Jehovai nuk do të vonojë
«Edhe sikur [vizioni] të vonojë, vazhdo të rrish në pritje të tij, sepse do të dalë patjetër i vërtetë. Ai nuk do të vonojë.»—HABAKUKU 2:3, BR.
1. Çfarë vendosmërie ka treguar populli i Jehovait dhe çfarë e ka shtyrë kjo të bëjë?
«DO TË vazhdoj të rri në vendrojën time.» Kjo ishte vendosmëria e Habakukut, profetit të Perëndisë. (Habakuku 2:1, BR) Populli i Jehovait në shekullin e 20-të ka treguar po këtë vendosmëri. Kështu, ata i janë përgjigjur me zell thirrjes që u bë në një kongres historik të mbajtur në shtator të vitit 1922: «Kjo është dita e të gjitha ditëve. Vështroni, Mbreti po mbretëron! Ju jeni agjentët e tij të shpalljes. Prandaj, lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij!»
2. Çfarë mundën të shpallnin të krishterët e mirosur, kur u rivendosën në gjendjen e aktivitetit gjallërues pas Luftës I Botërore?
2 Pas Luftës I Botërore, Jehovai e rivendosi mbetjen besnike të mirosur në një gjendje aktiviteti gjallërues. Ashtu si Habakuku, në atë kohë secili prej tyre mund të shpallte: «Unë do të rri në vendrojën time, do të zë vend mbi kullë dhe do t’i hap sytë [do të rri zgjuar, BR] për të parë atë që do të më thotë.» Fjalët hebraike për «rri zgjuar» dhe «ruaj» përsëriten në shumë profeci.
«Nuk do të vonojë»
3. Përse duhet të qëndrojmë vigjilentë?
3 Ndërkohë që Dëshmitarët e Jehovait sot po japin paralajmërimin e Perëndisë, ata duhet të jenë gjithnjë syçelë për t’u vënë veshin fjalëve përmbyllëse të profecisë madhështore të Jezuit: «Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes; që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë. Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar [qëndroni vigjilentë, BR]!» (Marku 13:35-37) Ashtu si Habakuku dhe në harmoni me fjalët e Jezuit, ne duhet të qëndrojmë vigjilentë.
4. Si është paralele situata jonë me atë të Habakukut rreth vitit 628 p.e.s.?
4 Habakuku mund ta ketë përfunduar së shkruari librin e tij rreth vitit 628 p.e.s., kohë përpara se Babilonia të bëhej fuqia sunduese botërore. Për shumë vjet ishte shpallur gjykimi i Jehovait mbi Jerusalemin apostat. Megjithatë, nuk kishte ndonjë tregues të qartë se kur do të ekzekutohej ky gjykim. Kush do ta kishte besuar se ishte vetëm 21 vjet larg dhe se Babilonia do të ishte ekzekutuesja e Jehovait? Në mënyrë të ngjashme sot, ne nuk e dimë ‘ditën dhe orën’ e caktuar për fundin e këtij sistemi, por Jezui na ka paralajmëruar: «Jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e mendoni.»—Mateu 24:36, 44.
5. Cilat fjalë të Perëndisë, të dokumentuara te Habakuku 2:2, 3, na inkurajojnë në veçanti?
5 Me arsye të vlefshme, Jehovai i dha Habakukut këtë detyrë nxitëse: «Shkruaje vizionin dhe vendose qartë mbi rrasa, me qëllim që ai që do të lexojë prej saj me zë të lartë, ta bëjë në mënyrë të rrjedhshme. Sepse vizioni është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të gulçojë deri në fund, dhe nuk do të gënjejë. Edhe sikur të vonojë, vazhdo të rrish në pritje të tij, sepse do të dalë patjetër i vërtetë. Ai nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:2, 3, BR) Sot, ligësia dhe dhuna mbizotërojnë kudo përreth tokës, duke treguar se qëndrojmë tamam në prag të «ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait». (Joeli 2:31, BR) Sa inkurajuese janë vetë fjalët siguruese të Jehovait: «Nuk do të vonojë!»
6. Si mund të mbijetojmë në ditën e gjykimit ndëshkues që po vjen?
6 Por, si mund të mbijetojmë në ditën e gjykimit ndëshkues që po vjen? Jehovai përgjigjet duke bërë një kontrast mes të drejtit dhe të padrejtit: «Ja, shpirti i është krenuar, nuk është i drejtë, por i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij.» (Habakuku 2:4) Sundimtarët dhe popujt krenarë e lakmitarë i kanë njollosur faqet e historisë moderne me gjakun e miliona viktimave të pafajshme, sidomos në dy luftërat botërore dhe në masakrat etnike. Në kontrast, shërbëtorët paqedashës të mirosur të Perëndisë kanë qëndruar me besnikëri. Ata janë «kombi i drejtë që ruan sjelljen besnike». Ky komb së bashku me shokët e tij, «delet e tjera», ndjekin këshillën: «Beso te Jehovai, o popull, për të gjitha kohërat, sepse te Jah Jehovai është Shkëmbi i kohëve të pacaktuara.»—Isaia 26:2-4, BR; Gjoni 10:16.
7. Çfarë duhet të bëjmë, në harmoni me fjalët që përdori Pavli duke cituar Habakukun 2:4?
7 Duke u shkruar të krishterëve hebrenj, apostulli Pavël citoi Habakukun 2:4, kur po i thoshte popullit të Jehovait: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, me qëllim që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit. Sepse edhe ‘shumë pak kohë’ dhe ‘ai që po vjen, do të mbërrijë dhe nuk do të vonojë’. ‘Por i drejti im do të jetojë për arsye të besimit’ dhe ‘nëse ai sprapset, shpirti im nuk gjen kënaqësi në të’.» (Hebrenjve 10:36-38, BR) Koha jonë nuk është një kohë për t’u plogështuar ose për të rënë në grackën e udhëve materialiste e të çmendura pas kënaqësive të botës së Satanait. Çfarë duhet të bëjmë derisa të mbarojë ajo «shumë pak kohë»? Ashtu si Pavli, ne si kombi i shenjtë i Jehovait duhet të ‘zgjatemi drejt gjërave që janë përpara, duke u sulur drejt synimit’ të jetës së përhershme. (Filipianëve 3:13, 14, BR) Dhe, ashtu si Jezui, duhet të ‘durojmë, për gëzimin që na është vënë përpara’.—Hebrenjve 12:2.
8. Kush është ‘njeriu’ i përmendur te Habakuku 2:5 dhe përse nuk do të ketë sukses ai?
8 Te Habakuku 2:5, (BR), përshkruhet «një njeri i fuqishëm» që, në kontrast me shërbëtorët e Jehovait, nuk e arrin qëllimin e tij, edhe pse e «ka bërë shpirtin të bollshëm si Sheoli». Kush është ky njeri që «nuk mund të kënaqet»? Me një grykësi si ajo e Babilonisë së kohës së Habakukut, ky «njeri» i përbërë, i formuar nga fuqitë politike, qofshin këto fashiste, naziste, komuniste ose edhe të ashtuquajtura demokratike, bën luftëra për të zgjeruar kufijtë e vendeve të tij. Ai, gjithashtu, e mbush Sheolin, domethënë varrin, me shpirtra të pafajshëm. Por ky «njeri» i përbërë i botës së Satanait, mashtrues, i dehur nga siguria se është tepër i rëndësishëm, nuk ka sukses në përpjekjet e tij për t’i ‘mbledhur të gjitha kombet dhe për të mbledhur së bashku tërë popujt’. Vetëm Perëndia Jehova mund ta bashkojë të gjithë njerëzimin dhe këtë do ta kryejë me anë të Mbretërisë Mesianike.—Mateu 6:9, 10.
I pari nga pesë mjerimet dramatike
9, 10. (a) Çfarë vazhdon të njoftojë Jehovai nëpërmjet Habakukut? (b) Si është situata sot, për sa i përket fitimit të padrejtë?
9 Nëpërmjet profetit të tij, Habakukut, Jehovai njofton një seri prej pesë mjerimesh, domethënë gjykime që duhen kryer për ta përgatitur tokën si banesë të adhuruesve besnikë të Perëndisë. Këta njerëz me zemër të drejtë ‘ngrenë një thënie proverbiale’ që e deklaron Jehovai. Te Habakuku 2:6 lexojmë: «Mjerë për atë që shumëfishon çfarë nuk është e tij—Oh sa gjatë!—dhe ai që e rëndon borxhin mbi veten e tij!»—BR.
10 Theksi këtu vihet në fitimin e padrejtë. Në botën që na rrethon, të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur dhe të varfrit gjithnjë e më të varfër. Trafikantët e drogës dhe mashtruesit grumbullojnë pasuri të mëdha, kurse shumë njerëz të thjeshtë vuajnë urie. Thuhet se një e katërta e popullsisë së botës jeton nën nivelin e varfërisë. Në shumë vende, kushtet e jetesës janë të tmerrshme. Ata që e dëshirojnë me zjarr drejtësinë mbi tokë thërrasin: «Oh, sa gjatë» ka vazhduar shumëfishimi i këtyre ligësive! Megjithatë, fundi është te pragu i derës! Në të vërtetë, vizioni «nuk do të vonojë».
11. Çfarë thotë Habakuku për derdhjen e gjakut njerëzor dhe përse mund të themi që sot në tokë ka shumë faj gjaku?
11 Profeti i thotë të ligut: «Duke qenë se ti ke plaçkitur shumë kombe, tërë kusuri i popujve do të të plaçkitë ty për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës që i është bërë vendit, qyteteve dhe tërë banorëve të tij.» (Habakuku 2:8) Sa shumë faj gjaku shohim që ka sot në tokë! Jezui pohoi qartë: «Të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.» (Mateu 26:52) E megjithatë, vetëm në shekullin e 20-të, kombet dhe grupet etnike që janë fajtore gjaku, kanë qenë përgjegjëse për masakrimin e më shumë se njëqind milionë njerëzve. Mjerë ata që marrin pjesë në këto gjakderdhje!
Mjerimi i dytë
12. Cili është mjerimi i dytë që dokumentoi Habakuku dhe përse mund të jemi të sigurt se pasuritë e pandershme nuk do të vlejnë për asgjë?
12 Mjerimi i dytë, i dokumentuar te Habakuku 2:9-11, bie mbi ‘atë që është i pangopur për fitime të mbrapshta për shtëpinë e tij, për të vendosur folenë e tij lart dhe për t’i shpëtuar fuqisë së fatkeqësisë’. Fitimi i pandershëm nuk do të vlejë për asgjë, siç e bën të qartë psalmisti: «Mos ki frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet, sepse kur të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij.» (Psalmi 49:16, 17) Atëherë, ia vlen t’i vëmë veshin këshillës së mençur të Pavlit: «Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar.»—1. Timoteut 6:17.
13. Përse duhet të vazhdojmë ta shpallim paralajmërimin e Perëndisë?
13 Sa e rëndësishme është që të shpallen sot mesazhet e gjykimit të Perëndisë! Kur farisenjtë kundërshtuan që turma ta përshëndeste Jezuin si «Mbreti që po vjen në emër të Zotit», ai tha: «Unë po ju them se nëse këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin.» (Luka 19:38-40) Në mënyrë të ngjashme, sikur populli i Perëndisë sot të mos arrinte të demaskonte ligësinë që ekziston në botë, ‘guri do të këlthiste nga muri’. (Habakuku 2:11) Prandaj, le të vazhdojmë ta shpallim me guxim paralajmërimin e Perëndisë!
Mjerimi i tretë dhe çështja e fajit të gjakut
14. Për cilin faj gjaku kanë qenë përgjegjëse fetë e botës?
14 Mjerimi i tretë i njoftuar nëpërmjet Habakukut ka të bëjë me çështjen e fajit të gjakut. Te Habakuku 2:12 thuhet: «Mjerë ai që ndërton një qytet me gjak dhe themelon një qytet me paudhësi!» Në këtë sistem gjërash, padrejtësia dhe gjakderdhja shpesh shoqërojnë njëra-tjetrën. Është për t’u vënë re se fetë e botës kanë qenë përgjegjëse për masakrat më të urryera në histori. Mjafton vetëm të përmendim Kryqëzatat, të cilat i hodhën të ashtuquajturit të krishterë kundër myslimanëve; Inkuizicionin Katolik në Spanjë dhe në Amerikën Latine; Luftën Tridhjetëvjeçare të Evropës mes protestantëve dhe katolikëve dhe më gjakataret prej tyre, dy luftërat botërore, të cilat filluan në sferën e të ashtuquajturit krishterim.
15. (a) Çfarë vazhdojnë të bëjnë kombet me mbështetjen ose me miratimin e kishës? (b) A mund ta ndalin Kombet e Bashkuara armatimin e kësaj bote?
15 Një nga aspektet më të tmerrshme të Luftës II Botërore ishte holokausti nazist, i cili gëlltiti miliona hebrenj dhe të pafajshëm të tjerë në Evropë. Vetëm kohët e fundit, hierarkia katolike në Francë rrëfeu se nuk iu kundërvu dërgimit të qindra mijë viktimave nëpër kampet naziste të vdekjes. E megjithatë, kombet vazhdojnë të përgatiten për të derdhur gjak, gjë të cilën kisha e mbështet ose e miraton. Duke folur për Kishën Ortodokse Ruse, në revistën Time (botim ndërkombëtar), kohët e fundit thuhej: «Kisha e rigjallëruar ushtron një ndikim të madh edhe në një zonë që më parë as që mendohej: në makinën ruse të luftës. . . . Bekimet e avionëve luftarakë dhe të kazermave janë bërë pothuajse një gjë e zakonshme. Në nëntor, në manastirin Danilovski të Moskës, që është selia e Patrikanës ruse, kisha arriti deri aty sa shenjtëroi arsenalin bërthamor të Rusisë.» A mund ta ndalin Kombet e Bashkuara riarmatimin e kësaj bote me mjete lufte djallëzore? Vështirë se po! Sipas gazetës The Guardian të Londrës, Angli, një fitues i çmimit Nobel për Paqen komentoi: «Ajo që në të vërtetë të turbullon është se pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara janë pesë furnizuesit më të mëdhenj të botës me armë.»
16. Çfarë do të bëjë Jehovai me kombet që nxitin luftën?
16 A do ta ekzekutojë Jehovai gjykimin mbi kombet që nxitin luftën? Te Habakuku 2:13 thuhet: «Ja, a nuk vjen vallë nga Zoti [Jehovai, BR] i ushtrive që popujt të lodhen për zjarrin dhe kombet të lodhen për asgjë?» «Jehovai i ushtrive!» Po, Jehovai ka ushtritë qiellore engjëllore, të cilat do t’i përdorë për të asgjësuar popujt dhe kombet që e duan luftën.
17. Deri në çfarë mase do ta mbushë njohuria e Jehovait tokën, pasi ai të ekzekutojë gjykimin mbi grupet e dhunshme kombëtare?
17 Çfarë do ta pasojë ekzekutimin e gjykimit të Jehovait mbi ato grupe të dhunshme kombëtare? Habakuku 2:14 na jep përgjigjen: «Sepse dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë së Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin.» Çfarë perspektive e mrekullueshme! Në Harmagedon, sovraniteti i Jehovait do të shfajësohet njëherë e përgjithmonë. (Zbulesa 16:16) Ai na siguron se do ta ‘bëjë të lavdishëm vendin ku shkelin këmbët e tij’, pra këtë tokë ku ne jetojmë. (Isaia 60:13) I gjithë njerëzimi do të mësohet në udhën hyjnore të jetës, kështu që njohuria për qëllimet e lavdishme të Jehovait do ta mbushë tokën ashtu si oqeanet mbushin hapësirat ujore.
Mjerimi i katërt dhe i pestë
18. Cili është mjerimi i katërt i shpallur nëpërmjet Habakukut dhe si pasqyrohet ai në gjendjen morale të botës së sotme?
18 Mjerimi i katërt përshkruhet te Habakuku 2:15 me këto fjalë: «Mjerë ai që i jep të pijë të afërmit e tij, duke i dhënë shishen e vet, dhe e deh për të parë lakuriqësinë e tij!» Kjo e bën të qartë gjendjen e shthurur dhe rebele të botës moderne. Imoraliteti i saj, i mbështetur madje edhe nga grupet tolerante fetare, ka rënë poshtë e më poshtë. Epidemitë, si SIDA dhe sëmundjet e tjera të transmetuara me rrugë seksuale, po vërsulen me tërbim mbi mbarë botën. Në vend që të pasqyrojë «lavdinë e Jehovait», brezi i sotëm me moton «unë i pari», zhytet gjithnjë e më thellë në prishje dhe shkon drejt ekzekutimit të gjykimit të Perëndisë. ‘E ngopur me turp dhe jo me lavdi’, kjo botë e ligë është gati për të pirë nga kupa e zemërimit të Jehovait, e cila përfaqëson vullnetin e tij ndaj saj. ‘Poshtërsia do të mbulojë lavdinë e saj.’—Habakuku 2:16.
19. Me çfarë ka të bëjë parathënia e mjerimit të pestë të njoftuar nga Habakuku dhe përse këto fjalë janë domethënëse për botën e sotme?
19 Në një parathënie që i bëhet mjerimit të pestë paralajmërohet hapur kundër adhurimit të shëmbëlltyrave të gdhendura. Jehovai i thotë profetit të tij që të njoftojë këto fjalë të fuqishme: «Mjerë ai që i thotë drurit: ‘Zgjohu!’, apo gurit të heshtur: ‘Çohu!’ A mund t’ju mësojë ai diçka? Ja, është i mbuluar me ar dhe argjend, por në të nuk ka asnjë frymë jete.» (Habakuku 2:19) Edhe sot e kësaj dite, i ashtuquajturi krishterim bashkë me të ashtuquajturit popuj paganë u përkulen kryqeve, shëmbëlltyrave të virgjëreshës Mari, ikonave dhe ngjashmërive të tjera të njeriut e të kafshëve. Asnjë prej këtyre gjërave nuk mund të zgjohet për t’i shpëtuar adhuruesit e vet kur Jehovai të vijë për të ekzekutuar gjykimin. Veshjet e tyre me ar dhe argjend bëhen tërësisht të pakuptimta në krahasim me madhështinë e Perëndisë së përjetshëm, Jehovait, dhe me lavditë e krijimeve të tij të gjalla. Le ta lartësojmë përgjithmonë emrin e tij të pakrahasueshëm!
20. Në cilin rregullim të tempullit kemi privilegjin të shërbejmë me gëzim?
20 Po, Perëndia ynë, Jehovai, është i denjë për çdo lëvdim. Me një ndjenjë përnderimi të thellë për të, le t’i vëmë veshin paralajmërimit të tij të qartë kundër idhujtarisë. Por, dëgjo! Jehovai po flet përsëri: «Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij!» (Habakuku 2:20) Pa dyshim, profeti kishte në mendje tempullin e Jerusalemit. Megjithatë, sot ne kemi privilegjin për të adhuruar në rregullimin e një tempulli shumë më të madh frymor, ku Zotëria ynë, Jezu Krishti, është vendosur si Kryeprift. Këtu, në oborret tokësore të këtij tempulli, ne takohemi, shërbejmë dhe lutemi, duke i dhënë Jehovait nderin që i takon emrit të tij të lavdishëm. Sa shumë gëzim ndiejmë duke i bërë adhurim me gjithë zemër Atit tonë të dashur qiellor!
A të kujtohet?
• Si i konsideron fjalët e Jehovait: «Nuk do të vonojë?»
• Çfarë domethënieje kanë në ditët tona mjerimet e njoftuara nëpërmjet Habakukut?
• Përse duhet të vazhdojmë të shpallim paralajmërimin nga Jehovai?
• Në oborrin e cilit tempull kemi privilegjin të shërbejmë?
[Figurat në faqen 15]
Ashtu si Habakuku, shërbëtorët e sotëm të Perëndisë e dinë se Jehovai nuk do të vonojë
[Figurat në faqen 18]
A e çmon privilegjin për ta adhuruar Jehovain në oborrin e tempullit të tij frymor?
[Burimi i figurës në faqen 16]
Fotografi e ushtrisë së SHBA-së