Kush fiton miratimin e Perëndisë, merr jetën e përhershme
«Ti do ta bekosh të drejtin, o Jehova, do ta mbulosh me miratimin tënd si me një mburojë.»—PSAL. 5:12.
1, 2. Çfarë i kërkoi Elija vejushës nga Zarefati dhe për çfarë e siguroi?
VEJUSHA nga Zarefati dhe i biri kishin uri, e po ashtu edhe profeti i Perëndisë. Ajo do të ndizte zjarrin për të gatuar, kur profeti Elija i kërkoi bukë e ujë. Ishte gati t’i jepte për të pirë, por për të ngrënë i kish mbetur vetëm «një grusht miell në qypin e madh dhe pak vaj në qypin e vogël». Ajo i tha profetit se ai grusht miell nuk dilte edhe për të.—1 Mbret. 17:8-12.
2 «Më bëj në fillim mua një kulaç e ma sill,—këmbënguli Elija,—dhe pastaj mund të bësh diçka për vete dhe për djalin tënd. Sepse kështu thotë Jehovai, Perëndia i Izraelit: ‘Mielli në qypin e madh nuk do të mbarojë dhe vaji në qypin e vogël nuk do të shterojë.’»—1 Mbret. 17:13, 14.
3. Para cilës zgjedhjeje të rëndësishme gjendemi?
3 Vejusha duhej të merrte një vendim të rëndësishëm, dhe ky nuk ishte thjesht do ta ndante apo jo kafshatën e fundit me profetin. A do të kishte besim se Jehovai do ta shpëtonte atë dhe të birin apo do të vinte nevojat materiale para miratimit dhe miqësisë me Perëndinë? Edhe ne gjendemi para së njëjtës zgjedhjeje. A do të merakosemi më shumë për të fituar miratimin e Jehovait sesa sigurinë materiale? Kemi çdo arsye që të besojmë te Perëndia dhe t’i shërbejmë. Mund të bëjmë disa hapa që të kërkojmë e të fitojmë miratimin e tij.
‘Ti je i denjë të të adhurojnë’
4. Pse Jehovai është i denjë që ta adhurojmë?
4 Jehovai ka të drejtë të presë që njerëzit t’i shërbejnë në mënyrë të pranueshme. Një grup shërbëtorësh qiellorë e pohuan këtë njëzëri: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» (Zbul. 4:11) Si Krijuesi i gjithçkaje, Jehovai është i denjë ta adhurojmë.
5. Pse dashuria e Perëndisë duhet të na motivojë t’i shërbejmë?
5 Një arsye tjetër për t’i shërbyer Jehovait është dashuria e pashoqe që ka për ne. Bibla thotë: «Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, po, e krijoi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai i krijoi ata mashkull dhe femër.» (Zan. 1:27) Perëndia e krijoi njeriun me vullnet të lirë dhe me aftësinë për të menduar e për të marrë vendime. Duke na dhënë jetë, Jehovai u bë Ati i njerëzimit. (Luka 3:38) Si çdo baba i mirë, ai ka bërë gjithçka për t’u siguruar bijve dhe bijave të tij atë që u duhet për të shijuar jetën. «Ai e bën diellin e tij të ngrihet» dhe «bën që të bjerë shi», e kështu Toka prodhon ushqim të bollshëm në një mjedis të bukur.—Mat. 5:45.
6, 7. (a) Ç’dëm u solli Adami të gjithë pasardhësve të tij? (b) Ç’dobi do t’u sjellë flijimi i Krishtit atyre që kërkojnë miratimin e Perëndisë?
6 Gjithashtu, Jehovai na ka çliruar nga pasojat e tmerrshme të mëkatit. Kur mëkatoi, Adami u bë si një baba bixhozçi që vjedh familjen dhe i prish paratë për t’u marrë me bixhoz. Duke u rebeluar kundër Jehovait, Adami u grabiti fëmijëve të vet të ardhmen—lumturinë e përhershme. Egoizmi i tij e ktheu njerëzimin në skllav të një padroni mizor, papërsosmërisë. Kështu të gjithë njerëzit sëmuren, bëjnë një jetë me brenga dhe në fund vdesin. Një skllav lirohet duke paguar, dhe Jehovai ka paguar që ne të shpëtojmë nga këto pasoja të mjerueshme. (Lexo Romakëve 5:21.) Duke vepruar në harmoni me vullnetin e Atit të tij, Jezu Krishti dha «shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mat. 20:28) Së shpejti, ata që fitojnë miratimin e Perëndisë do të nxjerrin dobi të plotë nga kjo shpërblesë që është paguar.
7 Krijuesi ynë, Jehovai, ka bërë më shumë se kushdo për të na dhënë një jetë të lumtur e me qëllim. Duke pasur miratimin e tij, do të mund të shohim se si do t’i zhbëjë të gjitha dëmet që ka pësuar njerëzimi. Jehovai do të vazhdojë t’i tregojë secilit prej nesh se bëhet «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm».—Hebr. 11:6.
«Populli yt do të paraqitet vullnetarisht»
8. Çfarë na mëson rasti i Isaisë në lidhje me shërbimin që i bëjmë Perëndisë?
8 Për të fituar miratimin e Jehovait, duhet ta përdorim siç duhet vullnetin e lirë, sepse ai nuk detyron askënd që t’i shërbejë. Në kohën e Isaisë, Perëndia pyeti: «Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?» Jehovai e trajtoi me dinjitet profetin, duke pranuar se ai kishte të drejtë të vendoste vetë. Mund ta përfytyrojmë sa i kënaqur ishte Isaia kur u përgjigj: «Ja ku jam! Më dërgo mua!»—Isa. 6:8.
9, 10. (a) Me ç’qëndrim duhet t’i shërbejmë Perëndisë? (b) Pse është me vend t’i shërbejmë me gjithë shpirt Jehovait?
9 Njerëzit janë të lirë t’i shërbejnë ose jo Perëndisë. Jehovai do që t’i shërbejmë me dëshirë. (Lexo Josiun 24:15.) Perëndisë nuk i pëlqen ta adhurojmë me gjysmë zemre; nuk pranon as përkushtimin e atyre që në të vërtetë synojnë vetëm t’u pëlqejnë njerëzve. (Kolos. 3:22) Nëse i shërbejmë me njëfarë ‘ngurrimi’, duke lejuar që interesat e botës të bëhen pengesë për adhurimin tonë, nuk do ta fitojmë miratimin e Perëndisë. (Dal. 22:29) Jehovai e di se është për të mirën tonë t’i shërbejmë me gjithë shpirt. Moisiu i nxiti izraelitët të zgjidhnin jetën ‘duke dashur Jehovain, Perëndinë e tyre, duke dëgjuar zërin e tij e duke qëndruar të lidhur ngushtë me të’.—Ligj. 30:19, 20.
10 Mbreti David në Izraelin e lashtë i këndoi Jehovait: «Populli yt do të paraqitet vullnetarisht ditën kur t’u prish në luftë forcave të tua ushtarake. Të stolisur me shenjtëri, nga gjiri i agimit, të rinjtë e tu do të vijnë si bulëza vese.» (Psal. 110:3) Shumë njerëz sot jetojnë për të fituar siguri financiare dhe për t’u kënaqur. Kurse për ata që e duan Jehovain, shërbimi i shenjtë vjen para çdo gjëje. Zelli me të cilin e predikojnë lajmin e mirë tregon çfarë ka përparësi në jetën e tyre. Ata kanë besim të plotë se Jehovai është në gjendje t’ua plotësojë nevojat e përditshme.—Mat. 6:33, 34.
Flijime që sjellin miratimin e Perëndisë
11. Çfarë shpresonin të fitonin izraelitët duke i paraqitur flijime Jehovait?
11 Nën besëlidhjen e Ligjit, populli i Perëndisë paraqiste flijime të pranueshme për të fituar miratimin e tij. Te Levitiku 19:5 thuhet: «Në rast se i bëni Jehovait një flijim në bashkësi, duhet ta bëni në një mënyrë që të miratoheni.» Në të njëjtin libër biblik lexojmë: «Nëse i bëni një flijim falënderimi Jehovait, duhet ta bëni në një mënyrë që të miratoheni.» (Lev. 22:29) Kur izraelitët paraqitnin në altarin e Jehovait kafshë të përshtatshme për t’u flijuar, tymi që ngrihej ishte si ‘aromë e pëlqyeshme’ për Perëndinë e vërtetë. (Lev. 1:9, 13) Atij i pëlqenin dhe i pranonte këto shprehje dashurie të popullit të tij. (Zan. 8:21) Në këto aspekte të Ligjit gjejmë një parim që zbatohet edhe sot. Ata që i paraqesin Jehovait flijime të përshtatshme, fitojnë miratimin e tij. Çfarë flijimesh pranon ai? Le të shohim dy fusha të jetës: sjelljen dhe të folurit tonë.
12. Cilat praktika do të bënin që ‘paraqitja e trupave tanë si flijim’ të fyente Perëndinë?
12 Në Letrën drejtuar Romakëve, apostulli Pavël shkroi: «T’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, që të bëni një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.» (Rom. 12:1) Për të fituar miratimin e Perëndisë, duhet që trupi ynë të jetë si një flijim i pranueshëm për të. Nëse ndotemi duke përdorur duhan, arrë narkotike beteli, droga ose duke abuzuar me alkoolin, ky flijim s’do të kishte vlerë. (2 Kor. 7:1) Gjithashtu, përderisa ai që «praktikon kurvërinë, mëkaton kundër trupit të vet», sjellja imorale e çfarëdolloji bën që flijimi i tij ta fyejë Jehovain. (1 Kor. 6:18) Për t’i pëlqyer Perëndisë, duhet ‘të bëhemi të shenjtë në gjithë sjelljen tonë’.—1 Pjet. 1:14-16.
13. Pse është e hijshme ta lëvdojmë Jehovain?
13 Një tjetër flijim i pëlqyeshëm për Jehovain ka të bëjë me të folurit tonë. Ata që e duan Jehovain kanë folur gjithnjë mirë për të në publik dhe në shtëpi. (Lexo Psalmin 34:1-3.) Lexoni Psalmet 148-150 dhe vëreni se sa shpesh na nxitin këto tri psalme të lëvdojmë Jehovain. Po, «njerëzve të ndershëm u ka hije të lëvdojnë». (Psal. 33:1) Edhe Shembulli ynë, Jezu Krishti, theksoi se sa rëndësi ka ta lëvdojmë Perëndinë duke predikuar lajmin e mirë.—Luka 4:18, 43, 44.
14, 15. Ç’flijime i nxiti Hozea izraelitët të paraqitnin dhe si u përgjigj Jehovai?
14 Predikimi i zellshëm dëshmon se e duam Jehovain dhe se dëshirojmë miratimin e tij. Për shembull, të mendojmë për nxitjen që u dha profeti Hozea izraelitëve që ishin përfshirë në adhurimin e rremë dhe kishin humbur miratimin e Perëndisë. (Hoz. 13:1-3) Ai u tha të përgjëroheshin: «Fale fajin [o Jehova]. Prano atë që është e mirë dhe ne do të të japim demat e rinj të buzëve tona.»—Hoz. 14:1, 2.
15 Demi ishte kafsha më e kushtueshme që mund t’i ofronte një izraelit Jehovait. Kështu, «demat e rinj të buzëve» u referoheshin fjalëve të sinqerta e të menduara mirë për të lëvduar Perëndinë e vërtetë. Si iu përgjigj Jehovai atyre që bënin këto flijime? Ai tha: «Do t’i dua me vullnetin tim të lirë.» (Hoz. 14:4) Atyre që bënin flijime të tilla lëvdimi, Jehovai u jepte faljen, miratimin dhe miqësinë e tij.
16, 17. Si e pret Jehovai lëvdimin e dikujt që besimi tek Ai e nxit të predikojë lajmin e mirë?
16 Lëvdimi i Jehovait publikisht ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e adhurimit të vërtetë. Për psalmistin ishte kaq jetësore t’i jepte lavdi Perëndisë së vërtetë, sa iu lut: «O Jehova, të lutem, gjej ëndje në blatimet vullnetare të gojës sime.» (Psal. 119:108) Po sot? Isaia foli për një turmë të madhe njerëzish në kohën tonë dhe profetizoi: «Do të shpallin se sa i lëvduar është Jehovai. . . . Ata [dhuratat e tyre] do të ngjiten të miratuar në altarin tim [të Perëndisë].» (Isa. 60:6, 7) Në përmbushje të kësaj profecie, miliona njerëz po i bëjnë Perëndisë «një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij».—Hebr. 13:15.
17 Po ti, a po i bën Perëndisë flijime të pranueshme? Nëse jo, a do të bësh ndryshimet e nevojshme dhe të fillosh ta lëvdosh Jehovain publikisht? Nëse besimi të nxit që të fillosh të predikosh lajmin e mirë, flijimi yt ‘do të jetë për Jehovain më i pëlqyeshëm se një dem’. (Lexo Psalmin 69:30, 31.) Të jesh i sigurt se «aroma e pëlqyeshme» e flijimit tënd të lëvdimit do të arrijë te Jehovai dhe ai do të të japë miratimin e tij. (Ezk. 20:41) Gëzimi që do të provosh, do të jetë i pashembullt.
‘Jehovai do ta bekojë të drejtin’
18, 19. (a) Ç’mendim kanë shumë njerëz për shërbimin ndaj Perëndisë? (b) Ku çon humbja e miratimit të Perëndisë?
18 Sot, shumë njerëz dalin në të njëjtin përfundim si disa në kohën e Malakisë: «S’ia vlen t’i shërbesh Perëndisë. Ç’dobi patëm ngaqë përmbushnim detyrimin ndaj tij?» (Mal. 3:14) Të udhëhequr nga dëshirat materialiste, ata e shohin qëllimin e Perëndisë si të paarritshëm dhe ligjet e tij si pa vlerë në kohën tonë. Për ta, predikimi i lajmit të mirë është humbje kohe dhe diçka acaruese.
19 Këto qëndrime e kanë zanafillën në kopshtin e Edenit. Satanai ia mbushi mendjen Evës të shpërfillte vlerën e vërtetë të jetës së mrekullueshme që i kishte dhënë Jehovai dhe të përbuzte miratimin e Tij. Sot, Satanai i shtyn njerëzit të besojnë se nuk fitojnë asgjë duke kryer vullnetin e Perëndisë. Megjithatë, Eva dhe burri i saj e panë se humbja e miratimit të Perëndisë u kushtoi jetën. Ata që sot ndjekin shembullin e tyre të keq, së shpejti do ta provojnë këtë të vërtetë të hidhur.—Zan. 3:1-7, 17-19.
20, 21. (a) Çfarë bëri vejusha nga Zarefati dhe cili qe përfundimi? (b) Si dhe pse duhet ta imitojmë vejushën nga Zarefati?
20 Sa ndryshon fundi i hidhur i Adamit dhe i Evës me fundin e ngjarjeve të përmendura më sipër për Elijan dhe vejushën nga Zarefati. Pasi dëgjoi fjalët inkurajuese të Elijas, vejusha poqi bukën dhe në fillim i dha pak profetit. Pas kësaj, Jehovai përmbushi premtimin që i bëri me anë të Elijas. Tregimi thotë: «Ajo, ata të shtëpisë së saj dhe Elija hëngrën për ditë të tëra. Mielli në qypin e madh nuk mbaroi dhe as vaji në qypin e vogël nuk shteroi, ashtu si kishte thënë Jehovai me anë të Elijas.»—1 Mbret. 17:15, 16.
21 Nga miliarda njerëzit që jetojnë sot pak janë gati të bëjnë atë që bëri vejusha nga Zarefati. Ajo besoi plotësisht te Perëndia i shpëtimit dhe ai nuk e la në baltë. Ky dhe tregime të tjera në Bibël provojnë se Jehovai e meriton besimin tonë. (Lexo Josiun 21:43-45; 23:14.) Edhe jeta e Dëshmitarëve të Jehovait sot është një provë se ai nuk do t’i braktisë kurrë ata që kanë miratimin e tij.—Psal. 34:6, 7, 17-19.a
22. Pse është urgjente të kërkojmë miratimin e Perëndisë pa vonesë?
22 Dita e gjykimit të Perëndisë «mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë sipërfaqen e tokës» është te pragu. (Luka 21:34, 35) Nuk kemi si t’i shpëtojmë. Pasuritë dhe rehatia s’kanë kurrë aq vlerë sa fjalët e Gjykatësit të emëruar nga Perëndia: «Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju.» (Mat. 25:34) Po, ‘Jehovai do ta bekojë të drejtin, do ta mbulojë me miratimin e tij si me një mburojë’. (Psal. 5:12) A nuk duhet të kërkojmë miratimin e Perëndisë?!
[Shënimi]
A ju kujtohet?
• Pse e meriton Jehovai adhurimin tonë me gjithë zemër?
• Çfarë flijimesh pranon Jehovai sot?
• Çfarë nënkupton shprehja «demat e rinj të buzëve» dhe pse duhet t’ia paraqitim Jehovait?
• Pse duhet të kërkojmë miratimin e Perëndisë?
[Figura në faqen 13]
Ç’vendim të rëndësishëm duhej të merrte kjo nënë nevojtare me kërkesë të profetit të Perëndisë?
[Figura në faqen 15]
Ç’dobi nxjerrim kur i bëjmë Jehovait një flijim lëvdimi?
[Figura në faqen 17]
Kur besojmë me gjithë zemër te Jehovai, nuk zhgënjehemi kurrë