre, që të mos i hanin shpendët e kafshët që ushqeheshin me kërma.—2Sa 21:1-10.
Në shekullin e 8-të p.e.s., nëpërmjet profetit Isaia, Jehovai e përshkroi në mënyrë profetike Gibeahun sikur ia mbathte para ushtrisë asiriane që marshonte drejt Jerusalemit. (Is 10:24, 29-32) Gjithashtu, nëpërmjet Hozesë, Perëndia paraqiti në mënyrë profetikë një situatë sikur mbretëria veriore dhjetëfisëshe tanimë ishte pushtuar, dhe armiku kërcënonte Gibeahun e Ramahun në Beniamin (në mbretërinë jugore të Judës).—Ho 5:8-10.