Libri biblik numër 34—Naumi
Shkrimtari: Naumi
Vendi ku u shkrua: Judë
Shkrimi përfundoi: para 632 p.e.s.
1. Çfarë dihet për Ninevinë e lashtë?
«SHPALLJE kundër Ninevisë.» (Nau. 1:1) Profecia e Naumit hapet me këto fjalë të kobshme. Por, përse e bëri ai këtë deklaratë dënimi? Çfarë dihet për Ninevinë e lashtë? Naumi e përmbledh historinë e saj me dy fjalë: «Qyteti gjakatar!» (3:1) Dy kodrina në bregun lindor të lumit Tigër, përballë qytetit të sotëm të Mosulit, në veri të Irakut, shënojnë vendndodhjen e Ninevisë. Ajo ishte tepër e fortifikuar me mure e hendeqe, dhe ishte kryeqyteti i Perandorisë Asiriane në periudhën përfundimtare të historisë së saj. Megjithatë, origjina e qytetit shkon prapa në ditët e Nimrodit, i cili përshkruhet si «një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait. . . . Ai shkoi në Asiri dhe iu fut punës për të ndërtuar Ninevinë». (Zan. 10:9-11) Kështu pra, Ninevia pati një fillim të mbrapshtë. Ajo u bë e famshme sidomos gjatë mbretërimit të Sargonit, Senakeribit, Esar-Hadonit dhe Ashurbanipalit, në periudhën përfundimtare të Perandorisë Asiriane. Jo u pasurua nga plaçka që merrte nëpër luftëra e pushtime dhe u bë e njohur për trajtimin mizor e çnjerëzor që sundimtarët e saj u bënin turmave të robërve.a Kurt-Vili Kerami, një autor gjerman, thotë: «Ninevia ishte ngulitur në kujtesën e njerëzimit vetëm për vrasje, plaçkitje, shtypje dhe dhunim të më të dobëtit; për luftëra dhe për çdo formë tjetër të dhunës fizike; për bëmat e një dinastie sundimtarësh gjakatarë, që e mbanin popullin të nënshtruar me terror dhe që shpesh u asgjësuan nga rivalë edhe më të egër se ata vetë.»—Gods, Graves and Scholars, 1954, faqja 266.
2. Ç’lloj feje ekzistonte në Ninevi?
2 Ç’të themi për fenë në Ninevi? Atje adhurohej një panteon i pambarim perëndish, shumë nga të cilat ishin marrë nga Babilonia. Sundimtarët e Ninevisë kërkonin ndihmën e këtyre perëndive kur dilnin për të shkatërruar e shfarosur, dhe priftërinjtë e saj lakmitarë nxitnin fushata pushtimi me shpresën për të fituar shpërblime të majme nga preja e zënë. Një libër thotë: «Ata adhuronin forcën, dhe lutjet ua drejtonin vetëm idhujve kolosalë prej guri; luanët dhe demat me gjymtyrë të rënda, krahët e shqiponjave dhe kokat e njerëzve ishin simbole të forcës, guximit dhe fitores. Misioni i kombit ishte të luftonte dhe priftërinjtë ishin nxitës të palodhur të luftërave. Ata mbaheshin kryesisht nga plaçka e zënë në luftë, nga e cila u jepej një përqindje e caktuar dhe e pandryshueshme para se të merrnin të tjerët, sepse kjo racë plaçkitësish ishte tejet fetare.»—Ancient Cities nga U. B. Rajti, 1886, faqja 25.
3. (a) Përse është i përshtatshëm emri i Naumit? (b) Cila është periudha përkatëse e profecisë së Naumit?
3 Edhe pse e shkurtër, profecia e Naumit është plot interes. Gjithçka që dimë për profetin, përmblidhet në vargun 1:1 e parë: «Libri i vegimit të Naumit, elkoshitit.» Emri i tij (hebraisht, Nahúm) do të thotë «Ngushëllues». Qartë, mesazhi i tij nuk ishte aspak ngushëllues për Ninevinë, por për popullin e Perëndisë së vërtetë nënkuptonte një lehtësim të sigurt e të përhershëm nga një armik i pamëshirshëm e i fuqishëm. Ngushëllues është edhe fakti që Naumi nuk i zë në gojë mëkatet e popullit të vet. Edhe pse vendndodhja e Elkoshit nuk dihet me saktësi, ka të ngjarë që profecia të jetë shkruar në Judë. (Nau. 1:15) Rënia e Ninevisë, që ndodhi në vitin 632 p.e.s., i përkiste ende së ardhmes kur Naumi shkroi profecinë e tij, dhe ai e krahason këtë ngjarje me rënien e No-Amonit (Tebës, në Egjipt), që ndodhi pak përpara kësaj. (3:8) Prandaj, Naumi mund ta ketë shkruar profecinë e vet diku gjatë kësaj periudhe.
4. Çfarë cilësish bien në sy në mënyrën si është shkruar libri i Naumit?
4 Stili i librit është i veçantë. Nuk ka fjalë të tepërta. Forca dhe realizmi i tij janë në harmoni me faktin që ai është pjesë e shkrimeve të frymëzuara. Naumi shkëlqen në përdorimin e një gjuhe përshkruese, emocionale dhe dramatike, si dhe në shprehjet me dinjitet, qartësinë e gjuhës figurative dhe frazat e gjalla tërheqëse. (1:2-8, 12-14; 2:4, 12; 3:1-5, 13-15, 18, 19) Nga sa duket, kapitulli i parë i profecisë së Naumit është kompozuar deri në vargun 1:8 në stilin e një poeme alfabetike, ose akrostike, ku çdo varg fillon me një germë të alfabetit hebraik dhe përfshin germat nga ʼÁlef deri te Kof. Stilin e Naumit e pasuron edhe më tej fakti që libri i tij ka një temë të vetme. Ai shpreh një urrejtje të thellë për armikun e pabesë të Izraelit. Ai nuk sheh gjë tjetër veç dënimit të Ninevisë.
5. Nga se provohet autenticiteti i profecisë së Naumit?
5 Saktësia e përmbushjes është një provë për autenticitetin e profecisë së Naumit. Në kohën kur jetoi Naumi, kush tjetër përveç një profeti të Jehovait do të guxonte të parashikonte se kryeqyteti krenar i fuqisë botërore asiriane do të çahej te «portat e lumenjve», se pallati i saj do të shembej dhe ajo vetë do të bëhej «boshllëk, zbrazëti dhe një qytet i shkretuar»? (2:6-10) Ngjarjet që pasuan, treguan se profecia ishte vërtet e frymëzuar nga Perëndia. Kronikat e mbretit babilonas Nabopolasar përshkruajnë pushtimin e Ninevisë nga medët dhe babilonasit: ‘Qytetin e kthyen në kodra me rrënoja e pirgje me mbeturina.’b Aq i plotë ishte rrënimi i Ninevisë, saqë vendndodhja e saj u harrua për shumë shekuj. Madje, disa kritikë arritën deri aty sa të talleshin me Biblën, duke thënë se Ninevia s’kishte ekzistuar kurrë.
6. Çfarë zbulimesh në vendndodhjen e Ninevisë së lashtë mbështetin saktësinë e librit të Naumit?
6 Megjithatë, duke dëshmuar më tej për autenticitetin e Naumit, vendndodhja e Ninevisë u zbulua, dhe atje nisën gërmimet në shekullin e 19-të. U llogarit se për ta nxjerrë plotësisht në dritë, u desh të zhvendoseshin miliona tonë dhé. Çfarë u zbulua në Ninevi? Shumë gjëra që mbështetin saktësinë e profecisë së Naumit! Për shembull, monumentet dhe mbishkrimet dëshmojnë për mizoritë e saj. U gjendën edhe mbetjet e statujave kolosale të demave e luanëve me krahë. Jo më kot Naumi e quajti «strofka e luanëve»!—2:11.c
7. Çfarë e mbështet faktin se libri i Naumit është pjesë e kanunit biblik?
7 Judenjtë e kanë pranuar librin e Naumit si pjesë e Shkrimeve të frymëzuara dhe kjo tregon se ai është pjesë e kanunit biblik. Ai është plotësisht në harmoni me pjesën tjetër të Biblës. Profecia është shpallur në emër të Jehovait, për meritat dhe epërsinë e të cilit ajo jep një dëshmi të gjallë.
PËRMBAJTJA E NAUMIT
8. Ç’dënim shpallet për Ninevinë, por ç’lajm të mirë ka për Judën?
8 Shpallja e Jehovait kundër Ninevisë (1:1-15). «Jehovai është Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij e që merr hak.» Këto fjalë të profetit përbëjnë sfondin e ‘shpalljes kundër Ninevisë’. (1:1, 2) Edhe pse Jehovai nuk zemërohet shpejt, shih si e shpreh tani hakmarrjen me erë e shtrëngatë. Malet tunden, kodrat treten dhe toka lëkundet. Kush mund t’i bëjë ballë zjarrit të zemërimit të tij? Megjithatë, Jehovai është një kala për ata që kërkojnë strehë tek ai. Kurse Ninevia është e dënuar. Atë do ta shfarosë përmbytja dhe «nuk do të ketë vuajtje për herë të dytë». (1:9) Jehovai do të fshijë emrin dhe perënditë e saj. Do ta varrosë. Ç’kontrast freskues të dëgjosh se për Judën ka një lajm të mirë! Ç’lajm? Një lajmëtar i paqes u thotë të kremtojnë festat e të mbajnë zotimet që kanë marrë, sepse armiqtë, «njerëzit e pavlerë», janë dënuar. «Ata do të shfarosen krejt.»—1:15.
9. Ç’pamje profetike të disfatës së Ninevisë shohim?
9 Pamje paraprake e shkatërrimit të Ninevisë (2:1–3:19). Naumi i bën një sfidë tallëse Ninevisë që të shtojë fuqinë për t’i bërë ballë atij që shpartallon. Kurse Jehovai do të mbledhë të vetët, ‘lavdinë e Jakobit e të Izraelit’. Ja mburojat, rrobat ngjyrë kërmëzi të burrave të tij plot forcë dhe pajisjet e hekurta e të zjarrta të ‘karrocave të tij të luftës ditën kur ai po bëhet gati’. Karrocat e luftës «lëshohen si të çmendura» rrugëve dhe vrapojnë si rrufe. (2:2-4) Tani shohim një pamje profetike të betejës. Ninevitët pengohen rrugës dhe nxitojnë për të mbrojtur muret, por më kot. Portat e lumenjve hapen, pallati shembet dhe skllavet ofshajnë dhe godasin gjoksin. Burrat që po ia mbathin, marrin urdhër të ndalen, por askush nuk kthehet prapa. Qytetin e plaçkitin dhe e shkretojnë. Zemrat mpaken. Ku është tani strofka e luanëve? Luani e ka mbushur zgavrën me pre për këlyshët e tij, por Jehovai shpall: «Ja tek jam kundër teje.» (2:13) Po, Jehovai do t’ia djegë karrocat e luftës Ninevisë, do të dërgojë një shpatë për të gllabëruar luanët e saj të rinj dhe do ta shfarosë nga faqja e dheut prenë e saj.
10. Si kush do të zbulohet Ninevia dhe si përshkruhet më tej fundi i saj?
10 «Mjerë qyteti gjakatar . . . plot mashtrim e grabitje.» Dëgjoje fshikullimën e kamxhikut dhe rrapëllimën e rrotave. Shihi kuajt që turren, karrocat që hovin, kalorësit që kalërojnë, flakërimën e shpatave dhe vetëtimën e heshtave—e më pas, pirgjet me kufoma. «Të vdekur pa fund.» (3:1, 3) Përse e gjithë kjo? Sepse ajo i zinte në lak kombet me kurvëritë e saj dhe popujt me shtrigëritë e saj. Jehovai shpall për herë të dytë: «Ja tek jam kundër teje.» (3:5) Ninevia do të zbulohet si një kurorëshkelëse dhe do të plaçkitet; asaj s’do t’i vejë më mirë se No-Amonit (Tebës), që Asiria e çoi në robëri. Fortesat e saj janë si fiq të pjekur, «që nëse i tund, bien në gojën e atij që i ha». (3:12) Luftëtarët e saj janë si gratë. Asgjë s’e shpëton dot Ninevinë nga zjarri e shpata. Rojat e saj do t’ia mbathin si një mizëri karkalecash në një ditë me diell dhe populli do të shpërndahet. Mbreti i Asirisë do ta marrë vesh se s’ka as lehtësim e as shërim për këtë katastrofë. Të gjithë ata që e dëgjojnë këtë lajm, do të duartrokasin, sepse të gjithë kanë vuajtur nga ligësia e Asirisë.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
11. Ç’parime thelbësore të Biblës ilustron Naumi?
11 Profecia e Naumit ilustron disa parime thelbësore të Biblës. Fjalët hapëse të vegimit i bëjnë jehonë arsyes për të cilën Perëndia dha urdhrin e dytë te Dhjetë Urdhërimet: «Jehovai është Perëndi që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij.» Menjëherë pas kësaj, ai shpall se «është hakmarrës me kundërshtarët e tij». Krenaria e saj mizore dhe perënditë pagane nuk mund ta shpëtonin Asirinë nga ekzekutimi i gjykimit të Jehovait. Po njësoj, mund të jemi të sigurt se në kohën e duhur Jehovai do të ndëshkojë gjithë të ligjtë. «Jehovai nuk zemërohet shpejt dhe ka shumë fuqi. Jehovai nuk do ta kursejë kurrsesi ndëshkimin.» Kështu, në sfondin e shfarosjes së Asirisë, lartësohet drejtësia dhe epërsia e Jehovait. Ninevia u bë vërtet «boshllëk, zbrazëti dhe një qytet i shkretuar»!—1:2, 3; 2:10.
12. Ç’rivendosje lajmëron Naumi dhe si mund të lidhet profecia e tij me shpresën e Mbretërisë?
12 Në kontrast me Ninevinë që ‘u shfaros krejt’, Naumi lajmëron se ‘lavdia e Jakobit dhe e Izraelit’ do të rivendoset. Jehovai ka sihariqe edhe për popullin e vet: «Ja mbi male këmbët e atij që sjell lajme të mira, të atij që shpall paqen.» Këto sihariqe paqeje kanë lidhje me Mbretërinë e Perëndisë. Si e dimë këtë? Është e dukshme nga përdorimi që i bën Isaia të njëjtës shprehje, së cilës ai i shton fjalët: «Që sjell lajmin e mirë për diçka më të mirë, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: ‘Perëndia yt është bërë mbret.’» (Nau. 1:15; 2:2; Isa. 52:7) Nga ana e tij, apostulli Pavël, te Romakëve 10:15, e përdor këtë shprehje për ata që Jehovai i dërgon si predikues të krishterë të lajmit të mirë. Këta shpallin ‘lajmin e mirë për mbretërinë’. (Mat. 24:14) Ashtu si ka edhe domethënien e emrit, Naumi u jep shumë ngushëllim të gjithë atyre që kërkojnë paqen dhe shpëtimin që vjen nga Mbretëria e Perëndisë. Të gjithë këta do ta kuptojnë se ‘Jehovai është i mirë, një kala në ditë vuajtjeje për ata që kërkojnë strehë tek ai’.—Nau. 1:7.
[Shënimet]
a Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 201, anglisht.
b Ancient Near Eastern Texts, botuar nga Xh. B. Priçard, 1974, faqja 305; Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 958, anglisht.
c Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëll. 1, faqja 955, anglisht.