Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses
«Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.»—ISAIA 54:17.
1, 2. Si e tregon përvoja e Dëshmitarëve të Jehovait në Shqipëri vërtetësinë e Isaisë 54:17?
DEKADA më parë, në një vend të vogël malor në juglindje të Evropës, ishte një grup i guximshëm të krishterësh. Qeveria komuniste ateiste bëri çmos që t’i shtypte. Megjithatë, torturat, kampet e punës dhe sulmet e medias nuk i zhdukën dot. Kush ishin ata? Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri. Ndonëse e kishin tej mase të vështirë të mblidheshin bashkë e të predikonin, këmbëngulja e tyre për dekada të tëra lartësoi dhe nderoi krishterimin e vërtetë dhe i solli lavdi emrit të Jehovait. Në vitin 2006, në kushtimin e ndërtesave të reja të degës, një Dëshmitar besnik prej shumë kohësh tha: «S’ka rëndësi sa përpiqet Satanai, ai do të humbasë, kurse Jehovai do të fitojë!»
2 Të gjitha këto dëshmojnë qartë sa i vërtetë është premtimi që Perëndia u bën shërbëtorëve të tij, shkruar tek Isaia 54:17: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që ngrihet kundër teje për të të gjykuar, ti do ta dënosh.» Historia e ka vërtetuar se çfarëdolloj gjëje që mund të bëjë bota e Satanait, s’mund t’i pengojë shërbëtorët e kushtuar ta adhurojnë Perëndinë Jehova.
Përpjekjet e Satanait s’kanë sukses
3, 4. (a) Cilat janë armët që përdor Satanai? (b) Si kanë dalë të pasuksesshme ato?
3 Armët që janë përdorur kundër adhuruesve të vërtetë përfshijnë ndalimet, dhunën e turmave, burgimet dhe ‘kurdisjen e telasheve me anë të dekretit’. (Psalmi 94:20) Faktikisht, në disa vende, edhe në këtë çast që Dëshmitarët e Jehovait po studiojnë këtë artikull, të krishterët e vërtetë po ‘sprovohen’ lidhur me integritetin ndaj Perëndisë.—Zbulesa 2:10.
4 Për shembull, një zyrë dege e Dëshmitarëve të Jehovait raportoi se vetëm brenda një viti, kishin ndodhur 32 incidente me shërbëtorët e Perëndisë që ishin sulmuar fizikisht në shërbim. Përveç kësaj, policia kishte ndaluar 59 Dëshmitarë—të rinj e të moshuar, burra dhe gra—të cilët po predikonin publikisht. Disave u morën shenjat e gishtave, i fotografuan dhe u vunë prangat si të ishin kriminelë. Të tjerë i kërcënuan se do t’i rrihnin. Në një vend tjetër, tashmë ka mbi 1.100 çështje të dokumentuara të Dëshmitarëve të Jehovait që janë arrestuar, gjobitur ose rrahur. Më shumë se 200 nga këto raste, kanë ndodhur natën e përkujtimit të vdekjes së Krishtit. Megjithatë, fryma e Jehovait ka bërë të mundur që populli i tij të mbijetojë pavarësisht nga kundërshtimet e ashpra, si në këto vende, ashtu edhe gjetkë. (Zakaria 4:6) Intensiteti i furisë armike nuk do t’ua mbyllë gojën atyre që lëvdojnë Jehovain. Po, kemi sigurinë se asnjë armë s’e mposht dot qëllimin e Perëndisë.
Gjuhët gënjeshtare do të dënohen
5. Cilat gjuhë gënjeshtare u përhapën kundër shërbëtorëve të Jehovait në shekullin e parë?
5 Isaia profetizoi se populli i Perëndisë do të dënonte çdo gjuhë që do të ngrihej kundër tyre. Në shekullin e parë, të krishterët shpesh keqparaqiteshin dhe akuzoheshin si keqbërës. Fjalët që gjenden te Veprat 16:20, 21 janë tipike për akuza të tilla: «Këta njerëz . . . po na e turbullojnë shumë qytetin dhe mësojnë zakone që ne nuk mund t’i pranojmë e t’i ndjekim, sepse nuk janë të ligjshme për ne si romakë.» Në një rast tjetër, kundërshtarë fetarë u orvatën të provokonin krerët e qytetit që të vepronin kundër ithtarëve të Krishtit, duke thënë: «Këta njerëz që kanë kthyer përmbys tokën e banuar, kanë ardhur edhe këtu, [dhe këta] veprojnë kundër dekreteve të Cezarit.» (Veprat 17:6, 7) Apostullin Pavël e etiketuan si «një murtajë» dhe si udhëheqësin e një sekti që po nxiste kryengritje «anembanë tokës së banuar».—Veprat 24:2-5.
6, 7. Cila është një mënyrë që të krishterët e vërtetë dënojnë sulmet gojore?
6 Nuk habitemi që edhe sot të krishterët përballen me keqparaqitje flagrante, shpifje keqdashëse. Pse themi që i dënojmë sulme të tilla gojore?—Isaia 54:17.
7 Këto akuza dhe propaganda shpesh hidhen poshtë nga sjellja e shkëlqyer e Dëshmitarëve të Jehovait. (1 Pjetrit 2:12) Kur të krishterët tregojnë se janë qytetarë që i binden ligjit, që janë të moralshëm e që shqetësohen sinqerisht për mirëqenien e të tjerëve, akuzat e ngritura kundër tyre dalin të rreme. Sjellja jonë e mirë flet vetë. Ata që e vëzhgojnë këmbënguljen tonë për të bërë vepra të shkëlqyera, shpesh nxiten të lëvdojnë Atin tonë qiellor dhe të pranojnë se mënyra e jetesës e shërbëtorëve të tij është shumë më e lartë se e të tjerëve.—Isaia 60:14; Mateu 5:14-16.
8. (a) Çfarë mund të nevojitet herë pas here që të mbrojmë pozicionin tonë sipas Shkrimeve? (b) Si i dënojmë gjuhët kundërshtare, duke imituar Jezuin?
8 Përveç sjelljes sonë të perëndishme, ndonjëherë është e nevojshme ta mbrojmë me guxim qëndrimin tonë sipas Shkrimeve. Një mënyrë është duke u bërë thirrje qeverive dhe gjykatave për mbrojtje. (Estera 8:3; Veprat 22:25-29; 25:10-12) Kur Jezui ishte në tokë, kishte raste kur i dënoi haptazi ata që e kritikonin, duke hedhur poshtë akuzat e tyre të rreme. (Mateu 12:34-37; 15:1-11) Duke imituar Jezuin, ne i mirëpresim rastet për t’u shpjeguar qartë të tjerëve bindjet tona të sinqerta. (1 Pjetrit 3:15) S’duhet të lejojmë kurrë që talljet në shkollë, në punë ose nga të afërmit jobesimtarë, të na mbyllin gojën e të mos bëjmë të njohur të vërtetën e Fjalës së Perëndisë.—2 Pjetrit 3:3, 4.
Jerusalemi—një ‘gur i rëndë’
9. Cilin Jerusalem simbolizon ‘guri i rëndë’ që përmendet te Zakaria 12:3, dhe cilët përfaqëson në tokë?
9 Profecia e Zakarisë zbulon arsyen pse kombet u kundërvihen të krishterëve të vërtetë. Vini re ç’thotë Zakaria 12:3: «Atë ditë unë do ta bëj Jerusalemin gur të rëndë për të gjithë popujt.» Për cilin Jerusalem e ka fjalën kjo profeci? Ajo flet për ‘Jerusalemin qiellor’, Mbretërinë qiellore ku janë thirrur të krishterët e mirosur. (Hebrenjve 12:22) Një mbetje e vogël e këtyre trashëgimtarëve të Mbretërisë Mesianike, janë ende në tokë. Bashkë me shokët e tyre, ‘delet e tjera’, ata i nxitin njerëzit t’i nënshtrohen Mbretërisë së Perëndisë sa ka ende kohë. (Gjoni 10:16; Zbulesa 11:15) Si i janë përgjigjur kombet kësaj ftese? Ç’mbështetje u jep Jehovai adhuruesve të vërtetë sot? Le ta zbulojmë teksa shqyrtojmë më tej domethënien e kapitullit të 12-të të Zakarisë. Kështu do të sigurohemi se ‘asnjë armë nuk do të ketë sukses’ kundër të mirosurve të Perëndisë dhe shokëve të tyre të kushtuar.
10. (a) Pse përndiqen shërbëtorët e Perëndisë? (b) Si kanë dështuar ata që orvaten të lirohen nga ky ‘gur i rëndë’?
10 Zakaria 12:3 tregon se kombet «do të gërvishten keq». Si ndodh kjo? Perëndia ka dekretuar se lajmi i mirë për Mbretërinë duhet të predikohet. Dëshmitarët e Jehovait e marrin seriozisht detyrimin për të predikuar. Megjithatë, shpallja e Mbretërisë si e vetmja shpresë për njerëzimin, është bërë një ‘gur i rëndë’ për kombet. Ato orvaten të lirohen prej tij duke u kapur me lajmëtarët e Mbretërisë. Duke futur hundët në këtë çështje, kombet ‘janë gërvishtur keq’ gjithandej. Poshtërimi për shkak të dështimit, u ka prishur reputacionin. Ata nuk ua mbyllin dot gojën adhuruesve të vërtetë, të cilët gëzojnë privilegjin të shpallin ‘lajmin e mirë të përhershëm’ për Mbretërinë Mesianike të Perëndisë, para se të vijë fundi i këtij sistemi të lig. (Zbulesa 14:6) Kur pa dhunën e ushtruar kundër shërbëtorëve të Jehovait, një gardian burgu në një vend të Afrikës tha: ‘Po lodheni kot duke i përndjekur këta njerëz. Ata s’do të bëjnë kurrë kompromis, madje sa vijnë e shtohen.’
11. Si e ka mbajtur Perëndia premtimin e shkruar te Zakaria 12:4?
11 Lexoni Zakarinë 12:4. Jehovai premton se në mënyrë të figurshme do t’i verbojë dhe ‘do t’i godasë me hutim’ ata që luftojnë kundër lajmëtarëve të guximshëm të Mbretërisë. Dhe e ka mbajtur fjalën. Për shembull, në një vend ku adhurimi i vërtetë ishte i ndaluar, kundërshtarët s’i penguan dot shërbëtorët e Perëndisë të merrnin literaturë biblike. Madje, një gazetë shkroi se Dëshmitarët e Jehovait po përdornin balonat me gaz për të futur literaturën biblike në vend! Premtimi që Perëndia u ka bërë shërbëtorëve të tij besnikë, ka dalë i vërtetë: «Do t’i mbaj sytë hapur . . . dhe të gjithë kuajt e popujve do t’i godas me verbëri.» Të verbuar nga tërbimi, armiqtë e Mbretërisë s’dinë nga t’ia mbajnë. Ndërsa ne jemi të sigurt se Jehovai do t’i ruajë shërbëtorët e tij si grup dhe se do të kujdeset për mirëqenien e tyre.—2 Mbretërve 6:15-19.
12. (a) Në cilin kuptim Jezui i vuri zjarrin tokës? (b) Si ka ndezur një zjarr të figurshëm mbetja e të mirosurve, dhe me çfarë rezultati?
12 Lexoni Zakarinë 12:5, 6. «Sheikët e Judës» përfaqësojnë ata që mbikëqyrin popullin e Perëndisë. Jehovai u jep atyre zell të zjarrtë që të kujdesen për interesat e Mbretërisë së tij këtu në tokë. Në një rast, Jezui u tha dishepujve: «Unë erdha t’i vë zjarrin tokës.» (Luka 12:49) Dhe vërtet, ai e ndezi tokën flakë! Mesazhi për Mbretërinë e Perëndisë ishte tema më e rëndësishme e predikimit të zellshëm të Jezuit. Kjo ngjalli polemika në gjithë kombin judaik. (Mateu 4:17, 25; 10:5-7, 17-20) Në mënyrë të ngjashme, ‘si një enë plot zjarr mes pemëve dhe si një pishtar i zjarrtë në një rresht me drithë të sapokorrur’, ata që ndjekin gjurmët e Krishtit në ditët tona kanë ndezur një zjarr të figurshëm. Libri Misteri i përfunduara, i botuar në vitin 1917, anglisht, demaskoi me forcë hipokrizinë e krishterimit të rremë. Kjo ngjalli reagimin e egër të klerit. Kohët e fundit, fletushka Lajmërim i Mbretërisë Nr. 37, «Fesë së rreme po i vjen fundi!», i nxiti shumë njerëz të rreshtoheshin pro ose kundër Mbretërisë së Perëndisë.
Shpëtohen «tendat e Judës»
13. Çfarë tregon shprehja «tendat e Judës», dhe pse i shpëton Jehovai ata që preken nga sulmi i armikut?
13 Lexoni Zakarinë 12:7, 8. Në Izraelin e lashtë, tendat ishin karakteristikë e vendit, që përdoreshin herë pas here nga barinjtë dhe bujqit. Këta ishin të parët që prekeshin dhe kishin nevojë për mbrojtje nëse armiku sulmonte Jerusalemin. Shprehja «tendat e Judës» tregon se mbetja e mirosur në ditët tona është në fushë të hapur, si të thuash, jo në qytete të fortifikuara. Aty ata mbrojnë pa frikë interesat e Mbretërisë Mesianike. Jehovai i ushtrive do t’i shpëtojë «të parat tendat e Judës» sepse janë në vijën e parë të sulmit të Satanait.
14. Si i mbron Jehovai ata që banojnë në «tendat e Judës», dhe si nuk lejon që të pengohen?
14 Historia dëshmon se Jehovai po i mbron ambasadorët e mirosur të Mbretërisë, që janë në ‘tenda’ jashtë në fushë.b Ai nuk lejon që ‘të pengohen’, në kuptimin që u jep forcë dhe guxim ashtu siç i dha Davidit, mbretit luftëtar.
15. Pse Jehovai ‘kërkon t’i shfarosë të gjitha kombet’, dhe kur do ta bëjë këtë?
15 Lexoni Zakarinë 12:9. Pse Jehovai ‘kërkon t’i shfarosë të gjitha kombet’? Sepse ato kundërshtojnë vazhdimisht Mbretërinë Mesianike. Ngaqë u bien më qafë dhe përndjekin shërbëtorët e Perëndisë, ata janë në pritje të ekzekutimit të dënimit. Së shpejti, përfaqësuesit tokësorë të Satanait do të ndërmarrin sulmin përfundimtar mbi adhuruesit e vërtetë të Perëndisë. Kjo do ta çojë botën në situatën e përshkruar në Bibël si Harmagedoni. (Zbulesa 16:13-16) Duke iu kundërpërgjigjur këtij sulmi, Gjykatësi Suprem do t’i mbrojë shërbëtorët e vet dhe do të shenjtërojë emrin e tij mes kombeve.—Ezekieli 38:14-18, 22, 23.
16, 17. (a) Cila është «trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait»? (b) Çfarë dëshmon qëndrueshmëria jonë ndaj sulmeve të Satanait?
16 Satanai s’ka asnjë armë që t’ua zbehë ose t’ua shuajë zellin shërbëtorëve të Perëndisë në mbarë botën. Fuqia shpëtuese e Jehovait na sjell paqe, dhe kjo është «trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait». (Isaia 54:17) Askush s’na e vjedh dot me forcë paqen dhe begatinë frymore që gëzojmë. (Psalmi 118:6) Satanai do të vazhdojë t’u fryjë flakëve të kundërshtimit dhe do të përpiqet të shkaktojë vështirësi. Qëndrueshmëria jonë me besnikëri, pavarësisht nga poshtërimi, dëshmon se fryma e Perëndisë po prehet mbi ne. (1 Pjetrit 4:14) Lajmi i mirë për Mbretërinë e Jehovait që po sundon, po shpallet në mbarë botën. Në ngjasim me shashkat zhurmuese, kundërshtarët u kanë hedhur shumë ‘gurë [simbolikë] hobeje’ shërbëtorëve të Perëndisë. Por, me forcën e Jehovait shërbëtorët e tij u bëjnë ballë këtyre gurëve duke i kthyer në hiç pasojat e tyre. (Zakaria 9:15) Mbetja e mirosur dhe shokët e tyre nuk do të ndalen.
17 Mezi presim ditën kur të çlirohemi plotësisht nga sulmet e Djallit. Sa na ngushëllon garancia se ‘asnjë armë e sajuar kundër nesh s’do të ketë sukses, dhe se çdo gjuhë që ngrihet kundër nesh për të na gjykuar, ne do ta dënojmë’!
[Shënimet]
a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Tani nuk shtypet më.
b Për më shumë hollësi, shihni librin Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqet 675, 676, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’gjë tregon se armët e Satanait s’kanë pasur sukses?
• Në ç’kuptim Jerusalemi qiellor është ‘një gur i rëndë’?
• Si i shpëton Jehovai «tendat e Judës»?
• Çfarë sigurie kemi ndërsa i afrohemi Harmagedonit?
[Figurat në faqen 21]
Shërbëtorët e Jehovait në Shqipëri qëndruan besnikë, pavarësisht nga sulmet e Satanait
[Figura në faqen 23]
Jezui demaskoi akuzat e rreme
[Figurat në faqen 24]
Asnjë armë e sajuar kundër atyre që shpallin lajmin e mirë nuk do të ketë sukses