Imitoni besimin e tyre
Mësoi nga gabimet e veta
JONAI donte të zinte veshët që të mos i dëgjonte ata tinguj të tmerrshëm. Nuk ishte vetëm era e furishme që ulërinte mes direkëve të anijes dhe as dallgët gjigante që vërsuleshin mbi të, duke bërë që çdo dërrasë të rënkonte e të kërciste. Jo, për Jonain më të tmerrshme ishin britmat e marinarëve, kapitenit dhe ekuipazhit të tij, që po luftonin ta mbanin anijen mbi ujë. Jonai ishte i sigurt se ata burra do të vdisnin, dhe e gjithë kjo për faj të tij!
Pse Jonai ishte në këtë situatë të dëshpëruar? Kishte bërë një gabim të rëndë që ndikoi në marrëdhënien me Perëndinë e tij, Jehovain. Ç’kishte bërë? A mund të ndreqeshin gjërat? Përgjigjet mund të na tregojnë shumë. Për shembull, historia e Jonait na ndihmon të kuptojmë se edhe ata që kanë besim të vërtetë, mund të bëjnë gabime dhe na tregon si mund t’i ndreqin gjërat.
Një profet nga Galilea
Kur mendojnë për Jonain, shpesh njerëzit përqendrohen me sa duket në anët negative, si mosbindja e tij e herëpashershme ose edhe kokëfortësia. Por ai nuk kishte vetëm këto cilësi. Të mos harrojmë se Jonai u zgjodh të shërbente si profet i Perëndisë Jehova. Jehovai nuk do ta kishte zgjedhur për një përgjegjësi kaq të madhe, nëse ai do të kishte qenë i pabindur ose i padrejtë.
Te 2 Mbretërve 14:25, mësojmë diçka për prejardhjen e Jonait. Ai ishte nga Gath-Heferi, vetëm 4 kilometra larg Nazaretit, qytetit ku rreth tetë shekuj më vonë do të rritej Jezu Krishti.a Jonai shërbeu si profet gjatë mbretërimit të Jeroboamit II në mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit. Epoka e Elijas kishte kaluar me kohë dhe pasardhësi i tij, Eliseu, kishte vdekur gjatë mbretërimit të të atit të Jeroboamit. Edhe pse Jehovai i kishte përdorur ata profetë për të zhdukur adhurimin e Baalit, Izraeli me kokëfortësi po largohej përsëri. Tani vendi ishte nën pushtetin e një mbreti që «bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait». (2 Mbretërve 14:24) Pra, shërbimi i Jonait s’mund të ketë qenë i lehtë ose i këndshëm. E megjithatë, ai e kreu me besnikëri.
Por një ditë jeta e Jonait mori një kthesë dramatike. Jehovai i dha një caktim që iu duk tejet i vështirë. Çfarë i kërkoi të bënte?
«Ngrihu, shko në Ninevi»
Jehovai i tha Jonait: «Ngrihu, shko në Ninevi, në qytetin e madh, dhe shpall kundër saj se ligësia e tyre është ngjitur deri tek unë.» (Jonai 1:2) S’do shumë mend të kuptosh pse mund të jetë dukur i vështirë ky caktim. Ninevia ndodhej rreth 800 kilometra në lindje, një udhëtim në brendësi të vendit që do të zgjaste një muaj në këmbë. Por vështirësitë e udhëtimit mund të jenë dukur pjesa më e lehtë e punës. Në Ninevi, Jonai duhej t’u shpallte mesazhin e gjykimit të Jehovait asirianëve, të cilëve u kishte dalë nami si të dhunshëm e madje të egër. Nëse Jonai s’kishte parë shumë rezultate te populli i Perëndisë, ç’mund të shpresonte të shihte tek ata paganë? Si do t’i vente halli një shërbëtori të vetëm të Jehovait në Ninevinë e madhe, që më vonë do të quhej «qyteti gjakatar»?—Naumi 3:1, 7.
Këto mendime mund t’i kenë kaluar nëpër mend Jonait. Nuk e dimë. Por dimë se ia mbathi. Jehovai e kishte udhëzuar të shkonte në lindje, kurse ai u drejtua për nga perëndimi, sa më larg që të mundej. Zbriti në bregdet, në një qytet-port të quajtur Jopë, ku gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Disa studiues thonë se Tarshishi ndodhej në Spanjë. Nëse është kështu, Jonai po shkonte 3.500 kilometra larg Ninevisë. Për një udhëtim të tillë në skajin tjetër të Detit të Madh, siç quhej deti Mesdhe në ato kohë, mund të jetë dashur një vit. Kaq i vendosur ishte Jonai të largohej nga caktimi që i kishte dhënë Jehovai!
A do të thotë kjo se duhet t’ia vëmë vulën Jonait si burracak? S’duhet ta gjykojmë kaq shpejt. Siç do të shohim, ai ishte në gjendje të tregonte guxim të jashtëzakonshëm. Por, ashtu si të gjithë ne, Jonai ishte njeri i papërsosur dhe luftonte me shumë të meta. (Psalmi 51:5) Cili prej nesh nuk ka luftuar ndonjëherë me frikën?
Nganjëherë mund të na duket sikur ajo që na kërkon Perëndia, është e vështirë, madje e pamundur. Mund të na duket frikësuese edhe të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë, siç u kërkohet të gjithë të krishterëve. (Mateu 24:14) Është shumë e lehtë të harrojmë të vërtetën themelore që tha Jezui: «Për Perëndinë gjithçka është e mundur.» (Marku 10:27) Nëse nganjëherë e harrojmë këtë të vërtetë, ndoshta mund ta kuptojmë vështirësinë që hasi Jonai. Por ç’pasoja pati ikja e tij?
Jehovai e disiplinon profetin e pashtruar
Mund ta përfytyrojmë Jonain tek zë vend në anije, ndoshta një anije mallrash fenikase. Sheh kapitenin dhe ekuipazhin tek vrapojnë andej-këtej që ta vënë në lëvizje anijen e ta nxjerrin nga porti. Teksa bregu zhdukej dalëngadalë, Jonai mund të ketë shpresuar se po i shpëtonte rrezikut që i druhej aq shumë. Por papritur moti ndryshoi.
Erëra të forta e trazuan detin që u kthye si në një përbindësh, me dallgë që edhe një anije të sotme mund ta bënin të dukej e vogël. Sa kohë u desh që anija prej druri të dukej e vogël dhe e brishtë, e humbur mes dallgëve gjigante dhe humnerave të mëdha? A e dinte atëherë Jonai atë që shkroi më vonë, pra se «Jehovai bëri që në det të ngrihej një erë e fortë»? Nuk e dimë. Gjithsesi, pa se marinarët nisën t’u thërritnin perëndive të ndryshme dhe e dinte se nga ai drejtim s’do të vinte kurrfarë ndihme. Në tregim thuhet: «Anija ishte gati të shkatërrohej.» (Jonai 1:4; Levitiku 19:4) Po si mund t’i lutej Jonai Perëndisë nga i cili po ia mbathte?
Jonai u ndie i pafuqishëm t’i ndihmonte, ndaj zbriti në fund të anijes dhe gjeti një vend ku të shtrihej. Atje e zuri një gjumë i rëndë.b Kapiteni e gjeti, e zgjoi dhe i tha t’i lutej perëndisë së tij, siç po bënin gjithë të tjerët. Të bindur se kjo furtunë kishte diçka të mbinatyrshme, marinarët hodhën short për të parë nga cili njeri në bord po u vinte kjo e keqe. Pa dyshim, Jonain e lëshoi zemra teksa shorti mënjanonte njerëzit me radhë. Pas pak e vërteta doli në shesh. Jehovai po drejtonte furtunën, si dhe shortin, te një njeri, Jonai!—Jonai 1:5-7.
Jonai u tha gjithçka marinarëve. U tregoi se ishte shërbëtor i Perëndisë së plotfuqishëm, Jehovait. Ky ishte Perëndia nga i cili po ikte dhe të cilin e kishte fyer, duke i vënë të gjithë para një rreziku kaq të madh. Burrat shtangën dhe Jonai mund t’ua shihte tmerrin në sy. E pyetën ç’të bënin që të shpëtonin anijen dhe jetën e tyre. Çfarë u tha ai? Mund t’i jetë drithëruar zemra nga mendimi se do të mbytej në atë det të egër e të ftohtë. Por si t’i çonte të gjithë ata burra drejt një vdekjeje të tillë kur e dinte se mund t’i shpëtonte? Kështu, u tha: «Më merrni dhe më hidhni në det, dhe deti do të qetësohet. Sepse e di mirë që kjo furtunë e madhe u ngrit mbi ju për shkakun tim.»—Jonai 1:12.
S’ngjajnë si fjalët e një burracaku, apo jo? Fryma vetëmohuese dhe e guximshme e Jonait në atë çast kritik duhet t’ia ketë ngrohur zemrën Jehovait. Këtu e shohim fare qartë besimin e fortë të Jonait. Mund ta imitojmë këtë besim duke vënë mirëqenien e të tjerëve para tonës. (Gjoni 13:34, 35) A bëjmë çmos të ndihmojmë ata që kanë nevoja fizike, emocionale ose fetare? Sa kënaqet Jehovai kur veprojmë kështu!
Ndoshta edhe marinarët u prekën, sepse fillimisht nuk pranuan të bënin ç’u tha Jonai. Në vend të kësaj, u munduan me gjithë shpirt t’i bënin ballë stuhisë, por më kot. Ajo vetëm sa u bë më e egër. Së fundi, panë se s’kishin rrugë tjetër. Pasi thirrën Perëndinë e Jonait, Jehovain, që t’u tregonte mëshirë, e morën Jonain dhe e hodhën në det.—Jonai 1:13-15.
Jonait i tregohet mëshirë dhe shpëton
Jonai u plandos mes dallgëve shkumëzuese. Ndoshta luftoi të qëndronte sipër, pluskoi për pak dhe, mes shkumës e stërkalave, pa anijen tek largohej me të shpejtë. Mirëpo dallgët e fuqishme u përplasën mbi të dhe e zhytën poshtë. Teksa binte poshtë e më poshtë, ndiente se s’kishte më shpresë.
Më vonë Jonai përshkroi çfarë ndjeu në ato çaste. Në mendje i kaluan me shpejtësi copëza kujtimesh. Mendoi me trishtim se nuk do ta shihte më kurrë tempullin e bukur të Jehovait në Jerusalem. Pati ndjesinë se po zbriste në thellësitë e detit, aty ku ishin themelet e maleve, ku leshterikët iu përdrodhën rreth trupit. Iu duk sikur kjo do të ishte gropa ose varri i tij.—Jonai 2:2-6.
Po prit pak! Diçka po lëvizte aty pranë, një siluetë gjigante dhe e errët, një qenie e gjallë. Ajo u afrua më tepër dhe e piketoi. Një gojë e madhe u hap dhe e gëlltiti Jonain.
Ky duhet të jetë fundi. Megjithatë, Jonai ndjeu diçka mahnitëse. Ishte ende gjallë! As u copëtua, as u tret dhe as u mbyt. Jo, ende merrte frymë, ndonëse ndodhej në vendin që me të drejtë duhej të ishte varri i tij. Pak nga pak, ai u mbush plot me nderim të thellë. Pa dyshim, ishte Perëndia i tij, Jehovai që «bëri që një peshk i madh ta gëlltiste Jonain».c—Jonai 1:17.
Kaluan minuta, pastaj orë. Atje, në errësirën më të thellë që kishte përjetuar ndonjëherë, Jonai mblodhi mendimet dhe iu lut Perëndisë Jehova. Lutja e tij, e dokumentuar fjalë për fjalë në kapitullin e dytë të librit të Jonait, na tregon shumë. Ajo tregon se Jonai i njihte mirë Shkrimet, pasi shpeshherë u referohet Psalmeve. Tregon edhe një cilësi që të bën për vete: mirënjohjen. Jonai e mbylli kështu lutjen: «Unë do të të bëj flijime dhe me zërin tim do të të bëj falënderime. Zotimin që kam marrë, do ta mbaj. Shpëtimi i takon Jehovait.»—Jonai 2:9.
Jonai mësoi se Jehovai mund t’i sjellë shpëtimin kujtdo, kudo dhe kurdo. Edhe atje, «në barkun e peshkut», Jehovai e gjeti dhe e shpëtoi nga telashet shërbëtorin e tij. (Jonai 1:17) Vetëm Jehovai mund ta mbante gjallë e shëndoshë e mirë një njeri për tri ditë e tri net në barkun e një peshku të madh. Është mirë që sot të mbajmë mend se Jehovai është ‘Perëndia në dorë të të cilit është fryma jonë’. (Danieli 5:23) I detyrojmë atij edhe ajrin që thithim, vetë ekzistencën tonë. A jemi mirënjohës për këtë? A nuk i detyrojmë edhe bindjen tonë?
Po me Jonain, ç’ndodhi? A mësoi t’i shfaqte mirënjohjen Jehovait me anë të bindjes? Po, mësoi. Pas tri ditësh e tri netësh, peshku e çoi Jonain në breg dhe ‘e volli në tokë të thatë’. (Jonai 2:10) Mendoni: në fund fare, Jonait nuk iu desh as të notonte deri në breg! Natyrisht, duhej të gjente rrugën për të ikur nga ai breg, kudo që të ishte. Por, s’kaloi shumë dhe fryma e mirënjohjes iu vu në provë. Te Jonai 3:1, 2 thuhet: «Atëherë fjala e Jehovait iu drejtua për herë të dytë Jonait: ‘Ngrihu, shko në Ninevi, në qytetin e madh, dhe shpall atje këtë që po të them.’» Ç’do të bënte Jonai?
Ai nuk ngurroi. Lexojmë: «Jonai u ngrit dhe shkoi në Ninevi, sipas fjalës së Jehovait.» (Jonai 3:3) Po, u bind. Është e qartë se mësoi nga gabimet e tij. Edhe këtu duhet të imitojmë besimin e Jonait. Të gjithë mëkatojmë, të gjithë bëjmë gabime. (Romakëve 3:23) Por, a dorëzohemi apo mësojmë nga gabimet tona dhe kthehemi e i shërbejmë me bindje Perëndisë?
A e shpërbleu Jehovai Jonain për bindjen? Patjetër që po. Pikësëpari, duket se më vonë Jonai mori vesh se marinarët kishin shpëtuar. Stuhia ishte qetësuar menjëherë pas aktit vetëflijues të Jonait e ata marinarë «patën shumë frikë nga Jehovai» dhe i bënë një flijim atij, jo perëndive të tyre të rreme.—Jonai 1:15, 16.
Një shpërblim edhe më i madh erdhi shumë më vonë. Kohën që kaloi Jonai në barkun e peshkut të madh, Jezui e përdori si përshkrim profetik për kohën që do të kalonte vetë në varr ose në Sheol. (Mateu 12:38-40) Sa do të kënaqet Jonai kur të marrë vesh për këtë bekim, pasi të ringjallet në tokë! (Gjoni 5:28, 29) Jehovai dëshiron t’ju bekojë edhe ju. A do të mësoni nga gabimet tuaja, si Jonai, dhe a do të shfaqni një frymë të bindur e vetëmohuese?
[Shënimet]
a Vlen të përmendet origjina e Jonait nga një qytet i Galilesë, sepse me arrogancë farisenjtë thanë për Jezuin: «Shqyrto e shiko se nga Galilea nuk ka për t’u ngritur asnjë profet.» (Gjoni 7:52) Shumë përkthyes e studiues sugjerojnë se farisenjtë po bënin një përgjithësim duke thënë se asnjë profet s’ishte ngritur e s’do të ngrihej kurrë nga Galilea e parëndësishme. Nëse është kështu, ata farisenj po shpërfillnin edhe historinë, edhe profecinë.—Isaia 9:1, 2.
b Septuaginta e thekson sa i thellë ishte gjumi që kishte zënë Jonain, duke shtuar se ai gërhiste. Por, në vend që ta shohim gjumin e Jonait si shenjë indiference prej tij, mund të kujtojmë se nganjëherë gjumi i kaplon ata që janë shumë të dëshpëruar. Gjatë orëve agonike që kaloi Jezui në kopshtin e Getsemanisë, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni ‘po dremitnin ngaqë ishin të hidhëruar’.—Luka 22:45.
c Kur u përkthye në greqisht, fjala hebraike për «peshk» u la «përbindësh deti» ose «peshk i madh». Ndonëse nuk ka ndonjë mënyrë për të përcaktuar me saktësi ç’lloj krijese detare ishte, është vërejtur se në Mesdhe ka peshkaqenë të mëdhenj sa mund ta gëlltitin një njeri të tërin. Në vende të tjera ka peshkaqenë shumë më të mëdhenj; peshkaqeni-balenë mund të arrijë gjatësinë 15 metra e ndoshta më tepër!
[Kutia dhe figura në faqen 29]
Jonai përballë kritikëve
▪ A ndodhën vërtet ngjarjet e përshkruara në librin biblik të Jonait? Që në kohët e lashta, disa e kanë kritikuar librin. Kurse në epokën e sotme të kritikës së lartë, shpesh librin e hedhin tej si fabul, legjendë, mit ose fantazi. Një autor i shekullit të 19-të shkruante se si një klerik e shpjegoi tregimin e Jonait dhe peshkut të madh si një lloj alegorie të çuditshme: Jonai po rrinte në një han në Jopë të quajtur «Balena». Kur nuk kishte më para për të paguar, pronari i hanit e dëboi. Kështu Jonain e «mori» dhe pastaj e «volli» një balenë. Në të vërtetë, kritikët e Biblës duken më të vendosur se peshku i madh ta përpijnë Jonain!
Pse krijon kaq mosbesim ky libër biblik? Sepse përshkruan disa mrekulli. Duket se shumë kritikë i gjykojnë mrekullitë me këtë koncept të ngurtë: gjëra të tilla janë të pamundura. Por a është vërtet i arsyeshëm ky gjykim? Pyetni veten: ‘A e besoj fjalinë e parë të Biblës?’ Ajo thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Miliona njerëz të arsyeshëm anembanë botës, me mençuri e pranojnë këtë të vërtetë të thjeshtë. Por, në njëfarë mënyre, kjo frazë përfshin shumë më tepër se të gjitha mrekullitë e përshkruara më vonë në Bibël.
Mendoni këtë: për Atë që krijoi qiejt e paanë me yje dhe të gjitha mrekullitë e ndërlikuara të jetës në tokë, cilat elemente në librin e Jonait do të ishin të pamundura? Të shkaktonte një stuhi? Të detyronte një peshk të madh të gëlltiste një njeri? Apo ta bënte të njëjtin peshk ta villte përsëri njeriun? Për Atë që ka fuqi të pakufishme, gjëra të tilla s’do të ishin aspak të vështira.—Isaia 40:26.
Edhe pa ndërhyrjen e Perëndisë, nganjëherë ndodhin gjëra të mahnitshme. Për shembull, thuhet se në vitin 1758, një marinar ra nga anija në Detin Mesdhe dhe e gëlltiti një peshkaqen. Por peshkaqenin e goditën me gjyle dhe ai e volli përsëri marinarin, që e nxorën nga deti shëndoshë e mirë dhe fare pak të dëmtuar. Nëse kjo është e vërtetë, historinë mund ta quajmë të jashtëzakonshme, madje mahnitëse, por jo një mrekulli. A s’mund ta përdorë Perëndia fuqinë e vet për të bërë shumë më tepër se kaq?
Gjithashtu, mosbesuesit ngulin këmbë se asnjë njeri s’jeton dot brenda një peshku për tri ditë pa u asfiksuar. Por njerëzit janë treguar aq të zgjuar sa të gjejnë si t’i mbushin bombolat me ajër të kompresuar dhe t’i përdorin për të marrë frymë nën ujë për periudha të gjata. A s’mund ta përdorte Perëndia fuqinë dhe mençurinë e tij shumë më të madhe për ta mbajtur gjallë Jonain për tri ditë? Siç i tha një herë një engjëll Marisë, nënës së Jezuit, «me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme».—Luka 1:37, Diodati i Ri.
Ç’gjë tjetër tregon se libri i Jonait përmban histori të saktë? Përshkrimi i tij për anijen dhe ekuipazhin e saj është i detajuar dhe realist. Te Jonai 1:5 shohim se marinarët hedhin në det sendet për ta lehtësuar anijen. Historianët e lashtë e madje edhe ligji rabinik, tregojnë se kjo ishte një praktikë e zakonshme në mot të keq. Edhe përshkrimi që i bën më vonë Jonai Ninevisë, përputhet me dëshmitë historike e arkeologjike. Por, mbi të gjitha, Jezu Krishti e përmendi qëndrimin treditor të Jonait brenda peshkut të madh si model profetik të qëndrimit të vet në varr. (Mateu 12:38-40) Dëshmia e Jezuit konfirmon se historia e Jonait është e vërtetë.
«Me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme.»—LUKA 1:37, Dio.
[Figura në faqen 26]
Me kërkesë të Jonait, marinarët e ngritën dhe e hodhën në det