KAPITULLI 16
Një vëllazëri e bashkuar
PËR rreth 1.500 vjet, Perëndia Jehova e trajtoi kombin e Izraelit si populli për emrin e tij. Më vonë, Jehovai e drejtoi «vëmendjen nga kombet, që të nxirrte prej tyre një popull për emrin e tij». (Vep. 15:14) Populli për emrin e Jehovait do të ishin dëshmitarët e tij, në unitet mendimi dhe veprimi, pavarësisht se ku jetonin. Bashkimi i një populli për emrin e Perëndisë do të vinte si rezultat i detyrës që Jezui u dha dishepujve: «Prandaj shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit e të frymës së shenjtë dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mat. 28:19, 20.
Je pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore e të bashkuar të krishterësh, që nuk lejojnë t’i përçajnë ndryshimet kombëtare, fisnore ose ekonomike
2 Duke ia kushtuar jetën Jehovait dhe duke u pagëzuar, je bërë dishepull i Jezu Krishtit. Je pjesë e një vëllazërie mbarëbotërore e të bashkuar të krishterësh, që nuk lejojnë t’i përçajnë ndryshimet kombëtare, fisnore ose ekonomike. (Psal. 133:1) Si rezultat, i do dhe i respekton vëllezërit e krishterë në kongregacion. Disa prej tyre mund të jenë të një race a kombësie tjetër ose të kenë arsimim të ndryshëm nga i yti dhe, ndoshta më parë, s’do të pranoje të shoqëroheshe me ta për shkak të këtyre dallimeve. Po shfaq dashuri vëllazërore që është shumë më e fortë se çdo lidhje tjetër, qoftë kjo shoqërore, fetare ose familjare.—Mar. 10:29, 30; Kolos. 3:14; 1 Pjet. 1:22.
NDRYSHIME NË MËNYRËN E TË MENDUARIT
3 Nëse disa e kanë të vështirë t’i kapërcejnë paragjykimet raciale, politike, shoqërore e të tjera të rrënjosura thellë, mund të sjellin ndër mend të krishterët e hershëm judenj, të cilët duhej të çliroheshin nga paragjykimet fetare judaike ndaj njerëzve të kombeve. Kur Jehovai e udhëzoi Pjetrin të shkonte në shtëpinë e centurionit romak, Kornelit, e përgatiti me dashamirësi për këtë caktim.—Veprat, kap. 10.
4 Në një vegim, Pjetrit iu tha të therte e të hante disa kafshë që për judenjtë ishin të papastra nga ana ceremoniale. Kur Pjetri kundërshtoi, një zë nga qielli i tha: «Mos i quaj më të ndotura gjërat që Perëndia i ka pastruar.» (Vep. 10:15) U desh kjo ndërhyrje hyjnore që Pjetri të ndryshonte mënyrën e të menduarit për caktimin që do të merrte, pra të vizitonte një njeri nga kombet. Kur iu bind drejtimit të Jehovait, Pjetri u tha atyre që ishin mbledhur: «Ju e dini mirë se për një jude është e paligjshme të shoqërohet a t’i afrohet një jojudeu. E megjithatë, Perëndia më tregoi se nuk duhet të quaj asnjeri të ndotur ose të papastër. Kështu, kur më thirrën, erdha pa kundërshtuar aspak.» (Vep. 10:28, 29) Pastaj, Pjetri pa me sytë e vet se Jehovai e miratoi Kornelin dhe familjen e tij.
5 Saulit nga Tarsi, farise shumë i arsimuar, iu desh të përulej dhe të rrinte me ata që më parë s’do të pranonte të shoqërohej. Madje iu desh të merrte udhëzime prej tyre. (Vep. 4:13; Gal. 1:13-20; Filip. 3:4-11) Me siguri që edhe Sergj Pali, Dionisi, Damarisi, Filemoni, Onesimi e të tjerë që pranuan lajmin e mirë dhe u bënë dishepuj të Jezu Krishtit, duhet të kenë bërë ndryshime në mënyrën e të menduarit.—Vep. 13:6-12; 17:22, 33, 34; Fil. 8-20.
TË RUAJMË UNITETIN TONË NDËRKOMBËTAR
6 Pa dyshim, dashuria e vëllezërve dhe e motrave në kongregacion të ndihmoi t’i afroheshe Jehovait dhe organizatës së tij. Vure re shenjën dalluese të dashurisë që karakterizon dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit, siç tha ai vetë: «Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin. Ashtu si ju kam dashur unë, ta doni edhe ju njëri-tjetrin. Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi: nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) E vlerësove më shumë Jehovain dhe organizatën e tij kur kuptove se dashuria që ekziston në kongregacion, është vetëm një pasqyrim i dashurisë që ekziston në vëllazërinë mbarëbotërore. Po përjeton plotësimin e profecisë së Biblës për të mbledhur njerëzit në ditët e fundit, që të adhurojnë Jehovain në paqe dhe në unitet.—Mik. 4:1-5.
7 Duke parë gjithë faktorët përçarës që ekzistojnë sot, kujt do t’ia merrte mendja se do të ishte e mundur të bashkohej një popull «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët»? (Zbul. 7:9) Mendo për dallimet mes njerëzve të një shoqërie me teknologji të lartë dhe mes atyre që mbajnë zakonet e lashta fisnore. Mendo për rivalitetin fetar që ekziston midis njerëzve të së njëjtës racë e kombësi. Sot që nacionalizmi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, njerëzit janë më të përçarë se kurrë politikisht. Veç kësaj, mendo edhe për dallimet ekonomike, si edhe për faktorë të tjerë të panumërt përçarës. Ja pse bashkimi i individëve nga të gjitha kombet, gjuhët, grupet dhe klasat në një lidhje të pathyeshme dashurie dhe paqeje, është një mrekulli që mund ta bëjë vetëm Perëndia i Plotfuqishëm.—Zak. 4:6.
8 Ky unitet është realitet dhe, kur u bëre Dëshmitar i Jehovait i kushtuar dhe i pagëzuar, u bëre pjesë e tij. Tani që po nxjerr dobi nga ky unitet, duhet të bësh pjesën tënde për ta ruajtur. Kjo gjë bëhet duke ua vënë veshin fjalëve të apostullit Pavël te Galatasve 6:10: «Kështu, për sa kohë që kemi mundësi, le t’i bëjmë mirë gjithkujt, por sidomos atyre që janë të lidhur me ne në besim.» Zbatojmë edhe këtë këshillë: «Mos bëni asgjë nga fryma e kundërshtimit a nga egoizmi, por me përulësi konsiderojini të tjerët më të lartë se veten, duke mos kërkuar vetëm interesat tuaja, por edhe ato të të tjerëve.» (Filip. 2:3, 4) Për sa kohë që përpiqemi t’i shohim vëllezërit dhe motrat tona siç i sheh Jehovai e jo sipas asaj që duken, do të vazhdojmë të gëzojmë marrëdhënie paqësore e të lumtura me ta.—Efes. 4:23, 24.
INTERESIMI PËR NJËRI-TJETRIN
9 Siç e ilustroi apostulli Pavël, të gjithë në kongregacion janë të bashkuar dhe merakosen për njëri-tjetrin. (1 Kor. 12:14-26) Edhe pse na ndajnë largësi të mëdha nga disa pjesëtarë të vëllazërisë mbarëbotërore, kjo nuk do të thotë që jemi më pak të interesuar për ta. Nëse disa nga vëllezërit tanë hasin përndjekje, shqetësohemi thellësisht. Nëse disave u mungojnë gjërat e nevojshme apo janë viktima të katastrofave, të luftërave ose të konflikteve civile, të tjerët bëjnë çmos të gjejnë mënyra për t’i ndihmuar që të vazhdojnë t’i shërbejnë Perëndisë si edhe për t’i ndihmuar materialisht.—2 Kor. 1:8-11.
10 Të gjithë duhet të lutemi çdo ditë për vëllezërit tanë. Disa përballojnë tundime për të bërë gjëra të këqija. Të tjerë heqin vuajtje që mund t’i dinë të gjithë. Të tjerë akoma hasin kundërshtime, që ndoshta nuk janë shumë të njohura, nga kolegët dhe nga familjarët jo Dëshmitarë. (Mat. 10:35, 36; 1 Sel. 2:14) Ngaqë jemi një vëllazëri mbarëbotërore, kjo na shqetëson të gjithëve. (1 Pjet. 5:9) Mes nesh janë ata që punojnë fort në shërbim të Jehovait, duke marrë drejtimin në veprën e predikimit dhe në kongregacione. Gjithashtu, janë edhe vëllezërit që mbikëqyrin veprën mbarëbotërore. Të gjithë kanë nevojë për lutjet tona, me të cilat tregojmë dashurinë dhe interesin e sinqertë, edhe kur ne personalisht s’mund të bëjmë dot asgjë tjetër për t’i ndihmuar.—Efes. 1:16; 1 Sel. 1:2, 3; 5:25.
11 Me gjithë trazirat që po ndodhin në tokë gjatë këtyre ditëve të fundit, populli i Jehovait duhet të jetë i përgatitur për të ndihmuar njëri-tjetrin. Në raste katastrofash, si tërmete dhe përmbytje, nevojitet që të jepet ndihmë në shkallë të gjerë e të grumbullohen ndihma në sasi të mëdha. Për këtë, të krishterët e shekullit të parë lanë një shembull të shkëlqyer. Duke kujtuar këshillën e Jezuit, dishepujt nga Antiokia dërguan me kënaqësi dhurata materiale për vëllezërit në Jude. (Vep. 11:27-30; 20:35) Më vonë apostulli Pavël i nxiti korintasit të bënin pjesën e tyre për ndihmën që po jepej në mënyrë të rregullt. (2 Kor. 9:1-15) Në kohët tona, kur vëllezërit gjenden në kushte të vështira dhe kanë nevojë për ndihmë materiale, organizata dhe individët e krishterë sigurojnë gjërat e nevojshme menjëherë.
TË NDARË VEÇ PËR TË BËRË VULLNETIN E JEHOVAIT
12 Vëllazëria jonë mbarëbotërore e bashkuar është e organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait. Në këtë kohë, vullneti i tij është që lajmi i mirë i Mbretërisë të predikohet në të gjithë tokën si dëshmi për të gjitha kombet. (Mat. 24:14) Ndërsa bëjmë këtë vepër, është vullneti i Jehovait që të sillemi në përputhje me standardet e tij të larta morale. (1 Pjet. 1:14-16) Duhet të jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi njëri-tjetrit e të punojmë për të çuar përpara lajmin e mirë. (Efes. 5:21) Më shumë se kurrë, është koha për të vendosur Mbretërinë e Perëndisë në vend të parë në jetë, dhe jo për të ndjekur interesat tona. (Mat. 6:33) Duke mbajtur në mendje këtë, ndërsa punojmë së bashku për hir të lajmit të mirë, provojmë kënaqësi të madhe tani dhe do të kemi bekime të përhershme.
13 Si Dëshmitarë të Jehovait, jemi unikë, të ndarë veç nga pjesa tjetër e njerëzimit si një popull i pastër, i zellshëm në shërbim të Perëndisë. (Titit 2:14) Jemi ndryshe nga të tjerët, ngaqë adhurojmë Jehovain. Jo vetëm që punojmë sup më sup me vëllezërit tanë në mbarë tokën, por edhe flasim gjuhën e së vërtetës dhe veprojmë në përputhje me të vërtetën për të cilën flasim. Kjo u paratha kur Jehovai shpalli nëpërmjet profetit Sofonia: «Do t’ua ndryshoj gjuhën popujve në një gjuhë të kulluar, që të gjithë të thërrasin emrin e Jehovait dhe t’i shërbejnë atij krah për krah.»—Sof. 3:9.
14 Më pas, Jehovai e frymëzoi Sofoninë të përshkruante vëllazërinë mbarëbotërore, që sot është bërë realitet: «Ata që kanë mbetur nga Izraeli, s’do të bëjnë padrejtësi, s’do të thonë gënjeshtra e në gojën e tyre s’do të gjendet gjuhë mashtruese; do të ushqehen e do të pushojnë dhe askush s’do t’i trembë.» (Sof. 3:13) Ne punojmë në unitet sepse kemi kuptuar të vërtetën e Fjalës së Jehovait, kemi përtërirë mendjen dhe e kemi vënë jetën në përputhje me standardet e Jehovait. Arrijmë të bëjmë atë që duket e pamundur në sytë e atyre që i shohin gjërat nga pikëpamja njerëzore. Po, jemi vërtet një popull ndryshe nga të tjerët, populli i Perëndisë, që i sjell nder atij në mbarë tokën.—Mik. 2:12.