Betheli: Një qytet i së mirës dhe i së keqes
DISA qytete fitojnë një famë të mirë ose të keqe nga ngjarjet që ndodhin brenda tyre. Megjithatë, Betheli është i veçantë, për faktin se u bë i njohur si për mirë, ashtu edhe për keq. Patriarku Jakob e quajti qytetin, Bethel, që do të thotë «Shtëpia e Perëndisë». Por, një mijë vjet më vonë, profeti Hozea e quajti atë, «Shtëpia e Dëmtimit». Si ndryshoi ky qytet nga i mirë në të keq? Çfarë mund të mësojmë nga historia e tij?
Lidhja midis Bethelit dhe popullit të Perëndisë filloi në vitin 1943 p.e.s. kur Abrahami ishte ende gjallë. Në atë kohë, qyteti njihej me emrin Luz, emri origjinal kananit. Ai gjendej në zonën kodrinore rreth 17 kilometra në veri të Jerusalemit. Imagjino Abrahamin dhe nipin e tij Lotin në një pikë të favorshme vrojtimi, lart në malet përreth Bethelit, duke parë poshtë në drejtim të rrafshinave pjellore të luginës së ulët të lumit Jordan. Me takt, Abrahami e tërheq vëmendjen e Lotit mbi vështirësinë e caktimit të kullotave për kopetë e tyre të mëdha: «Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis meje dhe teje as midis barinjve të mi dhe barinjve të tu, sepse jemi vëllezër. A nuk është vallë tërë vendi para teje? Ndahu nga unë! Në rast se ti shkon majtas, unë kam për të vajtur djathtas; dhe në qoftë se ti shkon djathtas, unë kam për të vajtur majtas.»—Zanafilla 13:3-11.
Abrahami nuk kërkoi të drejtën e tij për të zgjedhur i pari. Në vend të kësaj, ai e lejoi më të riun të merrte pjesën më të mirë. Edhe ne mund ta imitojmë qëndrimin e shkëlqyer të Abrahamit. Ne mund t’i qetësojmë çështjet që çojnë në grindje, duke marrë iniciativën, për të folur me qetësi dhe për të vepruar pa egoizëm.—Romakëve 12:18.
Vite më vonë, ndërsa nipi i Abrahamit, Jakobi, fushonte në Luz, ai pati një ëndërr të pazakontë. Ai pa «një shkallë të mbështetur mbi tokë, maja e së cilës prekte qiellin; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbritnin në të. Dhe ja, Zoti ndodhej në majë të saj.» (Zanafilla 28:11-19; krahaso Gjoni 1:51.) Ëndrra kishte një domethënie të rëndësishme. Engjëjt që pa Jakobi do t’i shërbenin atij për të plotësuar premtimin që Perëndia i kishte bërë në lidhje me farën e tij. Pozita e ngritur e Jehovait mbi shkallë tregonte se do të ishte ai që do t’i drejtonte engjëjt në këtë punë.
Kjo dhënie sigurie në lidhje me mbështetjen hyjnore e preku thellë Jakobin. Pasi u zgjua nga gjumi, ai e quajti vendin, Bethel, që do të thotë «Shtëpia e Perëndisë» dhe iu betua Jehovait: «Nga të gjitha ato që do të më japësh, unë do të të jap të dhjetën.»a (Zanafilla 28:20-22) I vetëdijshëm se çdo gjë që kishte vinte nga Perëndia, ai dëshironte t’i kthente Atij një pjesë të bollshme si një shenjë mirënjohjeje.
Edhe sot të krishterët kanë engjëjt që shërbejnë në dobi të tyre. (Psalmi 91:11; Hebrenjve 1:14) Edhe ata mund të tregojnë çmueshmërinë e tyre për të gjitha bekimet që kanë, duke qenë «të pasur me shumë shprehje falënderimi për Perëndinë».—2. Korintasve 9:11, 12, BR.
Me kalimin e kohës, pasardhësit e Jakobit u bënë një komb. Udhëheqësi i tyre, Josiu, mundi mbretin johebre të Bethelit në prag të fillimit të pushtimit të Kanaanit. (Jozueu 12:16) Gjatë periudhës së Gjykatësve, profetesha Debora jetoi pranë Bethelit dhe i përcolli popullit fjalët e Jehovait. Edhe Samueli, gjithashtu, e vizitoi Bethelin rregullisht, ndërsa shërbente si Gjykatës i kombit të Izraelit.—Gjyqtarët 4:4, 5; 1. Samuelit 7:15, 16.
Betheli bëhet qendër apostazie
Megjithatë, lidhja e Bethelit me adhurimin e pastër përfundoi pas ndarjes së Mbretërisë në vitin 997 p.e.s. Mbreti Jeroboam e ktheu Bethelin në një qendër për adhurimin e viçit, i cili pretendohej se përfaqësonte Jehovain. (1. Mbretërve 12:25-29) Ja përse, ndërsa profetizonte shkatërrimin e Bethelit, Hozea iu referua atij me emrin «Bethaven», që do të thotë «Shtëpia e Dëmtimit».—Hozea 10:5, 8.
Edhe pse Betheli ishte kthyer në një qendër të dëmtimit frymor, ngjarjet që patën lidhje me të vazhduan të sigurojnë mësime të rëndësishme. (Romakëve 15:4) Një nga këto mësime ka të bëjë me një profet që nuk përmendet me emër, i cili u dërgua nga Juda në Bethel për të parathënë shkatërrimin e altarëve dhe të priftërinjve të tij. Gjithashtu, Jehovai i tha atij që të kthehej në Judë, vetëm pak kilometra më në jug, pa ngrënë e pa pirë. Ky profet, profetizoi me guxim përpara Jeroboamit, mbretit të Izraelit, duke mallkuar altarin e Bethelit. Por më pas, ai tregoi mosbindje ndaj Perëndisë, duke ngrënë në shtëpinë e një profeti të vjetër në Bethel. Përse? Profeti i vjetër, në mënyrë të rreme, pohoi se një engjëll i Jehovait e kishte urdhëruar të tregonte mikpritje ndaj një profeti tjetër. Mosbindja e profetit nga Juda çoi në vdekjen e tij të parakohshme.—1. Mbretërve 13:1-25.
Po ne, si duhet të reagojmë, në rast se një bashkëbesimtar na sugjeron të bëjmë diçka që duket e dyshimtë? Mos harroni se edhe një këshillë e dhënë me qëllime të mira mund të jetë e dëmshme nëse është e gabuar. (Krahaso Mateu 16:21-23.) Duke kërkuar drejtim prej Jehovait me anë të lutjes dhe studimit të Fjalës së tij, do të shmangim gabimin tragjik të profetit pa emër.—Fjalët e urta 19:21; 1. Gjonit 4:1.
Rreth 150 vjet më vonë, edhe profeti Amos mori rrugën për në veri, për të profetizuar kundër Bethelit. Amosi e dënoi me vendosmëri auditorin e tij armiqësor, përfshirë edhe priftin Amaziah, i cili me fodullëk i tha Amosit të ‘ikte në vendin e Judës’. Por me guxim, Amosi i foli Amaziahut për katastrofat që do të binin mbi shtëpinë e tij. (Amos 5:4-6; 7:10-17) Shembulli i tij na kujton se Jehovai mund t’u japë guxim shërbëtorëve të tij të përulur.—1. Korintasve 1:26, 27.
Së fundi, Mbreti besimplotë i Judës, Josia, shembi ‘altarin që ishte në Bethel, dogji vendin e lartë, e thërmoi sa e bëri pluhur dhe dogji shtyllën e shenjtë’. (2. Mbretërve 23:15, 16, BR) Pleqtë sot, mund ta imitojnë shembullin e tij të shkëlqyer, duke ndjekur me zell, deri në fund, udhëzimet e Perëndisë dhe duke marrë drejtimin në ruajtjen e pastërtisë së kongregacionit.
Këto ngjarje në historinë e Bethelit, paraqesin në mënyrë të gjallë rezultatet e drejtësisë dhe të ligësisë, të bindjes dhe të mosbindjes ndaj Jehovait. Vite më parë, Moisiu vendosi këtë zgjedhje para kombit të Izraelit: «Unë vë sot para teje jetën dhe të mirën, vdekjen dhe të keqen.» (Ligji i përtërirë 30:15, 16) Meditimi mbi historinë e Bethelit do të na inkurajojë ta identifikojmë veten me «Shtëpinë e Perëndisë», vendin e adhurimit të pastër, në vend se me «Shtëpinë e Dëmtimit».
[Shënimi]
a Si Jakobi, ashtu edhe Abrahami ofruan vullnetarisht të dhjeta.
[Figura në faqen 23]
Rrënojat e Bethelit, ku Jeroboami ngriti një qendër për adhurimin e viçit