«Duajeni të vërtetën dhe paqen»!
«Fjala e Zotit të ushtrive m’u drejtua përsëri, duke thënë: ‘ . . . Duajeni të vërtetën dhe paqen.’»—ZAHARIA 8:18, 19.
1, 2. (a) Çfarë kujton njerëzimi në lidhje me paqen? (b) Përse kjo botë e tanishme nuk do të shohë kurrë paqe?
«BOTA s’ka pasur kurrë paqe. Diku, shpesh në shumë vende njëkohësisht, gjithmonë ka pasur luftëra.» Kështu tha profesori Milton Maier i universitetit të Masaçusetsit, SHBA. Ç’koment i trishtueshëm për njerëzimin! Vërtet, njerëzit e kanë dashur paqen. Politikanët kanë provuar çdo mënyrë për ta arritur, që nga Pax Romana e kohëve të Romës, deri në politikën e «shkatërrimit reciprok të siguruar» gjatë Luftës së Ftohtë. Megjithatë, në fund të fundit të gjitha përpjekjet e tyre kanë dështuar. Siç u shpreh Isaia shumë shekuj më parë, «lajmëtarët e paqes qajnë me hidhërim». (Isaia 33:7) Përse kështu?
2 Sepse paqja e vazhdueshme duhet të lindë nga mungesa e urrejtjes dhe e lakmisë; ajo duhet t’i ketë themelet në të vërtetën. Paqja s’mund të bazohet në gënjeshtra. Ja, përse Jehovai, duke premtuar se do të kthente gjendjen e mëparshme dhe paqen në Izraelin e lashtë, tha: «Ja, unë do të bëj që paqja t’i arrijë si një lumë dhe pasuria e kombeve si një përrua që vërshon.» (Isaia 66:12) Perëndia i këtij sistemi gjërash, Satana Djalli, është një «vrasës» dhe «gënjeshtar dhe ati i rrenës». (Gjoni 8:44; 2. Korintasve 4:4) Si mund të ketë ndonjëherë paqe një botë që ka një perëndi të tillë?
3. Ç’dhuratë të jashtëzakonshme u ka bërë Jehovai shërbëtorëve të tij, pavarësisht se jetojnë në një botë të trazuar?
3 Megjithatë, në mënyrë të jashtëzakonshme, Jehovai u jep paqe shërbëtorëve të tij, edhe pse jetojnë në botën e Satanait të trazuar nga luftërat. (Gjoni 17:16) Në shekullin e gjashtë p.e.s., ai përmbushi premtimin e tij me anë të Jeremisë, duke i dhënë «paqe dhe të vërtetë» kombit të tij të veçantë, kur e ktheu përsëri në atdheun e tij. (Jeremia 33:6) Në këto ditë të fundit, ai u ka dhënë «paqe dhe të vërtetë» shërbëtorëve të tij në «vendin» e tyre, apo gjendjen frymore në tokë, edhe pse ata po jetojnë në kohën më të keqe me shqetësime që kjo botë ka parë deri tani. (Isaia 66:8; Mateu 24:7-13; Zbulesa 6:1-8) Ndërsa vazhdojmë të flasim për kreun 8 të Zaharisë, do të fitojmë një çmueshmëri më të thellë për paqen dhe të vërtetën që na jep Perëndia dhe do të shohim se ç’duhet të bëjmë për të mbajtur pjesën tonë në të.
«Duart tuaja le të jenë të fuqishme»
4. Si e inkurajoi Zaharia Izraelin për të vepruar nëse donte të kishte paqe?
4 Për herë të gjashtë në kreun 8 të Zaharisë dëgjojmë një thirrje emocionuese nga Jehovai: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli. Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vetë, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njëri-tjetrit.’»—Zaharia 8:9, 10.
5, 6. (a) Cila ishte situata në Izrael, për shkak të shkurajimit të izraelitëve? (b) Çfarë ndryshimi i premtoi Jehovai Izraelit, nëse ky vinte adhurimin e tij në vend të parë?
5 Zaharia i tha këto fjalë, ndërsa tempulli po rindërtohej në Jerusalem. Më parë, izraelitët që ishin kthyer nga Babilonia u shkurajuan dhe e lanë punën për ndërtimin e tempullit. Pasi e kthyen vëmendjen nga rehatia e tyre personale, nuk kishin më bekimin dhe paqen e Jehovait. Edhe pse i kultivonin tokat e tyre dhe kujdeseshin për vreshtat, nuk kishin begati. (Hegeu 1:3-6) Ishte njësoj, sikur të mos «kishin pagesë».
6 Tani që tempulli ishte rindërtuar, Zaharia i inkurajoi hebrenjtë që të ishin ‘të fuqishëm’, duke vënë me guxim adhurimin e Jehovait në vend të parë. Ç’do të ndodhte po të vepronin kështu? «‘Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara,—thotë Zoti i ushtrive.—Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t’u japin vesën e tyre. Do t’i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave. Dhe do të ndodhë që ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t’ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!’» (Zaharia 8:11-13) Po të vepronte me vendosmëri, Izraeli do të lulëzonte. Më parë, kur kombet donin të citonin një shembull mallkimi, i drejtoheshin Izraelit. Tani Izraeli do të ishte një shembull bekimi. Ç’arsye e shkëlqyeshme për t’i bërë ‘duart e tyre të fuqishme’!
7. (a) Çfarë ndryshimesh emocionuese ka provuar populli i Jehovait, me pikën më të lartë në vitin e shërbimit 1995? (b) Duke parë raportin vjetor, cilat vende të duken se kanë një raport të jashtëzakonshëm në lajmëtarë, pionierë dhe mesatare orësh?
7 Po sot? Në vitet para 1919-ës, shërbëtorëve të Jehovait në njëfarë mënyre u mungonte zelli. Ata nuk mbajtën një qëndrim krejtësisht asnjanës në Luftën e Parë Botërore dhe kishin prirjen për të shkuar pas një njeriu, në vend se të ndiqnin Mbretin e tyre, Jezu Krishtin. Si rezultat, disa u shkurajuan nga kundërshtimi që hasën brenda dhe jashtë organizatës. Më pas, në vitin 1919, me ndihmën e Jehovait duart e tyre u bënë të fuqishme. (Zaharia 4:6) Jehovai u dha paqe dhe ata lulëzuan fuqishëm. Kjo është bërë e dukshme nga historia e tyre e 75 vjetëve të fundit, që arriti kulmin në vitin e shërbimit 1995. Si një popull, Dëshmitarët e Jehovait shmangin nacionalizmin, ndarjet fisnore, paragjykimet dhe burime të tjera urrejtjeje. (1. Gjonit 3:14-18) Ata i shërbejnë Jehovait me një zell të sinqertë në tempullin e tij frymor. (Hebrenjve 13:15; Zbulesa 7:15) Vetëm vitin e shkuar, ata shpenzuan mbi një miliard orë, duke folur me të tjerët për Atin e tyre qiellor! Çdo muaj, ata drejtuan 4.865.060 studime biblike. Një mesatare prej 663.521 morën pjesë në shërbimin si pionierë. Kur disa ministra kulti në të ashtuquajturim krishterim duan të japin një shembull të një populli që është me të vërtetë entuziast në adhurimin e tij, disa herë ata përmendin Dëshmitarët e Jehovait.
8. Si mund të përfitojë individualisht çdo i krishterë nga ‘fara e paqes’?
8 Për shkak të zellit të tyre, Jehovai u jep shërbëtorëve të tij «një farë paqeje». Gjithkush që do të kultivonte atë farë, do të shikonte paqen të rritej në zemrën dhe në jetën e tij. Çdo i krishterë besimtar që kërkon paqe me Jehovain dhe me bashkë të krishterët e tjerë, ka pjesë në të vërtetën dhe paqen e popullit me emrin e Jehovait. (1. Pjetrit 3:11; krahaso Jakovit 3:18.) A nuk është e mrekullueshme?
«Mos u trembni!»
9. Çfarë ndryshimi në marrëdhëniet me popullin e tij premtoi Jehovai?
9 Tani lexojmë shpalljen e shtatë të Jehovait. Cila është ajo? «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Ashtu si vendosa t’ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin,—thotë Zoti i ushtrive,—dhe nuk u pendova, kështu këto ditë kam vendosur rishtas t’i bëj mirë Jerusalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!’»—Zaharia 8:14, 15.
10. Cili qëndrim i Dëshmitarëve të Jehovait dëften se ata nuk kishin frikë?
10 Edhe pse shërbëtorët e Jehovait ishin të shpërndarë në kuptimin frymor gjatë Luftës I Botërore, në zemrat e tyre ata dëshironin të bënin atë që ishte e drejtë. Prandaj, pasi i disiplinoi ca, Jehovai e ndryshoi mënyrën e të sjellurit me ta. (Malakia 3:2-4) Sot, kur shohim prapa, ne e falënderojmë me zjarr për çfarë ka bërë. Vërtet, ‘të gjitha kombet na kanë urryer’. (Mateu 24:9) Shumë janë burgosur e disa madje kanë vdekur për besimin e tyre. Shpesh ndeshim apati ose armiqësi. Por nuk kemi frikë. Ne e dimë se Jehovai është më i fortë se çdo kundërshtim, i dukshëm apo i padukshëm. (Isaia 40:15; Efesianëve 6:10-13) Ne do të vazhdojmë të dëgjojmë fjalët: «Shpreso në Jehovain; ji i guximshëm dhe zemra jote le të jetë e fortë!»—Psalmi 27:14, BR.
«Flisni me vërtetësi»
11, 12. Ç’duhet të mbajmë individualisht në mendje, nëse duam të kemi plotësisht pjesë në bekimet që Jehovai i jep popullit të tij?
11 Për të pasur plotësisht bekimet e Jehovait, ka disa gjëra që s’duhet t’i harrojmë. Zaharia thotë: «Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe. Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej,—thotë Zoti.»—Zaharia 8:16, 17.
12 Jehovai na nxit të themi të vërtetën. (Efesianëve 4:15, 25) Ai nuk i dëgjon lutjet e atyre që hartojnë gjëra të dëmshme, që fshehin të vërtetën për përfitim personal apo që bëjnë betime të rreme. (Proverbat 28:9) Ngaqë e urren apostazinë, ai dëshiron që ne të rrokim të vërtetën e Biblës. (Psalmi 25:5; 2. Gjonit 9-11) Për më tepër, ashtu si pleqtë në portat e qyteteve në Izrael, pleqtë që trajtojnë raste gjyqësore duhet të bazojnë këshillën dhe vendimet e tyre në të vërtetën e Biblës, jo në mendimin personal. (Gjoni 17:17) Jehovai dëshiron që ata të bëjnë «gjykime me paqe», duke u përpjekur si barinj të krishterë të vendosin paqen midis palëve në mosmarrëveshje e të ndihmojnë mëkatarët e penduar që të rifitojnë paqen me Perëndinë. (Jakovit 5:14, 15; Judës 23) Në të njëjtën kohë, ata mbrojnë paqen e kongregacionit, duke përjashtuar me guxim ata që turbullojnë këtë paqe, pasi këmbëngulin vullnetarisht në gabime.—1. Korintasve 6:9, 10.
«Një periudhë gëzimi, hareje»
13. (a) Ç’ndryshim në lidhje me agjërimin profetizoi Zaharia? (b) Cilat agjërime mbaheshin në Izrael?
13 Tani, dëgjojmë shpalljen e tetë solemne: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe agjërimi i të dhjetit do të bëhen për shtëpinë e Judës një periudhë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara; prandaj duajeni të vërtetën dhe paqen.’» (Zaharia 8:19) Nën Ligjin e Moisiut, izraelitët agjëronin Ditën e Shlyerjes për të shprehur keqardhjen për mëkatet e tyre. (Levitiku 16:29-31) Katër agjërimet e përmendura nga Zaharia me sa duket mbaheshin për të vajtuar ngjarjet që lidheshin me pushtimin dhe shkatërrimin e Jerusalemit. (2. Mbretërve 25:1-4, 8, 9, 22-26) Megjithatë, tani tempulli po rindërtohej dhe Jerusalemi ishte populluar sërish. Vajtimi ishte kthyer në gëzim dhe agjërimet duhej të bëheshin periudha festash.
14, 15. (a) Në ç’mënyrë kremtimi i Përkujtimit ishte një shkak i madh për gëzim dhe ç’duhet të na kujtojë kjo? (b) Siç duket në raportin vjetor, cilat vende kanë pasur një pjesëmarrje të madhe në Përkujtim?
14 Sot, ne nuk i mbajmë agjërimet e përmendura nga Zaharia apo agjërimin që përshkruan Ligji. Pasi Jezui ofroi jetën e tij për mëkatet tona, ne po gëzojmë bekimet e një Dite më të madhe Shlyerje. Mëkatet tona mbulohen jo pjesërisht, por plotësisht. (Hebrenjve 9:6-14) Duke ndjekur urdhrin e Kryepriftit të përhershëm, Jezu Krishtit, ne mbajmë Përkujtimin e vdekjes së tij, si të vetmin kremtim solemn në kalendarin e krishterë. (Luka 22:19, 20) A nuk provojmë ‘gëzim dhe hare’ kur mblidhemi së bashku çdo vit për këtë kremtim?
15 Vitin e shkuar, 13.147.201 u mblodhën së bashku për të kremtuar Përkujtimin, 858.284 më shumë se në vitin 1994. Çfarë shumice! Përfytyro gëzimin në 78.620 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, ndërsa një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish vërshonte në Sallat e tyre të Mbretërisë për kremtimin. Sigurisht, gjithë të pranishmit ishin të nxitur ‘të donin të vërtetën dhe paqen’, ndërsa përkujtonin vdekjen e Atij që është «udha, e vërteta dhe jeta» e që tani mbretëron si «princ [i madh] i paqes» i Jehovait! (Gjoni 14:6; Isaia 9:5) Ky përkujtim pati domethënie të veçantë për ata që e kremtuan në vende të munduara nga trazirat dhe luftërat. Disa prej vëllezërve tanë kanë qenë dëshmitarë të tmerreve të papërshkruara gjatë vitit 1995. Megjithatë, ‘paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, i ruajti zemrat e tyre dhe mendjet e tyre në Krishtin Jezus’.—Filipianëve 4:7.
‘Le të zbutim fytyrën e Jehovait’
16, 17. Si mund ‘të zbusin fytyrën e Jehovait’ popujt e kombeve?
16 Por nga kanë ardhur gjithë këta miliona që morën pjesë në Përkujtim? Shpallja e nëntë e Jehovait shpjegon: «Ja, çfarë ka thënë Jehovai i ushtrive: “Do të vijnë akoma popuj dhe banorë të shumë qyteteve; dhe banorët e një qyteti do të shkojnë me siguri tek ata të një tjetri, duke thënë: ‘Le të shkojmë me gjithë shpirt për të zbutur fytyrën e Jehovait e për të kërkuar Jehovain e ushtrive. Edhe unë vetë do të shkoj.’ Dhe shumë popuj e kombe të fuqishme do të vijnë në fakt për të kërkuar Jehovain e ushtrive në Jerusalem dhe për të zbutur fytyrën e Jehovait.”»—Zaharia 8:20-22, BR.
17 Njerëzit që morën pjesë në Përkujtim kishin dëshirë ‘të kërkonin Jehovain e ushtrive’. Shumë prej tyre ishin shërbëtorë të tij të dedikuar e të pagëzuar. Miliona të tjerë të pranishëm nuk e kanë arritur ende këtë stad. Në disa vende, pjesëmarrja në Përkujtim ishte katër apo pesë herë më e madhe se numri i lajmëtarëve të Mbretërisë. Kjo shumicë me të interesuar të rinj ka nevojë për ndihmë që të vazhdojë të përparojë. Le t’i mësojmë që të gëzohen në njohurinë se Jezui vdiq për mëkatet tona e tani po sundon në Mbretërinë e Perëndisë! (1. Korintasve 5:7, 8; Zbulesa 11:15) Le t’i inkurajojmë që t’ia dedikojnë vetveten Perëndisë Jehova e t’i nënshtrohen Mbretit të emëruar prej tij! Në këtë mënyrë, ata ‘do të zbutin fytyrën e Jehovait’.—Psalmi 116:18, 19; Filipianëve 2:12, 13.
«Dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve»
18, 19. (a) Në përmbushje të Zaharisë 8:23, kush është sot «një jude»? (b) Cilët janë sot «dhjetë burrat» që «zënë një jude nga cepi i rrobës»?
18 Për herë të fundit, në kreun tetë të Zaharisë lexojmë: «Ja, çfarë ka thënë Jehovai i ushtrive.» Cila është shpallja e fundit e Jehovait? «Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: ‘Ne duam të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju.’» (Zaharia 8:23) Në ditët e Zaharisë, Izraeli natyror ishte kombi i zgjedhur i Perëndisë. Megjithatë, në shekullin e parë Izraeli hodhi Mesinë e Jehovait. Prandaj, Perëndia ynë zgjodhi një «jude», një Izrael të ri, si popull të veçantë për veten, «Izraelin e Perëndisë», të përbërë nga hebrenj frymorë. (Galatasve 6:16; Gjoni 1:11; Romakëve 2:28, 29) Numri përfundimtar i tyre do të ishte 144.000, të zgjedhur nga njerëzimi për të mbretëruar me Jezuin në Mbretërinë e tij qiellore.—Zbulesa 14:1, 4.
19 Shumica prej këtyre 144.000 tashmë kanë vdekur besnikë dhe kanë shkuar në shpërblimin e tyre qiellor. (1. Korintasve 15:51, 52; Zbulesa 6:9-11) Një pakicë ka mbetur mbi tokë dhe këta gëzojnë tek shohin që «dhjetë burrat», të cilët zgjodhën të shkonin bashkë me ‘judeun’, janë në të vërtetë «një turmë e madhe . . . prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve».—Zbulesa 7:9; Isaia 2:2, 3; 60:4-10, 22.
20, 21. Si mund të qëndrojmë në paqe me Jehovain, ndërsa fundi i kësaj bote po afrohet?
20 Ndërsa fundi i kësaj bote afrohet në mënyrë të pashmangshme, i ashtuquajturi krishterim është si Jerusalemi në ditët e Jeremisë: «Ne prisnim paqen, por nuk ka asnjë të mirë, një kohë shërimi, por ja tmerri.» (Jeremia 14:19) Ky tmerr do të arrijë kulmin kur kombet të kthehen kundër fesë së rreme e ta çojnë drejt një fundi të dhunshëm. Pak pas kësaj, edhe vetë kombet do të provojnë shkatërrimin në luftën përfundimtare të Perëndisë, në Harmagedon. (Mateu 24:29, 30; Zbulesa 16:14, 16; 17:16-18; 19:11-21) Ç’kohë me trazira do të jetë ajo!
21 Gjatë gjithë kësaj, Jehovai do t’i mbrojë të gjithë ata që duan të vërtetën dhe kultivojnë ‘farën e paqes’. (Zaharia 8:12; Sofonia 2:3) Le të qëndrojmë, pra, të sigurt në vendin e popullit të tij, duke e lavdëruar me zell publikisht e duke ndihmuar sa më shumë të jetë e mundur, që ‘të zbutin fytyrën e Jehovait’! Nëse veprojmë kështu do të gëzojmë gjithmonë paqen e Jehovait. Po, Jehovai «do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe».—Psalmi 29:11.
A mund të shpjegosh?
◻ Në ç’mënyrë shërbëtorët e Perëndisë në ditët e Zaharisë ‘bënë që duart e tyre të ishin të fuqishme’?
Po sot?
◻ Si i përgjigjemi persekutimit, armiqësisë dhe apatisë?
◻ Çfarë përfshin për ne ‘t’i flasim me vërtetësi’ njëri-tjetrit?
◻ Si mund ‘të zbusë fytyrën e Jehovait’ një person?
◻ Cili shkak i madh për gëzim shihet në përmbushje të Zaharisë 8:23?
[Figura në faqen 18]
Vitin e shkuar, Dëshmitarët e Jehovait shpenzuan 1.150.353.444 orë, duke folur me njerëzit për Mbretërinë e Perëndisë