Triumfi i adhurimit të vërtetë po afrohet
«Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun.»—ZAHARIA 14:9.
1. Çfarë përjetuan të krishterët e mirosur gjatë Luftës I Botërore dhe në ç’mënyrë ishte parathënë kjo?
GJATË Luftës I Botërore, të krishterët e mirosur hoqën shumë vështirësi dhe vuajtën burgime në duart e kombeve ndërluftuese. Sakrificat e tyre për lavdërimin e Jehovait ishin rreptësisht të kufizuara dhe ata ranë në një gjendje të robëruar frymore. E gjithë kjo ishte parathënë në Zaharinë 14:2, ku përshkruhet një sulm ndërkombëtar mbi Jerusalemin. Qyteti i kësaj profecie është «Jerusalemi qiellor», Mbretëria qiellore e Perëndisë dhe vendosja e ‘fronit të Perëndisë dhe të Qengjit’. (Hebrenjve 12:22, 28; 13:14; Zbulesa 22:3) Atë qytet e përfaqësonin të mirosurit e Perëndisë në tokë. Ata që mes tyre treguan besim, mbijetuan nga ky sulm dhe nuk pranuan të mërgonin «nga qyteti».a
2, 3. (a) Si ka triumfuar adhurimi i Jehovait që nga 1919-a? (b) Çfarë zhvillimi ka ndodhur që nga viti 1935?
2 Në 1919-n, të mirosurit plot besim u liruan nga gjendja e tyre e robëruar dhe pa e bërë të gjatë e shfrytëzuan periudhën e paqes që pasoi luftën. Si ambasadorë të Jerusalemit qiellor, ata rrokën mundësinë e madhe për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe për të ndihmuar në mbledhjen e anëtarëve të fundit të 144.000-ve. (Mateu 24:14; 2. Korintasve 5:20) Në 1931-shin, ata adoptuan emrin e përshtatshëm të bazuar në Shkrime: Dëshmitarë të Jehovait.—Isaia 43:10, 12.
3 Që nga ajo kohë, Dëshmitarët e mirosur të Perëndisë kanë vazhduar të përparojnë pa ndaluar. Madje as Hitleri me organizimin e tij politik dhe ushtarak nuk mundi t’i bënte të heshtnin. Pavarësisht nga persekutimi në të gjithë botën, vepra e tyre ka sjellë fryte në tërë tokën. Veçanërisht që nga viti 1935, me ta është bashkuar edhe «shumica e madhe» ndërkombëtare, e parathënë në librin e Zbulesës. Edhe këta janë të krishterë të dedikuar e të pagëzuar dhe «i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit», Jezu Krishtit. (Zbulesa 7:9, 14) Gjithsesi, pjesëtarët e shumicës së madhe nuk janë të mirosurit me shpresën e jetës qiellore. Shpresa e tyre është që të trashëgojnë atë që humbi Adami dhe Eva, pikërisht jetën e përsosur njerëzore në një tokë parajsore. (Psalmi 37:29; Mateu 25:34) Sot, shumica e madhe numërohet në më shumë se pesë milionë njerëz. Adhurimi i vërtetë i Jehovait po triumfon, megjithatë, triumfi përfundimtar akoma duhet të vijë.
Të huajt në tempullin frymor të Perëndisë
4, 5. (a) Ku e adhuron shumica e madhe Jehovain? (b) Çfarë privilegjesh gëzojnë ata dhe në përmbushje të cilës profeci?
4 Siç ishte parathënë, shumica e madhe ‘i shërben atij [Perëndisë] ditë e natë në tempullin e tij’. (Zbulesa 7:15) Përderisa nuk janë izraelitë priftërorë frymorë, në mënyrë të përshtatshme Gjoni i pa ata, duke qëndruar në tempull, në oborrin e jashtëm të paganëve. (1. Pjetrit 2:5) Sa i lavdishëm është bërë tempulli frymor i Jehovait, me rrethinat e tij të mbushura me këtë turmë të madhe, e cila bashkë me mbetjen e Izraelit frymor, po e lavdëron atë!
5 Shumica e madhe nuk i shërben Perëndisë në gjendjen e përfytyruar nga oborri i brendshëm priftëror. Ata nuk janë shpallur të drejtë, me qëllim që të jenë bij frymorë të adoptuar të Perëndisë. (Romakëve 8:1, 15) Megjithatë, duke ushtruar besim në shpërblerjen e Jezuit, ata kanë një qëndrim të pastër para Jehovait. Ata janë shpallur të drejtë, për të qenë miq të tij. (Krahaso Jakovit 2:21, 23.) Edhe ata kanë privilegjin për të paraqitur sakrifica të pranueshme mbi altarin frymor të Perëndisë. Prandaj, në lidhje me këtë turmë të madhe, profecia e Isaisë 56:6, 7 po përmbushet në një mënyrë të lavdishme: «Bijtë e të huajve që janë bashkuar me Zotin për t’i shërbyer, për të dashur emrin e Zotit . . . do t’i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t’i mbush me gëzim në shtëpinë time të lutjes; olokaustet e tyre dhe flijimet e tyre do të pëlqehen mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.»
6. (a) Çfarë lloj sakrificash ofrojnë të huajt? (b) Për çfarë i kujtonte ata ena me ujë në oborrin priftëror?
6 Ndër sakrificat që ofrojnë këta të huaj janë ‘fryti i buzëve [ashtu si oferta në drithë e përgatitur imët] që rrëfejnë emrin e tij [e Perëndisë]’ dhe ‘bamirësia e dhënia e ndihmës ndaj të tjerëve’. (Hebrenjve 13:15, 16) Ena e madhe e ujit, të cilën priftërinjtë duhej ta përdornin për t’u pastruar, është, gjithashtu, një kujtesë e rëndësishme për këta të huaj. Edhe ata duhet t’i nënshtrohen pastrimit frymor dhe moral, ndërsa Fjala e Perëndisë bëhet në mënyrë progresive më e qartë për ta.
E Shenjta dhe orenditë e saj
7. (a) Si i shikon shumica e madhe privilegjet e priftërisë së shenjtë? (b) Cilat privilegje të mëtejshme kanë marrë disa të huaj?
7 A ka ndonjë domethënie për këtë turmë të madhe të huajsh e Shenjta dhe orenditë e saj? Në fakt, ata s’kanë për të qenë kurrë në gjendjen e paraqitur nga e Shenjta. Ata nuk kanë lindur përsëri si bij frymorë të Perëndisë me qytetari qiellore. Mos vallë kjo gjë i bën të ndihen ziliqarë dhe lakmues? Jo. Përkundrazi, ata janë të gëzuar në privilegjin e tyre për të mbështetur mbetjen e 144.000-ve dhe tregojnë çmueshmëri të thellë për qëllimin e Perëndisë në adoptimin e këtyre bijve frymorë, të cilët do të marrin pjesë bashkë me Krishtin në çuarjen e njerëzimit drejt përsosmërisë. Përveç kësaj, shumica e madhe e të huajve çmon dashamirësinë e madhe e të pamerituar të Perëndisë, që u ka dhënë atyre shpresën tokësore për të jetuar përgjithmonë në parajsë. Disave prej këtyre të huajve, ngjashëm nethinimëve të lashtësisë, u janë dhënë privilegje mbikëqyrjeje, për të ndihmuar priftërinë e shenjtë.b (Isaia 61:5) Prej këtyre, Jezui emëron «princa për tërë tokën».—Psalmi 45:16.
8, 9. Çfarë dobie nxjerr shumica e madhe nga shqyrtimi i orendive në pjesën e Shenjtë?
8 Edhe pse ata nuk do të hyjnë kurrë në të Shenjtën antitipike, shumica e madhe e të huajve mëson gjëra të çmuara nga orenditë që ndodhen në të. Ashtu si shandani kishte nevojë që vazhdimisht t’i hidhej vaj, kështu edhe të huajt kanë nevojë për frymën e shenjtë që t’i ndihmojë të kuptojnë në mënyrë progresive të vërtetat e Fjalës së Perëndisë, që vijnë përmes «skllavit të besueshëm dhe të matur». (Mateu 24:45-47, BR) Për më tepër, fryma e Perëndisë, i ndihmon ata që t’i përgjigjen kësaj ftese: «Fryma dhe nusja [mbetja e mirosur] thonë: ‘Eja!’ Dhe ai që dëgjon le të thotë: ‘Eja!’ Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.» (Zbulesa 22:17) Për këtë arsye, shandani u kujton pjesëtarëve të shumicës së madhe detyrimin që kanë, për të ndriçuar si të krishterë dhe për të shmangur çdo qëndrim, mendim, fjalë dhe vepër, që do ta hidhëronte frymën e shenjtë të Perëndisë.—Efesianëve 4:30.
9 Tryeza e bukëve të paraqitjes e kujton shumicën e madhe se për të qëndruar e fortë frymësisht, duhet të hajë rregullisht nga ushqimi frymor i Biblës dhe nga botimet e «skllavit të besueshëm dhe të matur». (Mateu 4:4) Altari i temjanit u sjell ndër mend pjesëtarëve të saj rëndësinë e lutjes me zjarr ndaj Jehovait për ndihmë, në mënyrë që të mbajnë integritetin e tyre. (Luka 21:36) Këto lutje duhet të përfshijnë shprehje të përzemërta lavdërimi dhe falënderimi. (Psalmi 106:1) Altari i temjanit u kujton, gjithashtu, nevojën për ta lavdëruar Perëndinë në mënyra të tjera, si përmes këngëve të Mbretërisë të kënduara me gjithë zemër nëpër mbledhjet e krishtere dhe përmes përgatitjes së tyre të mirë, për të bërë «rrëfim [të efektshëm] për shpëtim».—Romakëve 10:10.
Triumfi i plotë i adhurimit të vërtetë
10. (a) Drejt cilës perspektivë të madhe mund të drejtojmë sytë? (b) Cila ngjarje duhet të ndodhë në fillim?
10 Sot, «shumë popuj» nga të gjitha kombet po vërshojnë në shtëpinë e adhurimit të Jehovait. (Isaia 2:2, 3) Duke pohuar këtë, Zbulesa 15:4 deklaron: «Kush nuk do të të druajë, o Zot dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.» Kreu 14 i Zaharisë përshkruan se çfarë vjen më pas. Në të ardhmen e afërt, qëndrimi i keq i shumicës së njerëzve në tokë, do të arrijë kulmin, ndërsa do të mblidhen për herë të fundit për të luftuar kundër Jerusalemit: përfaqësuesve të Jerusalemit qiellor në tokë. Pikërisht atëherë Jehovai do të veprojë. Si Perëndi Luftëtar, ai «do të dalë për të luftuar kundër atyre kombeve», që guxojnë të bëjnë këtë sulm.—Zaharia 14:2, 3.
11, 12. (a) Si do t’i përgjigjet Jehovai sulmit global, që po vjen mbi adhuruesit në tempullin e tij? (b) Cili do të jetë rezultati i luftës së Perëndisë?
11 «Dhe ky do të jetë kamxhiku me të cilin Jehovai do të fshikullojë të gjithë popujt që në fakt do të kryejnë shërbim ushtarak kundër Jerusalemit: njërit do t’i kalbet mishi, ndërsa qëndron në këmbë; dhe vetë sytë e tij do të kalben në vetë zgavrat e syve dhe vetë gjuha e tij do t’i kalbet në gojë. Dhe duhet të ndodhë atë ditë që rrëmuja nga Jehovai do të përhapet mes tyre; dhe ata me të vërtetë do të kapin secili dorën e shokut të tij dhe dora e tij do të ngrihet në fakt kundër dorës së shokut të tij.»—Zaharia 14:12, 13, BR.
12 Nëse ky kamxhik është i vërtetë apo figurativ, duhet të presim e ta shohim. Megjithatë, një gjë është e sigurt. Ndërsa armiqtë e Perëndisë janë hedhur në veprim për të bërë sulmin e tyre global mbi shërbëtorët e Jehovait, ata do të ndalohen nga shfaqje të jashtëzakonshme të fuqisë së gjithëpushtetshme të Perëndisë. Goja e tyre do të mbyllet. Do të jetë sikur gjuhët e tyre kundërshtare të ishin kalbur. Synimi i tyre i përbashkët do të turbullohet për pamjen e tyre, sikur sytë e tyre të ishin kalbur. Fuqitë e tyre fizike, që i trimëruan për të bërë këtë sulm, do të shterojnë. Në rrëmujë, ata do të kthehen kundër njëri-tjetrit, duke bërë kërdinë. Në këtë mënyrë, do të zhduken të gjithë armiqtë tokësorë të adhurimit të Perëndisë. Më në fund, të gjitha kombet do të detyrohen të pranojnë sovranitetin universal të Jehovait. Do të përmbushet profecia: «Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun.» (Zaharia 14:9) Pas kësaj, Satanai dhe demonët e tij do të lidhen dhe Mbretëria Mijëvjeçare e Krishtit, do të fillojë të sjellë bekimet e mëdha që janë rezervuar për njerëzimin.—Zbulesa 20:1, 2; 21:3, 4.
Ringjallja tokësore
13. Cilët janë «të mbijetuarit nga të gjitha kombet»?
13 Në vargun 16 të kreut 14 të Zaharisë, profecia vazhdon: «Do të ndodhë që secili nga të mbijetuarit nga të gjitha kombet që kanë dalë kundër Jerusalemit, do të dalë vit për vit për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive dhe për të kremtuar festën e Kasolleve.» Sipas Biblës, të gjithë njerëzit e gjallë sot, që do të vazhdojnë të jetojnë deri në fund të këtij sistemi të lig dhe që vazhdojnë të jenë armiq të adhurimit të vërtetë, do të vuajnë «ndëshkimin gjyqësor të shkatërrimit të përjetshëm». (2. Selanikasve 1:7-9; shiko, gjithashtu, Mateun 25:31-33, 46.) Ata nuk do të kenë ringjallje. Ka të ngjarë se «të mbijetuarit» përfshijnë anëtarët e kombeve, të cilët vdiqën para luftës përfundimtare të Perëndisë dhe për të cilët ekziston një shpresë për ringjallje e bazuar në Bibël. «Po vjen ora,—premtoi Jezui,—kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.»—Gjoni 5:28, 29.
14. (a) Çfarë duhet të bëjnë të ringjallurit për të fituar jetën e përhershme? (b) Çfarë do të ndodhë me të gjithë ata që nuk pranojnë t’ia dedikojnë veten Jehovait dhe të praktikojnë adhurimin e vërtetë?
14 Të gjithë këta të ringjallur duhet të bëjnë një gjë, në mënyrë që ringjallja e tyre të kthehet në një ringjallje jete dhe jo në një gjykim të pafavorshëm. Ata duhet të vijnë në oborret tokësore të tempullit të Jehovait dhe t’i përkulen Perëndisë në dedikim përmes Jezu Krishtit. Të gjithë ata të ringjallur që nuk pranojnë ta bëjnë këtë, do të durojnë të njëjtin kamxhik që godet kombet e ditëve të sotme. (Zaharia 14:18) Kush e di se sa do të jenë të ringjallurit, që do të bashkohen me gëzim me shumicën e madhe në kremtimin e Festës antitipike të Kasolleve? S’ka dyshim, do të jenë të shumtë dhe si pasojë tempulli i madh frymor i Jehovait do të bëhet edhe më i lavdishëm.
Festa antitipike e Kasolleve
15. (a) Cilat ishin disa nga veçoritë kryesore të Festës së lashtë të Kasolleve në Izrael? (b) Përse ofroheshin 70 dema gjatë festës?
15 Çdo vit, nga Izraeli i lashtë kërkohej që të kremtonte Festën e Kasolleve. Ajo zgjaste një javë dhe bëhej në përfundim të grumbullimit të korrjeve. Ishte një kohë e gëzuar për falënderime. Gjatë gjithë javës, ata duhej të jetonin në kasolle të përkohshme të mbuluara me gjethe pemësh dhe veçanërisht me degë palmash. Kjo festë u kujtonte izraelitëve se si i kishte shpëtuar Perëndia stërgjyshërit e tyre nga Egjipti dhe se si u kujdes ai për ta, ndërsa strehoheshin nëpër kasolle, kur u endën për 40 vjet nëpër shkretëtirë, derisa arritën në Tokën e Premtuar. (Levitiku 23:39-43) Gjatë festës sakrifikoheshin 70 dema mbi altarin e tempullit. Me sa duket, kjo veçori e Festës ishte një aspekt profetik i veprës së përsosur dhe të plotë jetëshpëtuese, që kreu Jezu Krishti. Dobitë e sakrificës së tij shpërblerëse do të derdhen mbi shumë njerëz, ndoshta miliarda pasardhës të 70 familjeve të njerëzimit që erdhën nga Noeja.—Zanafilla 10:1-29; Numrat 29:12-34; Mateu 20:28.
16, 17. (a) Kur filloi përmbushja e Festës së Kasolleve dhe si vazhdoi më pas? (b) Si merr pjesë në kremtim shumica e madhe?
16 Kështu, Festa e lashtë e Kasolleve tregonte mbledhjen e gëzuar të mëkatarëve të shpenguar në tempullin e madh frymor të Jehovait. Përmbushja e kësaj Feste zuri fill në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., me fillimin e mbledhjes së gëzuar të izraelitëve frymorë në kongregacionin e krishterë. (Veprat 2:41, 46, 47) Këta të mirosur e çmuan faktin që ishin «banorë të përkohshëm» në botën e Satanait, sepse ‘qytetaria e tyre [e vërtetë] ishte në qiejt’. (1. Pjetrit 2:11; Filipianëve 3:20) Festa e gëzuar u zbeh për ca kohë nga apostazia, e cila çoi në formimin e të ashtuquajturit krishterim. (2. Selanikasve 2:1-3) Sidoqoftë, Festa rifilloi sërishmi në vitin 1919 me mbledhjen e gëzuar të anëtarëve të fundit të 144.000 izraelitëve frymorë, të cilën e pasoi mbledhja e shumicës së madhe ndërkombëtare që paraqitet në Zbulesën 7:9.
17 Turma e madhe është përshkruar me degë palmash nëpër duar, gjë që tregon se edhe ata janë kremtues të gëzuar të Festës antitipike të Kasolleve. Si të krishterë të dedikuar, ata marrin pjesë me gëzim në veprën e mbledhjes të sa më shumë adhuruesve në tempullin e Jehovait. Për më tepër, si mëkatarë, ata e pranojnë se nuk kanë të drejtë të kenë banim të përhershëm në tokë. Ata bashkë me të ringjallurit e ardhshëm, duhet të vazhdojnë të ushtrojnë besim në sakrificën shpërblerëse të Krishtit, derisa të arrijnë përsosmërinë njerëzore në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.—Zbulesa 20:5.
18. (a) Çfarë do të ndodhë në përfundim të Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit? (b) Si do të triumfojë më në fund adhurimi i vërtetë i Jehovait?
18 Atëherë, adhuruesit e Perëndisë mbi tokë do të qëndrojnë para tij si njerëz të përsosur, pa pasur nevojë për një priftëri qiellore. Kjo kohë do të vijë, kur Jezu Krishti «t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë». (1. Korintasve 15:24) Satanai do të lirohet «për pak kohë», për të vënë në provë njerëzimin e përsosur. Të gjithë ata që s’kanë treguar besim, do të shkatërrohen përgjithmonë, bashkë me Satanain dhe demonët e tij. Atyre që mbeten të besueshëm do t’u dhurohet jeta e përhershme. Ata do të bëhen banorë të përhershëm të parajsës tokësore. Në këtë mënyrë, Festa antitipike e Kasolleve do të arrijë një përfundim të lavdishëm dhe të suksesshëm. Do të triumfojë adhurimi i vërtetë për lavdinë e përhershme të Jehovait dhe për lumturinë e pafund të njerëzimit.—Zbulesa 20:3, 7-10, 14, 15.
[Shënimet]
a Për një koment varg për varg të kreut 14 të Zaharisë, shiko librin Paradise Restored to Mankind—By Theocracy!, botuar në 1972-shin në anglisht nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., kapitujt 21 dhe 22.
b Për informacion të mëtejshëm mbi nethinimët e ditëve moderne, shiko Kullën e Rojës 1 gusht 1992, faqe 30.
Pyetje për rishikim
◻ Në ç’mënyrë «Jerusalemi» ishte në sulm gjatë Luftës I Botërore?—Zaharia 14:2.
◻ Çfarë ka ndodhur me popullin e Perëndisë që nga viti 1919?
◻ Kush merr pjesë sot në kremtimin e Festës antitipike të Kasolleve?
◻ Si do të triumfojë plotësisht adhurimi i vërtetë?
[Figura në faqen 23]
Gjatë kremtimit të Festës së Kasolleve u përdorën degë palmash