Bekimi i Jehovait të bën të pasur
«Bekimi i Jehovait, kjo është ajo që të bën të pasur, dhe ai nuk shton me të asnjë dhimbje.»—PROVERBAT 10:22.
1-3. Edhe pse shumë vetë shqetësohen për gjërat materiale, çfarë fakti mbi pasurinë materiale duhet të pranojmë të gjithë?
DISA njerëz nuk pushojnë kurrë së foluri mbi paratë apo mbi mungesën e tyre. Mjerisht për ta, në vitet e fundit kanë pasur mjaft se ç’të diskutojnë. Në 1992, edhe vetë Perëndimi i pasur ka njohur një rënie prodhimi dhe si drejtuesit ashtu edhe punëtorët janë gjendur të papunë. Shumë pyesin veten nëse do të shohin edhe një herë një periudhë lulëzimi të qëndrueshëm.
2 A është e gabuar të kujdesemi për mirëqenien tonë materiale? Jo, deri në një farë mase kjo është e natyrshme. Në të njëjtën kohë, ekziston një e vërtetë themelore mbi pasurinë, që ne duhet ta njohim. Në fund të fundit, gjithçka materiale vjen prej Krijuesit. Ai është «Perëndia i vërtetë, Jehova, . . . Ai që shtrin tokën dhe prodhimin e saj, Ai që i jep frymë popullit mbi të, dhe frymë atyre që ecin mbi të.»—Isaia 42:5.
3 Edhe pse Jehovai nuk e ka paracaktuar se kush do të jetë i pasur dhe kush i varfër, të gjithë ne duhet të mbajmë parasysh mënyrën se si e përdorim çdo pjesë që kemi nga «toka dhe prodhimi i saj». Nëse e përdorim pasurinë tonë për të shtypur të tjerët, Jehovai do të na kërkojë llogari për këtë. Dhe çdokush që është skllav i pasurisë dhe jo i Jehovait, do ta kuptojë se «kush beson në pasuritë e veta, ai vetë do të bjerë.» (Proverbat 11:28; Mateu 6:24; 1. Timoteut 6:9) Mirëqenia materiale, nëse nuk shoqërohet nga një zemër që i nënshtrohet Jehovait, është tekembramja një gjë pa vlerë.—Eklisiastiu 2:3-11, 18, 19; Luka 16:9.
Lulëzimi më i rëndësishëm
4. Përse lulëzimi frymor është më i rëndësishëm se bollëku material?
4 Përveç lulëzimit material, Bibla flet edhe për lulëzimin frymor. Duket qartë, se ky është më i rëndësishmi. (Mateu 6:19-21) Lulëzimi frymor kërkon një marrëdhënie të kënaqshme me Jehovain, që mund të zgjasë në pafundësi. (Eklisiastiu 7:12) Gjithashtu, shërbëtorët e Perëndisë që janë të pasur frymësisht, nuk do të mbeten pa bekimet e nevojshme materiale. Besnikët do të gëzojnë një siguri materiale që nuk arrihet nëpërmjet një gare të pamëshirshme apo shëndetit ose lumturisë, siç ndodh shpesh sot. (Psalmi 72:16; Proverbat 10:28; Isaia 25:6-8) Do të shohin se në çdo kuptim «bekimi i Jehovait . . . të bën të pasur, dhe ai nuk shton me të asnjë dhimbje.»—Proverbat 10:22.
5. Çfarë premtoi Jezui mbi gjërat materiale?
5 Edhe sot, ata që i vlerësojnë gjërat frymore janë relativisht të qetë, për sa i përket gjërave materiale. Është e vërtetë se punojnë për të paguar llogaritë e tyre dhe për të ushqyer familjet. Mbase, gjatë rënies së prodhimit, disa mund të humbin edhe punën. Por ata nuk gëlltiten prej këtyre shqetësimeve. Besojnë tek premtimi i Jezuit, që tha: «Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pijmë?’ Me çka do të vishemi?’ . . . sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. Kërkoni, pra, më së pari Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë!»—Mateu 6:31-33.
Pasuritë frymore sot
6, 7. (a) Përshkruaj disa aspekte të lulëzimit frymor të popullit të Perëndisë. (b) Cila profeci po përmbushet sot dhe çfarë pyetjesh lindin prej saj?
6 Për këtë arsye, shërbëtorët e Jehovait kanë zgjedhur që të vendosin Mbretërinë në vend të parë të jetës së tyre dhe sa bekime që kanë! Gëzojnë sukses të madh në veprën e tyre për të bërë dishepuj. (Isaia 60:22) Mësohen prej Jehovait dhe kanë me bollëk dhe vazhdimisht gjëra të mira frymore, nëpërmjet «skllavit besnik dhe të matur». (Mateu 24:45-47, NW; Isaia 54:13) Veç kësaj, fryma e Jehovait është mbi ta, duke i brumosur me një vëllazëri të këndshme ndërkombëtare.—Psalmi 133:1; Marku 10:29, 30.
7 Ky është një lulëzim frymor i vërtetë, diçka që nuk mund të blihet me para. Është një përmbushje e jashtëzakonshme e premtimit të Jehovait: «‘Sillni gjithë të dhjetat nëpër depo, që të ketë ushqim në shtëpinë time; dhe, ju lutem, më vini në provë mbi këtë,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—nëse nuk do t’ju hap kataraktet e qiellit e me të vërtetë do të derdh mbi ju një bekim të tillë, aq sa të mos kini më nevojë.’» (Malakia 3:10) Sot, kemi parë të përmbushet ky premtim. Po përse Jehovai, Burimi i gjithë pasurive, dëshiron që shërbëtorët e tij të sjellin të dhjetën? Kush përfiton prej të dhjetës? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, le të shqyrtojmë se përse i ka thënë Jehovai këto fjalë, me anë të Malakias në shekullin e V p.e.s.
Të dhjetat dhe flijimet
8. Nga se varej lulëzimi frymor i Izraelit, sipas besëlidhjes së Ligjit?
8 Në kohën e Malakias, populli i Jehovait nuk lulëzonte. Përse? Pjesërisht, për shkak të të dhjetave dhe flijimeve. Në atë kohë, Izraeli ishte nën besëlidhjen e Ligjit të Moisiut. Kur Jehovai e kishte bërë këtë besëlidhje, kishte premtuar se, nëse Izraeli do të bënte pjesën e vet, ai do ta bekonte atë frymësisht dhe materialisht. Në fakt, lulëzimi i Izraelit varej nga besnikëria e tij.—Ligji i përtërirë 28:1-19.
9. Përse në kohën e Izraelit të lashtë, Jehovai kërkonte që izraelitët të paguanin të dhjetat dhe të sillnin flijime?
9 Një pjesë e detyrimeve të Izraelit konsistonte në sjelljen e flijimeve në tempull dhe pagimin e të dhjetave. Disa flijime digjeshin plotësisht mbi altarin e Jehovait, të tjera ndaheshin mes priftërinjve dhe atyre që ofronin flijimin dhe disa pjesë të veçanta i ofroheshin Jehovait. (Levitiku 1:3-9; 7:1-15) Në lidhje me të dhjetat, Moisiu u tha izraelitëve: «Çdo e dhjeta pjesë e tokës, nga fryti i tokës e nga frutat e pemëve, i përket Jehovait. Është diçka e shenjtë e Jehovait.» (Levitiku 27:30) E dhjeta u jepej levitëve që punonin në tendën e adhurimit dhe më vonë në tempull. Nga ana e tyre, ata levitë që nuk ishin priftërinj, u jepnin një të dhjetën pjesë të asaj që kishin marrë priftërinjve që rridhnin prej Aaronit. (Numrat 18:21-29) Përse kërkonte Jehovai që izraelitët të paguanin të dhjetat? Së pari, që të mund të tregonin në mënyrë konkrete mirënjohjen e tyre për mirësinë e Jehovait. Së dyti, që të mund të kontribuonin në mbështetje të levitëve, të cilët do të kishin kështu mundësi të përqëndroheshin mbi detyrat e tyre, përfshi edhe atë të mësimit të Ligjit. (2. Kronikat 17:7-9) Në këtë mënyrë mbështetej edhe adhurimi i pastër, në dobi të të gjithëve.
10. Çfarë ndodhte kur Izraeli nuk i sillte të dhjetat dhe flijimet?
10 Edhe pse më vonë përdoreshin prej levitëve, në të vërtetë të dhjetat dhe flijimet ishin dhurata për Jehovain, prandaj duhej të ishin me cilësi të mirë, të denja për të. (Levitiku 22:21-25) Çfarë ndodhte kur izraelitët nuk i sillnin të dhjetat apo bënin flijime të dorës së dytë? Ligji nuk parashikonte asnjë ndëshkim, por kishte pasoja. Jehovai nuk jepte bekimin e tij dhe levitët, të privuar nga mbështetja materiale, i linin detyrat e tyre në tempull për të siguruar mbështetje për vete. Kështu, mbarë Izraeli vuante.
«Vini zemrën në rrugët tuaja»
11, 12. (a) Çfarë ndodhi kur Izraeli e la pas dore zbatimin e Ligjit? (b) Çfarë detyre i ngarkoi Jehovai Izraelit, pasi e ktheu nga Babilonia?
11 Në vazhdën e historisë së Izraelit, disa veta qenë shembuj në përpjekjet për të mbajtur Ligjin, duke përfshirë pagimin e të dhjetave. (2. Kronikat 31:2-16) Por në përgjithësi, kombi qe moskokëçarës. Gjithnjë e përsëri e thyenin besëlidhjen me Jehovain, derisa më në fund ai la që të pushtoheshin dhe në 607 p.e.s. të shpërnguleshin në Babiloni.—2. Kronikat 36:15-21.
12 Ishte një disiplinë e vështirë, por mbas 70 vjetësh, Jehovai e ktheu përsëri në atdhe popullin e tij. Shumë profeci të Isaisë, në lidhje me Parajsën, do të kishin përmbushjen e tyre të parë mbas atij kthimi. (Isaia 35:1, 2; 52:1-9; 65:17-19) Por arsyeja kryesore për të cilën Jehovai e ktheu prej mërgimit popullin e tij, nuk ishte realizimi i parajsës tokësore, por rindërtimi i tempullit dhe rivendosja e adhurimit të pastër. (Ezdra 1:2, 3) Nëse Izraeli do t’i bindej Jehovait, do të pasonin dobi materiale dhe bekimi i Jehovait do t’i pasuronte izraelitët si frymësisht edhe materialisht. Si rrjedhojë, sapo mbërritën në atdhe në 537 p.e.s., hebrenjtë ndërtuan një altar në Jeruzalem dhe filluan punën për ndërtimin e tempullit. Por u ndeshën me një kundërshtim të fortë dhe u ndalën. (Ezdra 4:1-4, 23) Si rezultat, Izraeli nuk gëzoi bekimin e Jehovait.
13, 14. (a) Me çfarë pasojash qe për Izraelin mosndërtimi i tempullit? (b) Si u ndërtua më në fund tempulli, por për çfarë gabimesh të tjera të Izraelit kemi të dhëna?
13 Në vitin 520 p.e.s., Jehovai nxori profetët Hageu dhe Zaharia, për të nxitur Izraelin që të rifillonte punën e ndërtimit të tempullit. Hageu tregoi se kombi po vuante prej vështirësive materiale dhe këtë e lidhi me mungesën e zellit për shtëpinë e Jehovait. Ai tha: «Këtë ka thënë Jehovai i ushtrive: ‘Vini zemrën në rrugët tuaja. Keni mbjellë mjaft farë, por merrni pak. Po hani, por jo sa të ngopeni. Po pini, por jo aq sa të deheni. Po visheni me rroba, por askush nuk ngrohet; dhe kush punon për një pagë, punon për një qese të shpuar.’ Këtë ka thënë Jehovai i ushtrive: ‘Vini zemrën në rrugët tuaja. Ngjituni në mal dhe duhet të sillni dru. Dhe ndërtoni shtëpinë, që të kënaqem në të dhe të lavdërohem.’»—Hageu 1:5-8.
14 Të inkurajuar prej Hageut dhe Zaharisë, izraelitët vunë zemrën në rrugët e tyre dhe tempulli u ndërtua. Por, gati 60 vjet më vonë, Nehemia vizitoi Jeruzalemin dhe pa se Izraeli e kishte lënë sërish pas dore Ligjin e Jehovait. Dhe ai e korrigjoi këtë. Por gjatë një vizite të dytë, ai pa se gjërat ishin keqësuar prapë. Ai raporton: «Zbulova se edhe pjesët që u takonin levitëve nuk u ishin dhënë, aq sa levitët dhe këngëtarët që punonin ishin larguar, secili në fushën e vet personale.» (Nehemia 13:10) Ky problem u zgjidh dhe «mbarë Juda, nga ana e saj, e solli të dhjetën e grurit dhe të verës së re dhe të vajit nëpër depo.»—Nehemia 13:12.
Duke plaçkitur Jehovain
15, 16. Për çfarë dobësish të tjera e qortoi Jehovai Izraelin?
15 Malakia që profetizoi pak a shumë në të njëjtën periudhë, na ofron hollësi të tjera mbi jobesnikërinë e izraelitëve. Ai sjell fjalët që Jehovai ia drejton Izraelit: «‘Pra, nëse unë jam ati, ku është nderi që më takon? Dhe nëse jam një zotëri i madh, ku është frika ndaj meje?’,—ju ka thënë Jehovai i ushtrive, o priftërinj që përbuzni emrin tim.» Por çfarë nuk shkonte? Jehovai shpjegon: «Kur sillni një kafshë të verbër për flijim [ju thoni]: ‘S’ka asgjë të keqe.’ Dhe kur sillni një kafshë të çalë apo të sëmurë [ju thoni]: ‘S’ka asgjë të keqe.’»—Malakia 1:6-8.
16 Në këtë mënyrë të gjallë, pra, Malakia tregon se ndonëse izraelitët sillnin flijime, cilësia e dobët e tyre nxirrte në pah një mungesë të madhe respekti. Malakia shkroi gjithashtu: «‘Qysh prej ditëve të të parëve tuaj keni devijuar nga rregullat e mia dhe nuk i keni mbajtur ato. Kthehuni tek unë dhe unë me siguri do të kthehem tek ju’, ka thënë Jehovai i ushtrive.’» Izraelitët pyesnin veten se ç’duhet të bënin saktësisht, prandaj kërkuan: «Në ç’mënyrë do të kthehemi?» Jehovai u përgjigj: «A do ta plaçkitë njeriu tokësor Perëndinë? Por ju po më plaçkitni.» Si mund ta plaçkiste Izraeli Jehovain, Burimin e çdo pasurie? Jehovai përgjigjet: «Në të dhjetat dhe në kontributet.» (Malakia 3:7, 8) Po, duke mos sjellë të dhjetat dhe kontributet Izraeli e plaçkiste Jehovain!
17. Për çfarë qëllimi shërbenin të dhjetat dhe flijimet në Izrael dhe çfarë premtoi Jehovai për të dhjetat?
17 Ky sfond historik, tregon rëndësinë që kishin të dhjetat dhe flijimet në Izrael. Ishin një shfaqje e çmueshmërisë nga ana e dhuruesit. Kontribuonin, gjithashtu, në mbështetje të adhurimit të pastër në kuptimin meterial. Prandaj edhe Jehovai e inkurajoi Izraelin: «Sillni gjithë të dhjetat nëpër depo.» Duke treguar se ç’do të pasonte nga kjo, Jehovai premtoi: «Do të derdh mbi ju një bekim të tillë, aq sa të mos kini më nevojë.» (Malakia 3:10) Bekimi i Jehovait do t’i bënte të pasur.
Të gjykuar nga «Zotëria i vërtetë»
18. (a) Për cilën ardhje lajmëroi Jehovai? (b) Kur ndodhi kjo ardhje në tempull, kush u përfshi në të dhe me çfarë rezultati për Izraelin?
18 Nëpërmjet Malakisë, Jehovai i lajmëroi, gjithashtu, se do të vinte për të gjykuar popullin e tij. «Ja! Unë do të dërgoj lajmëtarin tim dhe ai duhet të pastrojë rrugën përpara meje. Dhe papritmas do të vijë në tempullin e Tij, Zotëria i vërtetë që ju kërkoni dhe lajmëtari i besëlidhjes për të cilën ju gëzoheni. Ja! Ai do të vijë me siguri.» (Malakia 3:1) Kur ndodhi ardhja e parathënë në tempull? Tek Mateu 11:10, Jezui citoi profecinë e Malakisë mbi një lajmëtar që do të përgatiste rrugën dhe e zbatoi për Gjon Pagëzuesin. (Malakia 4:5; Mateu 11:14) Kështu, në vitin 29 e.s., kishte ardhur koha e gjykimit! Kush ishte lajmëtari i dytë, lajmëtari i besëlidhjes që do të shoqëronte Jehovain, «Zotëria i vërtetë» në tempull? Vetë Jezui, në dy raste hyri në tempull në Izrael dhe e pastroi në mënyrë dramatike, duke nxjerrë jashtë shkëmbyesit e pandershëm të parave. (Marku 11:15-17; Gjoni 2:14-17) Në lidhje me atë kohë gjykimi në shekullin e parë, Jehovai pyeti në mënyrë profetike: «Kush do ta durojë ditën e ardhjes së tij dhe kush do të qëndrojë në këmbë kur ai të shfaqet?» (Malakia 3:2) Dhe në fakt, Izraeli nuk qëndroi në këmbë. U shqyrtua, u gjend me mungesa dhe në vitin 33 e.s. u hodh tej si komb i zgjedhur i Jehovait.—Mateu 23:37-39.
19. Si u kthye tek Jehovai një mbetje në shekullin e parë dhe çfarë bekimesh morën ata?
19 Sidoqoftë, Malakia shkroi gjithashtu: «[Jehovai] duhet të ulet si një rafinues dhe pastrues argjendi dhe duhet të pastrojë bijtë e Levit; dhe duhet t’i kullojë si ari dhe argjendi dhe ata me siguri do të bëhen për Jehovain një popull që do të ofrojë flijime dhuratash në drejtësi.» (Malakia 3:3) Në harmoni me këtë, edhe pse shumica e atyre që pohonin se i shërbenin Jehovait në shekullin e parë u hodhën tej, disa u pastruan dhe iu afruan Jehovait, duke ofruar flijime të pranueshme. Cilët ishin? Ata që pranuan Jezuin, lajmëtarin e besëlidhjes. Në Rrëshajat e vitit 33 të e.s., 120 prej tyre ishin mbledhur në një dhomë të sipërme në Jeruzalem. Të forcuar me frymën e shenjtë, filluan të ofronin një flijim dhurate në drejtësi dhe shpejt numri i tyre u rrit. Pas pak u shpërndanë në mbarë Perandorinë romake. (Veprat 2:41; 4:4; 5:14) Pra, një mbetje u kthye tek Jehovai.—Malakia 3:7.
20. Çfarë ndodhi me Izraelin e ri të Perëndisë, kur Jeruzalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan?
20 Kjo mbetje e Izraelit, që me kohë përfshiu në trungun e Izraelit edhe paganët e shartuar, nëse mund të themi kështu, ishte një «Izrael i Perëndisë» i ri, një komb i formuar nga të krishterë të mirosur me frymë. (Galatasve 6:16; Romakëve 11:17) Në vitin 70 e.s., mbi Izraelin e vërtetë pllakosi një «ditë . . . që digjte si furrë» dhe Jeruzalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan prej ushtrive romake. (Malakia 4:1; Luka 19:41-44) Çfarë ndodhi me Izraelin frymor të Perëndisë? Jehovai tregoi «dhembshuri për të, ashtu si një njeri tregon dhembshuri për birin e tij që i shërben.» (Malakia 3:17) Kongregacioni i mirosur i krishterë e dëgjoi paralajmërimin profetik të Jezuit. (Mateu 24:15, 16) Mbijetoi dhe bekimi i Jehovait vazhdoi t’i pasuronte frymësisht.
21. Cilat pyetje mbeten në lidhje me Malakian 3:1 dhe 10?
21 Çfarë mbrojtje prej Jehovait! Por si përmbushet sot Malakia 3:1? Dhe si duhet ta presin të krishterët inkurajimin e Malakias 3:10, për të sjellë të gjithë të dhjetat nëpër depo? Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.
Pyetjet për përsëritje
◻ Kush është në fund të fundit Burimi i çdo pasurie?
◻ Përse lulëzimi frymor është më i rëndësishëm se pasuria materiale?
◻ Çfarë qëllimi kishin të dhjetat dhe flijimet në Izrael?
◻ Kur erdhi në tempull Jehovai, «Zotëria i vërtetë», dhe me çfarë rezultati?
◻ Kush u kthye tek Jehovai pas ardhjes së Tij në tempull në shekullin e parë e.s.?
[Figura në faqen 24]
Lajmëtari i besëlidhjes, Jezui, si përfaqësues i Jehovait, erdhi në tempull në shekullin e parë e.s., për të gjykuar