Si të mbajmë «një qëndrim pritës»?
«Do të tregoj një qëndrim pritës.»—MIK. 7:7, shën.
1. Pse mund të humbim durimin?
NË VITIN 1914, kur u vendos Mbretëria mesianike, sistemi i Satanait hyri në ditët e tij të fundit. Si rrjedhojë e luftës në qiell, Jezui e flaku Djallin dhe demonët në afërsi të tokës. (Lexo Zbulesën 12:7-9.) Satanai e di se ka vetëm «një periudhë kohe të shkurtër». (Zbul. 12:12) Megjithatë, kjo «periudhë kohe» ka vazhduar për dekada me radhë dhe disa mund të mendojnë se ditët e fundit po zgjatin shumë. Po ti, a e ke humbur durimin ndërsa pret që Jehovai të veprojë?
2. Ç’do të shqyrtohet në këtë artikull?
2 Padurimi mund të jetë i rrezikshëm, sepse mund të na shtyjë të veprojmë rrëmbimthi. Si të mbajmë një qëndrim pritës? Ky artikull do të na ndihmojë duke iu përgjigjur pyetjeve vijuese. (1) Ç’mund të mësojmë për durimin nga shembulli i profetit Mikea? (2) Cilat ngjarje do të sinjalizojnë fundin e periudhës së pritjes? (3) Si mund ta tregojmë mirënjohjen për durimin e Jehovait?
Ç’MUND TË MËSOJMË NGA SHEMBULLI I MIKESË?
3. Si ishte gjendja në Izrael në ditët e Mikesë?
3 Lexo Mikenë 7:2-6. Mikea, profeti i Jehovait, pa se si gjendja frymore e Izraelit u keqësua gjithnjë e më shumë, derisa nën sundimin e mbretit të lig Akaz, u bë skandaloze. Ai i krahason izraelitët jobesnikë me «një drizë» dhe «një gardh me gjemba». Ashtu si një drizë ose gardh me gjemba dëmton çdokënd që ngatërrohet në të, edhe ata izraelitë të korruptuar dëmtonin çdokënd me të cilin shoqëroheshin. Korruptimi mori dhenë aq sa u prishën edhe lidhjet familjare. Mikea e dinte mirë se vetë nuk mund të bënte asgjë për ta ndryshuar gjendjen, prandaj ia zbrazi zemrën Jehovait. Pastaj, me durim priti që Perëndia të vepronte. Kishte besim të plotë se Jehovai do të ndërhynte në kohën e caktuar prej Tij.
4. Ç’vështirësi hasim?
4 Ashtu si Mikea, na duhet të jetojmë mes njerëzve egoistë. Shumë janë «mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme». (2 Tim. 3:2, 3) Stresohemi kur kolegët e punës, shokët e shkollës dhe fqinjët shfaqin një qëndrim egoist. Megjithatë, disa shërbëtorë të Perëndisë kanë një vështirësi edhe më të madhe. Jezui tha se ithtarët e tij do të hasnin kundërshtime nga familja dhe përdori fjalë të ngjashme me ato të Mikesë 7:6 për të treguar ç’ndikim do të kishte mesazhi i tij. Jezui tha: «Erdha të shkaktoj ndarje: birin kundër të atit, bijën kundër së ëmës dhe nusen kundër së vjehrrës. Në të vërtetë, armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.» (Mat. 10:35, 36) Është e vështirë të durojmë tallje e kundërshtim nga familjarët që nuk kanë të njëjtin besim si ne. Nëse po kalojmë këtë sprovë, të mos dorëzohemi para presionit të familjes. Përkundrazi, le të qëndrojmë besnikë dhe të presim me durim që Jehovai t’i zgjidhë gjërat. Nëse i kërkojmë ndihmë pareshtur, ai do të na japë forcën dhe mençurinë që na duhen për të qëndruar.
5, 6. Si e shpërbleu Jehovai Mikenë, por çfarë nuk arriti të shihte ai?
5 Jehovai e shpërbleu Mikenë për durimin. Mikea pa me sytë e vet si mori fund mbreti Akaz dhe sundimi i tij i lig. Pa edhe birin e Akazit, mbretin e mirë Hezekia, të trashëgonte fronin dhe të rivendoste adhurimin e pastër. Gjithashtu, Mikea pa përmbushjen e profecisë që shpalli kundër Samarisë kur asirianët pushtuan mbretërinë veriore të Izraelit.—Mik. 1:6.
6 Megjithatë, Mikea nuk pa plotësimin e të gjitha profecive që Jehovai e frymëzoi të shpallte. Për shembull, Mikea shkroi: «Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve dhe do të ngrihet më lart se kodrat. Drejt tij do të vërshojnë popujt. Shumë kombe do të shkojnë e do të thonë: ‘Ejani, le të ngjitemi në malin e Jehovait.’» (Mik. 4:1, 2) Mikea vdiq shumë kohë para se të plotësohej kjo profeci. Prapëseprapë, ai ishte i vendosur t’i qëndronte besnik Jehovait madje deri në vdekje, pavarësisht se ç’bënin të tjerët përreth tij. Për këtë, Mikea shkroi: «Të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.» (Mik. 4:5) Mikea arriti të priste me durim gjatë kohëve të vështira, sepse ishte plotësisht i sigurt se Jehovai do t’i plotësonte të gjitha premtimet e Tij. Profeti besnik tregoi besim te Jehovai.
7, 8. (a) Ç’arsye kemi për të besuar? (b) Si do të kalojë më shpejt koha?
7 A tregojmë edhe ne një besim të tillë te Jehovai? Kemi arsye të forta për t’i besuar. Për shembull, kemi parë me sytë tanë plotësimin e profecisë së Mikesë. Gjatë ‘ditëve të fundit’ miliona veta nga të gjitha kombet, fiset dhe gjuhët kanë vërshuar drejt ‘malit të shtëpisë së Jehovait’. Edhe pse kanë ardhur nga kombe rivale, këta adhurues i kanë farkëtuar «shpatat duke i kthyer në plore» dhe nuk pranojnë «të mësojnë më të luftojnë». (Mik. 4:3) Ç’privilegj që jemi pjesë e popullit paqësor të Jehovait!
8 Patjetër, duam që Jehovai t’i japë fund shpejt këtij sistemi të lig. Megjithatë, që të presim me durim, duhet t’i shohim gjërat nga pikëpamja e Jehovait. Ai ka caktuar një ditë kur do të gjykojë njerëzimin me anë të «një njeriu që ka emëruar», Jezu Krishtit. (Vep. 17:31) Por, para kësaj, Perëndia po u jep mundësi njerëzve të çdo lloji që të fitojnë «njohurinë e saktë të së vërtetës», ta zbatojnë e të shpëtojnë. Janë në lojë jetë njerëzish. (Lexo 1 Timoteut 2:3, 4.) Nëse jemi të zënë në shërbim duke ndihmuar njerëzit të fitojnë njohurinë e saktë për Perëndinë, koha që mbetet deri në gjykimin e Jehovait do të kalojë më shpejt, madje sa hap e mbyll sytë. Sa të lumtur do të jemi atëherë që kemi qenë të zënë në veprën e predikimit për Mbretërinë!
CILAT NGJARJE SINJALIZOJNË FUNDIN E PRITJES?
9-11. A është përmbushur 1 Selanikasve 5:3? Shpjegoni.
9 Lexo 1 Selanikasve 5:1-3. Së afërmi, kombet do të shpallin «paqe dhe siguri». Që kjo deklaratë të mos na zërë në befasi, duhet «të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin». (1 Sel. 5:6) Për të na ndihmuar të rrimë zgjuar frymësisht, le t’u hedhim një sy ngjarjeve që kanë krijuar rrethanat për këtë shpallje të rëndësishme.
10 Pas secilës nga dy luftërat botërore, kombet kërkuan me ngulm paqe. Pas Luftës së Parë Botërore, u formua Lidhja e Kombeve me shpresë se do të sillte paqe. Më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, Kombet e Bashkuara shiheshin gjerësisht si shpresa për paqen në botë. Qeveritarët dhe krerët fetarë kanë shpresuar se këto organizata do të sillnin kushte paqësore për njerëzimin. Për shembull, Kombet e Bashkuara shpallën vitin 1986 si Vitin Ndërkombëtar të Paqes, dhe kjo bëri bujë. Atë vit, udhëheqës të shumë kombeve e feve u bashkuan me kreun e Kishës Katolike në Asizi, Itali, që të luteshin për paqe.
11 Megjithatë, as kjo deklaratë për paqe dhe siguri, as të tjera të ngjashme nuk e kanë përmbushur profecinë që gjendet te 1 Selanikasve 5:3. Pse jo? Sepse akoma nuk ka ndodhur ‘shkatërrimi i beftë’ i parathënë.
12. Ç’dimë për deklaratën «paqe dhe siguri»?
12 Kush do ta bëjë këtë deklaratë të rëndësishme për «paqe dhe siguri»? Ç’rol do të luajnë krerët e krishterimit dhe të feve të tjera? Si do të përfshihen udhëheqës të shteteve të ndryshme në këtë shpallje? Shkrimet nuk e thonë. Ajo që dimë me siguri është se, pavarësisht nga forma që do të marrë kjo deklaratë dhe sa bindëse mund të tingëllojë, do të jetë vetëm një fasadë. Ky sistem i vjetër do të mbetet nën kthetrat e Satanait. Është i kalbur gjer në palcë dhe ashtu do të ngelet. Sa e trishtueshme do të ishte nëse ndonjë nga ne do t’i zinte besë propagandës satanike dhe do të shkelte asnjanësinë e krishterë!
13. Pse engjëjt po mbajnë erërat e shkatërrimit?
13 Lexo Zbulesën 7:1-4. Ndërsa presim përmbushjen e 1 Selanikasve 5:3, engjëjt e fuqishëm po mbajnë erërat shkatërruese të shtrëngimit të madh. Çfarë po presin? Apostulli Gjon përmend një ngjarje tejet të rëndësishme, vulosjen përfundimtare të të mirosurve, ‘skllevërve të Perëndisë tonë’.a Pasi të ketë mbaruar kjo vulosje përfundimtare, engjëjt do të lëshojnë erërat e shkatërrimit. Ç’do të ndodhë pastaj?
14. Nga duket se rënia e Babilonisë së Madhe është afër?
14 Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, do të marrë fund siç e meriton. ‘Popujt, turmat, kombet dhe gjuhët’ nuk do t’i dalin dot krah. Që tani shohim shenja që tregojnë se rënia e saj është pranë. (Zbul. 16:12; 17:15-18; 18:7, 8, 21) Ç’është e vërteta, që sot asaj ka filluar t’i mungojë përkrahja dhe kjo pasqyrohet në media, ku feja dhe krerët e saj po sulmohen gjithnjë e më shpesh. Prapëseprapë, krerët e Babilonisë së Madhe mendojnë se nuk u kanoset ndonjë rrezik real. Sa shumë gabohen! Pas deklaratës «paqe dhe siguri», elementët politikë të sistemit të Satanait papritmas do t’i vërsulen fesë së rreme dhe do ta fshijnë nga faqja e dheut. Babilonia e Madhe nuk do të ekzistojë kurrë më! Patjetër, ia vlen t’i presim me durim këto ngjarje historike.—Zbul. 18:8, 10.
SI TË TREGOJMË MIRËNJOHJE PËR DURIMIN E PERËNDISË?
15. Pse Jehovai nuk ka vepruar me nxitim?
15 Edhe pse njerëzit i kanë sjellë sharje pa fund emrit të Jehovait, ai po pret me durim kohën e duhur për të vepruar. Jehovai nuk do që të shkatërrohet asnjë njeri me zemër të sinqertë. (2 Pjet. 3:9, 10) A ndihemi edhe ne njësoj? Para se të vijë dita e Jehovait, mund të shfaqim mirënjohje për durimin e tij në mënyrat që tregohen më poshtë.
16, 17. (a) Pse duam të ndihmojmë ata që janë bërë joaktivë? (b) Pse është urgjente që joaktivët të kthehen te Jehovai?
16 Të ndihmojmë ata që janë bërë joaktivë. Jezui tha se ka gëzim në qiell kur gjendet qoftë edhe një dele e humbur. (Mat. 18:14; Luka 15:3-7) Është e qartë se Jehovai ka merak të madh për të gjithë ata që kanë treguar dashuri për emrin e tij, edhe nëse tani për tani nuk janë aktivë në shërbim. Jehovai dhe engjëjt gëzohen kur i ndihmojmë këta që të kthehen në kongregacion.
17 A je mes atyre që nuk janë aktivë në shërbim të Perëndisë? Ndoshta dikush në kongregacion të lëndoi dhe si pasojë nuk u shoqërove më me organizatën e Jehovait. Meqë mund të ketë kaluar njëfarë kohe, pyet veten: «A ka më shumë kuptim jeta ime tani dhe a jam më i lumtur? Më lëndoi Jehovai apo një njeri i papërsosur? A ka bërë ndonjëherë Perëndia Jehova diçka për të më dëmtuar?» Në të vërtetë, ai gjithmonë na ka bërë të mira. Edhe nëse nuk po jetojmë në lartësinë e kushtimit ndaj tij, Zoti na lejon të shijojmë gjërat e mira që siguron. (Jak. 1:16, 17) Së shpejti, dita e Jehovait do të vijë. Tani është momenti të kthehemi në krahët e dashur të Atit tonë qiellor dhe në kongregacion, i vetmi liman i sigurt në këto ditë të fundit!—Ligj. 33:27; Hebr. 10:24, 25.
18. Pse duhet t’i mbështetim ata që janë caktuar të drejtojnë?
18 T’i mbështetim besnikërisht ata që marrin drejtimin. Si Bari i dashur, Jehovai na drejton e na mbron. Ai ka caktuar Birin e tij si Kryebari të kopesë. (1 Pjet. 5:4) Në më shumë se 100.000 kongregacione pleqtë kujdesen për secilën nga delet e Perëndisë. (Vep. 20:28) Kur mbështetim me besnikëri ata që janë caktuar të drejtojnë, i shprehim mirënjohje Jehovait dhe Jezuit për gjithçka që kanë bërë për ne.
19. Si mund të shtrëngojmë radhët tona?
19 Të afrohemi me njëri-tjetrin. Ç’do të thotë kjo? Kur një ushtri të stërvitur mirë e sulmon armiku, ushtarët shtrëngojnë radhët, domethënë afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Kështu, formojnë një mbrojtje gati-gati të pathyeshme. Satanai po i intensifikon sulmet kundër popullit të Perëndisë. Tani nuk është koha që të luftojmë brenda radhëve tona. Është koha të afrohemi me njëri-tjetrin, të anashkalojmë papërsosmëritë e të tjerëve dhe të tregojmë besim te drejtimi i Jehovait.
20. Ç’duhet të bëjmë tani?
20 Le të qëndrojmë të gjithë syçelë frymësisht dhe të tregojmë qëndrim pritës. Le të presim me durim deklaratën për «paqe dhe siguri» si dhe vulosjen përfundimtare të të zgjedhurve. Pas kësaj, katër engjëjt do të lëshojnë erërat e shkatërrimit dhe Babilonia e Madhe do të shfaroset. Ndërsa presim të ndodhin këto ngjarje historike, le të pranojmë drejtimin e vëllezërve përgjegjës në organizatën e Jehovait. Të forcojmë radhët kundër Djallit dhe demonëve! Tani është koha t’i vëmë veshin nxitjes së psalmistit: «Qofshi guximtarë e me zemër të fortë, të gjithë ju që pritni Jehovain!»—Psal. 31:24.
a Për të kuptuar ndryshimin ndërmjet vulosjes fillestare dhe vulosjes përfundimtare të të mirosurve, shih revistën Kulla e Rojës, 1 janar 2007, faqet 30-31.