Plotësimi i kërkesave hyjnore madhëron Jehovain
«Do ta madhëroj atë me dhënie falënderimesh.»—PSALMI 69:30, BR.
1. (a) Përse Jehovai e meriton ta madhërojmë? (b) Si e madhërojmë atë me dhënie falënderimesh?
JEHOVAI është Perëndia i plotfuqishëm, Sovrani Universal, Krijuesi. Si i tillë, emri dhe qëllimet e tij e meritojnë të madhërohen. Ta madhërosh Jehovain do të thotë ta vlerësosh më lart se të gjithë, ta përlëvdosh e ta lartësosh me fjalë e me vepra. Ta bëjmë këtë «me dhënie falënderimesh» kërkon që të jemi gjithnjë mirënjohës për atë që Jehovai po bën për ne tani dhe për atë që do të bëjë në të ardhmen. Qëndrimi që duhet të kemi tregohet te Zbulesa 4:11, ku krijesat besimplote frymore në qiell shpallin: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» Si e madhërojmë Jehovain? Duke mësuar rreth tij dhe pastaj duke bërë atë që kërkon prej nesh. Duhet të ndihemi siç ndihej psalmisti kur tha: «Më mëso ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im.»—Psalmi 143:10.
2. Si i trajton Jehovai ata që e madhërojnë dhe ata që nuk e bëjnë këtë?
2 Jehovai i vlerëson shumë ata që e madhërojnë. Për këtë arsye, ai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». (Hebrenjve 11:6) Cili është shpërblimi? Jezui i tha në lutje Atit të tij qiellor: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po, ata që e ‘madhërojnë [Jehovain] me dhënie falënderimesh’ do të «trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të». (Psalmi 37:29) Nga ana tjetër, «nuk do të ketë të ardhme për të keqin». (Fjalët e urta [Proverbat] 24:20) Sidomos në këto ditë të fundit, nevoja për të madhëruar Jehovain është e ngutshme, pasi së shpejti ai do t’i shkatërrojë të ligjtë dhe do të ruajë të drejtët. «Bota po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»—1 Gjonit 2:17; Fjalët e urta 2:21, 22.
3. Përse duhet t’i kushtojmë vëmendje librit të Malakisë?
3 Vullnetin e Jehovait e gjejmë në Bibël, sepse «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia». (2 Timoteut 3:16) Kjo Fjalë e Perëndisë përmban shumë tregime që e bëjnë të qartë se si i bekon Jehovai ata që e madhërojnë dhe çfarë u ndodh atyre që nuk e bëjnë këtë. Një nga këto tregime ka të bëjë me atë që ndodhi në Izrael gjatë kohës së profetit Malakia. Librin që mban emrin e tij Malakia e shkroi rreth vitit 443 p.e.s., gjatë kohës kur guvernator i Judës ishte Nehemia. Ky libër i fuqishëm e drithërues përmban të dhëna dhe profeci që «u shkruan si një paralajmërim për ne, mbi të cilët ka mbërritur fundi i sistemeve». (1 Korintasve 10:11) T’u kushtojmë vëmendje fjalëve të Malakisë mund të na ndihmojë që të përgatitemi për ‘ditën e madhe e të frikshme të Jehovait’, kur Ai të shkatërrojë këtë sistem të lig.—Malakia 4:5.a
4. Cilat janë gjashtë pikat që na tërheq vëmendjen kapitulli 1 i Malakisë?
4 Si na ndihmon në këtë shekull të 21-të libri i Malakisë,—i shkruar më shumë se 2.400 vjet më parë,—që të përgatitemi për atë ditë të madhe e të frikshme të Jehovait? Kapitulli i parë na e tërheq vëmendjen të paktën në gjashtë pika që janë thelbësore për ta madhëruar Jehovain me dhënie falënderimesh, në mënyrë që të fitojmë pëlqimin e tij dhe jetën e përhershme: (1) Jehovai e do popullin e tij. (2) Duhet të tregojmë vlerësim për gjërat e shenjta. (3) Jehovai pret që ne t’i japim më të mirën tonë. (4) Adhurimi i vërtetë motivohet nga dashuria altruiste, jo nga lakmia. (5) Shërbimi i përshtatshëm ndaj Perëndisë nuk është një formalitet i rëndë. (6) Secili nga ne duhet t’i japë llogari Perëndisë. Pra, në këtë artikull të parë në serinë e tri artikujve që trajtojnë librin e Malakisë, le t’i shqyrtojmë një për një këto pika, duke i hedhur një vështrim më nga afër kapitullit 1 të Malakisë.
Jehovai e do popullin e tij
5, 6. (a) Përse Jehovai e deshi Jakobin? (b) Çfarë mund të presim, po të imitojmë besnikërinë e Jakobit?
5 Dashuria e Jehovait bëhet e qartë që në vargjet e para të librit të Malakisë. Libri fillon me fjalët: «Një shpallje: Fjala e Jehovait për Izraelin.» Pastaj Perëndia thotë: «Unë ju kam dashur.» Duke përmendur një shembull, në po këtë varg Jehovai thotë: «Unë e desha Jakobin.» Jakobi ishte një njeri që kishte besim te Jehovai. Me kalimin e kohës, Jehovai ia ndryshoi emrin nga Jakob në Izrael dhe ai u bë paraardhësi i kombit të Izraelit. Jehovai e donte Jakobin pikërisht sepse ishte një njeri me besim. Edhe ata persona nga populli i Izraelit që shfaqën ndaj Jehovait të njëjtin qëndrim si Jakobi, Ai i deshi.—Malakia 1:1, 2.
6 Në qoftë se e duam Jehovain dhe me besnikëri qëndrojmë të bashkuar me popullin e tij, mund të marrim ngushëllim nga pohimi që gjendet te 1 Samuelit 12:22, ku thuhet: «Jehovai nuk do ta braktisë popullin e vet për hir të emrit të tij të madh.» (BR) Jehovai e do popullin e tij dhe e shpërblen atë, më së fundi me jetën e përhershme. Kështu që lexojmë: «Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë. Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.» (Psalmi 37:3, 4) Të duam Jehovain përfshin edhe një pikë të dytë, ndaj së cilës na tërhiqet vëmendja në kapitullin e parë të Malakisë.
Të tregojmë vlerësim për gjërat e shenjta
7. Përse Jehovai e urreu Esaun?
7 Pasi thotë «unë e desha Jakobin», siç e lexojmë te Malakia 1:2, 3, Jehovai vazhdon: «E kam urryer Esaun.» Përse ky dallim? Jakobi e madhëroi Jehovain, kurse vëllai i tij binjak, Esau, nuk e bëri këtë. Esau quhej ndryshe edhe Edom. Te Malakia 1:4, vendi i Edomit quhet territori i ligësisë dhe banorët e tij denoncohen. Emri Edom (që do të thotë «i kuq») i ishte dhënë Esaut kur ia kishte shitur Jakobit të drejtën e çmuar të të parëlindurit, për ca gjellë të kuqe. «Esau shpërfilli parëbirninë e tij»,—thuhet te Zanafilla 25:34. Apostulli Pavël i nxiti bashkëbesimtarët të bënin kujdes që ‘të mos kishte asnjë kurvar, as ndonjë që nuk i vlerësonte gjërat e shenjta, si Esau, i cili në shkëmbim të vetëm një gjelle dorëzoi të drejtat e tij si i parëlindur’.—Hebrenjve 12:14-16.
8. Çfarë e shtyu Pavlin që ta krahasonte Esaun me një kurvar?
8 Përse Pavli i lidhi veprimet e Esaut me kurvërinë? Sepse një mënyrë të menduari si ajo e Esaut mund ta bëjë një person që të humbasë vlerësimin për gjërat e shenjta. Kjo, nga ana e vet, mund të sjellë si pasojë mëkate të rënda, siç është kurvëria. Prandaj, secili prej nesh mund të pyesë veten: ‘A tundohem ndonjëherë ta shkëmbej trashëgiminë time të krishterë, domethënë jetën e përhershme, me diçka aq të përkohshme sa një çanak me thjerrëza? A po i përbuz, ndoshta pa e kuptuar, gjërat e shenjta?’ Esau ishte i paduruar për të kënaqur një dëshirë fizike. Ai i tha Jakobit: «Shpejt, të lutem, më jep një lugë nga ajo e kuqja.» (Zanafilla 25:30, BR) Mjerisht, disa nga shërbëtorët e Perëndisë, në të vërtetë, kanë thënë: «Shpejt! Përse të pres për një martesë të nderuar?» Dëshira për të provuar me çdo kusht kënaqësinë seksuale është bërë çanaku i tyre me thjerrëza.
9. Si mund të ruajmë një frikë plot nderim për Jehovain?
9 Mos ndodhtë kurrë që t’i përbuzim gjërat e shenjta duke përçmuar dëlirësinë, integritetin dhe trashëgiminë tonë frymore! Në vend që të jemi si Esau, le të jemi si Jakobi besimplotë dhe të ruajmë frikën plot nderim ndaj Perëndisë, duke treguar vlerësim të thellë për gjërat e shenjta! Si mund ta bëjmë këtë? Mund ta bëjmë duke pasur kujdes që të plotësojmë kërkesat e Jehovait. Kjo na çon në mënyrë të logjikshme në një pikë të tretë që nxjerr në pah kapitulli 1 i Malakisë. Cila është ajo?
T’i japim Jehovait më të mirën tonë
10. Në ç’mënyrë e përbuznin priftërinjtë tryezën e Jehovait?
10 Priftërinjtë e Judës që shërbenin në tempullin në Jerusalem gjatë kohës së Malakisë, nuk po i jepnin Jehovait flijimet më të mira. Te Malakia 1:6-8 thuhet: «‘Një bir, nga ana e tij, e nderon të atin; dhe një shërbëtor, zotërinë e tij të madh. Nëse unë, pra, jam një atë, ku është nderimi që më jepet? Dhe nëse jam një zotëri i madh, ku ma kanë frikën?’—ju ka thënë Jehovai i ushtrive juve, o priftërinj që përbuzni emrin tim.» «Në ç’mënyrë e kemi përbuzur emrin tënd?»—pyetën priftërinjtë. «Duke paraqitur mbi altarin tim bukë të ndotur»,—u përgjigj Jehovai. «Në ç’mënyrë të kemi ndotur?»—pyetën priftërinjtë. Atëherë, Jehovai u tha: «Duke thënë: ‘Tryeza e Jehovait është diçka për t’u përbuzur.’» Ata priftërinj e bënin të qartë përbuzjen për tryezën e Jehovait sa herë që paraqitnin një flijim me të meta, duke thënë: «Nuk ka asgjë të keqe.»
11. (a) Çfarë tha Jehovai për flijimet e papranueshme? (b) Në ç’mënyrë ishte fajtor populli në përgjithësi?
11 Atëherë, Jehovai arsyetoi lidhur me këto flijime të papranueshme: «Çoja pranë, të lutem, guvernatorit tënd. A do të jetë i kënaqur me ty ose a do të të presë me dashamirësi?» Jo, guvernatori i tyre nuk do të kënaqej me një dhuratë të tillë. Aq më pak do të pranojë Sovrani Universal flijime me të meta! Por fajtorë nuk ishin vetëm priftërinjtë. Vërtet, ata po tregonin mungesë respekti për Jehovain, duke bërë ato flijime. Por, a ishte pa faj populli në përgjithësi? Jo, aspak. Ishin ata që i kishin zgjedhur këto kafshë të verbra, të çala e të sëmura dhe i kishin sjellë te priftërinjtë që t’i flijonin. Çfarë sjelljeje mëkatare!
12. Si ndihmohemi që t’i japim Jehovait më të mirën tonë?
12 Mënyra për të treguar se e duam vërtet Jehovain është t’i japim atij më të mirën tonë. (Mateu 22:37, 38) Ndryshe nga priftërinjtë e pabindur të ditëve të Malakisë, organizata e Jehovait sot jep shumë udhëzime të shkëlqyera biblike që na ndihmojnë ta madhërojmë Jehovain me dhënie falënderimesh, duke plotësuar kërkesat hyjnore. Me këtë lidhet një pikë e katërt e rëndësishme që mund ta nxjerrim nga kapitulli 1 i Malakisë.
Adhurimi i vërtetë motivohet nga dashuria, jo nga lakmia
13. Çfarë po bënin priftërinjtë që tregonte se motivoheshin nga lakmia?
13 Priftërinjtë e ditëve të Malakisë ishin egoistë, pa dashuri dhe të etur për para. Si e dimë këtë? Te Malakia 1:10 thuhet: «‘Gjithashtu, kush prej jush do të mbyllë dyert? Dhe ju nuk do ta ndizni altarin tim për asgjë. Nuk gjej aspak ëndje te ju’,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—‘dhe në blatimin në dhuratë prej duarve tuaja nuk gjej fare kënaqësi.’» Po, ata priftërinj lakmitarë kërkonin pagesë madje edhe për shërbimet më të thjeshta të tempullit, si për shembull për të mbyllur dyert e për të ndezur zjarrin e altarit. S’është për t’u habitur që Jehovai nuk gjente fare kënaqësi nga blatimet e duarve të tyre!
14. Përse mund të themi që Dëshmitarët e Jehovait motivohen nga dashuria?
14 Lakmia dhe egoizmi i priftërinjve mëkatarë në Jerusalemin e lashtë mund të na kujtojnë fare mirë se, sipas Fjalës së Perëndisë, njerëzit lakmitarë nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë. (1 Korintasve 6:9, 10) Meditimi rreth mënyrave egoiste të të vepruarit të atyre priftërinjve na e shton vlerësimin për veprën mbarëbotërore të predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo vepër është vullnetare dhe ne nuk marrim asnjëherë pagesë për ndonjë pjesë të shërbimit tonë. Jo, ne «nuk jemi shitës ambulantë të fjalës së Perëndisë». (2 Korintasve 2:17) Ashtu si Pavli, secili prej nesh me të vërtetë mund të thotë: «Me gëzim ju shpalla falas lajmin e mirë të Perëndisë.» (2 Korintasve 11:7) Vini re se Pavli ‘e shpalli me gëzim lajmin e mirë’. Kjo na sjell në mendje një pikë të pestë, ndaj së cilës na tërheq vëmendjen kapitulli 1 i Malakisë.
Shërbimi ndaj Perëndisë nuk është një formalitet i rëndë
15, 16. (a) Çfarë qëndrimi kishin priftërinjtë ndaj bërjes së flijimeve? (b) Si i bëjnë Dëshmitarët e Jehovait flijimet e tyre?
15 Priftërinjtë e pabesë në Jerusalemin e lashtë e shikonin bërjen e flijimeve si një formalitet të lodhshëm. Për ta ishte një barrë. Siç thuhet te Malakia 1:13, Perëndia u tha: «Ju keni thënë: ‘Ja, sa e lodhshme!’ dhe e keni bërë që të përbuzet.» Ata priftërinj i përbuznin ose i përçmonin gjërat e shenjta të Perëndisë. Le të lutemi që personalisht të mos bëhemi kurrë si ata. Përkundrazi, le të shfaqim gjithmonë frymën që është e qartë në fjalët e 1 Gjonit 5:3, ku thuhet: «Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet tij; dhe megjithatë urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»
16 Le të gjejmë kënaqësi kur i bëjmë flijime frymore Perëndisë, duke mos e parë kurrë këtë gjë si një barrë të lodhshme. Le t’ua vëmë veshin fjalëve profetike: «I thoni [Jehovait] të gjithë: ‘E falsh gabimin; prano atë që është e mirë dhe ne nga ana jonë do të të japim demat e rinj të buzëve tona.’» (Hozea [Osea] 14:2, BR) Shprehja «demat e rinj të buzëve tona» përshkruan flijimet frymore, fjalët që themi për të lavdëruar Jehovain dhe qëllimet e tij. Te Hebrenjve 13:15 thuhet: «Nëpërmjet [Jezu Krishtit] le t‘i ofrojmë gjithnjë Perëndisë një sakrificë lëvdimi, domethënë, frytin e buzëve që deklarojnë publikisht emrin e tij.» Sa të gëzuar jemi që flijimet tona frymore nuk janë thjesht formalitete, por janë shfaqje me gjithë zemër të dashurisë sonë për Perëndinë! Kjo na çon në pikën e gjashtë që mund të nxjerrim nga kapitulli 1 i Malakisë.
Çdokush duhet të japë llogari
17, 18. (a) Përse Jehovai e mallkoi ‘atë që vepronte me dinakëri’? (b) Çfarë nuk kishin marrë parasysh ata që vepronin me dinakëri?
17 Ata që jetuan në ditët e Malakisë mbajtën personalisht përgjegjësi për veprimet e tyre dhe e njëjta gjë vlen edhe për ne. (Romakëve 14:12; Galatasve 6:5) Për këtë arsye, te Malakia 1:14 thuhet: «I mallkuar është ai që vepron me dinakëri kur në grigjën e tij ka një kafshë mashkull [të patëmetë] e ai merr një zotim dhe i flijon një të dëmtuar Jehovait.» Një njeri që kishte një grigjë nuk zotëronte vetëm një kafshë, si për shembull, një dele të vetme, që të mos kishte zgjedhje tjetër. Kur zgjidhte një kafshë për flijim, nuk kishte pse të zgjidhte një që ishte e verbër, e çalë ose e sëmurë. Nëse zgjidhte tamam një kafshë me të meta, kjo do të tregonte se e përbuzte rregullimin e Jehovait për flijimet, pasi një njeri që kishte një grigjë me kafshë patjetër që mund të gjente një që s’i kishte këto të meta.
18 Prandaj, me arsye të vlefshme Jehovai e mallkoi atë që vepronte me dinakëri, që kishte një kafshë mashkull të përshtatshme, por sillte te prifti për flijim, ndoshta duke e tërhequr zvarrë, një kafshë të verbër, të çalë ose të sëmurë. E megjithatë, nuk ka as shenjën më të vogël që ndonjë prift të ketë cituar ligjin e Perëndisë, i cili thoshte se kafshët me të meta nuk ishin të pranueshme. (Levitiku 22:17-20) Njerëzit e arsyeshëm e dinin se do t’u dilte për keq, në qoftë se do të përpiqeshin t’ia ngecnin një dhuratë të tillë guvernatorit të tyre. Por, në të vërtetë, ata kishin të bënin me Sovranin Universal, Jehovain, i cili është shumë, shumë më i madh se çdo guvernator njerëzor. Te Malakia 1:14, çështjet shtrohen në këtë mënyrë: «‘Unë jam një Mbret i madh’,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—‘dhe emri im do të ngjallë frikë midis kombeve.’»
19. Cilën gjë e presim me padurim dhe çfarë duhet të bëjmë?
19 Si shërbëtorë besnikë të Perëndisë, ne presim me padurim ditën kur Mbreti i Madh, Jehovai, të nderohet nga i gjithë njerëzimi. Në atë kohë, «vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin». (Isaia 11:9) Ndërkohë, le të përpiqemi të plotësojmë kërkesat e Jehovait duke imituar psalmistin, i cili tha: «Do ta madhëroj atë me dhënie falënderimesh.» (Psalmi 69:30, BR) Për këtë qëllim, Malakia ka këshilla të mëtejshme që mund të na sjellin shumë dobi. Prandaj, në dy artikujt vijues, le t’i shqyrtojmë me kujdes pjesët e tjera të librit të Malakisë.
[Shënimi]
a Në këtë seri artikujsh, të gjitha citimet nga libri i Malakisë janë marrë nga Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta.
A ju kujtohet?
• Përse duhet ta madhërojmë Jehovain?
• Përse flijimet që bënin priftërinjtë në ditët e Malakisë ishin të papranueshme për Jehovain?
• Si i bëjmë Jehovait një flijim lëvdimi?
• Cili duhet të jetë motivimi për adhurimin e vërtetë?
[Figura në faqen 9]
Profecia e Malakisë e drejtonte vëmendjen te ditët tona
[Figura në faqen 10]
Esau nuk i vlerësonte gjërat e shenjta
[Figura në faqen 11]
Priftërinjtë dhe populli bënin flijime të papranueshme
[Figura në faqen 12]
Në mbarë botën, Dëshmitarët e Jehovait i bëjnë falas flijimet e tyre të lëvdimit