Libri biblik numër 29—Joeli
Shkrimtari: Joeli
Vendi ku u shkrua: Judë
Shkrimi përfundoi: rr. 820 p.e.s. (?)
1. Ç’ngjarje dramatike nënvizon profecia e Joelit?
VALË-VALË, një mizëri insektesh shkreton vendin. Zjarri që u prin dhe flaka që vjen pas tyre, plotësojnë shkretimin. Kudo ka zi buke. Dielli kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, sepse dita e madhe e Jehovait që të ngjall frikë është pranë. Ai urdhëron që të futet drapri dhe kombet të mblidhen për t’u shkatërruar. Mirëpo, disa ‘do të shpëtojnë’. (Joe. 2:32) Shqyrtimi i këtyre ngjarjeve dramatike e bën profecinë e Joelit tepër interesante dhe mjaft të dobishme për ne.
2. Çfarë dimë për Joelin dhe për rrethanat në të cilat profetizoi?
2 Libri na paraqitet si «fjala e Jehovait që iu drejtua Joelit, birit të Petuelit». Bibla nuk thotë më shumë se kaq për Joelin. Në pah del mesazhi profetik, dhe jo shkrimtari i tij. Emri «Joel» (hebraisht, Johʼél) mendohet se do të thotë «Jehovai është Perëndi». Fakti që Joeli e njeh mirë dhe nga afër Jerusalemin, tempullin e tij, dhe hollësitë e shërbimit në tempull, tregon se ai mund ta ketë shkruar librin në Jerusalem ose në Judë.—Joe. 1:1, 9, 13, 14; 2:1, 15, 16, 32.
3. Për cilat arsye periudha rreth vitit 820 p.e.s. sugjerohet si data e profecisë së Joelit?
3 Kur u shkrua libri i Joelit? Këtë nuk mund ta themi me siguri. Datat që japin studiuesit, ndryshojnë nga para vitit 800 p.e.s. deri rreth vitit 400 p.e.s. Përshkrimi i gjykimit që Jehovai u bën kombeve në rrafshinën e Jehozafatit, të bën të mendosh se Joeli e ka shkruar profecinë e tij pak kohë pas fitores së madhe që Jehovai i dha mbretit Jehozafat të Judës, domethënë pasi Jehozafati u bë mbret në vitin 936 p.e.s. (Joe. 3:2, 12; 2 Kron. 20:22-26) Profeti Amos mund të ketë cituar pjesë nga teksti i Joelit. Në këtë rast, profecia e Joelit i bie që të jetë shkruar para asaj të Amosit, i cili nisi të profetizonte aty midis viteve 829 dhe 804 p.e.s. (Joe. 3:16; Amo. 1:2) Gjithashtu, vendi që zë libri në kanunin hebraik, mes Hozesë dhe Amosit, mund të jetë tregues i një date edhe më të hershme. Prandaj, viti 820 p.e.s. është një datë e përafërt e sugjeruar për profecinë e Joelit.
4. Ç’prova ekzistojnë për autenticitetin e Joelit?
4 Autenticiteti i profecisë vërtetohet nga citimet dhe referimet që gjejmë në Shkrimet e Krishtere Greke. Në festën e Ditës së Pesëdhjetë, Pjetri foli për ‘profetin Joel’ dhe përmendi një nga profecitë e tij. Pavli citoi të njëjtën profeci dhe tregoi përmbushjen e saj për judenjtë e për jojudenjtë. (Joe. 2:28-32; Vep. 2:16-21; Rom. 10:13) Profecitë e Joelit kundër kombeve fqinje u përmbushën të tëra. Qyteti i madh i Tirit u rrethua nga Nabukodonosori, kurse pjesa e tij ishullore u rrënua më vonë nga Aleksandri i Madh. Po kështu mori fund edhe Filistia. Edomi u bë një shkretëtirë. (Joe. 3:4, 19) Judenjtë s’e vunë kurrë në diskutim që Joeli ishte pjesë e kanunit biblik dhe e vendosën librin të dytin mes të ashtuquajturve profetë të vegjël.
5. Përse të bën përshtypje forca shprehëse e profecisë së Joelit?
5 Stili i Joelit është sa i gjallë, aq edhe shprehës. Ai bën përsëritje për emfazë dhe përdor krahasime të goditura. Karkalecat quhen një komb, një popull dhe një ushtri. Dhëmbët i kanë si të luanëve, pamja e tyre është si e kuajve dhe zhurma e tyre si ajo e karrocave të luftës të një ushtrie të rreshtuar për betejë. Në një botim citohen fjalët e një autoriteti në fushën e kontrollit të karkalecave, që thotë: «Asgjë nuk ia ka kaluar ndonjëherë saktësisë dramatike të hollësive të mësymjes së karkalecave që paraqet përshkrimi i Joelit.»a Dëgjoni tani, teksa Joeli profetizon për ditën e Jehovait që të ngjall frikë.
PËRMBAJTJA E JOELIT
6. Ç’vegim të tmerrshëm sheh në fillim Joeli?
6 Mësymja e karkalecave zhvesh vendin; dita e Jehovait afër (1:1–2:11). Çfarë vegimi të tmerrshëm plot gjëma sheh Joeli! Një sulm shkatërrimtar nga vemjet, karkalecat, larvat e karkalecit dhe furrtaret e zeza. Hardhitë e fiqtë janë zhveshur krejt dhe në vend ka pllakosur zia e bukës. Në shtëpinë e Jehovait nuk ka më blatime në drithë dhe blatime në pije. Joeli i paralajmëron priftërinjtë dhe shërbëtorët e Perëndisë të pendohen. Ai thërret: «Medet për atë ditë, sepse dita e Jehovait është afër dhe do të vijë si një grabitje nga i Plotfuqishmi!» (1:15) Kafshët bredhin të hutuara. Flakët kanë përpirë kullotat dhe drurët, kurse shkretëtira është përzhitur nga zjarri.
7. Si përshkruhet mësymja e forcave ushtarake të Jehovait?
7 Jepni alarmin! «Bjerini bririt në Sion dhe lëshoni një britmë lufte në malin tim të shenjtë.» (2:1) Dita e Jehovait është afër, një ditë errësire dhe terri të zi. Ja, një popull i shumtë dhe i fuqishëm e ka kthyer vendin që ishte si Edeni, në një shkretëtirë të mjeruar. Asgjë nuk shpëton. Vrapojnë si kuajt dhe me zhurmë karrocash në majë të maleve. Si një popull i rreshtuar për betejë, turren në qytet, u ngjiten mureve, shtëpive e dritareve. Vendi tundet dhe qiejt lëkunden. Këto forca ushtarake të panumërta i drejton Jehovai. «Dita e Jehovait është e madhe dhe ngjall shumë frikë. Kush mund t’i bëjë ballë asaj?»—2:11.
8. (a) Cila është e vetmja mënyrë për të ndaluar mësymjen e insekteve? (b) Çfarë dëmshpërblimi premton Jehovai?
8 Kthehuni te Jehovai; fryma do të derdhet (2:12-32). Megjithatë, diçka mund të bëhet për ta ndaluar këtë mësymje. Jehovai këshillon: «Kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj. . . . Shqyeni zemrat dhe jo rrobat. Kthehuni te Jehovai, Perëndia juaj.» (2:12, 13) Tingulli i një briri i fton njerëzit të mblidhen për një asamble solemne. Nëse kthehen tek ai, «Jehovai do të jetë i zellshëm për vendin e tij dhe do të tregojë dhembshuri për popullin e tij». (2:18) Do të ketë bekime dhe falje, kurse pushtuesi do të kthehet mbrapsht. Në vend që të jetë një kohë frike, do të jetë një kohë gëzimi e ngazëllimi, sepse do të ketë fruta, drithë, verë të re dhe vaj. Jehovai do t’i dëmshpërblejë për ato vite kur prodhimet ua hëngrën karkalecat, forcat e tij të mëdha ushtarake. Ai premton: «Do të hani, do të hani e do të ngopeni dhe keni për ta lëvduar emrin e Jehovait, Perëndisë tuaj, që ka vepruar me ju në mënyrë kaq të mrekullueshme.» (2:26) Kanë për ta marrë vesh se vetëm Jehovai është Perëndia i tyre në mes të Izraelit.
9. Ç’profeci që të prek zemrën vjen më pas?
9 «Pas kësaj do të derdh frymën time mbi çdo lloj njeriu dhe bijtë e bijat tuaja do të profetizojnë. Të moshuarit do të shohin ëndrra. Të rinjtë do të shohin vegime. Ato ditë do të derdh frymën time madje edhe mbi shërbyesit dhe shërbyeset»,—thotë Jehovai. Do të ketë shenja të tmerrshme në diell e në hënë para se të vijë dita e Jehovait. Megjithatë, disa do të mbijetojnë. «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»—2:28-32.
10. Ç’do të ndodhë në ultësirën e Jehozafatit?
10 Kombet do të gjykohen «në ultësirën e Jehozafatit» (3:1-21). Jehovai do të kthejë robërit e Judës dhe të Jerusalemit. Kombet do të mblidhen; Tiri, Sidoni dhe Filistia do të paguajnë shtrenjtë për poshtërimin dhe skllavërimin e popullit të Jehovait. Ja si i sfidon Jehovai kombet: «Përgatituni për luftë! Ngrini burrat e fuqishëm! Le të afrohen! Le të ngjiten tërë luftëtarët!» (3:9) Le t’i farkëtojnë ploret e t’i kthejnë në shpata e të ngjiten në ultësirën e Jehozafatit (që do të thotë «Jehovai është gjykatës»). Urdhri i Jehovait ushton: «Vini draprin, se të korrat janë gati. . . . Lugjet e shtypëseve gufojnë, sepse e keqja e tyre është me bollëk. Turma, turma ka në ultësirën e vendimit, sepse dita e Jehovait është afër.» (3:13, 14) Dielli dhe hëna errësohen. Jehovai ulërin nga Sioni duke lëkundur qiellin e tokën, kurse për popullin e vet ai është strehë dhe fortesë. Ata kanë për ta marrë vesh se ai është Jehovai, Perëndia i tyre.
11. Si i përshkruan Joeli më pas bekimet që do të vijnë nga Jehovai?
11 «Atë ditë» do të ketë bollëk, si në parajsë. (3:18) Nga malet do të pikojë verë, nga kodrat do të rrjedhë qumësht dhe nëpër shtretërit e rrëkeve do të vërshojë uji. Nga shtëpia e Jehovait do të dalë një burim freskues. Egjipti dhe Edomi, që kanë derdhur gjak të pafajshëm në Judë, do të bëhen vende të shkreta, kurse Juda dhe Jerusalemi do të banohen përgjithmonë, «dhe Jehovai do të banojë në Sion».—3:21.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
12. Ç’rëndësi profetike të fjalëve të Joelit theksoi Pjetri në festën e Ditës së Pesëdhjetë?
12 Disa komentues e kanë përshkruar Joelin si një profet të territ. Mirëpo, nga pikëpamja e popullit të Perëndisë, ai paraqitet si lajmëtari i sihariqeve të lavdishme të çlirimit. Apostulli Pavël e theksoi këtë mendim te Romakëve 10:13, ku thotë: «Sepse ‘kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë’.» (Joe. 2:32) Profecia e Joelit pati një përmbushje të madhe në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Në atë rast, Pjetri u frymëzua të shpjegonte se derdhja e frymës së Perëndisë mbi dishepujt e Krishtit, ishte një përmbushje e profecisë së Joelit. (Vep. 2:1-21; Joe. 2:28, 29, 32) Pjetri e theksoi shumë rëndësinë profetike të fjalëve të Joelit: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.»—Vep. 2:21, 39, 40.
13. (a) Ç’ngjashmëri të mëdha mund të shihen mes librit të Joelit dhe Zbulesës? (b) Ç’paralele me profecinë e Joelit gjenden edhe në profeci të tjera?
13 Ngjashmëri të mëdha mund të shihen edhe mes plagës së karkalecave që përshkruhet nga Joeli, dhe plagës që profetizohet te kapitulli 9 i Zbulesës. Edhe këtu dielli errësohet. Karkalecat ngjajnë me kuaj gati për betejë, që bëjnë një zhurmë si ajo e karrocave të luftës dhe kanë dhëmbë porsi të luanëve. (Joe. 2:4, 5, 10; 1:6; Zbul. 9:2, 7-9) Profecia e Joelit 2:31, e cila flet për diellin që kthehet në errësirë, ka një paralele me ngjarjet e përshkruara tek Isaia 13:9, 10, Zbulesa 6:12-17 dhe Mateu 24:29, 30, ku Jezui tregon se kjo profeci gjen zbatim në kohën kur ai vjen si Biri i njeriut me fuqi dhe lavdi të madhe. Me sa duket edhe Malakia 4:5 u referohet fjalëve të Joelit 2:11 ku thuhet se «dita e Jehovait është e madhe dhe ngjall shumë frikë». Përshkrime paralele të kësaj ‘dite errësire dhe terri të zi’ gjenden edhe te Joeli 2:2 dhe Sofonia 1:14, 15.
14. Ç’vargje të Joelit lartësojnë sovranitetin e Jehovait dhe dashamirësinë e tij?
14 Profecia e Zbulesës sheh përpara, në ‘ditën e madhe’ të zemërimit hyjnor. (Zbul. 6:17) Edhe Joeli profetizon për atë kohë, dhe tregon se, kur «dita e Jehovait» të vijë mbi kombet, ata që e thërrasin atë për mbrojtje e çlirim, ‘do të shpëtojnë’. Jehovai do të jetë një strehë për popullin e tij. Begatia që ekzistonte në Eden, do të rikthehet: «Atë ditë nga malet do të pikojë verë e ëmbël, nga kodrat do të rrjedhë qumësht dhe nëpër shtretërit e rrëkeve të Judës do të rrjedhë ujë. Nga shtëpia e Jehovait do të dalë një burim.» Tek paraqit këto premtime të shndritshme të rivendosjes, Joeli lartëson edhe sovranitetin e Perëndisë Jehova dhe u bën thirrje njerëzve me zemër të ndershme në bazë të mëshirës së Tij të madhe: «Kthehuni te Jehovai, Perëndia juaj, se ai është hirmadh e i mëshirshëm, nuk zemërohet shpejt e plot dashamirësi.» Të gjithë ata që do t’ia vënë veshin kësaj thirrjeje të frymëzuar, do të korrin dobi të përjetshme.—Joe. 2:1, 32; 3:16, 18; 2:13.
[Shënimi]
a The Interpreter’s Bible, 1956, vëll. VI, faqja 733.