JEZREELI
[Perëndia do të mbjellë farë], jezreelitët.
1. Pasardhës i Judës; ndoshta paraardhësi i banorëve të Jezreelit (nr. 3) ose themeluesi i tij.—1Kr 4:1, 3.
2. Bir i profetit Hozea dhe i gruas së tij Gomerës (Ho 1:3, 4); për domethënien profetike të emrit «Jezreel» shih nr. 4.
3. Qytet në rajonin malor të Judës që sot nuk dihet ku ndodhej. Mbase e themeloi Jezreeli nr. 1. (Js 15:20, 48, 56) Ky Jezreel ishte pa dyshim qyteti nga vinte Ahinoami, gruaja e Davidit.—1Sa 25:43; 27:3.
4. Qytet në kufirin e territorit të Isakarit. (Js 19:17, 18) Sot Jezreelin e lidhin me Zerʽinin (Tel-Jizreʽelin), afro 11 km në veri-verilindje të Jeninit (En-Ganimit). Tamam në juglindje shtrihet një varg kodrash gëlqerore në formë gjysmëhëne që, sipas traditës, është mali i Gilboas.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 10-të p.e.s., Jezreeli ishte rezidenca mbretërore e Akabit, mbretit të Izraelit, dhe e pasuesit të tij Jehoramit, edhe pse kryeqytet i mbretërisë veriore në realitet ishte Samaria. (1Mb 18:45, 46; 21:1; 2Mb 8:29) Në vreshtin e Nabotit, afër pallatit mbretëror në Jezreel, profeti Elija shpalli gjykimin e Jehovait kundër shtëpisë së Akabit. (1Mb 21:17-29) Profecia u përmbush: Jehu vrau djalin e Akabit, mbretin Jehoram, dhe urdhëroi që kufomën e tij ta hidhnin në pjesën e arës së Nabotit. Me urdhër të Jehut, Jezebelën, gruan e Akabit, e hodhën nga dritarja dhe u bë ushqim për qentë e rrugëve të Jezreelit. Me kokat e 70 bijve të Akabit, të ekzekutuar nga kujdestarët e tyre në Samari, u formuan dy togje pranë portës së Jezreelit. Nuk shpëtoi asnjë nga burrat e shquar të Akabit, të njohurit dhe priftërinjtë e tij në Jezreel.—2Mb 9:22-37; 10:5-11.
Profecia e Hozesë. Fjalët që tha Jehovai me anë të Hozesë (1:4) ‘për gjakderdhjen që ka shkaktuar Jezreeli’ nuk i referohen shfarosjes së shtëpisë së paperëndishme të Akabit nga Jehu, pasi ai ishte mjeti që Jehovai përdori për të ekzekutuar gjykimin hyjnor. Gjithsesi, ka mundësi që motivet e gabuara—të cilat e shtynë Jehun të lejonte të vazhdonte kulti i viçit—ta kenë bërë fajtor edhe për gjakderdhje.—2Mb 10:30, 31.
Jehovai e udhëzoi Hozenë t’i vinte emrin profetik Jezreel djalit që do t’i lindte Gomera. Ky emër tregonte që shtëpisë së Jehut do t’i kërkohej llogari në të ardhmen. Perëndia ‘do të mbillte farë’ në kuptimin që do ta shpërndante. Shtëpisë së Jehut iu kërkua llogari kur Zakarinë, stër-stërnipin e Jehut, e vranë pas gjashtë muajsh mbretërim dhe vrasësi i tij, Shalumi, uzurpoi fronin. (2Mb 15:8-10) Kështu mori fund dinastia e Jehut. Afro 50 vjet më vonë, në vitin 740 p.e.s., kur mbretëria veriore ra në duart e Asirisë dhe banorët e saj i çuan në mërgim, sundimi mbretëror i shtëpisë së Izraelit mori fund krejtësisht. Në atë kohë ‘harku i Izraelit’, domethënë fuqia e tij ushtarake, u thye përfundimisht. Profecia tregonte se kjo do të ndodhte në ultësirën e Jezreelit, ndoshta sepse aty asirianët korrën një fitore vendimtare.—Ho 1:4, 5.
Megjithatë, Jehovai me anë të profetit Hozea tregoi që emri Jezreel kishte edhe një kuptim pozitiv. Duke mbledhur mbetjen e Izraelit dhe të Judës dhe duke e kthyer popullin e tij në tokën e tyre, Jehovai do të mbillte farë në kuptimin që do të bëheshin të shumtë në numër.—Ho 1:11; 2:21-23; krahaso Za 10:8-10.
5. Fjala Jezreel mund të nënkuptojë edhe një zonë gjeografike. Termi «ultësira e Jezreelit» shpesh tregon vetëm ultësirën që shtrihet drejt juglindjes nga qyteti i Jezreelit, në territorin e Isakarit, deri në Beth-Shean, në skajin perëndimor të luginës së Jordanit. Kurse termi që përdoret sot, «lugina e Jezreelit», domethënë ultësira e Jezreelit, përfshin edhe ultësirën në perëndim të Jezreelit, pra rrafshinën e Esdraelonit (forma greke e emrit Jezreel). Kështu, fjala Jezreel ndonjëherë ka kuptim më të gjerë dhe përdoret për gjithë rrafshinën nga vargmali i Karmelit deri në lumin Jordan.
Nga qyteti i Jezreelit (Zerʽinit), që ndodhet mbi një kodrinë shkëmbore, shihet gjithë ana lindore e ultësirës së Jezreelit, e cila shtrihet drejt juglindjes për afro 19 km dhe është rreth 3 km e gjerë. Në kohën e Josiut, këtë zonë e kontrollonin kananitët që ishin të pajisur mirë me karroca të fuqishme lufte. (Js 17:16) Gjithashtu, në ultësirën e Jezreelit, Gideoni dhe 300 njerëzit e tij panë me sytë e tyre si i shpëtoi Jehovai ndërsa forcat armike të midianitëve, të amalekitëve dhe të popujve të Lindjes u kthyen të pështjelluara kundër njëra-tjetrës. (Gjy 6:33; 7:12-22) Kohë më vonë, ushtria izraelite me në krye mbretin Saul, kur u përball me forcat armike filistine, fushoi pranë burimit që gjendej në Jezreel (mbase ʽAin-Jaludi në zgjatimin veriperëndimor të malit të Gilboas ose ʽAin-el-Meijitehu poshtë qytetit të Zerʽinit). Paskëtaj, nga Jezreeli erdhi lajmi për vdekjen e Saulit dhe birit të tij, Jonatanit. (1Sa 29:1, 11; 2Sa 4:4) Më pas, Jezreeli dhe rrethinat e tij u bënë pjesë e territorit ku sundonte biri i Saulit, Ish-Boshethi. (2Sa 2:8, 9) Gjatë mbretërimit të Solomonit, nëpunësit Baana i ishte caktuar edhe rrafshina pjellore e Jezreelit.—1Mb 4:7, 12.