Libri biblik numër 32—Jonai
Shkrimtari: Jonai
Shkrimi përfundoi: rr. 844 p.e.s.
1. Ç’pyetje marrin përgjigje në librin e Jonait dhe çfarë tregon ai për mëshirën e Jehovait?
JONAI—misionari i shekullit të nëntë p.e.s. Si e konsideroi caktimin që mori nga Jehovai? Ç’përvoja të reja përjetoi? A gjeti në caktimin e tij njerëz që iu përgjigjën mesazhit? Sa sukses pati predikimi i tij? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i gjejmë në tregimin dramatik të librit të Jonait. I shkruar në një kohë kur kombi i zgjedhur i Jehovait kishte shkelur besëlidhjen që kishte bërë me të dhe kishte rënë në idhujtari pagane, tregimi profetik na rrëfen se mëshira e Perëndisë nuk kufizohet vetëm me një komb, qoftë ky edhe vetë Izraeli. Për më tepër, libri lartëson mëshirën dhe dashamirësinë e madhe të Jehovait, në dallim me mungesën e mëshirës, të durimit e të besimit që vërehet kaq shpesh te njerëzit e papërsosur.
2. Çfarë dihet për Jonain dhe rreth cilit vit profetizoi ai?
2 Emri i Jonait (hebraisht, Johnáh) do të thotë «Pëllumb». Ai ishte biri i profetit Amitai nga Gath-Heferi në Galile, në territorin e Zabulonit. Te 2 Mbretërve 14:23-25 lexojmë se Jeroboami, mbreti i Izraelit, i zgjeroi kufijtë e kombit në përputhje me fjalën që kishte thënë Jehovai nëpërmjet Jonait. Prandaj, koha në të cilën profetizoi Jonai i bie të jetë rreth vitit 844 p.e.s., kur hipi në fron Jeroboami II i Izraelit dhe shumë vite para se Asiria, me kryeqytet Ninevinë, të fillonte të sundonte mbi Izraelin.
3. Nga duket se tregimi i Jonait është autentik?
3 S’ka asnjë dyshim se gjithë tregimi i Jonait është autentik. «Përsosësi i besimit tonë, Jezui» e përmendi Jonain si një person real dhe, i frymëzuar, shpjegoi dy nga ndodhitë profetike të përmendura te Jonai, duke treguar kësisoj se libri përmban profeci të vërteta. (Hebr. 12:2; Mat. 12:39-41; 16:4; Luka 11:29-32) Judenjtë e kanë vendosur gjithnjë Jonain mes librave të tyre kanunorë dhe e kanë konsideruar si libër historik. Vetë çiltërsia e Jonait kur përshkruan gabimet dhe dobësitë e veta, pa u përpjekur aspak për t’i mbuluar, është një shenjë e vërtetësisë së tregimit.
4. Ç’lloj peshku mund ta ketë gëlltitur Jonain? Gjithsesi, çfarë informacioni mjafton?
4 Ç’të themi për ‘peshkun e madh’ që e gëlltiti Jonain? Është spekuluar shumë me llojin e peshkut që mund të ketë qenë. Balena kashalot është tërësisht në gjendje të gëlltitë një njeri. Po kështu edhe peshkaqeni i bardhë i madh. Gjithsesi, Bibla thotë thjesht: «Jehovai bëri që një peshk i madh ta gëlltiste Jonain.» (Jon. 1:17) Lloji i peshkut nuk specifikohet. Nuk mund të përcaktohet me saktësi nëse ishte një balenë kashalot, një peshkaqen i bardhë i madh apo ndonjë krijesë tjetër detare e panjohur.a Informacioni që na jep Bibla, që ishte «një peshk i madh», mjafton.
PËRMBAJTJA E JONAIT
5. Si reagon Jonai kur merr caktimin dhe me çfarë pasoje?
5 Jonai caktohet të shkojë në Ninevi, por ia mbath (1:1-16). «Fjala e Jehovait iu drejtua Jonait, birit të Amitait: ‘Ngrihu, shko në Ninevi, në qytetin e madh, dhe shpall kundër saj se ligësia e tyre është ngjitur deri tek unë.’» (1:1, 2) A i pëlqen Jonait ky caktim? Aspak! Ai ia mbath në drejtim të kundërt dhe merr një anije për të shkuar në Tarshish, që ka shumë gjasa të jetë Spanja. Mirëpo anijen e Jonait e godet një furtunë e madhe. Marinarët frikësohen dhe thërrasin për ndihmë, «secili perëndinë e vet», kurse Jonai fle në fund të anijes. (1:5) Ata e zgjojnë Jonain dhe hedhin shortin, për të zbuluar se kush e ka fajin për këtë gjendje. Shorti i bie Jonait. Vetëm tani ai u bën të ditur se është hebre, adhurues i Jehovait, dhe se po ia mbathte nga caktimi që i kishte dhënë Perëndia. Ai u thotë ta hedhin në det. Pasi përpiqen edhe një herë për të çarë detin, në fund ata e hedhin Jonain në det. Deti e ndal tërbimin.
6. Cila është përvoja e Jonait me ‘peshkun e madh’?
6 «Një peshk i madh» e gëlltit (1:17–2:10). «Jehovai bëri që një peshk i madh ta gëlltiste Jonain, dhe Jonai qëndroi në barkun e peshkut tri ditë e tri net.» (1:17) Ai i lutet me zjarr Jehovait nga barku i peshkut. «Nga barku i Sheolit» thërret për ndihmë dhe deklaron se do ta mbajë zotimin që ka marrë, sepse «shpëtimi i takon Jehovait». (2:2, 9) Me urdhër të Jehovait, peshku e vjell Jonain në tokë të thatë.
7. Sa i efektshëm del predikimi i Jonait në Ninevi?
7 Predikon në Ninevi (3:1–4:11). Jehovai ia përsërit edhe një herë urdhrin Jonait. Ai nuk i bën më bisht caktimit, por shkon në Ninevi. Atje ecën rrugëve të qytetit dhe thërret: «Edhe dyzet ditë dhe Ninevia do të përmbyset.» (3:4) Predikimi i tij është i efektshëm. Një valë pendimi përshkon gjithë Ninevinë dhe populli nis të tregojë besim te Perëndia. Mbreti dekreton se njerëz e kafshë duhet të agjërojnë e të mbulohen me copë thesi. Me mëshirë, Jehovai nuk e shkatërron qytetin.
8. Si reagon Jonai kur Jehovai tregon mëshirë për qytetin, dhe si tregon Jehovai se qëndrimi i profetit është kontradiktor?
8 Jonai s’mund ta durojë këtë. Ai i thotë Jehovait se që në fillim e dinte se Ai do të tregonte mëshirë dhe ja përse ia mbathi për në Tarshish. Sa do të donte të vdiste! Krejt i pezmatuar, Jonai bën një kasolle në lindje të qytetit dhe rri e sheh se ç’do të ndodhë. Jehovai bën të rritet një bimë kungullujësi që t’i bëjë hije profetit të tij turivarur. Por gëzimi i Jonait është jetëshkurtër. Të nesërmen në mëngjes, Jehovai bën që një krimb ta brejë bimën, dhe kështu kësaj mburoje ngushëlluese ia zë vendin një erë zhuritëse nga lindja dhe dielli përvëlues. Sërish Jonai dëshiron më mirë të vdesë. Ai i jep të drejtë vetes dhe justifikon zemërimin e vet. Mirëpo Jehovai tregon se qëndrimi i profetit është kontradiktor: Jonait i dhimbset një bimë kungullujësi, por nxehet ngaqë Jehovait i dhimbset qyteti i madh i Ninevisë.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
9. Ç’qëndrim dhe ç’mënyrë veprimi e Jonait duhet të vlejë si paralajmërim për ne?
9 Mënyra si veproi Jonai dhe pasoja që pati, duhet të vlejnë si paralajmërim për ne. Ai ia mbathi nga vepra që i caktoi Perëndia; duhej t’i ishte përveshur punës e të besonte te mbështetja e Perëndisë. (Jon. 1:3; Luka 9:62; Prov. 14:26; Isa. 6:8) Kur iku në drejtim të gabuar, Jonai tregoi një qëndrim negativ duke mos u paraqitur para marinarëve si adhurues i «Jehovait, Perëndisë së qiejve». Kishte humbur guximin. (Jon. 1:7-9; Efes. 6:19, 20) Ngaqë ishte i përqendruar te vetja, Jonai e mori mëshirën që Jehovai i tregoi Ninevisë si një fyerje personale; pastaj, për t’u justifikuar, i tha Jehovait se e kishte ditur që në fillim se ky do të ishte rezultati—kështu që përse ta dërgonte kot atë si profet?! Jonai u qortua për këtë qëndrim ankues e pa respekt, dhe ne duhet të nxjerrim mësim nga përvoja e tij e të mos guxojmë të gjejmë të meta te mëshira e Jehovait apo te mënyra se si i bën ai punët.—Jon. 4:1-4, 7-9; Filip. 2:13, 14; 1 Kor. 10:10.
10. Si ilustrohen në librin e Jonait dashamirësia dhe mëshira e Jehovait?
10 Ajo që ka më shumë vlerë se çdo gjë tjetër në librin e Jonait, është përshkrimi që u bën cilësive madhështore të Jehovait, si dashamirësisë dhe mëshirës. Jehovai tregoi dashamirësi për Ninevinë kur dërgoi profetin e vet që ta paralajmëronte për shkatërrimin që i kanosej, dhe nga ana tjetër, ai ishte gati të shfaqte mëshirë kur qyteti u pendua. Falë kësaj mëshire Ninevia mbijetoi për më shumë se 200 vjet, derisa u shkatërrua nga medët e babilonasit rreth vitit 632 p.e.s. Ai i tregoi mëshirë Jonait, kur e shpëtoi nga deti i trazuar dhe kur i dërgoi bimën e kungullujësit «që t’ia lehtësonte atë gjendje të vajtueshme». Duke i dërguar atë kungullujës mbrojtës e më pas duke ia hequr, Jehovai i mësoi Jonait se Ai do të tregojë mëshirë e dashamirësi sipas pëlqimit të tij.—Jon. 1:2; 3:2-4, 10; 2:10; 4:6, 10, 11.
11. Çfarë është ‘shenja e Jonait’?
11 Te Mateu 12:38-41, Jezui u tha udhëheqësve fetarë se e vetmja shenjë që do t’u jepej, ishte ‘shenja e Jonait’. Pasi qëndroi tri ditë e tri net në ‘barkun e Sheolit’, Jonai shkoi e predikoi në Ninevi, duke u bërë kështu një «shenjë» për ninevitët. (Jon. 1:17; 2:2; 3:1-4) Në mënyrë të ngjashme, Jezui kaloi pjesërisht tri ditë në varr dhe u ringjall. Kur dishepujt e tij shpallën provat e kësaj ngjarjeje, Jezui u bë një shenjë për atë brez. Po të mbajmë parasysh metodën që përdornin judenjtë për të matur kohën dhe përmbushjen në rastin e Jezuit, kjo periudhë prej ‘tri ditësh e tri netësh’ mund të jetë më pak se tri ditë të plota.b
12. (a) Çfarë thotë tjetër Jezui për ninevitët dhe për judenjtë e brezit të tij? (b) Si u shfaq «dikush më i madh se Jonai» dhe ç’lidhje kishte me Mbretërinë e Jehovait dhe me shpëtimin?
12 Në të njëjtin rast, Jezui bën një kontrast mes pendimit të ninevitëve dhe zemërngurtësisë e refuzimit të hapur të judenjve gjatë shërbimit të tij: «Njerëzit e Ninevisë do të ringjallen me këtë brez Ditën e Gjykimit dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan nga ajo që predikoi Jonai. Por ja, këtu është dikush më i madh se Jonai.» (Shih edhe Mateun 16:4 dhe Lukën 11:30, 32.) Ç’kishte ndër mend Jezui me fjalët «dikush më i madh se Jonai»? Ai e kishte fjalën për veten, si profeti më i madh, si i Dërguari i Jehovait për të predikuar: «Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afruar.» (Mat. 4:17) Megjithatë, pjesa më e madhe e judenjve të atij brezi nuk e pranuan ‘shenjën e Jonait’. Ç’të themi për sot? Edhe pse pjesa më e madhe e njerëzve nuk po ia vënë veshin mesazhit paralajmërues të Jehovait, mijëra të tjerë anembanë botës po përfitojnë nga mundësia e mrekullueshme për të dëgjuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë, i cili u predikua së pari nga Jezui, «Biri i njeriut». Ashtu si ninevitët e penduar, që u bekuan falë predikimit të Jonait, edhe këta njerëz sot mund të përfitojnë nga masa bujare dhe e mëshirshme që Jehovai ka marrë që ata të vazhdojnë të jetojnë, sepse në të vërtetë «shpëtimi i takon Jehovait».—Jon. 2:9.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 2, faqet 99, 100, anglisht.
b Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 593, anglisht.