Ta themi me guxim Fjalën e Perëndisë
«Shko, profetizoji popullit tim.»—AMOSI 7:15.
1, 2. Kush ishte Amosi dhe çfarë na tregon Bibla për të?
NDËRSA po predikonte, një shërbëtor i Jehovait u ndesh me një prift. Prifti i bërtiti: ‘Mos prediko më! Largohu që këtu!’ Çfarë bëri ky shërbëtor? Iu nënshtrua këtij urdhri apo vazhdoi ta thoshte me guxim fjalën e Perëndisë? Mund ta gjejmë me lehtësi përgjigjen e kësaj pyetjeje, sepse ky shërbëtor i dokumentoi përvojat në një libër që mban emrin e tij. Është libri biblik i Amosit. Përpara se të mësojmë më shumë për takimin e Amosit me këtë prift, le të shqyrtojmë disa të dhëna për prejardhjen e tij.
2 Kush ishte Amosi? Ku banonte dhe kur ka jetuar? Përgjigjet i gjejmë tek Amosi 1:1, ku lexojmë: «Fjalë të Amosit, një nga barinjtë e Tekoas, . . . në kohën e Uziahut, mbretit të Judës dhe në kohën e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit.» Amosi banonte në Judë dhe vendlindja e tij ishte Tekoa, e cila gjendej 16 kilometra në jug të Jerusalemit. Ai jetoi në fund të shekullit të nëntë p.e.s., kur në Judë mbretëronte Uziahu dhe në mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit mbretëronte Jeroboami II. Amosi punonte si bari. Madje, tek Amosi 7:14 thuhet se nuk ishte vetëm «bari», por ‘rriste fiq egjipti’ dhe për t’u shpejtuar pjekjen, i shponte fiqtë. Pra, gjatë një pjese të vitit bënte punë sezonale, shponte fiq. Kjo punë ishte shumë e lodhshme.
‘Shko, profetizo’
3. Si na ndihmojnë informacionet për jetën e Amosit, nëse nuk ndihemi të kualifikuar për të predikuar?
3 Amosi pranoi me çiltërsi: «Nuk isha profet as bir profeti.» (Amosi 7:14) Amosi as nuk kishte lindur si bir profeti dhe as nuk u stërvit si profet. Gjithsesi, nga të gjithë banorët e Judës, Jehovai zgjodhi pikërisht Amosin për të kryer veprën e Tij, jo ndonjë mbret të fuqishëm, as ndonjë prift të shkolluar ose ndonjë prijës të pasur. Ky është një mësim ngushëllues për ne. Ndoshta s’kemi ndonjë pozitë të lartë në shoqëri ose s’jemi shumë të arsimuar. Por, a duhet të na bëjë kjo të mendojmë se nuk jemi të kualifikuar për të predikuar fjalën e Perëndisë? Aspak! Jehovai mund të na pajisë që ta shpallim mesazhin e tij, madje edhe në territore të vështira. Meqenëse Jehovai veproi pikërisht kështu me Amosin, do të jetë e dobishme për të gjithë ata që dëshirojnë ta thonë me guxim fjalën e Perëndisë të shqyrtojnë me hollësi shembullin e këtij profeti të guximshëm.
4. Pse ishte e vështirë për Amosin të predikonte në Izrael?
4 Jehovai e urdhëroi Amosin: «Shko, profetizoji popullit tim të Izraelit.» (Amosi 7:15) Ky caktim ishte i vështirë. Në atë kohë, mbretëria prej dhjetë fisesh e Izraelit kishte paqe, siguri dhe begati. Shumë izraelitë kishin edhe ‘shtëpi dimri’, edhe ‘shtëpi vere’, të cilat nuk i kishin bërë me tulla të zakonshme prej balte, por me ‘gurë të latuar’ të kushtueshëm. Disa kishin mobilie elegante, të veshura me fildish, dhe pinin verë nga rrushi që prodhohej në «vreshta të mrekullueshme». (Amosi 3:15; 5:11, BR) Me pak fjalë, shumë njerëz ishin rehatuar e prandaj ishin bërë të vetëkënaqur. Në të vërtetë, territori që iu caktua Amosit mund të ketë qenë shumë i ngjashëm me territorin ku predikojnë disa prej nesh sot.
5. Çfarë gjërash të padrejta po bënin disa izraelitë?
5 Në vetvete, nuk ishte e gabuar që izraelitët të kishin zotërime materiale. Megjithatë, disa izraelitë po i grumbullonin pasuritë në mënyra të pandershme. Të pasurit ‘po shtypnin të mjerët’ dhe ‘po keqtrajtonin të varfrit’. (Amosi 4:1) Tregtarët e pasur, gjykatësit dhe priftërinjtë bashkëpunonin për të grabitur të varfrit. Le të kthehemi tani prapa në kohë dhe të vërejmë se çfarë bënin këta njerëz.
Shkelnin Ligjin e Perëndisë
6. Si i zhvatnin tregtarët izraelitë të tjerët?
6 Si fillim, le të shkojmë në sheshin e pazarit për të parë se ç’ndodhte. Aty tregtarët ‘zvogëlonin efën’ dhe ‘rritnin siklin’, e madje shitnin ‘skarcitetet’ ose mbeturinat e grurit në vend të grurit. (Amosi 8:5, 6) Po, tregtarët i mashtronin blerësit në sasinë e asaj që shitnin dhe në çmimin që ishte shumë i lartë, ndërkohë që cilësia ishte e ulët. Pasi tregtarët i zhvatnin të varfrit deri në rrënim, këta të shkretë duhej ta shitnin veten si skllevër. Më pas, tregtarët i blinin ata me të njëjtin çmim që paguanin «për një palë sandale». (Amosi 8:6) Mendoni pak! Për këta tregtarë lakmitarë, bashkëkombësit e tyre izraelitë s’kishin më shumë vlerë se një palë sandale! Sa shumë që i poshtëronin nevojtarët dhe sa rëndë e shkelnin Ligjin e Perëndisë! Sidoqoftë, ishin po këta tregtarë që me përpikëri mbanin sabatin ose ‘të shtunën’. (Amosi 8:5) Po, ishin fetarë, por vetëm nga jashtë.
7. Si ka mundësi që tregtarët izraelitë e shkelnin Ligjin e Perëndisë dhe nuk ndëshkoheshin?
7 Si ia bënin këta tregtarë që nuk ndëshkoheshin, edhe pse shkelnin Ligjin e Perëndisë, ku urdhërohej: «Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde.» (Levitiku 19:18) Ia dilnin mbanë, sepse ata që duhej të kujdeseshin për zbatimin e Ligjit, pra gjykatësit, ishin ortakët e tyre në krim. Në portën e qytetit, ku zhvilloheshin rastet gjyqësore, gjykatësit ‘pranonin dhurata dhe u bënin padrejtësi të varfërve’. Në vend që t’i mbronin të varfrit, ata i linin në baltë në këmbim të një ryshfeti. (Amosi 5:10, 12) Pra, edhe gjykatësit po e shpërfillnin Ligjin e Perëndisë.
8. Ndaj cilës sjellje po mbyllnin njërin sy priftërinjtë e ligj?
8 Por ndërkohë, çfarë roli po luanin priftërinjtë në Izrael? Për të zbuluar këtë, duhet ta drejtojmë vëmendjen te një vend tjetër. Shikoni çfarë mëkatesh po lejonin priftërinjtë në «shtëpinë e perëndive të tyre»! Nëpërmjet Amosit, Perëndia tha: «Një njeri dhe ati i tij shkojnë bashkë te po ajo vajzë, për të përdhosur emrin tim të shenjtë.» (Amosi 2:7, 8) Mendoni, etërit dhe bijtë izraelitë kryenin imoralitet seksual me të njëjtën prostitutë tempulli. Kurse priftërinjtë e ligj mbyllnin njërin sy para këtij imoraliteti!—Levitiku 19:29; Ligji i përtërirë 5:18; 23:17.
9, 10. Për çfarë shkeljesh të Ligjit të Perëndisë ishin fajtorë izraelitët? Çfarë ngjashmërie mund të gjejmë me ditët tona?
9 Duke folur për një sjellje tjetër mëkatare, Jehovai tha: «Shtrihen rreth çdo altari me rroba që kanë marrë hua dhe në shtëpinë e perëndive të tyre pinë verën e atyre që janë dënuar me gjobë.» (Amosi 2:8) Po, priftërinjtë dhe populli në përgjithësi, po shpërfillnin edhe ligjin që gjejmë tek Eksodi 22:26, 27, ku thuhej se rroba e marrë peng duhej kthyer para perëndimit të diellit. Në vend të kësaj, ata e përdornin si shtrojë në të cilën shtriheshin ndërsa festonin dhe pinin për perënditë e rreme. E me gjobat që nxirrnin nga të varfrit blinin verë për ta pirë në festat e rreme fetare. Sa shumë kishin devijuar nga shtegu i adhurimit të pastër!
10 Izraelitët po shkelnin paturpësisht dy urdhërimet më të mëdha të Ligjit: të donin Jehovain dhe të donin të afërmin e tyre. Prandaj, Perëndia dërgoi Amosin për t’i dënuar për jobesnikërinë e tyre. Sot kombet e botës, përfshirë ato të ashtuquajtura të krishtere, pasqyrojnë gjendjen e korruptuar të Izraelit të lashtë. Disa njerëz begatohen, kurse shumë të tjerë rrënohen financiarisht dhe dëmtohen emocionalisht për shkak të praktikave imorale të drejtuesve të pandershëm të bizneseve të mëdha, të politikës dhe të feve të rreme. Megjithatë, Jehovai interesohet për ata që po vuajnë dhe që ndihen të shtyrë ta kërkojnë atë. Prandaj në ditët e sotme, ai ka caktuar shërbëtorët e vet që të bëjnë një vepër si ajo e Amosit, domethënë të predikojnë me guxim fjalën e Tij.
11. Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Amosit?
11 Duke parë ngjashmëritë midis veprës së Amosit dhe veprës që bëjmë ne, do të nxjerrim shumë dobi duke shqyrtuar shembullin e tij. Në të vërtetë Amosi na tregon (1) çfarë duhet të predikojmë, (2) si duhet të predikojmë dhe (3) pse kundërshtarët nuk e ndalin dot veprën tonë të predikimit. Le t’i shqyrtojmë me radhë këto pika.
Si mund ta imitojmë Amosin?
12, 13. Si e tregoi Jehovai se ishte i pakënaqur me izraelitët, por si reaguan ata?
12 Si Dëshmitarë të Jehovait, ne e përqendrojmë shërbimin tonë të krishterë në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve. (Mateu 28:19, 20; Marku 13:10) Megjithatë, shpallim edhe paralajmërimet që ka dhënë Perëndia, ashtu si Amosi që shpalli se Jehovai do të gjykonte të ligjtë. Për shembull, tek Amosi 4:6-11 tregohet se Jehovai ia bëri vazhdimisht të qartë Izraelit që ishte i pakënaqur me të. Ai i la njerëzit «pa bukë», ‘u ndali shiun’, i goditi me ‘blozë dhe ndryshk’ dhe dërgoi ndër ta «murtajën». A e nxitën këto ngjarje Izraelin të pendohej? «Nuk u kthyet tek unë»,—u tha Perëndia. Po, izraelitët vazhdimisht e hodhën poshtë Jehovain.
13 Jehovai i ndëshkoi izraelitët e papenduar. Mirëpo, së pari, ata morën një paralajmërim profetik. Në përputhje me këtë, Perëndia shpalli: «Zotëria Sovran Jehova nuk do të bëjë asgjë, pa ua treguar më parë çështjen e tij konfidenciale shërbëtorëve të tij, profetëve.» (Amosi 3:7, BR) Perëndia i kishte zbuluar Noesë se do të vinte Përmbytja dhe i kishte thënë të jepte një paralajmërim. Po kështu, Jehovai i tha Amosit të jepte një paralajmërim të fundit. Mjerisht, Izraeli e shpërfilli atë mesazh hyjnor dhe nuk ndërmori veprimet e duhura.
14. Çfarë ngjashmërish ka midis kohës së Amosit dhe kohës sonë?
14 Pa dyshim, edhe ju e pranoni se ka disa ngjashmëri domethënëse midis kohës së Amosit dhe kohës sonë. Jezu Krishti paratha se gjatë kohës së fundit do të ndodhnin shumë katastrofa. Paratha edhe një vepër mbarëbotërore predikimi. (Mateu 24:3-14) Por, ashtu si në ditët e Amosit, shumica e njerëzve sot e shpërfillin shenjën e kohëve, si edhe mesazhin e Mbretërisë. Pasojat për këta njerëz do të jenë njësoj me ato që patën izraelitët e papenduar. Jehovai i paralajmëroi: «Përgatitu, o Izrael, të takosh Perëndinë tënd.» (Amosi 4:12) Izraelitët u përballën me Perëndinë duke pësuar gjykimin e tij të pafavorshëm, kur i pushtoi Asiria. Sot, kjo botë e paperëndishme ‘do ta takojë Perëndinë’ në Harmagedon. (Zbulesa 16:14, 16) Megjithatë, për aq kohë sa të vazhdojë durimi i Jehovait, ne u bëjmë thirrje sa më shumë njerëzve që është e mundur: «Kërkoni Zotin dhe do të rroni.»—Amosi 5:6.
T’i përballojmë kundërshtimet si Amosi
15-17. (a) Kush ishte Amaziahu, e si reagoi ndaj shpalljeve të Amosit? (b) Çfarë akuzash bëri Amaziahu kundër Amosit?
15 Mund ta imitojmë Amosin jo vetëm për sa i përket mesazhit që predikojmë, por edhe për mënyrën si predikojmë. Ky fakt theksohet në kapitullin e shtatë, ku flitet për priftin që u përmend në fillim të artikullit. Ky ishte «Amatsiahu, prifti i Bethelit». (Amosi 7:10) Qyteti i Bethelit ishte qendra e fesë apostate të Izraelit, që kishte të bënte me adhurimin e viçit. Prandaj, Amaziahu ishte prift i fesë zyrtare të kombit. Si reagoi ai ndaj shpalljeve të guximshme të Amosit?
16 Amaziahu i tha Amosit: «Shikues, shko, ik në vendin e Judës; atje ke për të ngrënë bukë dhe atje do të profetizosh; por mos profetizo më në Bethel, sepse është shenjtërorja e mbretit dhe selia mbretërore.» (Amosi 7:12, 13) Me fjalë të tjera Amaziahu i tha: ‘Ik në shtëpinë tënde! Ne kemi fenë tonë.’ Gjithashtu, ai u përpoq të nxiste edhe qeverinë që të ndalonte veprën e Amosit, duke i thënë mbretit Jeroboam II: «Amosi komploton kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit.» (Amosi 7:10) Po, Amaziahu e akuzoi Amosin për tradhti. Ai i tha mbretit: «Amosi ka thënë kështu: ‘Jeroboami do të vdesë nga shpata dhe Izraeli do të internohet me siguri larg vendit të tij.’»—Amosi 7:11.
17 Brenda kësaj fjalie të vetme, Amaziahu bëri tri deklarata mashtruese. Ai tha: «Amosi ka thënë kështu.» Por Amosi, nuk kishte thënë kurrë që ishte vetë ai burimi i profecisë. Përkundrazi, gjithnjë kishte thënë: «Kështu flet Zoti.» (Amosi 1:3) Amosin e akuzuan edhe se kishte thënë: «Jeroboami do të vdesë nga shpata.» Por, siç e lexojmë tek Amosi 7:9, Amosi kishte profetizuar: «Unë [Jehovai] do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit.» Perëndia e kishte parathënë këtë katastrofë për ‘shtëpinë’ ose pasardhësit e Jeroboamit. Për më tepër, Amaziahu pohoi se Amosi kishte thënë: «Izraeli do të internohet me siguri.» Por Amosi kishte profetizuar edhe se, të gjithë ata izraelitë që do të ktheheshin te Perëndia do të bekoheshin. Kuptojmë qartë pra, se Amaziahu e shtrembëroi një pjesë të së vërtetës për të bërë që vepra e predikimit e Amosit të ndalohej zyrtarisht.
18. Çfarë ngjashmërish ekzistojnë ndërmjet metodave që përdori Amaziahu dhe metodave që përdorin klerikët sot?
18 A i vutë re ngjashmëritë ndërmjet metodave të Amaziahut dhe atyre që përdorin sot kundërshtarët e popullit të Jehovait? Ashtu si Amaziahu, që u përpoq ta bënte të heshtte Amosin, po kështu edhe sot disa priftërinj e klerikë të rangut të lartë përpiqen ta ndalojnë veprën e predikimit të shërbëtorëve të Jehovait. Me padrejtësi Amaziahu e akuzoi Amosin për tradhti. Sot, në të njëjtën mënyrë disa klerikë i akuzojnë padrejtësisht Dëshmitarët e Jehovait se janë një kërcënim për sigurinë e kombit. Dhe ashtu siç Amaziahu iu drejtua për ndihmë mbretit që të luftonte Amosin, po kështu kleri shpesh u drejtohet aleatëve politikë për ndihmë që të përndjekin Dëshmitarët e Jehovait.
Kundërshtarët s’e ndalin dot veprën tonë të predikimit
19, 20. Si reagoi Amosi ndaj kundërshtimit të Amaziahut?
19 Si reagoi Amosi ndaj kundërshtimit të Amaziahut? Së pari, Amosi e pyeti priftin: «Ti po thua: ‘Mos profetizo kundër Izraelit.’» Pastaj, pa ngurruar aspak, ky profet i guximshëm i Perëndisë tha fjalë që me siguri Amaziahu nuk do të dëshironte t’i dëgjonte. (Amosi 7:16, 17) Amosi nuk u frikësua. Sa shembull i shkëlqyer për ne! Ne që duam të themi fjalën e Perëndisë, nuk do t’i shkelim urdhërimet e tij, edhe në ato vende ku Amaziahët e sotëm po nxitin përndjekje të ashpër. Ashtu si Amosi, vazhdojmë të shpallim: ‘Kështu flet Jehovai.’ Po ashtu, kundërshtarët nuk do ta ndalin dot kurrë veprën tonë të predikimit, sepse «dora e Jehovait» është me ne.—Veprat 11:19-21.
20 Amaziahu duhej ta kishte kuptuar që kërcënimet e tij do të ishin të kota. Tashmë Amosi kishte shpjeguar pse asnjë njeri nuk mund ta ndalte të fliste, dhe kjo është pika e tretë që do të shqyrtojmë. Sipas Amosit 3:3-8, Amosi përdori një sërë pyetjesh dhe ilustrimesh për të treguar se çdo gjë që ndodh e ka një shkak. Pastaj bëri këtë zbatim: «Luani vrumbulloi, kush nuk do të ketë frikë? Zoti, Zoti foli, kush nuk do të profetizojë?» Me fjalë të tjera, Amosi u tha dëgjuesve të tij: ‘Ashtu si ju me siguri frikësoheni kur dëgjoni vrumbullimën e luanit, po ashtu edhe unë duhet ta predikoj se s’bën fjalën e Perëndisë Jehova, kur dëgjoj urdhrin e Tij për të vepruar kështu.’ Frika ndaj Perëndisë ose nderimi i thellë për të e shtyu Amosin të fliste me guxim.
21. Si i përgjigjemi urdhrit të Perëndisë për të predikuar lajmin e mirë?
21 Edhe ne e kemi dëgjuar urdhrin e Jehovait për të predikuar. Si reagojmë? Ashtu si Amosi dhe si ithtarët e hershëm të Jezuit, me ndihmën e Jehovait e themi fjalën e Tij me guxim. (Veprat 4:23-31) As përndjekja, e nxitur nga kundërshtarët, as apatia, që shfaqin ata të cilëve u predikojmë, nuk do të na bëjnë të heshtim. Duke treguar një zell si ai i Amosit, Dëshmitarët e Jehovait përreth globit janë të nxitur që të vazhdojnë të shpallin me guxim lajmin e mirë. Kemi përgjegjësinë t’i paralajmërojmë njerëzit për gjykimin që do të sjellë Jehovai së shpejti. Çfarë përfshin ky gjykim? Kjo pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues.
Si do të përgjigjeshit?
• Në cilat rrethana e kreu Amosi detyrën që i kishte ngarkuar Perëndia?
• Çfarë duhet të predikojmë, ashtu si Amosi?
• Me ç’qëndrim duhet ta kryejmë veprën e predikimit?
• Pse kundërshtarët nuk na e ndalin dot veprën e predikimit?
[Figura në faqen 10]
Për të bërë veprën e Tij, Perëndia zgjodhi Amosin, që shponte fiq egjipti
[Figurat në faqen 13]
A po e shpall me zell mesazhin e Jehovait, siç bënte Amosi?