Gëzimi i Jehovait është fortesa jonë
«Kjo ditë është e shenjtëruar për Zotërinë tonë dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Jehovait është fortesa jonë.»—NEHEMIA 8:10, BR.
1, 2. (a) Çfarë është një fortesë? (b) Si tregoi Davidi se gjeti strehim në Jehovain?
JEHOVAI është një fortesë e pakrahasueshme. Çfarë është një fortesë? Është një vend i fortifikuar, një vend sigurie dhe mbijetese. Në Izraelin e lashtë, Davidi e konsideroi Perëndinë si fortesën e vet. Shqyrto, për shembull, këngën që Davidi i drejtoi Më të Lartit «ditën kur Zoti e çliroi nga dora e të gjithë armiqve të tij dhe nga dora e Saulit», mbretit të Izraelit.—Psalmi 18, mbishkrimi.
2 Davidi e nisi këtë këngë nxitëse me fjalët: «Të dua, o Zot, forca ime. Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e lartë.» (Psalmi 18:1, 2) I nxjerrë jashtë ligjit dhe i ndjekur në mënyrë të padrejtë nga mbreti Saul, Davidi i drejtë gjeti strehim në Jehovain, ashtu sikur dikush mund të vrapojë brenda një vendi të fortifikuar për të mbijetuar nga ndonjë gjëmë.
3. Përse hebrenjtë në ditët e Ezdrës provuan «hare të madhe»?
3 Gëzimi që jep Jehovai është një fortesë e sigurt për ata që ecin në rrugën e tij si mbajtës të integritetit. (Proverbat 2:6-8; 10:29) Natyrisht, për të pasur gëzimin që jep Perëndia, njerëzit duhet të bëjnë vullnetin e tij. Në lidhje me këtë, shiko çfarë ndodhi në Jeruzalem, në vitin 468 p.e.s. Kopjuesi Ezdra dhe të tjerë u dhanë njerëzve kuptueshmëri me anë të një leximi domethënës të Ligjit. Pastaj, populli u nxit: «Shkoni, hani gjërat e dhjamura dhe pini gjërat e ëmbla, u çoni racione edhe atyre për të cilët nuk është përgatitur asgjë; sepse kjo ditë është e shenjtëruar për Zotërinë tonë dhe mos u trishtoni, sepse gëzimi i Jehovait është fortesa jonë.» Hebrenjtë e zbatuan në praktikë njohurinë që kishin marrë dhe mbajtën një festë të gëzuar të kasolleve; si rezultat, kjo solli një «hare të madhe». (Nehemia 8:1-12) Ata që kishin ‘gëzimin e Jehovait si fortesën e tyre’ morën forcë nga adhurimi dhe nga shërbimi që i bënë atij. Pasi gëzimi i Jehovait ishte fortesa e tyre, duhet të presim që edhe populli i Jehovait sot të jetë i gëzuar. Cilat janë, pra, disa nga arsyet e tyre të sotme për gëzim?
«Shumë i kënaqur»
4. Cili është një burim kryesor gëzimi për popullin e Jehovait?
4 Një arsye kryesore për gëzim janë masat që merr Jehovai për t’u mbledhur së bashku. Asambletë dhe kongreset e sotme të Dëshmitarëve të Jehovait u sjellin atyre gëzim, sikurse edhe festat vjetore që mbanin izraelitët u sillnin atyre gëzim në zemra. Popullit të Izraelit iu tha: «Do të kremtosh një festë [festën e Kasolleve] për shtatë ditë me radhë për nder të Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur, sepse Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha të korrat e tua dhe tërë punën e duarve të tua, dhe ti do të jesh shumë i kënaqur.» (Ligji i përtërirë 16:13-15) Po, Perëndia dëshironte që ata të ishin ‘shumë të kënaqur’. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për të krishterët, sepse apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët: «Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!»—Filipianëve 4:4.
5. (a) Çfarë është gëzimi dhe si e fitojnë atë të krishterët? (b) Si mund të kemi gëzim pavarësisht nga sprovat?
5 Pasi Jehovai dëshiron që ne të jemi të gëzuar, ai na jep gëzimin, si një nga frytet e frymës së tij të shenjtë. (Galatasve 5:22, 23) Çfarë është gëzimi? Është ajo ndjenjë e kënaqshme që shkaktohet nga shpresimi apo fitimi i diçkaje të dobishme dhe të dëshirueshme. Gëzimi është gjendja e lumturisë së vërtetë, madje edhe ngazëllim. Ky fryt i frymës së shenjtë të Perëndisë na mbështet nëpër sprova. «Për gëzimin që ishte përpara tij, [Jezui] duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebrenjve 12:2) Dishepulli Jakov tha: «Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.» Por, çfarë të themi nëse nuk dimë ç’të bëjmë në ndonjë sprovë të veçantë? Atëherë, me besim mund të lutemi për mençuri që ta përballojmë atë. Po të veprojmë në përputhje me mençurinë hyjnore, do të kemi mundësi t’i zgjidhim problemet ose të përballojmë sprovat e vazhdueshme, pa humbur gëzimin e Jehovait.—Jakovit 1:2-8.
6. Çfarë lidhjeje ekziston midis gëzimit dhe adhurimit të vërtetë?
6 Gëzimi që na jep Jehovai na forcon për të nxitur adhurimin e vërtetë. Kjo ndodhi edhe në ditët e Nehemisë dhe të Ezdrës. Hebrenjtë e asaj kohe, që kishin gëzimin e Jehovait si fortesën e tyre, u forcuan për të çuar përpara interesat e adhurimit të vërtetë. E ndërsa nxitnin adhurimin e Jehovait, gëzimi i tyre rritej. Po njësoj është edhe sot. Si adhurues të Jehovait, ne kemi themelin për një gëzim të madh. Le të shqyrtojmë tani disa nga arsyet që kemi për gëzim.
Marrëdhënia me Perëndinë nëpërmjet Krishtit
7. Në lidhje me Jehovain, çfarë arsyesh kanë të krishterët për gëzim?
7 Marrëdhënia jonë e ngushtë me Jehovain, na bën njerëzit më të lumtur në tokë. Përpara se të bëheshim të krishterë, ne ishim pjesë e shoqërisë së padrejtë njerëzore, e cila është ‘e errësuar në mendje, e shkëputur nga jeta e Perëndisë’. (Efesianëve 4:18) Sa të lumtur ndihemi që nuk jemi më të shkëputur nga Jehovai! Natyrisht, duhen përpjekje për të mbetur në favorin e tij. Duhet ‘të qëndrojmë në besim me themel dhe të patundur, dhe të mos luajmë nga shpresa e ungjillit’. (Kolosianëve 1:21-23) Mund të jemi të gëzuar që Jehovai na tërheq nga Biri i tij, në përputhje me vetë fjalët e Jezuit: «Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Nëse me të vërtetë e vlerësojmë marrëdhënien tonë të çmuar me Perëndinë nëpërmjet Krishtit, do të ruhemi kundrejt çdo gjëje që mund ta prishë atë.
8. Si ka kontribuar Jezui për gjendjen tonë të gëzuar?
8 Falja e mëkateve nëpërmjet besimit në sakrificën shpërblerëse të Jezuit është një shkak i madh për gëzim, sepse ajo bën të mundur marrëdhënien tonë me Perëndinë. Me rrugën e tij të vullnetshme mëkatare, paraardhësi ynë, Adami, solli vdekjen mbi njerëzimin. Megjithatë, apostulli Pavël shpjegoi: «Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» Pavli shkroi gjithashtu: «Ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës. Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë.» (Romakëve 5:8, 18, 19) Sa të gëzuar mund të jemi që Perëndia Jehova kënaqet duke shpërblyer ata pasardhës të Adamit, të cilët e përdorin një masë të tillë të dashur!
Liri fetare dhe ndriçim
9. Përse jemi të gëzuar nga pikëpamja fetare?
9 Liria nga Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme, është një tjetër arsye për të qenë të gëzuar. Është e vërteta hyjnore ajo që na ka liruar. (Gjoni 8:32) Dhe liria nga kjo lavire fetare do të thotë që ne nuk kemi pjesë në mëkatet e saj, që nuk i provojmë plagët e saj dhe nuk përfundojmë në shkatërrimin e saj. (Zbulesa 18:1-8) Nuk ka asgjë të trishtueshme nëse largohemi nga gjithë këto gjëra!
10. Çfarë ndriçimi gëzojmë si popull i Jehovait?
10 Kuptueshmëria dhe zbatimi në praktikë i Fjalës së Perëndisë janë shkaqe të një gëzimi të madh. Të lirë prej ndikimit të fesë së rreme, ne gëzojmë një mendjehollësi frymore që bëhet përherë e më e qartë, të cilën Ati ynë qiellor na e siguron nëpërmjet «skllavit besnik e të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Nga të gjithë njerëzit që jetojnë mbi tokë, vetëm ata që i janë dedikuar krejtësisht Jehovait kanë frymën e tij të shenjtë dhe një kuptueshmëri të bekuar të Fjalës e të vullnetit të tij. Është ashtu siç tha Pavli: «Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij [gjërat që ka përgatitur për ata që e duan atë], sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.» (1. Korintasve 2:9, 10) Mund të jemi mirënjohës dhe të gëzuar që po gëzojmë këtë kuptueshmëri në rritje, e cila tregohet në fjalët e Proverbave 4:18: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.»
Shpresa e Mbretërisë dhe jeta e përhershme
11. Si është ndarë shpresa e gëzueshme e Mbretërisë me të tjerët?
11 Edhe shpresa e Mbretërisë na bën, gjithashtu, të gëzuar. (Mateu 6:9, 10) Si Dëshmitarë të Jehovait, për një kohë të gjatë ne kemi shpallur se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për gjithë njerëzimin. Për shembull, le të shohim vitin 1931, kur ne morëm emrin Dëshmitarë të Jehovait, nga një rezolutë që u lëshua me gëzim në 51 kongrese anembanë botës. (Isaia 43:10-12) Ajo rezolutë dhe një fjalim domethënës i mbajtur nga vëlla J. F. Rutherford (në atë kohë kryetar i Shoqatës Watch Tower) u botuan në broshurën Mbretëria, shpresa e botës (angl.). Brenda saj ishte përfshirë edhe një rezolutë tjetër, që doli në po atë kongres, e cila e akuzonte të ashtuquajturin krishterim për apostazinë e tij dhe se e kishte trajtuar këshillën e Jehovait me përbuzje. Aty thuhej gjithashtu: «Shpresa e botës është mbretëria e Perëndisë dhe tjetër shpresë nuk ka.» Brenda pak muajsh, Dëshmitarët e Jehovait shpërndanë mbi pesë milionë kopje të kësaj broshure në të gjithë tokën. Qysh prej asaj kohe, ne kemi pohuar shpeshherë se Mbretëria është e vetmja shpresë e njerëzimit.
12. Çfarë perspektivash të gëzueshme për jetën janë vënë përpara atyre që i shërbejnë Jehovait?
12 Ne gëzohemi, gjithashtu, me perspektivën e jetës së përhershme nën sundimin e Mbretërisë. «Tufa e vogël» e të krishterëve të mirosur ka një shpresë të gëzuar për jetë qiellore. «Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht,—shkroi apostulli Pjetër,—i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish, për një trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju.» (Luka 12:32; 1. Pjetrit 1:3, 4) Sot, pjesa më e madhe e Dëshmitarëve të Jehovait mezi presin jetën e përhershme në Parajsë, brenda zotërimeve të Mbretërisë. (Luka 23:43; Gjoni 17:3) Asnjë njeri tjetër mbi tokë nuk ka asgjë të ngjashme me perspektivën tonë të gëzueshme. Sa shumë duhet ta çmojmë këtë perspektivë!
Një vëllazëri e bekuar
13. Si duhet ta shohim vëllazërinë tonë ndërkombëtare?
13 Një tjetër burim i madh gëzimi është edhe pjesëmarrja jonë në të vetmen vëllazëri ndërkombëtare të miratuar nga Perëndia. Lumturisht, ne kemi shokë njerëzit më të dëshirueshëm mbi tokë. Vetë Perëndia Jehova tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë nga ditët tona dhe tha: «Do t’i trondis të gjitha kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve duhet të vijnë; dhe unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi.» (Hageu 2:7, BR) Është e vërtetë se të gjithë të krishterët e vërtetë janë të papërsosur. Megjithatë, Jehovai i ka tërhequr individë të tillë nga vetja nëpërmjet Jezu Krishtit. (Gjoni 14:6) Pasi Jehovai ka tërhequr nga vetja njerëz që i konsideron të dëshirueshëm, gëzimi ynë duhet të jetë i bollshëm nëse u tregojmë atyre dashuri vëllazërore, nëse i vlerësojmë shumë ata, nëse bashkëpunojmë me ta në aktivitetet e krishtere, nëse i mbështesim ata në sprovat e tyre dhe nëse lutemi për ta.
14. Çfarë inkurajimi mund të nxjerrim nga 1. Pjetrit 5:5-11?
14 Të gjitha këto do t’i kontribuojnë gëzimit tonë. Në fakt, gëzimi i Jehovait është fortesa e vëllazërisë sonë frymore në të gjithë tokën. Po, të gjithë ne vuajmë persekutime dhe vështirësi të tjera. Por këto duhet të na bashkojnë dhe të na japin një ndjenjë uniteti si pjesë e organizatës së vetme të vërtetë të Perëndisë mbi tokë. Siç tha Pjetri, duhet ta përulim veten nën dorën e fuqishme të Perëndisë, duke hedhur mbi të gjithë ankthin tonë, duke ditur se ai kujdeset për ne. Duhet të rrimë zgjuar, sepse Djalli përpiqet të na përpijë, por në këtë aspekt nuk jemi të vetëm, pasi Pjetri shtoi: «Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë.» Dhe kjo vëllazëri e gëzueshme ndërkombëtare nuk do të shkatërrohet kurrë, sepse kemi sigurinë se ‘mbasi të kemi vuajtur për pak kohë, [Perëndia] do të na bëjë të përsosur ai vetë, do të na bëjë të patundur, do të na forcojë’. (1. Pjetrit 5:5-11) Mendo pak për këtë: vëllazëria jonë e gëzuar do të qëndrojë përgjithmonë!
Një jetë me qëllim
15. Përse mund të themi se Dëshmitarët e Jehovait kanë një jetë me qëllim?
15 Ne kemi gëzim në këtë botë të turbullt, sepse kemi një qëllim në jetë. Na është besuar një shërbim që na bën ne dhe të tjerët të lumtur. (Romakëve 10:10) Sigurisht që është një privilegj i gëzuar të jemi bashkëpunëtorë me Perëndinë. Në lidhje me këtë, Pavli tha: «Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtorë me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit? Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten. Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit. Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij. Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.»—1. Korintasve 3:5-9.
16, 17. Cilët shembuj mund të citohen për të provuar se populli i Jehovait ka një jetë të gëzuar e me qëllim?
16 Shumë shembuj mund të citohen, për të treguar se duke i shërbyer besnikërisht Jehovait jeta jonë do të ketë një qëllim e do të jetë plot gëzim. Një pohim tipik është edhe ky: «Pashë përreth Sallës së Mbretërisë të mbushur me njerëz [ditën në të cilën ajo u dedikua] dhe munda të shoh tetë anëtarë të familjes sime të pranishëm, duke përfshirë mua dhe gruan time, si dhe tre nga fëmijët tanë me bashkëshortet e tyre. . . . Gruaja ime dhe unë kemi pasur me të vërtetë një jetë të lumtur e me qëllim në shërbim të Perëndisë.»
17 Gjithashtu, të ngrohet zemra tek shikon se në çdo lloj moshe, një person mund të nisë një jetë të gëzuar e me qëllim të vërtetë në shërbim të Jehovait. Për shembull, një grua që e mësoi të vërtetën e Biblës në një azil, u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait në moshën 102 vjeçare. Në këtë mënyrë, ajo e mbylli jetën e saj me një qëllim të gëzuar, ‘duke iu frikësuar Perëndisë dhe duke respektuar urdhërimet e tij’.—Eklisiastiu 12:13.
Një fortesë e patundur
18. Çfarë mund të bëjmë për të kapërcyer shkurajimin dhe për të rritur gëzimin tonë?
18 Gëzimi i Jehovait është një fortesë e patundur për besnikët. Gjithsesi, edhe pse kemi këtë gëzim nuk do të thotë se nuk do të kemi kurrë orë të zeza, si ato që e shtynë Jezuin të thoshte në Getsemani: «Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje.» (Marku 14:32-34) Ta zëmë se jemi të shkurajuar pasi jemi dhënë pas qëllimeve egoiste. Atëherë, le të ndryshojmë mënyrën tonë të jetesës. Nëse gëzimi ynë është zvogëluar ngaqë në mënyrë altruiste kemi marrë mbi vete një peshë të rëndë me përgjegjësi biblike, ndoshta mund të bëjmë disa rregullime që do të na lirojnë nga stresi dhe do të na rikthejnë frymën tonë të gëzuar. Për më tepër, Jehovai do të na bekojë me gëzim nëse përpiqemi t’i pëlqejmë atij, duke i rezistuar me forcë trupit mëkatar, botës së ligë dhe Djallit.—Galatasve 5:24; 6:14; Jakovit 4:7.
19. Si duhet t’i shohim privilegjet që kemi në organizatën e Perëndisë?
19 Për këto arsye që kemi folur, e për shumë të tjera, ne kemi gëzim të madh. Çfarëdo që të jemi, lajmëtarë në kongregacion ose në ndonjë formë të shërbimit të plotë kohor, të gjithë mund të kemi shumë për të bërë në veprën e Zotërisë dhe me siguri kjo do t’i kontribuojë gëzimit tonë. (1. Korintasve 15:58) Çfarëdo privilegjesh të kemi në organizatën e Jehovait, le të jemi mirënjohës për to dhe të vazhdojmë me gëzim, duke i kryer shërbim të shenjtë Perëndisë tonë të dashur e të lumtur.—1. Timoteut 1:11.
20. Cili është privilegji ynë më i madh dhe për çfarë mund të jemi të sigurt?
20 Veçanërisht kemi arsye gëzimi për privilegjin që kemi duke mbajtur emrin e madh të Jehovait si Dëshmitarë të tij. Po, ne jemi të papërsosur dhe ballafaqohemi me shumë sprova, por le të mbajmë në mendje bekimet tona të mrekullueshme si Dëshmitarë të Jehovait. Dhe të mos harrojmë, Ati ynë i dashur qiellor nuk do të na lërë kurrë të dështojmë. Mund të jemi të sigurt se gjithmonë do të jemi të bekuar nëse gëzimi i Jehovait është fortesa jonë.
Si do të përgjigjeshe?
◻ Çfarë është «gëzimi i Jehovait»?
◻ Si e fitojnë të krishterët gëzimin e vërtetë?
◻ Cilat janë disa arsye për të cilat Dëshmitarët e Jehovait janë të gëzuar?
◻ Përse gëzimi i Jehovait është një fortesë e patundur?